rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

“Çeku i bardhë” gjerman

Blendi Kajsiu

Konferenca e fundit në Berlin për Ballkanin Perëndimor te ne prodhoi fantazinë e radhës me shpëtimtarë që vijnë nga jashtë dhe hedhin miliarda euro (12 miliardë në rastin konkret) për të nxjerrë Ballkanin nga mjerimi. Më parë prisnim shpëtim prej çekut të bardhë amerikan. Në atë kohë shqiptarët puthnin me adhurim makinën e Xhejms Beikerit. Më pas filluam të shpresonim për çekun e bardhë europian, që do ta merrnin sapo të futeshim në Europë (diku nga viti 2006, sipas llogarive që bëheshin në vitin 1992). Fatkeqësisht që nga viti 2008 BE-ja u fut në krizë dhe pamë se anëtarësimi në BE nuk të zgjidh shumë punë; Greqia, Spanja dhe Italia janë ende në krizë të thellë ekonomike, Rumania, Bullgaria dhe Hungaria kanë probleme politike më serioze sot sesa dje, kur nuk ishin anëtare të BE-së. Nuk është rastësi që pikërisht sot fillon fantazia e radhës me çekun e bardhë gjerman. Gjermania është superfuqia ekonomike perëndimore, që ka mbetur në këmbë pas krizës së SHBA-ve dhe të BE-së. Ndaj nuk ka se me kë tjetër të fantazojmë.
Fantazia tashmë është kthyer në një propagandë që po mbulon çdo ditë e më shumë realitetin, duke riprodhuar marrëdhëniet neokolonialiste mes Shqipërisë dhe partnerëve të saj perëndimorë. Sipas kësaj, propaganda për zhvillimin e Shqipërisë vjen vetëm nga jashtë. Partnerët tanë perëndimorë mendojnë më shumë për të mirën tonë, sesa për interesat e tyre. Ndërkohë që interesat e tyre dhe tonat përputhen plotësisht.

Problemi është se asnjëra nga tezat e mësipërme nuk qëndron plotësisht. Së pari, përtej propagandës, Konferenca e Berlinit u zhvillua jo për të përshpejtuar anëtarësimin e rajonit në BE, por sepse realisht mungon perspektiva europiane për Ballkanin Perëndimor. Pas anëtarësimit të Kroacisë, BE-ja e bëri të qartë se nuk do të flitet për zgjerim në pesë vitet e ardhshme. Në këtë aspekt, Gjermania dhe vende si Austria, ku do bëhet takimi i radhës, po përpiqen të mbushin vakumin që ka lënë projekti europian si pasojë e krizës së thellë, në të cilën ndodhet BE-ja. Kështu, në vend të ëndrrës europiane, që tashmë është zbehur, ne do të mund të flasim për ëndrrën gjermane (pasi Austria është pak e vogël për të na bërë të ëndërrojmë).

Së dyti, në themel të kësaj konference janë interesat gjermano-austriakë përpara atyre shqiptarë. Kjo duhet theksuar, sepse kur lexon mediat tona të krijohet përshtypja se Merkeli është Kryeministre e Gjermanisë me kohë të pjesshme, sepse shumicën e kohës merret me luftën mes Ramës dhe Berishës.

Një nga qëllimet kryesore të konferencës, sikurse del qartë edhe në deklaratën përfundimtare, është që të mbajë hapur tregjet e Ballkanit, duke theksuar rëndësinë e tregtisë së lirë dhe e investimeve të huaja, si e vetmja mundësi për zhvillimin e rajonit. Pra, kemi të bëjmë me një deklaratë, që e shikon zhvillimin e Shqipërisë si diçka që vjen nga jashtë dhe jo nga brenda. Po ç’të keqe ka këtu? – mund të pyesë me të drejtë dikush. A nuk përputhen 100% interesat gjermanë dhe ato shqiptarë? Nga ana ekonomike aspak. Ekonomia gjermane dhe ajo shqiptare janë dy ekonomi në faza krejt të ndryshme zhvillimi, për pasojë edhe nevojat e tyre janë shumë të ndryshme. Nëse Gjermania kërkon tregje të hapura, pasi konkurron fuqishëm, Shqipëria është e paaftë të konkurrojë me fqinjët dhe jo më me ekonominë gjermane. Nuk është rastësi që ne kemi deficite të thella tregtare, një borxh të jashtëm gjithnjë e në rritje dhe një ekonomi që thjesht ofron krah të lirë pune.

Në këto kushte, Shqipëria nuk mund të ndjekë të njëjtat politika ekonomike që i interesojnë Gjermanisë apo Austrisë, përndryshe ekonomia shqiptare do të kthehet thjesht në një rezervë të krahut të lirë të punës, siç po ndodh deri më sot. Vetë Gjermania gjatë shekullit të 19-të, kur nuk konkurronte dot me Britaninë e Madhe, ndiqte këshillën e ekonomistit të saj kryesor, Friedrich List (1789-1846), që fliste për proteksionizëm dhe për ekonominë kombëtare e kundër tregtisë së lirë të Adam Smithit anglez. Natyrisht sot gjërat kanë ndryshuar për Gjermaninë, por jo për Shqipërinë.

Po kështu, ideja se në marrëdhënien BE-Shqipëri është kjo e dyta që po përfiton më shumë, është një përrallë që i intereson Gjermanisë, por jo e vërteta e realitetit shqiptar. Shqipëria i ka hapur të gjitha tregjet e saj ndaj BE-së. Qindra-miliona euro deficit tregtar shqiptar çdo vit janë para që shkojnë nga Shqipëria drejt BE-së. Disa nga sektorët kryesorë dhe më fitimprurës të ekonomisë shqiptare si bankat apo kompanitë celulare, kontrollohen nga kapitali europian. Qindra-miliona euro dalin çdo vit nga Shqipëria në formë fitimi drejt BE-së. Pa folur për krahun e lirë të punës, që Shqipëria vazhdon t’i ofrojë Europës si në vend, ashtu në Italinë dhe Greqinë fqinje.

Ama kur flitet për raportet BE-Shqipëri, flitet vetëm për ndihmat prej miliarda eurosh që BE-ja apo institucionet e huaja i kanë ofruar Shqipërisë. Këto ndihma në shumicën e rasteve, kur nuk janë borxhe, janë para që vetëm sa e cekin Shqipërinë dhe kthehen andej nga vijnë. Në këto 20 vite janë harxhuar miliarda euro në trajnime dhe ekspertizë nga ekspertë europianë që paguhen me paratë e “ndihmave për Shqipërinë”. Janë hedhur qindra-miliona euro për shoqërinë civile shqiptare, që në shumicë janë përftuar nga OJQ europiane apo amerikane.

Pa folur këtu për çështjen e prioriteteve, që në shumicën e rasteve, më shumë se me problemet shqiptare, kanë të bëjnë me hallet europiane. Mjafton të shohësh se sa shumë para janë hedhur për kontrollin e kufirit (për të ndaluar emigracionin ilegal) apo për projekte antikorrupsion, dhe sa pak për punësimin, plagë e rëndë e shoqërisë shqiptare. Pa folur gjithashtu për faktin që, edhe nëse ndihma në letër është 12 miliardë euro, aftësia thithëse e Shqipërisë në realitet mund të jetë vetëm 12 milionë euro. Ndihma nuk “jepet” apo “merret” nëpërmjet procedurave që përcakton BE-ja, që shpesh janë përtej kapaciteteve për vende si Shqipëria.
Teksa ne presim për një copë ndihmë nga jashtë, sektorët strategjikë dhe më fitimprurës të ekonomisë sonë (bankat, komunikacioni, energjia, minierat) ose privatizohen për një copë bukë, në mënyrë që ne të lajmë borxhin e jashtëm, ose kontrollohen nga kapital i huaj. Teksa ne presim që të vijë investitori i huaj nga Gjermania për të na shpëtuar, qeveria jonë nuk bën asgjë për të rigjallëruar industrinë e naftës, të kromit apo të bakrit, duke hapur kështu mijëra vende pune.

Dhe nuk i vë dot shumë faj. Nga njëra anë minierat dhe burimet natyrore i kanë privatizuar dhe fragmentuar klientelat politiko-ekonomike. Nga ana tjetër, borxhet e reja që qeveria merr nga jashtë, duhen për të larë borxhet e vjetra. Ato nuk mund të investohen tek industritë ekzistuese, të cilat sipas BE-së dhe Bankës Botërore duhet thjesht dhe vetëm të shiten te kapitali i huaj. Ndërkohë që ndihmat europiane shërbejnë për trajnime administrate apo përkthime legjislacioni evropian, që shpesh nuk kanë lidhje fare me realitetin shqiptar.

Ndaj ne vazhdojmë të presim mrekullinë që do vijë nga jashtë. Harrojmë kështu që momenti historik shqiptar do të ndodhë në Shqipëri dhe jo jashtë saj; Kur kompanitë shqiptare të fillojnë të konkurrojnë në tregjet europiane, jo kur kompanitë gjermane të vijnë në Shqipëri. Kur klasa punëtore shqiptare të jetë e siguruar, e mirëpaguar dhe produktive, jo kur ajo shërben thjesht si krah i lirë pune. Momenti historik do të ndodhë kur të kuptojmë se zhvillimi buron nga brenda. Deri atëherë ne do të përshëndesim si moment historik çdo deklaratë apo marrëveshje, që nënshkruan qeveria jonë në Perëndim. Qoftë kjo edhe një konferencë ku Angela Merkel e trajton Kryeministrin tonë si vartës të saj, duke e ulur në karrigen e ministrit të Financës.

Një koment te ““Çeku i bardhë” gjerman

  1. Pingback: » “Çeku i bardhë” gjerman

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 2, 2014 nga te Ekonomi, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: