rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

13 gjëra që s’t’i mësojnë mbi “shkencën e ekonomisë”

Ha Joon Chang

  1. “Shkenca e ekonomisë” në fillim fare quhej “ekonomi politike”

changEkonomiksi është politikë, dhe kurrë s’mund të jetë shkencë. Megjithatë shkolla që mbizotoëroi në ekonomiks, shkolla neoklasike, ia doli mbanë që ta ndryshonte emrin e disiplinës në fillim të shekullit të XX – prej emrit tradicional “ekonomi politike” në “economics” (që shqip përkthehet si “shkencë e ekonomisë”). Shkolla neoklasike dëshironte që ekonomiksi të shndërrohej në një shkencë të pastërt, të qëruar prej çdo dimensioni politik (pra edhe etik) që përfshin gjykime me vlerë subjektive. Por edhe ky ndryshim përbën një lëvizje politike në vetvete dhe nga vetvetja.

  1. Çmimi Nobel në “Shkencën e ekonomisë” nuk është Nobel i vërtetë

Ndryshe nga çmimet origjinale Nobel (Fizikë, Kimi, Fiziologji, Mjekësi, Letërsi dhe Paqe), të themeluara prej industrialistit suedez Alfred Nobel në fund të shek. XIX, çmimi për ekonomiks u themelua prej Bankës Qendrore të Suedisë në vitin 1968, dhe zyrtarisht pra quhet Çmimi “Sveriges Riksbank” për Shkencat Ekonomike në Përkujtim të Alfred Nobelit. Është i njohur fakti se pjesëtarë të familjes së Nobelit e kanë kritikuar Bankën Qendrore Suedeze për faktin se shpërndan çmime për ekonomistë të tregut të lirë, gjë me të cilën paraardhësi i tyre nuk do të kishte qenë dakord.

  1. Nuk ka asnjë teori të veçuar ekonomike që do të mundte të shpjegonte ekonominë e Singaporit.

Ky është çka quaj “problemi Singapor”. Nëse lexon rrëfimin standard mbi suksesin ekonomik të Singaporit nëpër burime si The Economist apo Wall Street Journal do të lexoni vetëm mbi lirinë e tregut në Singapor dhe mbi sjelljen mirëpritëse ndaj investimeve të huaja. Nuk do të lexoni kurrë se si thuajse e gjithë toka në Singapor është në pronësi të qeverisë, ndërkohë që 85% e banesave ofrohen prej korporatës shtetërore të banesave. 22% e GDP-së është e prodhura prej sipërmarrjeve në pronësi të shtetit (përfshirë edhe Singapore Airlines), ndërkohë që mesatarja botërore në këtë aspekt është vetëm rreth 9%.

Për ta thënë në vija tepër të trasha, nuk ekziston asnjë teori e përveçme në ekonomiks që do të mundej e vetme të shpjegonte suksesin singaporjan; ekonomia e atij vendi kombinon karakteristika ekstreme të kapitalizmit dhe të socializmit. Të gjitha teoritë janë të pjesshme; realiteti është kompleks.

  1. Britania dhe ShBA-të nuk kanë shpikur tregun e lirë por proteksionizmin

Britania ka patur ekonominë më proteksioniste në botën kapitaliste gjatë fundit të shek XVIII dhe fillimit të shek. XIX. Pjesa më e madhe e këtij proteksionizmi u ndërmor në mënyrë që të ndihmonte prodhuesit britanikë të përparonin karshi konkurrentëve europianë që ishin superiorë, sidomos Vendet e Ulëta (që sot janë Belgjika dhe Holanda).

ShBA-të shkuan edhe më tej. Duke u frymëzuar prej politikave proteksioniste britanike Aleksandër Hamiltoni, i pari Sekretar i Thesarit të ShBA-ve (ai tipi që duket te dhjetëdollarëshja), zhvilloi një teori që quhet “argumenti i industrisë foshnjë” (the infant industry argument) – pikëpamjen se qeverisja e një vendi të prapambetur ekonomikisht duhet të mbrojë dhe të përkujdeset për industritë e saj të reja gjersa ato “të rriten” dhe të kenë mundësi të konkurrojnë në tregun global. Hamiltoni vdiq në një duel me revole në vitin 1804, por ShBA-të e bënë politikë zyrtare proteksionizmin andej nga 1820, dhe mbetën ekonomia më proteksioniste në botë për thuajse gjithë shekullin në vijim.

  1. Tregtia e lirë u përhap kryesisht përmes mjeteve jo të lira.

Tregtia e lirë u përhap nëpër botë gjatë shekullit XIX. Por përhapja e saj i detyrohet shumë diçkaje që zakonisht nuk e shoqërojmë me fjalën “liri” – që ka qenë forca apo së paku kërcënimi se ajo do të përdoret. Rruga më e zakonshme për të arritur te “tregtia e lirë e palirë” ka qenë kolonializmi, ku pronarët kolonizatorë i detyronin vendet e nënshtruara që ta hapnin tërësisht tregun e tyre. Por edhe shumë vende të pakolonizuara u detyruan me forcë që të zbatonin tregtinë e lirë. Përmes “diplomacisë së armëve” këto vende u detyruan të nënshkruajnë marrëveshje të pabarabarta të cilat i privonin ato – mes shumë gjërave të tjera – edhe prej autonomisë së tarifave (të drejtës për të vendosur tarifat e veta). Rasti më famëkeq i këtyre marrëveshjeve të pabarabarta është Traktati i Nankingut, të cilin Kina u detyrua ta nënshkruajë në 1842, pas mposhtjes së saj në Luftën e Opiumit, mirëpo të gjitha vendet e Amerikës Latine, Perandoria Osmane (paraardhësja e Turqisë), Persia (Irani i sotëm), Siami (Tajlanda e sotme), madje edhe Japonia kanë qenë të detyruara të nënshkruajnë traktate të tilla.

  1. Personi që ndërtoi shtetin e parë të mirëqenies (welfare state) ka qenë kryekonservatori Otto von Bismarck.

Ndryshe nga ç’besojnë shumica e njerëzve, shteti i mirëqenies ka qenë fillimisht një shpikje e së “djathtës”. Ka qenë kryekonservatori Otto von Bismarck ai që e ka zbatuar i pari këtë politikë. Bismarcku e urrente socializmin, mirëpo ai s’ishte ideolog. Shkurt, ai e kuptoi se nëse nuk do t’u ofronte punëtorëve një rrjet minimal sigurie atëherë ata do të bindeshin prej socialistëve. Kështu që, për t’i kënaqur punëtorët ai krijoi shtetin e parë social në botë. Kjo na tregon se, ndryshe nga imazhi që kanë për vetveten, ata që duan të shkatërrojnë shtetin social mund të jenë në fakt vetë armiqtë më të mëdhenj të kapitalizmit.

  1. Kapitalizmi pati periudhën e vet më të mirë në vitet 1950 – 1970, një periudhë me rregullim të fortë prej shtetit dhe me taksa të larta.

Pavarësisht se çka dëgjojmë kësokohe në lidhje me efektet shkatërrimtare që kanë taksat t larta dhe ndërhyrjet e forta rregulluese prej shtetit, ekonomitë e përparuara kapitaliste u rritën më shpejt në periudhën mes viteve 1950 dhe 1970, kur ka patur goxha shumë rregullim të ekonomisë prej shtetit dhe taksa të larta. Asokohe të ardhurat për kokë në Evropën Perëndimore janë rritur me shkallën impresionuese 4.1% në vit. Japonia u rrit edhe më shpejt, me 8.1% duke i dhënë fillim edhe zinxhirit të “mrekullive ekonomike” të Azisë Lindore në gjysmën e mëpasshme të shekullit.Madje dhe ShBA-të, ekonomia me rritje më të ngadaltë në botën e pasur asokohe, rritej me një shkallë të paprecedentë prej 2.5%. E në periudhën kur këto ekonomi i zvogëluan taksat për të pasurit dhe i hoqën rregullimet për ekonomitë e tyre, pra mes viteve 1980 – 2010, të ardhurat për kokë të këtyre ekonomive të marra së bashku kanë mundur të rriten vetëm në një shkallë prej 1.8%.

  1. Internetin nuk e shpikën privatët në Silicon Valley, por shteti

Shumë njerëz mendojnë se ShBA-të janë përpara në sektorët e avancuar të teknologjisë si pasojë e një sektori privat të sipërmarrjes. Por nuk është kështu. Qeverisja federale e ShBA-ve është ajo që i ka krijuar krejt këto sektorë.

Pentagoni ka financuar psh. zhvillimin e kompjuterit në ditët e vet të hershme, dhe interneti është zbulim që ka dalë nga një projekt studimor i Pentagonit. Gjysmëpërcjellësi – themeli i ekonomisë së informacionit – u zhvillua fillimisht me fondet e Flotës Detare të ShBA-ve. Industria e aeroplanëve në ShBA nuk do të ishte bërë ajo që është sot po të mos kishte marrë subvencionet masive jo të drejtpërdrejta prej Flotës Ajrore që ka paguar çmime të stërmëdha për prodhimin e aeroplanëve të saj ushtarakë. Fitimi i nxjerrë prej tyre u përdor pastaj për të zhvilluar industrinë e aeroplanëve civilë.

  1. Po të mos ishin taksat dhe shpenzimet për mirëqenien sociale Gjermania dhe Belgjika do të ishin shoqëri më të pabarabarta se ShBA-të.

Po të mos bëhej rishpërndarja mes taksave dhe shpenzimeve ca vende evropiane, si Gjermania apo Belgjika do të ishin shoqëri më të pabarabarta se ShBA-të. Vetëm përmes taksave dhe rishpërndarjes ato arrijnë të bëhen shoqëri shumë më të barabarta se ShBA-të. Këto shembuj tregojnë se si është e mundshme që t’i japësh një formë thelbësisht të ndryshme pabarazisë përmes taksave progresive dhe shtetit të mirëqenies sociale. Pavarësisht asaj që thonë ca, pabarazia nuk është ndonjë fenomen natyral si fjala vjen tërmeti apo uragani, nuk qëndron pra tej mundësisë njerëzore për ta kontrolluar.

10. Finlanda, një nga vendet më të barabarta në botë rritet më shpejt se sa ShBA-të.

Jo vetëm që ka shumë evidencë që dëshmon se pabarazia më e lartë prodhon më shumë rrjedhoja negative për ekonominë dhe shoqërinë, por ka edhe shembuj që dëshmojnë se shoqëritë me barazi të lartë gëzojnë rritje më të madhe se sa shoqëri të tjera të krahasueshme me to, por më të pabarabarta. Edhe pse është një prej shoqërive më të barabarta në botë, më e barabartë madje edhe se sa vendet e ish-bllokut sovjetik në kohën e socializmit, Finlanda është rritur si ekonomi shumë më shpejt se ShBA-të, që janë një prej vendeve më të pabarabarta në botën e pasur.

11. Grekët “përtacë” në fakt janë njerëzit që punojnë më shumë në botën e pasur, pas Koreano-jugorëve.

Gjatë krizës aktuale të eurozonës grekët janë treguar me gisht si përtacë hileqarë që jetojnë si parazitë me punën e veriorëve punëtorë. Mirëpo grekët punojnë më shumë orë në ditë se sa çdo vend tjetër në botën e pasur, përjashto Korenë e Jugut. Grekët faktikisht punojnë 1.4 dhe 1.5 herë më shumë se sa gjermanët, përkatësisht holandezët, që mbahen si punëtorë të mëdhenj. Edhe italianët e hedhin poshtë mitin e “mesdhetarëve përtacë” duke punuar po aq orë në ditë sa amerikanët dhe 1.25 herë më shumë se sa fqinjët e tyre gjermanë. Këto numra tregojnë se problemi në vendet e Mesdheut qëndron tek prodhimi e jo tek etika e punës.

12. Singapori dhe Zvicra nuk jetojnë veç prej turizmit dhe bankave.

Shumëkush këmbëngul se kemi hyrë në një periudhë post-industriale, në të cilën nuk ka edhe aq rëndësi të “prodhosh gjëra” pasi ingranazhi i rritjes ekonomike tanimë është industria e shërbimeve. Këta njerëz të citojnë Singaporin edhe Zvicrën si shembuj të suksesit të ekonomive të bazuara tek shërbimet. Se a nuk na tregojnë këto dy vende që mund të bëhesh i pasur, shumë i pasur, nëpërmjet shërbimeve si financa, turizmi apo tregtia?

Në fakt këto dy vende rrëfejnë saktësisht të kundërtën. Sipas të dhënave të UNIDO-së, në 2002 Zvicra ka pasur vlerën më të lartë të shtuar në manifakturë (MVA) për kokë në të gjithë botën – 24% më shumë se sa ajo e Japonisë. Në 2010 kjo vlerë ka qenë më e lartë në Singapor, ku u prodhua 48% më shumë MVA për kokë se sa në ShBA. Në të njëjtin vit Zvicra u rendit e treta.

13. Shumica e njerëzve të varfër nuk jetojnë në vende të varfra.

Aktualisht rreth 1.4 miliard njerëz – apo rreth një në pesë banorë të globit – jetojnë me më pak se 1.25$ në ditë, pra më pak se niveli ndërkombëtar i varfërisë (nën të cilin vetë mbijetesa nuk është më e sigurtë).

Por shumica e njerëzve të varfër nuk jetojnë në vende të varfra. Më shumë se 70% e njerëzve që janë në varfëri absolute faktikisht jetojnë në vende me të ardhura mesatare. Sipas të dhënave të dhjetëvjeçarit të fundit rreth 170 milion njerëz në Kinë (afër 13% e popullatës) dhe 450 milion njerëz në Indi (rreth 42% e popullatës) jetojnë me të ardhura nën nivelin ndërkombëtar të varfërisë. Kjo tregon se sa të mëdha janë sfidat me të cilat duhet të përballen dy vendet më të populluara të globit.

2 komente te “13 gjëra që s’t’i mësojnë mbi “shkencën e ekonomisë”

  1. Pingback: » 13 gjëra që s’t’i mësojnë mbi “shkencën e ekonomisë”

  2. Pingback: 13 gjëra që s’t’i mësojnë mbi “shkencën e ekonomisë” - Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 27, 2014 nga te Ekonomi, Përkthim, Uncategorized dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: