rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Alzheimer kolektiv

Arbër Zaimi

Përdorimi i sëmundjeve si metaforë, për të shënuar kriza të shoqërisë, ekonomisë pra politikës, ka një histori të gjatë, së paku që prej momentit kur nisi të përdoret vetë termi krizë prej grekëve të lashtë, i cili qysh atëherë njërin prej kuptimeve e ka patur sëmundje[1].

Në shoqëritë mesjetare moralistët e religjiozët kanë përdorur lebrën si metaforë për shoqëritë të cilat i perceptonin si dekadente, si të molepsura prej zakoneve të ndyra, si mohuese të rendit hyjnor, si të destinuara për të ndjekur fatin e Gomorrës. Në fillim të periudhës moderne studiues të ndryshëm vënë re se po moralistët përdorin sifilizin për të denoncuar gjymtimin që sipas tyre emancipimi borgjez ia solli shoqërisë, sidomos përmes barazisë gjinore. Tumori dhe metastazat janë përdorur gjerësisht për të shënuar fenomene që lypin një trajtim të menjëhershëm, një ndërhyrje kirurgjikale, pavarësisht kostove, përndryshe mund të çojnë në fatalitet[2]. Kështu kemi kancerin e terrorizmit, tumorin e mizorive në lindjen e mesme, metastazat e autoritarizmit – të cilat janë përdorur deri vonë, edhe nga politikanë shqiptarë.

Në diskursin e pushtetit dominant jo rrallë kemi institucione ndërkombëtare të veshura si mjekë, të tilla si FMN, BB, OKB, BE etj. Kemi vaksinat kundër krizës ekonomike, serumet e ndihmave. Ish-kryeministri italian Mario Monti dikur premtoi se Italia nuk do të jetë më burim infeksioni për Europën…

Kjo nga ana e atyre që janë lart. Parë së poshtmi, metafora më e shpeshtë fiziologjike me përdorim politik është uria e sëmundjet që rrjedhin prej saj.

Në një këndvështrim, një metaforë interesante që do të përshkruante Kosovën e 15 viteve të fundit do të ishte sindroma e Alzheimerit. Një sëmundje që nëpër individë ngjet vetiu, për shkaqe ende të pasqaruara mirë, ndërsa në rastin e metaforës sonë është tërësisht e induktuar. Si me thënë, një program politik për Alzheimer masiv.

Të harrosh të ardhmen

Gjëja e parë që harron i sëmuri me Alzheimer, pra populli i Kosovës në metaforën tonë, është e ardhmja. Dikush mund të ndërhyjë: si ka mundësi të harrohet e ardhmja, ajo ende s’ka ndodhur?

Duhet të bëjmë një ndarje këtu, mes të ardhmes së thjeshtë si rend kronologjik i sendeve që do të ndodhin njëri pas tjetrit, e të ardhmes si tërësi e planeve kolektive e individuale të bëra në të shkuarën, dëshirave, ëndrrave të thurura, të cilat të mbrujtura së bashku në vetëdije e nënvetëdije kolektive shndërrohen në një amanet. Një amanet që mëton të jetë aktual në secilën të tashme, duke e ndikuar kështu edhe të ardhmen e thjeshtë. Në fjalët e Walter Benjaminit:

“E shkuara bart në vete një tregues sekret, përmes së cilit thirret në shpagim. Vallë ai fllad që ka fryrë në kohët që shkuan, a nuk na përkëdhel sot edhe ne? Te zërat që dëgjojmë a nuk gjendet edhe një jehonë e atyre zërave që tashmë janë heshtur? /…/ Në qoftë kështu, atëherë ka një marrëveshje sekrete mes brezave të shkuar dhe këtij të tashmit. Toka e ka pritur ardhjen tonë. Njësoj si secili brez paraardhës edhe ne jemi pajisur me një fuqi të zbehtë mesianike, një fuqi ndaj së cilës e shkuara ka ngritur mëtimin e saj”[3].

E pra, tek i sëmuri me Alzheimer, shenjat e para të sëmundjes janë pikërisht këto. Ai i harron planet e së shkuarës, ëndrrat e thurura, dhe e shkuara e tij pushon së paturi efekt mbi të ardhmen. Ai nuk mund të trashëgojë misione, amanete.

I sëmuri ynë kolektiv ditë pas dite harron se dikur është derdhur gjaku për bashkim, për liri, në emër të një identiteti kolektiv që gjithnjë e më pak përmendet, gjersa të harrohet. Ngadalë shuhen të ardhmet e menduara në të shkuarën e Kosovës. E kujt i leverdis të kujtohen të ardhmet e ëndërruara prej demonstruesve të ’81 e ’89, ëndrrat e ilegalëve, ëndrrat e luftëtarëve, amaneti i një populli që, parë në distancë, duket sikur është një popull krejt tjetër prej këtij të sotmit? Cilat do të kenë qenë ëndrrat e tyre vallë? Vetëvrasjet e dhjetëra ushtarëve të UÇK-së pas lufte janë një element që rrëfen se këto ëndrra s’ka mundësi të kenë përfshirë varfërinë, pabarazinë, padrejtësinë thelbësore të pasluftës.

Asgjë s’i mbetet për të përmbushur të sëmurit me Alzheimer. Dita e re sjell plane të reja, të cilat do të harrohen aty për aty, pa krijuar ndonjë farë vijueshmërie. Personaliteti i të sëmurit zë e thyhet, shndërrohet në shumë persona, në shumë maska pra, siç është edhe kuptimi primar i kësaj fjale.

Maskat e së tashmes

Personaliteti frantik i të sëmurit tonë metaforik heq dorë prej çdo ëndrre të së shkuarës e njëkohësisht hapet përfundimisht ndaj secilës gjë që i thuhet se duhet të ëndërrojë. Por, i paaftë që të ndërtojë plane, edhe ëndrrat e reja destinohen të mbeten të papërmbushura, maska njëpërdorimëshe, kondomë për fytyrën, vlera surrogate që fare shpejt flaken edhe prej atyre që i sjellin prej së jashtmi.

Të këtilla maska ka shumë. Psh. injektohet ëndrra e multikulturalizmit në një shoqëri që në fakt është në kulturalisht e njëtrajtshme shumë më shumë se shoqëri fqinje apo europiane-perëndimore. Por kjo ëndërr s’pushon së vetëdemaskuari. Psh. arrestohen në emër të nxitjes së urrejtjes etnike e fetare disa hoxhallarë – e ndoshta realisht e kanë bërë këtë gjë. Por kur vjen puna për persona publikë që haptazi cysin kundër islamit, duke manipuluar publikun përmes përgjithësimeve, asgjë nuk ndodh. Multikulturalizëm përzgjedhës në këtë laborator.

Një tjetër maskë është importi i drejtësisë. Misionet e huaja marrin përsipër të vënë rend e ligj në Kosovë. Publikut të sëmurë me Alzheimer i shitet si bindje “e vjetër” se e rëndësishme është të ketë drejtësi, jo se cili e vë atë drejtësi, si e në emër të kujt. E ja ku jemi, me EULEX-in e stërpaguar me paratë që numërohen si ndihma për Kosovën. Asnjë “peshk i madh” s’është dënuar në Kosovë për korrupsion, kriminalitet, abuzim të pushtetit, vjedhje të votës, e dhjetëra shkelje të tjera. Me sa duket peshkaqenët gëzojnë imunitet edhe ndaj EULEX-it…

E një maskë aktuale kësokohe është demokracia, edhe ajo e paraqitur si e importueshme. Dikur në Kosovë një president u zgjidh me sms, e tjetri me zarf. Kryeministri i dalë prej të tilla konjukturave, nën sy të ndërkombëtarëve “garantë të demokracisë” kapi njëri pas tjetrin institucionet, e më së fundi e solli Gjykatën Kushtetuese në pikën që të shpallë se në Kosovë pakica e deputetëve mund të bllokojë vullnetin qeverisës të shumicës së tyre. Demokraci se jo mahi.

Të gjitha këto maska të së tashmes vishen prej të sëmurit me Alzheimer, por asnjëra nuk mbahet me seriozitet. I sëmuri i metaforës sonë shndërrohet kështu në një cinik të pashpresë. Atij është e kotë t’i tregosh se maskat e tij janë të rrejshme. Ai e di këtë, por nuk mbërrin të kujtojë prej së shkuarës së tij asnjë të vërtetë që fshihet nën maskën aktuale. Ai është, si në vjershën e Jorgos Seferisit, Mbreti i Asinisë[4], nën maskën e artë të së cilit rri hiçi. I pasur me maska që ia vënë shpesh të tjerët, i varfër në brendi. Në fjalët e Peter Sloterdijk:

“Cinizmi është ‘vetëdije e rrejshme e ndriçuar’. Është ajo vetëdije e modernizuar por e palumtur, mbi të cilën Ndriçimi (enlightenment) ka patur efekt njëherazi të suksesshëm dhe të pasuksesshëm. Ajo vetëdije që i ka mësuar leksionet e Ndriçimit, por nuk i ka vënë kurrë në praktikë, e ndoshta nuk ka qenë e aftë t’i vërë në praktikë. E pasur dhe e mjerë në të njëjtën kohë, kjo vetëdije nuk ndihet më e prekur prej çfarëdo kritike të ideologjisë; sepse rrejshmëria e saj tashmë është e dëshmuar”[5].

Terri në të shkuarën

Leonard Cohen është një këngëtar që në trupën e veprës së tij bart traditën e radikalizmit të ’68, dëshpërimit prej postmodernes, mendimit filozofik të së majtës por edhe një farë gnosticizmi mesianik. Në njërën prej këngëve të veta, të titulluar Darkness (Terri) ai duket sikur ndjek të njëjtën rrjedhë me tekstin tonë dhe thotë: “Mendova se e shkuara do të më zgjaste / Por gjer aty pllakosi terri”[6].

Në fakt e shkuara është gjëja e fundit që i sëmuri me Alzheimer harron, pasi ka harruar fillimisht të ardhmen – ëndrrat e tij në të shkuarën dhe të tashmen – maskat e tij të zbrazëta.

Ky terr në të shkuarën shënon rishpikjen e saj të panumërt, në forma gjithnjë e më të thjeshta, ndërkohë që truri i të sëmurit me Alzheimer bëhet gjithnjë e më i sheshtë.

Harrohen të bukurat e të shëmtuarat e së shkuarës, raportet njerëzore, individët e kolektivët ku dikur ka banuar qenia e tij. Historia rishikohet e rishikohet pa u ndalur, ajo bëhet gjithnjë e më sterile, shterpë, beronjë. Fillimisht prej saj shuhen, në emër të pajtimit, deideologjizimit që në fakt është një tjetër ideologji e re, dekonstruktimit të miteve, diskursit postmodern etj. fjalët si “popull”, “komb”, “klasë”, “sovranitet”, “liri”, “pavarësi”, “luftë”, “barazi”, “qytetari”, “shtypje”, “dhunë”.

Fjalori i të sëmurit me Alzheimer bëhet gjithnjë e më i varfër, ai nis t’i ngjajë fjalorit të fëmijës, por perspektiva e tij nuk është që të rritet. Në të ardhmen ai pritet të foshnjërohet edhe më shumë, siç ngjet në novelën e famshme të Francis Scott Fitzgerald, me personazhin Benjamin Button[7]. Shihini rreth e rrotull të rinjtë, masivisht bjerrakohës, sa pak fjalë përdorin. Duket se aparati që do të duhet t’i ndriçonte, shkolla, media, vetë shoqëria, në ta po çon terrin.

Sepse asnjë aparat edukimi nuk mund të funksionojë përveçse duke i mësuar të ardhmes të shkuarën. Në fakt nuk ka asgjë që të mund të mësohet përveçse të shkuarës. Kur mbi të shkuarën zbret terri, nuk duhet pritur ndonjë diell as në të ardhmen. Një tmerr i tillë, tmerr pa aksion, pa brutalitet, pa dhunë, është ai që shfaqet në filmin e Bela Tarr, “Kali i Torinos”[8], shfaqur së fundmi edhe në televizionet dixhitale shqiptare. Është një demencë që vjen gradualisht, bash si ajo që sillet prej Alzheimerit.

Shpresa?

S’ka vlerë të gënjesh publikun në emër të një shprese të rreme, apo me ndonjë placebo. Alzheimeri nuk ka shërim tek individi. Kolektivi në këtë rast po i nënshtrohet veçse një metafore, e jo ndonjë sëmundjeje reale fiziologjike apo psikologjike. Por, nëse gjykojmë se metafora sadopak qëndron, shqetësimi s’do të duhej të qe i vogël.

Kur një individ është i prekur prej Alzheimerit (real, atij të përkufizuar prej mjekut) e prej sëmundjeve të ngjashme, jo rrallë përballet me braktisje, mënjanim, indiferencë nga ana e shoqërisë që s’ka kohë të merret me të, ndërsa ai gjithnjë e më shumë është i varur, i pavetëmjaftueshëm, nevojtar për shoqërinë.

E kur shoqëria preket prej Alzheimerit (kolektiv, atij metaforikut) çka hasim është një lloj “hakmarrje” e individit. Tash është ai që e braktis shoqërinë, bëhet indiferent ndaj saj, cinik, centrifugal. Ndërkohë që shoqëria, bash në ato momente ka më shumë nevojë për të.

Të dyja braktisjet janë të liga e të dënueshme. Shoqëria do të duhej të përkujdesej për individët e sëmurë, dhe individët do të duhej të përkujdeseshin kur u sëmuret shoqëria…

E vetmja mënyrë për të shpëtuar një organinzëm që me inerci rrotullohet drejt territ, është të shtysh përkundër tij. E kjo duhet të jetë detyra e më të rinjve, e më të fuqishmëve. Jo në moshë, por në vullnet politik. S’ka deus ex machina, s’ka mjekim që mund të vijë prej zarfit. Sikur gjysma e atyre që u aktivizuan në fushatën për vetëdijësimin për sindromën ALS (tepër e ngjashme me Alzheimerin e përshkruar) të përfshiheshin si qytetarë e si atdhetarë në të mirë të përbashkët, ky Alzheimer kolektiv do të ndalej, e ndoshta do të sprapsej.

 

[1] http://en.wiktionary.org/wiki/%CE%BA%CF%81%CE%AF%CF%83%CE%B9%CF%82#Ancient_Greek

[2] http://www.nybooks.com/articles/archives/1978/feb/23/disease-as-political-metaphor/

[3] https://rreth.wordpress.com/2014/04/21/mbi-konceptin-e-historise/

[4] http://www.poetryfoundation.org/poem/181850

[5] http://www.amazon.com/Critique-Cynical-Reason-History-Literature/dp/0816615861

[6] https://www.youtube.com/watch?v=q6q7vCSmUU0

[7] http://www.amazon.com/The-Curious-Case-Benjamin-Button/dp/1607960710

[8] http://www.imdb.com/title/tt1316540/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 2, 2014 nga te Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: