rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Universiteti dhe Tallavaja

Arbër Zaimi

Subjekti mbizotërues i muzikës së lehtë dhe asaj tallava është dashuria. Krejt këndojnë për dashuri, ca me dhimbje e ca me aht, ca me gëzim e të gjithë me atë cektësinë e lehtësinë që s’ka nevojë për shumë komente, meqë qëndron thuajse kudo e do e kenë vënë re thuajse të gjithë, edhe përtej tallavasë. Fenomeni interesant është se dashuria nëpër këto këngë në pjesën dërrmuese qëndron thjesht si një eufemizëm për epshin banal apo për afshe dhe frustrime të natyrave aspak të larta apo të kultivuara. Sa më shumë që flitet për dashuri, aq më shumë nënkuptohen shalë, cica, bythë, silikon, botoks të cilat shërbejnë si sfond për makina të shtrenjta, ndërtesa kitsch, plazhe ekzotike etj. Dmth. sa më shumë flitet për dashuri, aq më shumë veprohet kah objektifikimi dhe konsumimi i njeriut të shndërruar në objekt. Objekti siç e dimë mund të dëshirohet, por nuk mund të dashurohet – nëse e kuptojmë dashurinë psh. sipas Alain Badiou-së, si procedurë apo si skenë të së Vërtetës, ajo ku dyshja e subjekteve përplaset, përnaltësohet dhe bëhet një.

Dikush mund të thotë – bravo, u deshe ti të na tregoje se tekstet e tallavasë apo të muzikës së lehtë (ose pop, siç quhet gjetiu) janë të cekëta e të stërmbushura me klishe e me readymade, e që në analizë të fundit janë hipokrite. A nuk e dimë të gjithë këtë?

Mirëpo nuk është ky synimi i shkrimit tim. E nisa me hipokrizinë e cekët të tallavasë vetëm për të bërë një analogji. Siç flitet për dashuri ndërsa në fakt mendohet për seks në tekstet e tallavasë, a nuk flasim për universitet dhe në të vërtetë mendojmë thjesht për ato skema piramidale që janë dipllomoret tona?

Është moment i rëndësishëm për të diskutuar këtë temë, pasi është duke u diskutuar një reformë në arsimin e lartë. Propozimet e bëra qëmoti synojnë me sa duket heqjen e TVSH-së për arsimin e lartë si dhe instalimin e sistemit të çeqeve (voucher system), sipas të cilit do të jenë vetë studentët apo familjet e tyre ato që do të vendosin se në cilin universitet do t’i investojnë paratë që u takojnë prej kthyeshmërisë së taksave në formë çeku. Do t’i çojnë taksat te universiteti publik, apo te ai privat, sipas “zgjedhjes së lirë” të studentit apo familjes së tij, duke krijuar kështu një treg që do të dërgojë sinjalet orientuese për shkencën e që pretendohet se do të hapë konkurrencë mes universiteteve. Thamë universitet, por nënkuptuam sërish dyqanin ku shiten diplloma, grada e status në vendin ku gjithnjë e më shumë thuhet dije e nënkuptohet dhelpëri.

Vetë ideja e konkurrencës mes universiteteve për të kapur sa më shumë studentë e shndërron studentin në klient-konsumator, ndërkohë që ideja se do të prodhohen studentë sipas sinjaleve të tregut e shndërron studentin në mall. Studenti-klient do të joshet prej ofertave “regjistrohu dhe merr lavatriçe falas, apo udhëtim në Karaibe”. Studenti-mall, parimisht prodhohet sipas sinjaleve që ka dhënë tregu pesë vjet më parë, kur ai nisi studimet – pra rreziku është i madh që të jetë mall i panevojshëm në një periudhë të transformimeve të shpejta. Por një aspekt tjetër i studentit-mall është studenti-borxh, ai që pasi është ngarkuar ekonomikisht (vetë apo familja e tij) për të paguar një diplomë, paketohet bukur e radhitet si forcë e lirë (cheap) në stolin rezervë të tregut të punës, stolin e stërmbushur që pak gjasa ka të shfryhet tani afër.

Argumentet e paraqitura kundër kësaj “reforme” janë të shumta e janë ngritur prej zërave jo pak të njohur nga vetë akademia. Së pari është vënë re se si ky sistem i çeqeve nuk është aspak i konsoliduar dhe mbetet ende në fazë eksperimentale. Edhe në ato pak vende ku është eksperimentuar masivisht nuk ka rezultuar gjithnjë në sukses. Psh. në Kili – ku sistemi i propozuar nga neoliberalët u aplikua vetëm nën forcën e diktatorit djathtist Pinochet – sot e disa vjet protesta masive studentore synojnë ta përmbysin këtë sistem pervers, dhe lëvizjet studentore nuk është se kanë qenë tërësisht të pasuksesshme. Së dyti, është vënë re se si sistemi universitar europian (në fakt janë disa sisteme europiane, të cilat janë rrekur të unifikohen me sukses të diskutueshëm nën diktatin e tregut, përmes procesit të Bolonjës), në modelin e së cilit është ndërtuar edhe sistemi ynë arsimor, përgjithësisht ka konsoliduar publiken, e jo privaten. Psh. në Gjermani, edhe pse ka mbi 70 universitete private, ato zënë veç 1% sa i përket numrit total të studentëve. Po ashtu në Francë. Argument i tretë është fakti se – ndërkohë që te ne prej spekullantëve-pronarë flitet për konkurencë mes universitettheve tona, që do ua rritka cilësinë dhe nivelin e kërkimit shkencor – universitetet e vendeve të ndryshme të kontinentit tonë po bashkohen, për të krijuar agjensi më të fuqishme, të afta për të financuar projekte kërkimore e për të konkuruar me universitetet e vendeve të tjera. Pra konkurenca në vend që të konceptohet si garë mes universitetit evropiano-shqiptar dhe atij amerikano-shqiptar që do të çonte në fragmentarizim qoftë të mundësive financiare ashtu edhe të kapaciteteve shkencore, do ishte mirë të perceptohej si garë mes Universitetit Shqiptar dhe atij të vendit fqinjë, apo të vendit ca më të largmë. E kështu me radhë.

Por argumentet kundër reformës së çeqeve janë edhe të natyrës ekonomike-politike jashtë-universitare. Një qeveri si ajo e Ramës, e ardhur në pushtet me kartën sado sipërfaqësore të kritikës ndaj djathtizmit dhe ndaj neoliberalizmit sistemik të aplikuar nga Berisha e nga Nano para tij, nuk do të duhej të përsëriste politikat e vjetra të propozuara nga paraardhësit, por do të duhej të kishte një plan të qartë për orientimin e kapitalit privat drejt sektorëve strategjikë të prodhimit. Në vend se të krijojë lehtësi për kapitalin e çilërve që të vazhdojë të akumulohet nëpër agjensi që prodhojnë “ajër” siç janë universitetet private, do të ishte mirë që të “nxitej” transferimi i këtij kapitali prej dipllomoreve, në prodhim e në shërbime që mund të eksportohen, ose në industri apo në bujqësi. Sepse kjo do të sillte rritje të vëllimit ekonomik e njëkohësisht do t’i vinte fre pabarazisë që krijohet prej ndërrmarjeve të tilla si “universitetet” private apo si bizneset e ndërtimit, të cilat marrin nga pak para nga cilido student-klient në këmbim të një diplome që nuk garanton assesi punësim, dhe i përqendrojnë ato para në fare pak duar të dyshimta.

Dikush mund të thotë se Rama nuk ka se ç’ti bëjë, pasi në fund të fundit është liria e kujtdo t’i investojë paret e veta ku të dojë, siç ia dikton tregu (edhe pse kërkesë-oferta duket se funksionon çuditshëm , kur sheh se si përgatiten prej universiteteve “tregiste” kaq shumë juristë, politologë e ekonomistë që do punojnë thjesht si hamej apo si kamarierë…).Nëse do, këmbëngul liberali, privati e çon kapitalin në tallava, nëse dëshiron e çon në universitet privat. Mirëpo është detyrë e shtetit që – në mos të detyrojë – të paktën të orientojë kapitalin. Duke hequr TVSH për arsimin e lartë privat (pjesë tjetër e reformës) në fakt thjesht lehtësohet mbajtja e kapitalit në këtë lloj investimi – fitimprurës për pak e njëkohësisht shkatërrues për shumicën. Tani mbetet t’i heqin TVSH-në edhe tallavasë, edhe do plasë kultura sheshit, më shumë se dashuria, me të cilën nisëm shkrimin.

Një koment te “Universiteti dhe Tallavaja

  1. Pingback: Universiteti dhe Tallavaja | Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 7, 2014 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: