rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Për emancipimin e shoqërisë, gruaja

Dilfirus Vrioni

E di që do të duket patetike, por e thënë me një fjalë: nuk ke nga e fillon. Maskilizmi i shoqërisë shqiptare sa vjen edhe forcohet. Natyrisht që ky nuk është vetëm një efekt që ne shqiptarët vetëm ia shkaktojnë vetes. Një pjesë e madhe e kësaj shtypje ndaj gruas vjen nga jashtë, nga mediat, televizionet, revistat, moda, pastaj nga brenda, shkolla, puna, nga rruga. Me pak fjalë zor se nuk e ndien se je grua sa nis e derisa përfundon ditën. E ç’të keqe ka të ndihesh grua?

E di që kjo puna: e grave, e feminizmit quhet e tejkaluar. Se tani gruaja e ka arritur “barazinë”, ajo punon të njëjtat punë më burrat (jo fort e sigurt kjo për mendimin tim). Se ajo tani po shkollohet njëlloj si djemtë, ose siç nxjerrin statistikat, tani ka më shumë vajza që janë të regjistruara dhe mbarojnë universitetet sesa djem. Që ajo ka lirinë e zgjedhjes, abortit, e besimit, të veshjes, të zhveshjes më shumë, ka kuota për gratë. Tanimë kemi edhe 7 gra ministre, pra gjatë janë në pozitë “të favorshme”. Por pse ka akoma shumë gra që dhunohen, që s’kanë të drejta, që s’janë të barabarta në familje, shoqëri, dhe punë me burrat? Cila është shqiptarja e së ardhmes?

“Aksioni i grave s’ka qënë kurrë veçse simbolik, – thotë Simone de Beauvoir, në librin e saj, Le deuxième sexe, 1949 – ato s’kanë fituar kurrë gjë tjetër veçse asaj që burrat kanë dashur t’u japin. Ato s’i kanë krijuar kurrë mundësitë dhe mjetet që të bëheshin bashkë dhe t’i kundërviheshin kësaj shtypjeje. S’ka patur mes tyre solidaritet të punës apo interesave, ato janë ishuj për njëra tjetrën, mes shoqërisë së dominuar nga burrat”

Gratë shqiptare s’kanë dalë kurrë në protestë për të drejtat e tyre. Sepse ato nuk kanë ndonjë kërkesë të qartë për vetveten, si grua. Se shtypjen ia ofron shoqëria, të cilën e përbëjnë burra edhe gra, do të thotë që gratë nuk i shtypin ekskluzivisht vetëm burrat, por edhe gra të tjera. Ato nuk ndalojnë të shohin qartë. Në njëfarë mënyrë secila grua, ndihmon për të shtypur veten dhe gratë e tjera. Gruaja shqiptare e ka patur të drejtën e votës që nga 1920, pra 24 vjet më përpara sesa gratë franceze, 26 vjet më përpara nga gratë e tjera të Ballkanit Perëndimor, 51 vjet përpara grave zvicerane. Them e kanë patur se ato nuk kanë luftuar për këtë gjë, nuk e kanë fituar, nuk kanë dalë kurrë nëpër rrugë për ta kërkuar këtë. Nuk do ta dimë asnjëherë se kur do i kishte ardhur kjo kërkesë për vetveten, nga vetvetja.

Ka një lloj mendimi sot që qarkullon se tregu i punës kërkon vetëm vajza. Për shitëse duhen vajza, për sekretare duhen vajza, për kamariere duhen vajza, për shumë punë kërkohen vajza. Këtu ka dy probleme, e para është se këto punë që duhen gra apo vajza janë punë ku ato duhen për fasadë, duhen gra se ashtu u pëlqen burrave. Se shitet më mirë kur është një vajzë dmth edhe guaja është aty se ashtu e kërkon tregu. E dyta, preferimi i grave për këto poste është tregues i nivelit të seksizmit. Fakti që shumë gra janë të kërkuara në punë të nivelit të dytë dhe të tretë nuk do të thotë që burrat po diskriminohen, siç pretendohet. Kjo tregon se konsumerizmi e ka futur edhe gruan në gjërat që blihet dhe shet më shumë, si të preferuar nga tregu dhe për pasojë, mall.

Një nga shumë fushatat seksiste të marketingut, gruaja njëherazi konsumatore edhe mall për konsum.

Një nga shumë fushatat seksiste të marketingut, gruaja njëherazi konsumatore edhe mall për konsum.

Problemi më i madh i grave sot, në mendimin tim, është ndërgjegjia për veten si të tilla, si qytetare të barabarta të shoqërisë. Ato po ushqehen nga idhuj të rremë të cilët ia kanë shtuar varësinë ndaj konsumit edhe kaq. Shumë gra sot mendojnë se pavarësia vjen nga mjete, kulti idiot i pavarësisë që vjen nga mjeti, si psh, nga makina personale, nga shtëpia personale, nga jeta e pavarur dhe e bollshme materiale shumica prej tyre natyrisht nuk i arrijnë këto “objektiva”. Ndërkohë që robërohen çdo ditë në punë të vështira nënat dhe vajzat e reja që kanë zgjedhur të punojnë punë të ndershme ndërsa, shumë të tjera gjysmë-shiten për të siguruar pak pavarësi, e cila është e varur nga burrat me pushtet ose para. Natyrisht edhe kjo është një mënyrë mbijetese, ndonëse shpesh e pandërgjegjshme.

Dini ju sot ndonjë vend ku gratë, këto shoqatat e grave që operojnë, e marrin gruan punëtore dhe e ndriçojnë për vetveten si njeri, si grua, si të barabartë? Që i tregojnë ç’kanë bërë gra në kushte dhe kohë të ngjajshme në botë? A nuk do ishin këto gra të ndriçuara më pak të dhunuara, s’do dinin ta mbronin veten më mirë, s’do të kishin turp që i dhunonin por dhunuesin do ta denonconin më me forcë e sypatrembura.

Gratë nuk duhet të përpiqen fare të jenë “gjysma më e mirë” e burrave. Ato duhet të përpiqen të jenë qytetare të mira të shoqërisë. Ato mund të sjellin paqen sa edhe burrat, siç mund të jenë burim arrogance, ambicie për pushtet edhe luftërash.

Emancipimi nuk është fund që preket dhe as nuk është arritur. Gruaja nuk është çliruar as nga kufizimet e saj politike, as shoqërore dhe as ligjore. Nuk mjafton dhe nuk është efikas lobimi i asnjë grupi tjetër më shumë sesa gratë dhe puna e tyre emancipuese për shoqërinë. Nga ana e asaj gruaja lufton për të drejta të saj të barabarta me burrat, po asnjëhërë rezultat i kësaj lufte nuk është arritja ekskluzive e seksit femër, kjo është banale dhe e cekët për t’u kuptuar. Nga lufta që gruaja bën për të drejta të saja të barabarta në shoqëri gjithmonë arrihet emancipimi i shoqërisë.

 

2 komente te “Për emancipimin e shoqërisë, gruaja

  1. Pingback: Për emancipimin e shoqërisë, gruaja - Blink

  2. Pingback: » Për emancipimin e shoqërisë, gruaja

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 1, 2014 nga te Gjinore, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: