rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Guvernatori

Klodi Leka

Është kthyer në zakon tashmë që në zemër të çdo krize drejtuesit civilë dhe politikë të vendit, skeptikë në kuptimin e saktë të realitetit dhe spurdhjakë për të menduar rrezikshëm, të këlthasin konsensualisht importimin e një dorë të jashtme që do tu jepte fund mosmarrëveshjeve të brendshme. Sipas tyre, gjithçka është korruptuar dhe ky vend nuk bëhet me/nga shqiptarët. Tekembramja, ky është edhe rënkimi (mallkimi) i çdo elitari që pas përpjekjeve mistike për të zgjidhur hallet popullore kupton se receta nuk funksionon.

Njësoj po këlthitet edhe për zgjedhjen e guvernatorit të ri. Çuditshëm dhe para kohe! Akoma pa u zbardhur disa nga detajet më të rëndësishme rreth arrestimit, Konfindustria nxitoi të propozonte vënien e Bankës së Shqipërisë nën varësinë e Bankës Qendrore Evropiane. Ndërkohë, ambasadori amerikan Arvizu, së bashku me disa zëra “të arsyeshëm” publikë, hodhën idenë e vënies në krye të Bankës të një guvernatori të huaj. Isos mbi të huajin iu bashkëngjitën pa hezituar aradhe gurmazesh të tjera. Që nga editorialet e televizioneve kombëtare tek gazetarët e kudogjendshëm dhe kryeministri i vendit, që përmes rrjetit social Facebook lajmëron ngritjen e Këshillit të ri Mbikëqyrës me “shqiptarë të financave ndërkombëtare.” Kështu, u shpalos edhe njëherë hipoteza e moçme e t’Epërmve tanë: çdo gjë e brendshme inferiore e korruptuar, gjithçka e jashtme superiore e evropianizuar.

Hipotezë që u shpalos para disa kohësh nga tri “klasikët” e gazetarisë, F. Lubonja (Lazarati, tumori malinj dhe metastazat), M. Nano (Gjyqtarët e prokurorët e huaj? S’është ide e keqe, por..) dhe i zakonshmi A. Stefani (Drejtësia e pavarur? O revolucion, o Eulex ) në polemikë me kapjen kalbëzuese të sistemit të drejtësisë dhe pamundësinë strukturore për t’u reformuar. Për ta, natë e errët ka rënë, njerëzit e kanë kuptuar logjikën e korruptuar të mekanizmave të pushtetit dhe, përkundër ngritjes së arsyes në revoltë, e përdorin instrumentalisht për një arratisje të përkohshme : “Nga populli s’ka shpresë. Shpresa vjen nga jashtë”. Nga prokurorë të pakorruptueshëm perëndimorë që vendosin rend me dorë të hekurt. Aq sa ky imazh të zhvarrosë puritanët romantike të shek. XIX dhe ta eksitojë “radikalin” famoz Stefani me fantazira dritëshkurtra alla Eulex, që në Kosovë paska bërë sa e sa çudira.

Po ç’rrëfejnë këto klithma inferiore dhe çfarë problemesh shfaqin në zbatimin e tyre praktik? Ok, e sakrifikojmë dinjitetin “abstrakt” të sovranitetit e të vetvëbesimit shtetëror dhe importojmë një Mario Draghi evropian për bankthën e vogël qendrore. E çfarë pastaj?!

Pikësëpari, ajo çka del nga kjo mesele është idiotësia dhe servilizmi ulëritës në mesin e elitave tona drejtuese. Është e pabesueshme se si nuk arrijnë të kuptojnë që këto aventura shpërfaqin me gjithë banalitetin e tyre faktin se këta drejtues janë të paaftë dhe të panevojshëm për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme. Se ata janë të kapur ngushtësisht nga njëri-tjetri. Se ata janë jo vetëm rrenacakë, por edhe rrenacakë që nuk i kuptojnë aspak rrenat me të cilat rrejnë veten dhe të tjerët (ideja dhe padija e Stefanit është kaq çmeritëse saqë ky gazetar i gjithkundndodhshëm dhe e vërteta rreth EULEX ndodhen një gugëllim larg, por s’kanë ndërmend të takohen).

Pikësëdyti, ky është dorëzim/dorëheqje e hapur nga çdo logjikë e shtetit dhe e sovranitetit. Është akt që shpalos jo vetëm kompleksin e inferioritetit lehtësisht të provueshëm të burrështetasve tanë, paaftësinë e tyre për të vendosur autoritet, por edhe shenjat e penetrimit fetar të neoliberalizmit në mendësi dhe praktikë politike. Sot, neokolonializmi është  legjitimuar dhe kuislingët kërkojnë kokë për kurorat e tyre.

Pikësëtreti, një nga problemet themelore në zbatimin praktik të idesë së teknokratit  janë njohuritë e kufizuara rreth bazës ekonomiko-shoqërore të vendit. A do të mund t’ia dalë me dy përkthyes dhe tri analiza të thukëta ekonomike të ndërtojë qëndrueshmëri të paqtë financiare? A do mund të luajë bixhozin e politikës ditore? Apo do të hedhë zaret për tjetërkënd? Një kalim i thjeshtë logjik të thotë se performanca e një guvernatori të huaj në raport me mundësitë e tij për të përmirësuar të dhënat ekonomike të Bankës nuk do të sillte asgjë të re, madje do të vazhdonte fullanizimin e mëtejshëm të institucionit, duke u zhytur në luksin dhe melankolinë e një pushteti të pakuptimtë.

Pra kjo kërkesë, zgjedhja e një guvernatori të huaj për institucionin më të rëndësishëm dhe vendimtar të shtetit shqiptar nuk vlen as në aspektin teorik, as në atë praktik.  I huaji, siç kanë treguar veprat e përditshme të ambasadorëve, audituesve dhe sipërmarrësve ekonomikë nuk është zgjidhja e problemit, por konservimi i tij. A do të thotë kjo se ka vetëm një rrugë për t’i përmirësuar gjërat dhe jashtë kësaj rruge o asgjë, o regres?

Këtu nis dhe problemi: ideja se ka vetëm një rrugë. Debati publik rreth ndodhive në Bankën e Shqipërisë bëri që të zhurmojë i madh e i vogël me pretekstin e pavarësisë së bankës, pa e njohur dhe pa e menduar fare se ç’do të thotë pavarësi, vetëm e vetëm se ky koncept u përsërit  pafundësisht nga burrat e kollarisur të të gjitha rangjeve. Por se çfarë krijoi kjo pavarësi nuk flet kurrkush. E bash ky është rasti që ky koncept të diskutohet me synimin për t’u humbur. Pavarësia e Bankës së Shqipërisë nga të gjitha vullnetet kushtetuese (përpos parlamentit) shkon ndesh me arsyen publike, me veprimtarinë e përditshme të tri pushteteve dhe legjitimitetin e qeverisë së vendit. Të gjitha këto institucione kanë të njëjtat synime: ruajtjen e stabilitetit financiar, të fuqisë blerëse dhe zhvillimit ekonomik. Përse duhen pavarësuar me gardhe të pakapërcyeshme atëherë? Për përsëritësin e zakonshëm të urdhëresave hegjemonike, pavarësia është prezervativ i domosdoshëm që qeveritë të mos abuzojnë me mjetet financiare që ofron kjo strukturë. Por kjo është vetëm njëra fytyrë e medaljes, në zemër të së cilës fshihet arsyeja e vërtetë: pikërisht privimi i politikës nga ekonomia.

Ky privim (kjo pavarësi) i politikës nga ekonomia, nga mjetet dhe struktura e saj, është standard i imponuar ideologjik nga Banka Qendrore Evropiane kundrejt bankave të vogla kombëtare, për t’i vënë këto në funksion të qarkullimit global të financave dhe jo zhvillimit kombëtar të ekonomisë. Kjo ndarje nuk është e rastësishme, por shprehje e ndarjes së madhe ideologjike përbrenda kapitalizmit të shek. XX (viteve ’80), ku shteti social dhe prodhimi i brendshëm u zëvendësuan nga shteti represiv me bazë ekonomike privatizimet dhe bixhozin e shfrenuar monetarist. Ky privim e çarmatos shtetin së paku nga mundësia për të përftuar një vëzhgim objektiv mbi kontingjencën ekonomike dhe së shumti nga mundësia për ta kontrolluar aparatin ekonomik, që është dhe baza e të gjitha marrëdhënieve shoqërore, e rregullimit dhe transformimit të tyre.

Ndaj, përkundër ideve “racionale” dhe të “moderuara”, që duke u preokupuar për sigurimin e Bankës nga perversionet qeveritare e prostituojnë në duar që vetëm tonat nuk janë, sot duhet të shpalosim hipotezën e “rrezikshme” të vendosjes së Bankës në funksion të interesave dhe kontrollit shtetëror, rikonceptimin e veprimtarisë ekonomike  dhe zgjerimin demokratik të autoritetit mbikëqyrës.

Së pari, Banka duhet të vazhdojë të drejtohet nga një guvernator i zgjedhur parlamentarisht, por veprimtaria e saj, kompetencat dhe objektivat, duhet të përcaktohen në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Ekonomisë dhe Kryeministrin. Vetëm një ndërthurje e tillë mund të sigurojë kushtet për planifikime afatshkurtra dhe afatgjata të zhvillimit të brendshëm ekonomik, përmbushjen e objektivave sociale dhe synimeve kolektive shoqërore. Ky binjakëzim do të mundësonte gjithashtu  izolimin e parasë së kuqe, abuzimet e rënda të bankave të huaja me kapitalin vendas dhe frytëzimin e plotë të taksimit progresiv.

Së dyti, Banka e Shqipërisë duhet t’i zgjerojë limitet e veprimtarisë ekonomike. S’mjafton roli i mbikëqyrësit dhe konstatuesit të qarkullimit financiar për të ndikuar tek ky qarkullim. Banka duhet të konkurrojë me bankat e tjera private me funksione të plota të shkëmbimit financiar. Shtrirja në të gjithë territorin dhe komunitetet e emigrantëve shqiptarë do të mundësonte një depozitim të volitshëm të kursimeve që ndryshe nga bankat e huaja nuk i kthejnë më paratë në xhepat e po atyre pronarëve, që modeli ynë ekonomik i favorizon trefish me: fuqi të lirë punëtore, import mallrash konsumi dhe transferta bankare qindra miliona eurosh. Ky rikonceptim i Bankës do të kushtëzonte medoemos ndryshimin e modelit ekonomik dhe qarkullimit financiar. E kjo do tu shërbente nëntëdhjetë e nëntë për qind të popullsisë: biznesit të vogël dhe të mesëm, industrialistëve dhe sipërmarrjeve ekonomike, bujqve dhe fermerëve që sot  vazhdojnë të vuajnë e të falimentojnë nga kreditë e këqija. Do t’u shërbente punëtorëve dhe pensionistëve për sigurimet e tyre shëndetësore, sociale dhe jetësore. Studentëve për sipërmarrje kreative. Ekonomisë me një industrializim të shpejtë dhe rendiment të lartë prodhimi bujqësor.

Së treti, autoriteti mbikëqyrës nuk duhet të vazhdojë më tutje me “mbikëqyrjen” e pak burokratëve  me paga luksoze dhe lidhje të shumëfishta politiko-biznesore. Siç e pamë, këta burokratë, përmes pavarësisë së tyre famoze, kanë prirje që të shpërdorojnë detyrën, t’i japin statusit privilegje feudale dhe të vihen në funksion të modeleve të falimentuara tashmë. Të drejtën e mbikëqyrjes dhe pjesëmarrjes në Këshill duhet ta kenë edhe fakultete të caktuara (si ai Ekonomik, i Shkencave Sociale dhe Juridike) me të zgjedhurit/deleguarit e tyre, organe të pavarura kushtetuese (Avokati i Popullit, Komisioneri i të drejtave të njeriut etj) dhe palë të identifikuara qytetarësh që shprehin vullnetin për t’u njohur me nga afër me bilancet dhe mbarëvajtjen e Bankës. Kjo do të ndalonte dhe mundësinë e një shkërdhimi të mundshëm qeveritar të Bankës, për të cilën preokupohen kaq fort liberalët tanë “të pashkërdhyeshëm”.

Pra, ka dy rrugë: o një guvernator dhe një Bankë për Shqipërinë, o një guvernator dhe një Bankë Shqipërie që vetëm Shqipërisë s’i përkasin. Zgjedhja mbetet e hapur. Vendimi do të përcaktojë se çfarë pavarësie do të kemi: pavarësi të shoqërisë dhe shtetit; apo pavarësi të elitave nga shoqëria dhe shteti, për t’u varur pas opiumit iluziv që po na shpie të gjithëve drejt greminës.

                   Dy shënime të orëve të vona:

1. Nga të gjithë “klasikët” e sipërpërmendur dhe të papërmendur të gazetarisë me duhet të dalloj publicistin Fatos Lubonja, kritika e të cilit zakonisht është reale dhe radikale. Mirëpo ka raste kur ky analist, skeptik për nga natyra dhe ngatërrues i majtizmit radikal me komunizmin stalinist, bie pre e disa klisheve të caktuara historike, që jo medoemos përbëjnë gjykim moral për zhvillimet e sotme politike.

2. Fullani u “lirua” me vetëm një arrest shtëpie pas gjykimit të çështjes në shkallën e apelit. Sipas Gjykatës, provat e paraqitura nga prokuroria për shpërdorim detyre nuk mjaftojnë dhe deri në përfundimin e plotë të hetimeve i akuzuari vip s’ka përse të qëndrojë pas hekurave. Skemë e zakonshme kjo, që pas një zvarritjeje lodhëse mikpasmiku dhe gjyqpasgjyqi të dalë i pafajshëm o në mungesë të provave o për hir të procedurave. Ndërkohë, miku i tij stabilizues Arvizu siguron terrenin e “depolitizimit të çështjes”. Kryeministri u përgjigjet “mbrapsht” akuzave gojëpista të qytetarëve me rastin e lirimit të Fullanit, dhe u siguron atyre se nuk është as prokuror dhe as gjykatës, dhe se koha e diktaturës së proletariatit ka ikur tashmë për të bërë të tilla padrejtësi etj, etj. Ndërsa NE mendojmë se problemi i ligjit nuk qëndron vetëm tek moszbatimi, por edhe tek përmbajtja e tij. Burokratët e korruptuar nuk dënojnë burokratë të korruptuar, për me tepër me burokracinë që vetë e tjerrin e vetë e shkepin. Reformimi i pushtetit gjyqësor strukturalisht duket i pamundur pasi të gjitha mekanizmat janë kapur dhe korruptuar. E demokracia nuk rivendoset ndryshe përveçse duke e shkelur me dyja këmbët “demokracinë”.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 26, 2014 nga te Politikë, Publicistikë.

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: