rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Shtyllat e shoqërisë

Arbër Zaimi

George Grosz - Shtyllat e shoqërisë, 1926

George Grosz – Shtyllat e shoqërisë, 1926

Një kamarier u vra nga pronarët e hotelit ku punonte, në Dhërmi. Pronarët në fjalë, mësohet se kanë rrahur edhe pastruesen, që e kanë marrë dhe peng që të mos tregojë. Sepse pronari është gjithçka, i punësuari asgjë (shqyqyr që s’ishin grekofonë pronarët, se do ish çuar në këmbë i madh e i vogël që të kërkonte drejtësi). Kësaj radhe ndoshta e kanë ekzagjeruar pak pronarët, se kanë shkelur ligjin në mes të sezonit turistik, në vendin më të frekuentuar të lungomares (mallkuar kush e ka shpikur këtë fjalë) së ardhshme. Se përndryshe, dajakun e abuzimin, mbajtjen me orë të gjata në punë, keqpagimin, kërcënimin, mospagimin – në kushte tepër të këqija pune – e shohim përditë, që prej butiqeve e tek fasonët, që prej vartësve në administratë publike e gjer te punëtorët shqiptarë në kompanitë e huaja – të cilët janë gjithnjë punëtorët më të pakualifikuar, më të rrezikuar e më të keqpaguar. Që nga hidrocentrali i Mirditës e deri te ai i Agonit, që nga Bekteli e deri te Kurumi e Bulqiza.

Një gruaje që kërkonte të punësohej, në Sarandë, i kërkohet në këmbim të vendit të punës, të bjerë në shtrat me “mikun” që do i gjente punën. Madje të marrë në shtrat edhe vajzën e saj 14-vjeçare. Sepse vendi i punës kushton shumë sot. Praktikisht të kushton jetën. Me një vend pune mund të mbash gjallë familjen, mund të rrisësh fëmijët, mund ta veshësh, ta çosh në shkollë.

Një guvernator i Bankës Qendrore kërcënon me “destabilizim financiar” të krejt vendit nëse i kërkojnë dorëheqje. Miliona dollarë janë zhdukur prej bankës së tij, ku si pasojë e rrogave më të larta se kudo tjetër në sektorin publik, janë punësuar më të mirët e këtij vendi. Të cilët, pikërisht se janë më të mirët, janë nuset e dhëndurët, kunetët e kunatat, nipat e mbesat e pushtetarëve të djeshëm e të sotëm. Edhe guvernatori ka punuar për fëmijët e vet. Por i është dashur të kursejë që prej ’78, miliona. Sepse fëmijët i kanë qëlluar shumë të shëmtuar, budallenj e për gjynah. 7 mln. euro nuk mjaftojnë dot për t’i operuar e për t’i riformuluar ata fëmijë, i keni parë vetë si janë. Lypsen akoma më shumë para. Lëreni rehat guvernatorin e shkretë, lërjani rehat dhe të shoqen, gjyqtaren që vërtetoi pafajësinë e Metës te video e 21 janarit – ata punojnë me vetëmohim për fëmijët e tyre fatkeqë.

Një i papunë që kish dalë për shëtitje nga Parku i Liqenit shpëtoi një fëmijë prej mbytjes në baltë. U mbyt vetë për të shpëtuar fëmijën. Mediat raportuan thjesht “gjetjen e një trupi”, e po të mos ishte për disa që e shkruan nëpër rrjete sociale e Fatos Baxhakun që e solli në vëmendje publike kjo ngjarje as do ishte marrë vesh. Po dhe po të mos ishte marrë vesh, pak do ndryshonte. Një i papunë që jep jetën për tjetrin, një punëtor që jep jetën për tjetrin, një i varfër që jep jetën për tjetrin. Kjo ndodh vazhdimisht, jemi ne ata që s’duam ta shohim pasi i kemi shqisat e zëna, duke parë, dëgjuar, nuhatur ata që jetën e të tjerëve veç duan ta marrin.

A nuk e dimë ne se si qytetarë të Tiranës do të duhet t’i dedikonim një monument të papunit që shpëtoi jetën e fëmijës.

A nuk e dimë se edhe sikur memorialet e 28.000 dëshmorëve t’i zëvendësonim me punëtorët e panjohur – pre e abuzimit, e shkërdhimit moral, psiqik dhe fizik prej padronit – nuk do të mjaftonin?

Eh, po Italia demokratike edhe në kushtetutë e shkruan se është një Republikë e bazuar mbi Punën edhe prapë punët keq i ka. Si presim që t’i kemi punët ne, që jemi një Çrepublikë e bazuar mbi cinizmin (jo mbi atë të Diogjenit, as mbi atë të Shvejkut)?

Cinizmi është “vetëdije e rrejshme e ndriçuar”. Është ajo vetëdije e modernizuar por e palumtur, mbi të cilën Ndriçimi (enlightenment) ka patur efekt njëherazi të suksesshëm dhe të pasuksesshëm. Ajo vetëdije që i ka mësuar leksionet e Ndriçimit, por nuk i ka vënë kurrë në praktikë, e ndoshta nuk ka qenë e aftë t’i vërë në praktikë. E pasur dhe e mjerë në të njëjtën kohë, kjo vetëdije nuk ndihet më e prekur prej çfarëdo kritike të ideologjisë; sepse rrejshmëria e saj tashmë është e dëshmuar

Peter Sloterdijk, Kritikë e Arsyes Cinike

Një koment te “Shtyllat e shoqërisë

  1. Pingback: Shtyllat e shoqërisë | Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 16, 2014 nga te Shoqëri dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: