rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Manifest kundër mjerimit

Pavjo Gjini

Edicioni informativ mbyllej me lajme nga bota: ‘Francë, Presidenti Holland dyshohet për lidhje jashtëmartesore me një grua me 4 fëmijë. Presidenti francez i ka përgënjeshtruar akuzat. Faleminderit për vëmendjen, vazhdoni të ndiqni programacionin tonë!’ Në anën tjetër, The Guardian raportonte se në Francë, ndërkohë që presidenti sqaronte publikun mbi akuzat e tradhtisë, një grup punëtorësh kishin marrë peng menaxherë të fabrikës ku punonin pasi pronari kishte vendosur ta mbyllte atë. Mes të tjerash thuhej se punëtorët nuk kishin në plan t’i lëshonin menaxherët para se kompania t’i  dëmshpërblinte për vendet e humbura të punës. Ndërsa në darkë, Grida, shpagimi që PD i ofron votuesve të saj, fantazia seksiste nga një moraliste e dobët, analizon personalitetin e Ramës, ‘problemin kryesor të shqiptarëve’, kryeministrin që s’di të krijojë familje e kështu me radhë. Falë Gridës, për një moment u dukën edhe media e Çilit bashkë me cinizmin e Çanit seriozë tek emisioni Zonë e Lirë i të premtes së fundit.

Televizori i përket gjysmës së dytë të shekullit XX. Shfaqje pafund që vazhdimisht e degraduan shoqërinë në nivelin e një spektatori dhe pambarimisht riprodhuan të njëjtën situatë sunduese me të njëjtat klasa sunduese. Por përkundër asaj që thoshte krishterimi, gjërat vdesin, ama, rrënojat e tyre vazhdojnë kokëfortë të qëndrojnë mes të gjallëve. Spektatori është gjithmonë spektator rrënojash, shikuesi pasiv i një peizazhi natyror, i një Detroiti të sotëm pasindustrial, i një zëri që riprodhon këngët e të tjerëve, i një galerie arti si ajo e jona kombëtarja e kështu me radhë.

Rrënojat qëndrojnë mes të gjallëve jo si fantazma që kërkojnë shpagim dhe frikësojnë fëmijët, as si shpirtra të penduar në purgator që presin t’u ndahen rrugët, por si zoti i Testamentit të Vjetër që s’ka ç‘bën si i vdekur dhe rri e tall bythën me të gjallët; u thotë se ju kam bërë sipas shëmbëlltyrës time dhe shpëtimin prej saj vetëm unë jua jap po mu tek. Spektatori nuk flet, dhe televizori prodhon veç spektatorë. E vërteta nuk ka za’ të flasë në vendin tonë dhe kushti i të vërtetës është t’i japë za’  dhimbjes – thotë filozofi Teodor Adorno. Dhimbja në vendin tonë qartësisht nuk ka za’, të gjithë kanë frikë prej saj edhe pse elefanti është ulur në dhomë galuc.

Ndërkohë Çani interviston ‘të mjerin më të famshëm në Shqipëri’. Nga ‘Poema e mjerimit’ te ‘I mjeri më i famshëm’ ka ndryshu shqipja shumë! Në ekrane rrënojat i japin mjerimit fytyrën e tyre qesharake dhe vazhdimisht e riprodhojnë atë fytyrë sa ajo pranohet si e pandryshueshme. Kjo është simbolika në të cilën thuren politikat sociale, fantazitë seksuale, arkitektura e shesheve/pallateve, morali i familjes, humori i të rinjve; shkurt, simbolika e të gjithë ngrehinës ideologjike në vendit tonë.  Rrënojat sot kanë pamjen e programeve televizive, të një modeli mediatik të dështuar, dhe ku më bukur se pamja e ‘Zonës së Lirë’. Aty ku vihet në lojë një shoqëri e tërë për të qeshurën e hidhët të cinizmit.

Niçja thoshte se Greqia homerike mori të tatëpjetën kur hoqi dorë nga tragjedia dhe filloi komedinë. Komedia është riprodhimi i vazhdueshëm i një situate tragjike pa heroin tragjik. E megjithatë komedia mbetet arti i të qeshurës, por shpirti i një artisti të shqetësuar. E keni parasysh Çaplinin? Ç’do të thoshte Çaplini për Çanin? A do qeshte a do qante? Në radhë të parë a do shkonte Çaplini te Çani?

Çaplini ishte aty ku kishte vuajtje për të mbjellë dashurinë, aty ku kishte njerëz të traumatizuar për t’u mësuar të qeshnin, dhe mbi të gjitha aty ku kishte qytetarë të shfrytëzuar për t’u treguar se ata ishin jo vetëm forca punëtore, por edhe ‘libidoja’, ‘jeta’ që mbante në këmbë një borgjezi të tërë melankolike. Ndërkohë sot shohim që favelat braziliane dhe sllamet e Indisë po reklamohen si oazet e reja kulturore dhe destinacionet e fundit turistike. Pse?!… Se në to ka jetë dhe jeta është një mbivlerë shumë e madhe që mekanizmi i tregut ta lërë të lirë dhe të mos ta përfshijë brenda vetes.

Por Çaplini i gjysmës së parë të shekullit të 20 kishte hapësira më shumë se ne se ku të referohej. Në vitet 20 të pasurit e Nju Jorkut, ndërkohë që qëndronin publikisht racistë, seksistë dhe homofobë, natën, darkën, pijet, kërcimet dhe seksin e bënin nën tingujt e Jazz-it me aktorë nga ‘Harlemi i rilindur’ i një klase punëtore zezake. Por kjo ishte gjysma e parë e shekullit XX; kohë përbindëshash kur i përjashtuari përfshihej në politikë me dhunë nëse nuk e linin; kur punëtorët e Sietëllit e konceptonin grevën e përgjithshme si një vetadministrim të qytetit nga vetë punëtorët; kur diku nga lindja të nëpërkëmburit kishin fillu me e ndryshu ritmin dhe gjuhën e poezisë; kur e majta kritikën kundër fashizmit e shoqëronte me luftë të armatosur kundër fashizmit; kur në Amerikë socialistët bënin thirrje për solidaritet dhe barazi mes ngjyrash dhe seksesh në një shoqëri thellësisht të segreguar dhe të ndarë. Madje edhe Migjeni i përket asaj kohe përbindëshash. Vallë a s’është Migjeni i vetmi përbindësh shqiptar me të cilin Çaplini do ishte marrë vesh?!

Migjenin e kemi lënë vetëm! Me rrënojat është lehtë të merresh, t’i kontekstualizosh, t’i interpretosh si thelbi i një periudhe të tejkaluar ose të një periudhe që na qëndron si pasqyrë për të identifikuar veten përmes saj. Por Migjeni ngelet vetëm se është i frikshëm, jo qyqar! Të lexosh seriozisht Migjenin, do të thotë të sillesh seriozisht me realitetin. Do të thotë kangët e rinisë t’i lidhësh pashpërbashkmërisht me kangët e Mjerimit. Po ç’do të thotë të sillesh seriozisht me realitetin sot kur pa drojë intervistuesit fillojnë intervista me titull “I Mjeri Më i Famshëm Në Shqipëri”, kur disa persona kanë nën PRONËSI Universitetin si shumatorja kolektive e të gjitha dijeve njerëzore, kur ithtarja e dorës së fshehtë të tregut bën analiza psikologjike, kur femra qëndron aty si pasqyra e një fantazie seksiste, kur artist quhet edhe zëri thjesht i lindur i një adoleshenti?!

Të marrësh seriozisht Migjenin, por qoftë edhe pa e lexuar Migjenin, të marrësh seriozisht realitetin sot do të thotë ta vësh mjerimin në qendër dhe pastrimin e rrënojave të mos ta shohësh si shkelje të të drejtave të njeriut. Pastaj, si mundesh ta vësh mjerimin në qendër po nuk largove rrënojat anash tij?! Mjerimi është produkt rrënojash, por ka disa që e pësojnë më shume se disa të tjerë. Rrënojat janë çnderimi i vazhdueshëm që i bëhet një jete që do të lindë guximshëm vazhdimisht dhe që vazhdimisht vritet.

Imagjinoni sikur një lëvizje e re politike të fillonte organizimin e një fushate mbarëkombëtare dhe mbarëvirtuale me qendër mjerimin. Të bënte thirrje për bojkotim zgjedhjesh nëse partitë politike në zgjedhjet e ardhshme nuk do të vendosin mjerimin si shqetësimin kryesor për sigurinë kombëtare dhe prioritet të padiskutueshëm zhdukjen e tij. Të kërkojë, të ndërtojë një subjekt të ri politik i cili vendos mjerimin në qendër dhe kërkon ta zhdukë atë.

Për varfërinë flasin kollaj të gjithë, se varfëria është ‘fati’ i keq i një grupi të caktuar individësh që vazhdimisht shihen si viktima, madje mund të përllogaritet edhe statistikisht sipas disa standardeve të përcaktuara. Për varfërinë mund të flasë edhe Etore Sekui, edhe Grida. Varfëria është një situatë gjithmonë e viktimës, e tjetrit, e dikujt larg politikës; e dikujt që e pëson si efekt anësor varfërinë ose që e pëson për fajin e tij, por gjithmonë e dikujt të jashtëm, të përjashtuar dhe asnjëherë e jotja. Dhe kështu, përderisa është e përllogaritshme dhe e jashtme, mund të përmendet edhe në ligjërime politikanësh se vetëm një dorë reformash kërkohen për të.

Mjerimi në anën tjetër është i gjithë pellgu ku lëviz edhe varfëria edhe koordinatat e përcaktimit të reformave kundër saj. Zhdukja e mjerimit bën thirrje për një kangë, një gjuhë, një politikë të re të lindet. Mjerimin mund ta marrë seriozisht vetëm Migjeni që i qëndron besnik deri në fund pozicionit të tij dhe Kangëve të mjerimit u paraprin Kangët e ringjalljes.  Arti i Migjenit është si teza e tetë e filozofit Valter Benjamin mbi filozofinë e historisë, kur thotë se tradita e të shtypurve na mëson se ‘situata emergjente’/’situata e jashtëzakonshme’ është rregulli, është realiteti kur jetojmë dhe jo një përjashtim. Migjeni është poeti i Ringjalljes, por që flet me gjuhën e katastrofikes, e emergjencës, e të jashtëzakonshmes, dhe këtë e ka mësuar nga tradita e atyre që e kanë pësu mjerimin nga rrënoja të pavdekshme.

“Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;

Asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;

Balli që e ka, syt që e shprehin, buzët që më kot mundohen ta mshefin—

Janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,

Të mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës

Mbi të cilën hangri darkën një qen i pamshirshëm

Me bark shekulluer, gjithmonë i pangishëm.”

Prandaj mjerimin nuk mund ta përmendin SekuiGridaÇaniÇiliAmeBeriRamaBEbebebe… Ata i përkasin historisë së atyre që nuk duan, nuk munden dhe nuk do ta ndryshojnë situatën, dhe rrjedhimisht ndryshim prej tyre nuk mund të pritet. Historia ka provuar gjithashtu se as Allahu dhe as Krishti nuk e kanë shpëtuar njerëzimin nga mjerimi. Mjerimi zhduket me kangë të reja të kënduara kolektivisht kundër tij dhe gjuha që kumbon qartësisht mes rrënojash sot vetëm kangë e re nuk asht.

2 komente te “Manifest kundër mjerimit

  1. Pingback: Manifest kundër mjerimit | Blink

  2. Pingback: Manifest kundër mjerimit | Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 12, 2014 nga te Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: