rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Parimet e VETËVENDOSJE!-s për një Qeveri Emergjente

Projekt Marrëveshje për Kornizat Politike e Operative të Qeverisë Emergjente 

In English: Vetevendosje!’s basic principles for emergency government

I. Dialogu

Parimet bazë të Qeverisë Emergjente

  • Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është kundër dialogut si e në parim, por synon ta zhvillojë një dialog parimor me fqinjtë, të bazuar në barazi, reciprocitet, dhe respekt të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial drejt marrëdhënieve miqësore dhe paqes së qëndrueshme. Dialogu për çështje të brendshme të vendit, për rregullimin territorial e institucional, si dhe për rregullimin juridik e kushtetues të vendit është e shkelje e parimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe si i tillë nuk mund të pranohet.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është, me çdo kusht, kundër dialogut si rrugë për zgjidhjen e problemeve, por synon ta zhvillojë një dialog të kushtëzuar, i cili i kushtëzon palët dialoguese për t’i respektuar dhe zbatuar marrëveshjet e arritura, edhe e qartëson rrugën përpara.
  • Dialogu mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë nuk mund të rifillojë në karakterin dhe formatin e tij aktual.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës do ta vazhdojë dialogun me institucionet e Bashkimit Evropian, përkatësisht Komisionerin për Zgjerim, për ta ridefinuar marrëdhënien e Kosovës me BE-në në marrëdhënie të plotë kontraktuale sikur me shtetet tjera të rajonit.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës do ta kërkojë një dialog të ri me Brukselin për negociimin e karakterit, formatit, afateve dhe agjendës së dialogut me Serbinë. Ky karakter dhe kjo agjendë do të jenë në përputhje të plotë me parimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës, si dhe me parimet bazë të fqinjësisë së mirë, të respektit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial, të barazisë mes shteteve dhe reciprocitetit të marrëdhënieve.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës do të nis një proces intenziv të dialogut me serbët e Kosovës, për integrimin e tyre në jetën shoqërore, ekonomike, institucionale e politike të Republikës së Kosovës, si dhe për garantimin e të drejtave të tyre njerëzore, qytetare, ekonomike, sociale, kulturore sipas standardeve më të mira evropiane dhe të garantuara me konventat evropiane.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës do ta dërgojë Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në Komisionin Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venedikut) për ta vlerësuar përputhshmërinë e kësaj Marrëveshjeje me parimet bazë të demokracisë, të drejtave të njeriut, dhe barazisë së qytetarëve, vlera këto deklarativisht të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
  • Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta themelojë një Komision Hetimor të bazuar në ligj, për procesin e deritashëm të dialogut. Ky Komision do ta bëjë zbardhjen e të gjitha detajeve dhe vijushmërisë së deritashme të dialogut në funksion të forcimit të pozitës së institucioneve të Kosovës karshi kësaj çështjeje dhe karshi marrëdhënieve të përgjitshme me Serbinë.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës do ta themelojë një Komision të përbërë prej ekspertëve për përgatitjen e një dokumenti të detajuar në të cilin do të identifikohen të gjitha dëmet materiale, ekonomike e financiare të cilat struktura shtetërore (RSFJ në periudhën 1989-1993, RFJ në periudhën 1993-1999) ia ka shkaktuar qytetarëve të Kosovës, si dhe pronës private, publike e shoqërore të Kosovës gjatë periudhës së okupimit të dhunshëm 1989 – 1999. Ky Komision do ta ketë edhe përgjegjësinë e vlerësimit të pasurisë që i takon Republikës së Kosovës sipas parimit të sukcesionit të përdorur në rastet e republikave tjera të shkëputura nga ish Jugosllavia.

II. Privatizimi

Parimet bazë të Qeverisë Emergjente

  • Qeveria e Republikës së Kosovës do të marrë vendime të cilat do ta ngrisin funksionalitetin, efiçiencën dhe vlerën e ndërmarrjeve publike, duke ua ngritur atyre kapacitetet dhe duke i përmirësuar shërbimet që ato ua ofrojnë qytetarëve të Kosovës.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i marrë të gjitha masat ligjore e operacionale për ta garantuar lirinë dhe konkurrencën dinamike në një treg të liberalizuar dhe mirërregulluar në të cilën do t’u garantojë hapësirë të gjithë operatorëve legalë, të liçensuar nga autoritetet e Kosovës, pa lejuar asnjëherë konkurrencën ilegale e cila ndikon negativisht në performancën e ndërmarrjeve publike.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të lejojë shkeljen e parimeve bazë të sovranitetit të Republikës në ekonomi, përmes përfshirjes së kapitalit privat në ata sektorë ku cenohet ky sovranitet dhe përgjegjësia që Republika ka para qytetarëve.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës, si aksionar i vetëm i ndërmarrjeve publike, do të nis një proces gjithpërfshirës të auditimit të të gjitha prokurimeve të deritashme publike të ndërmarrjeve publike për t’i evidentuar të gjitha parregullsitë dhe keqpërdorimet në to. Në të njëjtën kohë, dhe duke u bazuar në të gjeturat e auditimit, Qeveria e Republikës së Kosovës përmes mekanizmave të saj, dhe në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës, do të caktojë rregulla të qarta të prokurimit për ndërmarrjet publike të cilat shmangin mundësinë e keqpërdorimit por njëkohësisht e shtojnë efikasitetin operacional të këtyre ndërmarrjeve.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës do ta shpallë me ligj Trepçën ndërmarrje të veçantë publike.
  • Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta themelojë një Komision Hetimor i cili do ta trajtojë procesin e privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike.
  • Varësisht të gjeturave të këtij Komisioni dhe rekomandimeve të tij, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nis procedurat e hetimeve penale në njërën anë, nëse Komisioni hetimor ngrit dyshime për shkelje penale të ligjit dhe rregullave, si dhe procedurat për rishikimin e kontratës për t’i sanuar dëmet ekonomike e sociale që ajo i sjellë vendit.
  • Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta themelojë një Komision Hetimor i cili do ta trajtojë procesin e privatizimit të Telekomit të Kosovës.
  • Varësisht të gjeturave të këtij Komisioni dhe rekomandimeve të tij, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nis procedurat e hetimeve penale.
  • Kuvendi i Republikës së Kosovës do të themelojë një Komision Hetimor i cili do ta hetojë tërë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.
  • Varësisht të gjeturave të këtij Komisioni dhe rekomandimeve të tij, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nis procedurat e hetimeve penale.

Aneks 1

Hyrje Kontekstuale mbi Dialogun

Më 8 mars të vitit 2011, menjëherë pas konstituimit të Legjislaturës IV dhe qeverisë Thaçi 2, filloi dialogu me Serbinë, i treti me radhë në vazhdën e negociatave që prej luftës çlirimtare. Kjo fazë e dialogut, i nisur si teknik, për t’u vazhduar në nivelin më të lartë politik, zgjati deri më 31 mars të këtij viti, kur u zhvillua takimi i fundit mes Hashim Thaçit, kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe Ivica Daçiqit, kryeministër i Serbisë.

I tërë mandati i qeverisë në ikje ka qenë mandat i dialogut, duke e shndërruar atë më shumë në qeveri për dialog sesa në qeveri të Kosovës.

Gjatë periudhës së dialogut teknik janë arritur një sërë marrëveshjesh:

  1. Marrëveshja për regjistrat civil
  2. Marrëveshja për regjistrat kadastral
  3. Marrëveshja për pranimin e diplomave universitare
  4. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes të njerëzve dhe veturave
  5. Marrëveshja për pranimin e vulave të Doganës së Kosovës
  6. Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve
  7. Marrëveshja për denominimin e Republikës së Kosovës në forumet rajonale (Fusnota)
  8. Marrëveshja për këmbimin e zyrtarëve për ndërlidhje

Këto marrëveshje i hapën rrugë dialogut politik i cili filloi më 19 tetor të vitit 2012. Ky dialog solli Marrëveshjen e Parë të Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e cila u arrit dhe u parafua nga dy kryeministrat më 19 prill të vitit 2013. Dialogu Kosovë – Serbi, në fakt, paraqiste negociata të reja e të vazhdueshme, të cilat quheshin dialog vetëm sa për të tingëlluar me butë e më të pranueshme.

Më 8 shtator 2013 janë arritur në Bruksel marrëveshja për energji dhe ajo për telekomunikacion mes Kosovës dhe Serbisë. Asnjëra prej këtyre marrëveshjeve, e as dialogu për to, nuk janë raportuar në Kuvend sipas formatit të vendosur me Rezolutën e Kuvendit ku raportonte Kryeministri. Asnjëherë nuk është raportuar as për zbatueshmërinë e marrëveshjeve në fjalë. Marrëveshja për energjinë i hap rrugë krijimit të një kompanie të re për furnizim me energji elektrike për veriun, e cila njëkohësisht do të kryejë edhe shërbime distribuimi, ndërkohë që ajo për telekomunikacion, përveç pikës së parë që flet për mundësinë e ndarjes së një kodi të veçantë për Kosovën sipas standardeve dhe orarit të ITU-së, në të gjitha pikat tjera ndërhynë drejtpërdrejt në sovranitetin shtetëror të Kosovës në fushën e telekomunikacionit.

Dialogu me Serbinë as nuk e integroi territorin e Kosovës e as pakicën serbe në Kosovë. Miliarda euro u derdhën nga faktorët ndërkombëtarë dhe Buxheti i Kosovës gjatë këtyre 15 viteve të pasluftës për multi-etnicitet. Në nëntorin e vitit të kaluar, në zgjedhjet lokale, partia e Beogradit e quajtur Lista Serbe e fitoi pushtetin në 9 komuna të Kosovës. Ata deklarojnë por edhe veprojnë në kundërshtim me rendin kushtetues të vendit, ndërkohë që refuzojnë të pranojnë çfarëdo dokumenti të Republikës së Kosovës i cili në çfarëdo forme mund të kuptohet si njohje e shtetësisë së Kosovës.

Po ashtu as Serbia nuk po e njeh Kosovën përmes këtyre marrëveshjeve sepse në aspektin e saj të brendshëm nuk po i njeh këto marrëveshje si ndërshtetërore. Kurse Kosova po vazhdon t’i zbatojë ato njëanshëm. Këtu kemi, pra, një mungesë të dyfishtë reciprociteti. Në njërën anë – vetë marrëveshjet e vendosin Kosovën si entitet joshtetëror karshi Serbisë dhe si palë të pabarabartë. Dhe, në anën tjetër, edhe vetë këto marrëveshje zbatohen njëanshëm vetëm nga Kosova. Serbisë edhe po i mundësohet komoditeti i mosnjohjes së Kosovës, edhe moszbatimi apo zbatimi selektiv i marrëveshjeve.

I vetmi koncesion i Serbisë në dialogun tre vjeçar me Kosovën ka qenë njohja e diplomave të Republikës së Kosovës në Serbi, përkatësisht për nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Mirëpo, në prill të vitit 2014 edhe këtë koncesion të Serbisë, Gjykata Kushtetuese atje e hodhi poshtë duke konstatuar që Serbia i njeh vetëm diplomat me logon e stemën e UNMIK-ut që janë lëshuar para vitit 2008.

Dialogu teknik dhe politik në Bruksel kanë qenë jotransparent dhe joparimor. Janë shkelur dy rezoluta të Kuvendit, ajo e 18 tetorit 2012 dhe ajo e 6 qershorit 2013. Zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri ka qenë vetëm një herë në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 8 prill 2011, dhe kurrë më duke refuzuar ftesat. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, asnjëherë nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit për Punë të Jashtme të datës 11 shkurt 2013 që të vijë e të raportojë.

Dialogu me Serbinë nuk e afroi Kosovën me BE-në. Pas tri viteve të dialogut nuk kemi asnjë njohje të pavarësisë së Kosovës nga pesëshja Spanjë, Sllovaki, Rumani, Greqi e Qipro. Madje nuk fituam as liberalizim të vizave kurse premtimi për nënshkrimin e MSA-së sui generis i shërben veçse qeverisë për konsum të brendshëm dhe jo shtetit për avansim real drejt BE-së. Fusnota në emërtimin për Kosovën ia dha Serbisë statusin e vendit kandidat për BE kurse marrëveshja Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013 ia dha Serbisë fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

Dialogu është negociatë. Në negociata shtetet hyjnë për t’u marrë vesh. Negociata kur nuk është e barabartë e as e dobishme nëse përfitimet janë të njëanshme. E për të qenë përfitimet e dyanshme palët negociuese duhet të jenë të barabarta. Për më tepër karakteri i negociatave, përfshirë temat që negociohen, duhet të jenë në përputhje me parimin e barazisë mes shteteve. Që nënkupton se mund të negociohen vetëm ato tema që prekin marrëdhëniet mes dy shteteve të barabarta, e në asnjë mënyrë temat që janë çështje të rregullimit të brendshëm të shteteve përkatëse.

Aneks 2

Hyrje Kontekstuale mbi privatizimin

Privatizimi i ndërmarrjeve publike, njëjtë sikur i atyre shoqërore, nuk i ka sjellë ndonjë dobi ekonomike vendit. Përkundër premtimeve fillestare se privatizimi do të krijojë dinamika të reja ekonomike, duke nxitur rritjen e efiçiencës së ndërmarrjeve dhe duke sjellur kapital të freskët e menaxhim profesional në këto ndërmarrje, dhe se do ta luftojë korrupsionin, duke i larguar ndërmarrjet nga duart e pushtetit politik, privatizimi në Kosovë ka prodhuar një efekt plotësisht të kundërt. Shumica dërrmuese e ndërmarrjeve të privatizuara janë ridestinuar duke e rrënuar kështu bazën industriale të vendit, ndërkohë që korrupsioni përmes privatizimit vetëm sa është shpejtuar dhe shtuar.

Afërsisht 75 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e tyre të punës si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e privatizimit, ndërkohë që i tërë fondi i gjeneruar nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore asnjëherë nuk është futur në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Privatizimi është bërë për hir të privatizimit, qasje kjo e trashëguar nga burokracia e UNMIK-ut, e asnjëherë nuk është kuptuar në dritën e tij të vërtetë – si vendim politik dhe si mjet për të arritur një synim të caktuar.

Ndërmarrjet publike të Kosovës po shkatërrohen përditë nga keqmenaxhimi i qëllimshëm nga pushteti. Sikur në efikasitetin operacional, ashtu edhe në atë financiar ndërhyrjet e pushtetit për qëllime partiake të ditës po ua ulin vazhdimisht performancën. Konkurrueshmëria e tyre po rënohet përmes mosinvestimit në to. Ndërkohë që tregu tashmë i fituar i këtyre ndërmarrjeve po rrënohet përmes ndërhyrjeve ilegale nga brenda dhe jashtë dhe përmes mungesës gati se absolute të rregullimit nga rregullatorët formalisht të pavarur.

Industria e Kosovës, struktura e saj, dhe baza e përgjithshme industriale ka nevojë për një qasje të re.

 

 

Një koment te “Parimet e VETËVENDOSJE!-s për një Qeveri Emergjente

  1. Pingback: Parimet e VETËVENDOSJE!-s për një Qeveri Emergjente | Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: