rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Në emër të cilit po i “shënon” golat multikulturalizmi

Arbër Zaimi

Ç’prej kur isha i vogël i kam parë gjithnjë me një farë habie ata që pohonin me lehtësi (të përballueshme) se futbolli është si jeta. Bëhej fjalë për tifozë të Partizanit që asokohe ende i kishte fushat dhe palestrat te “Parku i Autobusëve”, para se t’ia degdisnin diku larg si pasojë e ndërtimeve shumëkatëshe pikërisht mbi fusha. Njerëz të thjeshtë që banonin në parafabrikatet përreth, apo që vinin nga Lapraka a nga Kombinati, të cilët e kalonin kohën e lirë duke ndjekur stërvitjet e djemve që në të shumtën e rasteve ishin gjithashtu djem të lagjes.

Më vonë, kur zgjerimi i kapacitetit botëvëzhgues bëri të mundur tejkalimin e kufinjtë e mëhallës, krahasimet futboll-jetë vura re se s’ishin thjesht atribut i çunave të “21-shit” apo të “Parkut”. Me shtimin e medias së shkruar dhe televizive, similitudat e lodhura futbollistike gjenin vend kudo, e më së shumti në gojën (a penën) e pushtetarëve, politikanëve, biznesmenëve, ndonjëherë edhe të ambasadorëve e njerëzve të medias. “Topi është në fushën e kundërshtarit”; “Politika kërkon lojë ekipore”; “Këtij ekipi i mungon kapiteni”; “X biznes i bëri gol shtetit”; “X gazetar është lojtar rezervë për Y parti”; “ambasadori i tregon kartonin e kuq filanit” etj. Kuptohet, në vend se të bënin futbollin të mërzitshëm me këtë lloj popullizmi, i mërzitshëm u bë ligjërimi publik.

Të kuptohemi, futbolli modern është një spektakël masiv ideologjik, dhe si i tillë ai mban mbërthyer pas vetes miliona, në mos miliarda njerëz në botë. Përgjithësisht këta njerëz, tifozët, janë njerëz të thjeshtë të klasave të mesme e poshtë, ndryshe nga – fjala vjen – tifozët e tenisit apo golfit. Dhe pasioni i tyre për futbollin analizohet gjithnjë duke marrë parasysh rrethanat e tyre socio-ekonomike (shpesh edhe historike e gjeo-politike). Ndërsa instrumentalizimi i “metaforave me futboll” prej njerëzve të “elitës”, gjykohet ndryshe, pasi është veprim i ndërgjegjshëm e i ndërtuar me mendje të ftohtë. S’mund të gjykoj njësoj dikë i cili prej shtypjes individuale e kolektive është rrëgjuar në inferioritet dhe gjen “tradhtarë” tek futbollistë të caktuar dhe dikë tjetër që duke u nisur nga rehati i vet personal predikon se jetojmë në një kohë kur tërë zgjedhjet janë individuale dhe është krejt legjitime që kushdo të ndjekë principin e rehatisë. Të dyja paragjykimet janë të gabuara, ama jo çdo gabim është i barazvlefshëm. Jemi në gjendje të bëjmë dallim mes gabimeve varësisht prej rrethanave kontingjente, gjendjes së vetëdijes/ndërgjegjësimit të gabuesit, pozicionit të tij social, identiteteve të tij dhe raporteve të këtyre identiteteve me komunitetet sociale, ekonomike apo politike ku gabuesi bën pjesë.

Në momentet që shkruaj pritet ende të luhet finalja e Kupës së Botës midis Argjentinës dhe Gjermanisë. Futbolli, sajë përpjekjeve të FIFA-s duket se tashmë është shndërruar në korsi kulturore të globalizmit ekonomik. Globalizmi ekonomik në kulturë përkon me postmodernizmin, ndërkohë që shfaqja pop e këtij të fundit është multikulturalizmi, apo rrëgjimi i politikes prej identitares. Të treja fenomenet përmblidhen prej autorëve të ndryshëm (psh. Harvey, Wallerstein, Balibar, Jameson) nën ombrellën e neoimperializmit, apo perandorizmit të ri, edhe pse në fakt janë fenomene të shfaqura masivisht edhe më herët, në imperializmat klasikë.

Por le të kthehemi te futbolli. Entuziastët e globalizmit dhe e sivëllezërve të tij, postmodernizmit dhe multikulturalizmit (të cilët besojnë nga pak te Fukuyama e nga pak te Huntingtoni) nuk mund të mos jenë edhe entuziastë të Kupave të Botës, të cilat nuk hezitojnë t’i përshkruajnë si spektakle të multikulturalizmit, si dëshmi se shteti-komb ka marrë fund. Të bazuar në statistika ata me të drejtë vënë re se Gjermania, Franca e Zvicra i janë bashkuar Anglisë e Holandës në faktin se lojtarët e tyre janë me prejardhje të ndryshme, e jo gjithnjë evropianë. Statistikat gjithashtu tregojnë se edhe vende afrikane dhe amerikolatine kanë lojtarë me pasaporta të ndryshme evropiane, kombësia si etnicitet nuk luan më rol kushediseçfarë, madje kemi edhe vëllezër që luajnë kundër njëri-tjetrit, për shtete të ndryshme (rasti i Boatengëve, njëri për Ganën e tjetri për Gjermaninë, por shumë shpejt edhe rasti i Xhakave, njëri për Shqipërinë e njëri për Zvicrën). Triumf i globalizimit. Apo jo?

Shaban Tërstena, medalist i artë në Lojërat Olimpike ’84, para disa ditësh më tregonte se si asokohe kur fitonin medalje priteshin si jugosllavë e quheshin “tanët”. Kur kërkonin më shumë vëmendje për shqiptarët e Shkupit, për infrastrukturë e investime në sport quheshin “šiptari”, dhe “s’janë tanët”. Edhe ky fenomen duhet mbajtur parasysh kur flasim për spektaklin sportiv të parë në televizor, që ngrihet mbi mijëra gërshetime diskriminimesh në nivele të ndryshme.

Le t’i marrim rastet me radhë, pa u magjepsur pas statistikave – lidhjen e futbollit me të cilat e ka përshkruar goxha mirë A. Vehbiu. Le të shohim, a është e vërtetë se futbolli i ka bërë gol kombeve, dhe nëse po, në emër të kujt e shënon këtë gol.

Një nga rastet e para që ka “habitur” opinionin botëror me shkeljen e parimit të kombësisë kur vjen puna te kombëtaret e futbollit, ka qenë Franca e Kupës së 1998. Në atë skuadër vlerësohej se kishte vetëm tre apo katër francezë, përfshi edhe rezervat. Prej nga vinin të tjerët? Prej ish-kolonive të Francës në Magreb (si Zidane), prej ish-kolonive në Afrikën nën-sahariane (si Desailly), prej kolonive në Karaibe (si Thuram), prej emigrantëve politikë (Pires), prej baskëve (Lizarazu), bretonëve (Guivarc’h) apo prej emigrantëve ekonomikë (shumë të tjerë). Ish-kolonitë shërbejnë si furnizim i vazhdueshëm për Francën edhe sot, jo vetëm në futboll. Shumica e këtyre ish-kolonive edhe thesarin e shtetit vazhdojnë ta kenë në Bankën e Francës, vazhdojnë të paguajnë borxhe për investimet e bëra gjatë kolonizimit, ndërkohë që janë nën tutelë ushtarake dhe sa i përket politikës së jashtme. Jo rrallë kompanitë e ndryshme që kontrollojnë burimet natyrore nëpër këto ish-koloni janë interesa private të korporatave franceze. Dyndja e personave prej kolonive në Francë i përket periudhave të ndryshme, asaj koloniale – ku kanë ardhur si shërbëtorë e punëtorë të punëve të rënda; asaj menjëherë paskoloniale – ku Franca lejoi vendosjen në Evropë të familjeve të atyre afrikanëve dhe magrebinëve që luftuan kundër popullit të vet në luftën për çlirim kombëtar, si dhe emigrantëve ekonomikë të pasviteve ’70, emigrantë që sidomos pas ’90 filluan të ishin edhe evropiano-lindorë.

Secilës valë të emigrimit jemi në gjendje t’i dallojmë edhe korrelatën e vet sa i përket mënyrës së shtypjes dhe shfrytëzimit. Shtypje e shfrytëzim e cila nuk është pakësuar me kalimin e brezave, përkundrazi, siç edhe mund të vihet re në getot e qyteteve të mëdha franceze, tashmë është betonuar në një diskriminim të pakapërcyeshëm. Sigurisht, Zinedine Zidane nuk është i diskriminuar, siç nuk është asnjëri prej milionerëve që luajnë në elitat e këtij sporti-spektakël. Atje lart të gjithë e pranojnë njëri-tjetrin si të barabartë. Socializëm në Olimp. Mirëpo në La Castellane, ku Zizou lindi prej prindërve Smail e Malika, as asokohe e as sot nuk jeton dot si njeri. Është një prej getove më të rrezikshme e më të varfra, një prej shumë “kampeve të përqendrimit” të përhershëm që Franca ka ndërtuar për të mikpritur “miqtë” prej ish-kolonive.

Të treja valët e emigrimit mund të themi se i ka përjetuar/përjeton edhe Anglia (e madhe), Holanda, Belgjika e deri diku Portugalia (e cila është një ndodhi tepër interesante në kuadër të kolonizimit, aq sa në një moment historik u detyrua ta zhvendosë kryeqytetin perandorak në Brazil, për t’u gjendur shumë shpejt “e kolonizuar” prej kolonisë së saj gjigande). Ndërsa vende si Gjermania dhe Zvicra, falë ekonomive të tyre, por edhe falë ligjit racist mbi kombësinë (gjer në vitin 1999), kanë përjetuar vetëm fazën e tretë, atë të emigrantëve ekonomikë. Turqit, afrikanët, ballkanasit dhe evropiano-lindorët e këtyre ekipeve janë brez i dytë (ndonjëherë edhe i parë) emigrantësh që në masë dërrmuese kanë shkuar si gastarbeiter, për t’u larguar prej mjerimit në vende ku jetojnë. Të angazhuar kryesisht nëpër kantiere ndërtimi (të famshmet baustelle), këta emigrantë janë faktor prej më domethënësve në ngritjen ekonomike të Gjermanisë e cila sot është lider evropian me pretendime botërore. Njëkohësisht Gjermania zyrtare ose jo propagandon për popullin e vet një farë imazhi të punëtorit të palodhshëm e sistematik, ndërsa për ata popuj prej nga vijnë emigrantët krah-pune i Gjermanisë jo rrallë propagandohet imazhi i dembelizmit gjenetik. Edhe pse statistikat (jo ato futbollistike) tregojnë qartë se nuk është Gjermania vendi ku individi punon më shumë a më gjatë, madje nuk është as në krye të listës. Por ky është muhabet tjetër. Duke qenë vetë një popull i rrahur me rrugët e kurbetit në Gjermani e Zvicër, nuk ka nevojë shumë të argumentohet sa i përket integrimit multikulturor të emigrantëve në Gjermani. Do hidhet dikush e do thotë – po të jesh i zoti integrohesh. Mirëpo na del se “gjermani” na paska marrë miliona të pazotë, e prej tyre na janë evidentuar fare pak të zotë… Një arsyetim i tillë do të thotë të mos kuptosh, ama fare, dinamikat ekonomike dhe shoqërore të emigracionit në globalizëm.

Ata që i gëzohen multikulturalizmit mund ta vënë re edhe vetë se, ndërkohë që është e vërtetë që gjashtë shqiptarë luajnë për Zvicrën, nuk pritet në një të ardhme të afërt e as të largët që të vijë ndonjë zvicerian të luajë për Shqipërinë. Nuk do të ketë gjerman që të luajë për Ganën, Tunizinë apo për Turqinë. Nuk do të ketë francezë për Algjerinë, Senegalin apo Malin. Jo se këto vende janë raciste, të prapambetura, të ngecura tek kombi-etni e të paafta për të përparuar drejt kombit-qytetar. Thjesht sepse, në perandoritë e vjetra dhe të reja, fluksi i burimeve njerëzore e natyrore, i punëtorëve e prostitutave, i shkencëtarëve dhe i argëtuesve ndjek përgjithësisht një rrjedhë. Dhe ajo rrjedhë është periferi – qendër. Jo e anasjellta. E në qendër gjithnjë shtypja që më i pasuri (komb) ia bën më të varfrit – duke ia marrë produktet edhe bijtë sipas nevojës – mban maskën dashamirëse të kozmopolisit, ku nuk na paska rëndësi se nga vjen. Ky lloj i kozmopolisit u vizatua prej të nënshtruarve të periferive të Babilonisë si “Kurva e Babilonisë”, në një prej kritikave më të hershme të imperializmit që na ka ardhur e dokumentuar.

Kombi-qytetar, si një prej formulave bukuroshe që i pëlqejnë postmodernit alergjik prej historisë, është koncepti i përdorur kryesisht në Francë. Arsyet janë historike. Së pari Franca e dalë prej revolucionit nuk mundej të përdorte konceptin e kombit-etni, për shkak se ka qenë e përbërë asokohe prej etnish të mëdha të vetëdijshme për dallimet (jo dialektore por gjuhësore). Së dyti, në dy shekujt e mëpasshëm Franca qytetare ka qenë ndoshta shteti më asimilues ndaj kulturave të popujve që ka brenda vetes, shteti që nuk i jep të drejtën e gjuhës minoriteteve, që i ka ndryshuar mbiemrat e korsikanëve, baskëve dhe bretonëve për t’i frëngjishtizuar, shteti që thuajse e ka zhdukur gjuhën oksitane, një prej gjuhëve më të rëndësishme në thesarin evropian të letërsive. E nëse sipas statistikave 18 lojtarë të Algjerisë kanë lindur në Francë, kjo flet vetëm për nivelin e (mos)zhvillimit të Algjerisë, këtij vendi që prej historisë trashëgon veç vjedhjen shekullore që i ka bërë Franca – jo ndonjë “dëmshpërblim”.

Popujt e vegjël, të varfër a të vonuar, që nuk e kanë pasur shansin historik të jenë kolonizatorë e as neokolonizatorë, në periudha të ndryshme të historisë së tyre kanë rrojtur sajë kurbetit (remitancave, siç do quheshin sot). Kurbetqarët kanë sjellë jo vetëm para për familjet e tyre, por kanë sjellë edhe kulturën e marrë në qendër (çdo shtypje e sjell një emancipim). Kanë qenë kurbetqarët ata që kanë nisur projektet për vetëdijësime kombëtare tek vendet e kolonizuara prej perandorive të vjetra, te ne por edhe gjetiu. Në dritën e nevojës për emancipim, është legjitime prej vendeve në fjalë të presin ndihmën e domosdoshme prej bijve të shpërndarë, madje përpara se të presin solidaritetin e popujve të ngjashëm. Por kjo jo gjithnjë realizohet. Në shumicën e rasteve ata që janë në gjendje të japin ndihmën më të madhe janë të njëjtët që bien më së shpejti “pre” e procesit të akulturimit, njerëz te të cilët kombet mikpritëse investojnë për asimilim. Ama kjo grackë s’është e pakalueshme. Natyrisht, askush nuk i vendos dot faj Zidane-it, që “zgjodhi” Francën ku prindërit e tij emigruan fare pak kohë para se të plaste lufta çlirimtare në Algjeri, pavarësisht asaj që Franca i bën La Castellane-s ku ai është rritur. Por askush nuk mund të mos i japë merita Rachid Mekloufi-së, ish-yllit algjerian që pati mundësinë të ishte i padiskutueshëm në kombëtaren e Francës në vitet ’50-’60 por zgjodhi të linte pas krahëve të qenit “VIP”, dhe iu bashkua Frontit Çlirimtar të popullit të tij.

Epo mirë, do thotë dikush, na e mbushe mendjen! Ç’të bëjnë Franca e Gjermania sipas teje, të mos i marrin në kombëtare talentet që folëm? Por unë s’jam duke thënë këtë. Jam duke thënë thjesht se thithja e burimeve më të mira njerëzore dhe materiale të popujve të tjerë dhe inkorporimi i tyre në një projekt “nacional” neoimperial nuk është zhdukje e nacionalizmit në emër të barazisë mes kulturave. Përkundrazi, është ngritje e nacionalizmit në fuqi të tretë, konsolidim i diskriminimit si praktikë globale e kohës sonë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 12, 2014 nga te Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: