rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Në shtet-rrethim

Mahmud Darvish

Raketat izraelite ndriçojnë natën e Gazës, 19 korrik 2014

Raketat izraelite ndriçojnë natën e Gazës, 19 korrik 2014

Këtu, në faqe të kodrave, me fytyrë kah muzgu e kah artileria e kohës

Pranë kopshtijeve të hijeve të thyera

Ne bëjmë atë çka bën i burgosuri

Atë që bën i papuni:

Ne kultivojmë shpresën.

***

Një vend po gatitet për agimin. Bëhemi përherë e më pak inteligjentë

Sepse nga afër përgjojmë çastin e fitores:

S’ka natë në natën tonë ndriçuar prej bombardimeve

Armiqtë tanë janë të kujdesshëm dhe ndezin për ne dritën

Në errësirën e bodrumeve.

***

Këtu s’ekziston “unë”

Këtu Adamit i risillet ndërmend pluhuri i baltës së vet.

***

Në prag të vdekjes ai thotë:

S’mund të vazhdoj të humbas rrugën

Jam kaq i lirë, afër lirisë time. Të ardhmen e kam në dorë

Shumë shpejt do futem në jetën time

Do të lindem i lirë, pa prindër

Dhe për emrin do të zgjedh shkronja të kaltra

***

Ju që shkelni në pragjet tona, hyni

Pini kafenë arabe bashkë me ne

Do e ndjeni të qenit njerëz njësoj si ne

Ju që shkelni në pragjet e shtëpive tona

Largohuni prej mëngjeseve tona

E ne do të sigurohemi se edhe ne jemi

Njerëz si ju.

***

Kur zhduken aeroplanët çohen në qiell pëllumbat

Të bardhë, të bardhë, ata ia lajnë faqet qiellit

Me krahë të lirë atyre u rikthehet shkëlqimi, pretendimi

Për eterin, për lojën. Më lart, më lart, fluturojnë

Pëllumbat, të bardhë të bardhë. Ah, sikur qielli

Të ish i vërtetë, (më tha dikush, që po ecte mes dy bombash)

***

Qiparisët, pas ushtarëve, janë minare që mbajnë

Qiellin që të mos bjerë. Pas gardhit tel-me-gjemba

Pshurren ushtarët – të mbrojtur nga një tank –

Dhe dita vjeshtore e mbyll rrokullisjen e artë në

Një rrugë të gjerë sa një kishë pas meshës të së dielës…

***

(Një vrasësi) Po ta konsideroje fytyrën e viktimës

Dhe të mendoje për të, do të të vinte ndërmend jot ëmë në

Dhomën e gazit, do e kishe çliruar vetveten prej logjikës së pushkës

Dhe do kishe ndërruar mendim: nuk është kjo mënyra

Se si njeriu e rigjen prejardhjen

***

Rrethimi është pritje

Pritje në një shkallare që çon në qendër të stuhisë

***

Vetëm, ne jemi vetëm deri në rrënjë

Po të mos ishin vizitat e ylberit

***

Kemi vëllezër përtej këtij rripi toke.

Vëllezër të mirë. Ata na duan. Na shohin edhe qajnë.

Pastaj i thonë njëri-tjetrit fshehtazi

“Ah po të ishte shpallur zyrtarisht ky rrethim…” por s’e mbarojnë fjalinë:

“Mos na lini vetëm, mos na lini”.

***

Humbjet tona: diçka mes dy dhe tetë martirësh për një ditë

Dhe dhjetë të plagosur

Dhe njëzet shtëpi

Dhe pesëdhjetë rrënjë ullinj…

Shtoja kësaj problemin strukturor që e cenon

Poemën, dramën dhe tablonë e pambaruar.

***

Një grua i tha resë: mbuloje ti të dashurin tim

Se rroba ime tash është regjur në gjakun e tij.

***

Në mos qofsh shi, dashuria ime

Ji një pemë

E gjelbër në stinën e rritjes, ji një pemë

Ji një gur

I qullur prej vesës, ji një gur

Në mos qofsh gur dashuria ime

Ji një hënë

Në ëndrrën e dashnores tënde, ji një hënë

(Një grua ia tha këtë

Djalit të vet, në varrimin e tij)

***

Oh roje! A s’u lodhët

Duke mbikëqyrur dritën në kripën tonë

Dhe ndriçimin e trëndafiltë të plagëve tona

A nuk u lodhët, o roje?

***

Një copëz prej blusë së pafundme

Do kishte qenë boll

Për të ndriçuar peshën e këtyre kohëve

Për ta pastruar llumin e këtij vendi

***

Le të zbresë shpirti prej kornizës së tij të paçmuar

Dhe të ecë përkrah meje me

Këmbët e tij të mëndafshta, dorë për dorë si dy

Miq të vjetër, që ndajnë bukë të vjetër

Dhe gotën e verës që bart nderin e kohës

Le ta kalojmë bashkë atë rrugë

Më vonë ditët tona do të vijojnë në drejtime të ndryshme

E imja, tej çdo natyre e sa për shpirtin

Ai do të zgjedhë të ulet në ndonjë shkëmb të lartë

***

Hijet bëhen të gjelbra në gërmadhat e mia

Dhe ujku dremit në lëkurën e dhisë

Ai ëndërron si unë, siç ëndërron dhe engjëlli

Se jeta është këtu… jo atje poshtë

***

Në rrethim koha bëhet hapësirë

E ngurtësuar në përjetësinë e saj

Në rrethim hapësira bëhet kohë

Së cilës i ka ikur e djeshmja dhe e nesërmja

***

Martiri m’i sqaron të gjitha: Unë nuk desha, tej këtij vendi

Virgjëreshat e pavdekësisë, sepse unë dua jetën

Në tokë, mes pishave dhe fiqve

Por s’mund ta mbërrij këtë, kështu që shënjestrova

Me gjënë e fundit që më përkiste: gjakun në trupin e qiellit të kaltër

***

Martiri më paralajmëron: mos i beso ulërimave të tyre

Besoji babës tim që duke më parë në fotografi vajton

Pse i ndërrove vendet biri im, pse ike para meje?

Unë duhet të ikja i pari, unë duhet të ikja i pari!

***

Martiri më rrethon: E unë s’kam ndryshuar asgjë, veç banesës dhe ca moblave të thjeshta

Kam vënë një gazelë përmbi shtrat

Dhe një gjysëmhënë në gisht

Për të lehtësuar dhimbjen

***

Rrethimi vazhdon, synon të na bindë të zgjedhim një skllavërim që nuk

Do të na lëndojë më, plotësisht të lirë!

***

Të rezistosh do të thotë: të kontrollosh mirëqenien e

Zemrës tënde dhe koqeve të tua, dhe sëmundjen tënde të vazhdueshme

Sëmundjen e shpresës

***

Unë dal drejt së jashtmes sime, në atë çka mbetet prej agimit

E në atë çka mbetet prej natës, dëgjoj hapat që rrahin brenda përbrenda meje.

***

Tungjatë atij që posi unë është i vemendshëm

Ndaj dehjes së dritës, dritës së fluturës në

Terrin e këtij tuneli!

***

Tungjatë atij që ndan me mua gotën

Në dendësinë e kësaj nate që përmbyt dy hapësirat:

Tungjatë dukjes sime

***

Miqtë e mi gjithnjë janë duke ma përgatitur një festë lamtumire

Një varr qetësues në hije të lisave

Një epitaf mermeri për kohën

Po unë gjithnjë i paraprij në funeral:

Kush pra paska vdekur… kush?

***

Të shkruarit është një qenush që kafshon pak asgjënë

Që shkruan plagë pa asnjë gjurmë gjaku.

***

Filxhanët tanë të kafesë. Zogj, pemë të gjelbra

Nën hijen e kaltër, dielli brof prej një muri

Tek tjetri, si një gazelë

Uji në re ka formën e pakufizuar të asaj që na mbetet

Prej qiellit. Dhe sende të tjera prej kujtimeve të pezulluara

Rrëfejnë se ky mëngjes është i fuqishëm dhe i shkëlqyer

Dhe që ne jemi mysafirë në këtë përjetësi.

 

Ramallah, 2002

Përktheu Arbër Zaimi

Një koment te “Në shtet-rrethim

  1. Pingback: Në shtet-rrethim | Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 20, 2014 nga te Art, Përkthim dhe etiketuar me , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: