rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Lindja e Thanaticizmit

McKenzie Wark

S’di pse vazhdojmë ta quajmë kapitalizëm. Me sa duket kemi të bëjmë me një lloj dështimi, apo bllokimi të funksionit poetik të mendimit kritik.

As përkrahësit e tij nuk e kanë më problem ta quajnë kapitalizëm. Kritikët e tij duket se janë katandisur thjesht në rolin e atij që i shton ndonjë mbiemër: postfordist, neoliberal, ose në mënyrë më joshëse dhe më optimiste kapitalizëm “i vonë”. Term bittersweet ky, kapitalizmi, i cili duket i paracaktuar të na lërë pas.

Në një ëndërr m’u faneps një nocion që ndoshta do t’i shkonte më shumë, thanatizëm, sipas Thanatosit, birit të Niksës (natës) dhe Erebosit (errësirës), vëllait binjak të Hipnosit (gjumit), siç bien dakord pak a shumë Homeri me Hesiodin.

E provova thanatizmin në twitter dhe Jennifer Mills shkroi: “më duket se kam një fjalë që sjell më shumë entuziazëm vetëvrasës. Thanaticizëm?”

Duket fjalë që të vjen ndore. Thanaticizëm: si një fanaticizëm, një dëshirë galduese, haptazi entuziaste për të vdekur. Jehona e deridikushme e Thatcherizmit na hyn gjithashtu në punë.

Thanaticizëm: një rend social që ia nënvendos prodhimin e vlerës së përdorimit prodhimit të vlerës së shkëmbimit, gjer në pikën sa vlera e shkëmbimit arrin të kërcënojë me zhdukje vetë kushtet e ekzistencës së vlerës së përdorimit. Kjo ndoshta mjafton si rrekje e parë për një përkufizim.

Bill McKibben ka sugjeruar se shkencëtarët e klimatit duhet të fillojnë grevën. Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimin e Klimës kohët e fundit lëshoi raportin për vitin 2013. Pak a shumë thotë të njëjtën gjë që ka thënë vitin e shkuar, por me më shumë evidenca, me më shumë detaje, dhe me pritshmëri më të këqija. E prapë se prapë s’duket se po ndodh ndonjë gjë e madhe për të ndaluar Thanaticizmin. Pse duhet lëshuar raporti pasardhës? S’është puna te shkenca e klimës, ka dështuar shkenca politike. Ose ndoshta ekonomia politike.

Në të njëjtën javë BP qetë-qetë sinjalizoi se kanë për qëllim të shfrytëzojnë tërësisht depozitat e karbonit që ka në pronësi. Një pjesë e madhe e vlerës së kompanisë, fundi i fundit, është pikërisht vlera e atyre pronave. Të mos mihet, të mos shpohet, të mos nxirret prej tokës për t’u bërë karburant, kjo do të qe vetëvrasje për kompaninë, e megjithatë ta kthesh në karburant të tërin, e më pas ta djegësh atë karburant e ta lëshosh karbonin në ajër, kjo do ta bënte klimatin një zonë me të vërtetë të rrezikshme.

Por kjo s’mund të përbëjë pengesë për prodhimin e vlerës së shkëmbimit. Vlera e shkëmbimit duhet ta shtjellojë logjikën e saj të brendshme deri në fund: deri në shfarosje masive. Bishti që është kapitali po tund tokën, që është qeni.

Ndoshta s’është rastësi që privatizimi i hapësirës është shfaqur në horizont si një shans investimi pikërisht në këtë moment kur toka po shkon për dhjamë qeni. Klasa sunduese duhet të jetë e vetëdijshme që po udhëheq drejt ronitjes së tokës. Kështu që kanë nisur të ëndërrojnë për hotele në hapësirë. Se s’duan të preken prej gjithë kësaj, po prapë se prapë duan të kenë një pamje interesante nga dritarja e dhomës.

Ka shumë kuptim fakti që kësokohe agjensitë si NSA-ja pak a shumë po përgjojnë cilindo. Klasa sunduese duhet të jetë e vetëdijshme se tashmë është bërë armike e gjithë species sonë. Ata janë tradhtarë të qenësisë së species sonë. Kështu që, s’është për t’u habitur që i ka zënë paranoja dhe janë në panik. Ata kushedi imagjinojnë se ne të gjithë jemi duke i përndjekur e duke u zënë pritë.

E kësisoj shteti bëhet një agjent i mbikëqyrjes së përgjithshme dhe një forcë e armatosur në ruajtje të pronës. Roli i shtetit nuk është më që të menaxhojë biopushtetin. Për shtetin përditë e më pak ka rëndësi mirëqenia e popullatave. Jeta është kërcënim për kapitalin, e duhet trajtuar si e tillë.

Roli i shtetit nuk është që të menaxhojë biopushtetin, por që të menaxhojë thanopushtetin. Cilit duhet t’i shkëputet të parit aparati që e mban në jetë? Cila popullatë duhet të lihet të qelbet e të vdesë? Së pari ata që s’duhen më as si krah pune as si konsumatorë, e të cilët tashmë s’janë më fizikisht a mendërisht të nevojshëm për forcat e armatosura.

Shumë prej këtyre popullatave as nuk mund të votojnë më. Ata shumë shpejt mund të mbeten edhe pa tollonat e ushqimit dhe pa regjimet e tjera mbështetëse të biopolitikës. Vetëm ata që do të kenë vullnetin dhe aftësinë për ta luftuar vdekjen gjer në vdekje do të kenë të drejtën të mbeten gjallë.

E kjo ndodh veç në botën e mbi-zhvilluar. Qindra milionë tash jetojnë nën kërcënimin e rritjes së nivelit të detit, të shkretëtirizimit e të çarjeve të tjera metabolike. Të gjithë e dinë këtë: pra këto popullata tash e tutje duhet të trajtohen si të skaduara.

Të gjithë e dinë se gjërat nuk vazhdojnë dot kësisoj. Është e qartë. Por askush s’ka qejf të mendojë gjatë për këtë punë. Të gjithëve na pëlqejnë shpërqendrimet tona. Të gjithë e hamë clickbait-in. Por në fakt, të gjithë e dimë. Se megjithatë në shërbim të vdekjes mund të jetosh goxha mirë. Çdo lloj justifikimi sado i lehtë për thanaticizmin si mënyrë jetese shpërblehet me Niagara lëvdatash.

Tash s’kemi më intelektualë publikë; kemi idiotë publikë. Kushdo që ka ndonjë histori për të rrëfyer apo ndonjë ide “game-changing” mund të dalë në televizion, me kusht që ose të tërheqë vëmendjen tutje prej thanaticizmit, ose më mirë ta justifikojë atë. E gjithsesi, edhe idiotët më të mirë publikë të kësaj epoke ngjajnë si shitës makinash të përdorura. Nuk është një epokë e mirë për artin e retorikës.

Është e qartë se universiteti ashtu siç e kemi njohur duhet lënë pas. Shkencat, shkencat sociale dhe humane, secila në mënyrën e vet dikur i janë dedikuar betejave për njohje. Por është e vështirë ta shmangësh përfundimin se, pavarësisht disiplinës së gjithsecilit, rendi që po sundon është një lloj thanaticizmi.

Gjëja më e mirë që mund të bëjnë disiplinat tradicionale të dijes është që të fokusohen në ndonjë problem të vogël, ndonjë problem në ndonjë degëzim, ama ta shmangin panoramën e gjerë duke parë ndonjë detaj. Epo kjo nuk mjafton më. Format tradicionale të prodhimit të dijes, të cilat fokusohen në ndonjë lloj minor apo subsidiar të dijes prapëseprapë mbeten shumë të rrezikshme. Të gjitha ato, herët a vonë, nisin të zbulojnë gjurmët e thanaticizmit edhe në punën e tyre.

Kështu pra, universiteti duhet të shkatërrohet. Në vend të tij do të festohen të gjitha llojet e mosdijes. Disiplina tërësisht të reja po lindin, të tilla si inhumanitetet dhe shkencat antisociale. Objekti i tyre nuk është problemi i njerëzores apo i shoqërores. Objekti i tyre është thanaticizmi, përshkrimi i tij e justifikimi i tij. Ne duhet të identifikohemi me to e t’i gëzohemi atyre gjërave që janë armike të jetës. E një sistem kaq i pagjasë e kaq disfunksional mund të mbijetojë vetëm nëse rrënon gjithë rivalët e vet.

Të gjitha këto mund të jenë dëshpëruese. Por depresioni është një aspekt mbështetës për thanaticizmin. Ti duhet të jesh i dëshpëruar dhe duhet të mendosh se dështimi apo problemi është i yti, individual. Botën e fantazive të tua të shndritshme e iluzore e rrjepin prej teje dhe e lënë realitetin thanatik lakuriq – duhet të mendosh se faji është i gjithi joti. Ti dështove të besoje. Gjej një psikanalist. Merr ca barna. Rrëfeju ndonjë terapisti.

Thanaticizmi gjithashtu rreket të përfshijë ata të cilët e vënë në dyshim sundimin e tij duke bërë një kritikë mbi grimin, e duke kërkuar mënyra të reja për prodhimin thanatik. Bli një makinë hibride! Riciklo mbetjet! Bëji gjërat ashtu siç duhet! Ndaje të ndoturën nga e pastra! E sërish kjo katandiset në virtyt e përgjegjësi personale. Është faji yt pse thanaticizmi dëshiron të shkatërrojë botën. Është faji yt si konsumator, e prapëseprapë s’ke zgjidhje tjetër, pos të konsumosh.

“Ne qytetërimet e mëvonshme… po ashtu e dimë se jemi vdekatarë” tha Valery në 1919. Asokohe, pas luftës më shkatërruese e më të kotë që kish parë bota gjer atëherë, kjo gjë mund të shfaqej me një farë qartësie. Por e kemi humbur atë qartësi. Kështu pra: një propozim modest. Le t’i emërtojmë gjërat të paktën sipas atributit të tyre parësor.

Kjo është epoka kur sundon thanaticizmi: mënyra e prodhimit të mos-jetës. Më zgjoni kur të ketë përfunduar.

Përktheu: Arbër Zaimi

2 komente te “Lindja e Thanaticizmit

  1. Parrulla Armiqesore
    Shtator 28, 2014

    Arber,
    E vleresoj mundin per te sjell ne shqip keto materiale por a mund te japesh ne fund dhe lidhjen e artikullit origjinal?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 28, 2014 nga te Esse dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: