rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Programe, projekte dhe përralla

Arbër Zaimi

Në këto zgjedhje Lëvizja VETËVENDOSJE! shkon e qetë, me sigurinë e subjektit që ka vepruar vetëm sipas programeve të veta, me vetëdije të plotë, e që nuk bart në ndërgjegje asgjë që mund ta mbajë peng në të shkuarën. Por nuk është kjo ajo çka po reflektohet prej partive të tjera të mëdha, të cilat po prodhojnë diskurs kontradiktor e jokonsistent në këtë periudhë fushate, gjë që lë të kuptohet se ekziston një lloj paniku dhe nxitimi në vendimmarrjet e tyre.

Më së shumti kjo bie në sy nëse krahasojmë programet dhe premtimet e forcave në fjalë, qoftë për nga strategjia e hartimit-publikimit, qoftë për nga përfshirja në debate e diskutime mbi temat programore, apo qoftë për nga vetë premtimet. Le t’i përshkojmë tepër shkurt këto tre dimensione, sa për të ilustruar krahasimin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka publikuar programin e saj të titulluar “Alternativa Qeverisëse” që në shtator të vitit 2013. Prej asaj kohe ky program është diskutuar gati në çdo aktivitet publik të këtij subjekti, takime me anëtarë e me joanëtarë, emisione tv., shkrime a diskutime me ekspertë. Ky libër me 115 faqe përmban të detajuar vizionin e këtij subjekti, dhe përpiqet të ofrojë një përfytyrim të hollësishëm të asaj se si do të duket qeverisja e Kosovës me Vetëvendosjen, pas 8 qershorit.

PDK e LDK kurrë më parë, as në zgjedhje lokale as në zgjedhje qendrore, nuk kanë botuar programe. Dikush mund të shtrojë pyetjen, ç’i ka bërë partitë e vjetra të nxitojnë e të botojnë diçka që kurrë më parë s’e kanë përdorur? Pse u është dashur sivjet të dalin me një iniciativë të tillë, kur në kohët e shkuara edhe pse s’kanë patur program, kanë qenë të parat? Natyrisht, nuk duket se e kanë botuar programin për t’u përballur me njëra-tjetrën meqë, siç kanë vënë re shumë analistë apo edhe ndërkombëtarë, këto dy forca nuk kanë dallime programore. Arsyeja pse kanë vendosur të “programohen” kësaj radhe duket se është pikërisht Lëvizja VETËVENDOSJE!, rezultatet e saj në sondazhe dhe zgjerimi i saj me njerëz të rinj e me ide të reja.

Po të qe thjesht kaq, do të quhej gjithsesi një mbërritje pozitive. Fundi i fundit, botimi i programeve është një hap drejt normalizimit, pavarësisht se e kujt është “merita” apo “faji” fillestar për hapjen e “valles” programore. Mirëpo, nëse për Vetëvendosjen thamë se në më shumë se 10 muaj e ka shpërndarë programin e saj në gjithë mënyrat që ka pasur mundësi, përfshi këtu edhe botimin dy herë të vetë librit, me tirazh mbi 10.000 kopje si dhe nxjerrjen online të po këtij libri, kur vjen puna te LDK e PDK, programet e tyre s’gjenden lehtë. Jo vetëm që janë “shpallur” thjesht javën e fundit, po janë praktikisht të pagjetshme. Online gjenden disa dokumente të shkurtër, ku në më pak se 20 faqe përmenden gjithë fushat e qeverisjes, me fjali tepër të përgjithshme, po askund nuk gjendet ndonjë vizion i detajuar në mënyrë pak më konkrete. Këtë vështirësi madje ta konfirmojnë edhe militantët e atyre partive, të cilët ndërkohë që mbrojnë me çdo kusht argumentin se “ekziston një program” refuzojnë të ta tregojnë atë, duke thënë ndonjë gjë të përafërt me “s’ka ç’të duhet ty që je në subjekt tjetër”. Dyshimet mbeten të forta se me përjashtim të kopertinave që qarkullojnë si imazhe nëpër rrjete sociale, nuk ekziston asgjë tjetër, pos frazave të përgjithshme të sipërpërmendura. Pra, dyshojmë se PDK e LDK edhe kësaj radhe thjesht duan të duken sikur kanë program, pa e pasur në të vërtetë atë.

Se programet, në analizë të fundit, botohen pikërisht për t’u ballafaquar me kundërshtarë e kritikë, e jo si dokument i brendshëm i ndonjë sekti konspirativ. Psh. Lëvizja VETËVENDOSJE! programin e vet e ka kaluar në procese të ndryshme kritikash, dhe në mesazhin e saj kryesor këmbëngul se ky program do të realizohet gjithnjë në bashkëpunim me ekspertët (qofshin ata edhe kritikë, apo të partive të tjera) e jo në mënyrë dogmatike (pra “bashkë me ju” e jo “vetëm ne…” siç këmbëngul slogani i ndonjë partie tjetër).

Kanë apo s’kanë program pra?  Dyshimet shtohen edhe më shumë kur sheh se cilat janë premtimet që rezultojnë nga programet e tyre. Kështu PDK e LDK premtojnë qindra mijëra vende pune. A thua s’janë po ata që kanë deindustrializuar Kosovën në një mënyrë plaçkitëse për 15 vjet rresht. A thua s’janë ata që privatizuan fabrikat dhe ndërmarrjet e prodhimit në një proces korruptiv mbi të cilin ende nuk është vënë drejtësi. A thua nuk kanë qenë qeverisjet e tyre të njëpasnjëshme në nivel qëndror e lokal që kurrë nuk i kanë kushtuar rëndësi punës, po vetëm klientelës respektive, klientelë e cila vetëm sa ka filluar të ekspozohet si majë ajsbergu në afera si ato që po dalin në Komunën e Prishtinës e që do të dalin shumë shpejt edhe prej qeverisë qendrore.

Premtime si puna e fondeve për punësim nga këto parti që e mbajnë veten “të djathta” dhe që deri para disa muajsh kritikonin qasjen e Vetëvendosjes pikërisht për këtë çështje, s’janë veçse kopjim i nxituar, në gjendje ankthi (kopjime të tilla të nxituara bënte edhe PD e Berishës para qershorit të shkuar). Premtime si puna e qindra milionave për bujqësinë janë ashiqare mashtrime. Ndërkohë që bujqësisë deri më sot i kanë lënë më pak se 1% të buxhetit, qoftë nëpër qeveri, qoftë nëpër komuna, sot bujqësia nuk është as në gjendje që t’i shfrytëzojë këto shifra bombastike. 500 mln. euro për bujqësinë e sotme, siç thotë PDK-ja është sikur një fëmije i cili ka vite që është i keq-ushqyer t’i kërkohet të hajë një qingj të pjekur, apo një dash. Rritja e buxhetit për bujqësinë do të duhej të ishte graduale, me faza, siç e ka parashikuar alternativa e Vetëvendosjes. Por në panik, s’ka kohë për faza.

Sondazhet tregojnë se janë tre forca të cilat ndodhen mbi 20% dhe asnjëra prej tyre nuk mbërrin deri në 30%. Vendimtarë në këto zgjedhje do të jenë ata që ende nuk kanë vendosur, të cilët në sondazhe rezultojnë të jenë afër 20% e elektoratit. Të pavendosurit (por jo indiferentët) përgjithësisht janë votues inteligjentë, që dinë të analizojnë. Le të shpresojmë se do i lexojnë drejt premtimet elektorale, se do të dinë të ndajnë shapin nga sheqeri, apo përrallën korruptive nga projekti e programi konkret.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Qershor 1, 2014 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: