rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Piratin apo injorantin?

Arbër Zaimi

Kësokohe nëpër televizione të Shqipërisë po transmetohet një reklamë që shpall piratë të gjithë ata që shkelin të drejtat e autorit. Pra të gjithë ata që thyejnë “shenjtërinë” e pronësisë intelektuale, gjë që në masë të madhe sot do të thotë ata që shkarkojnë një libër, një film apo një vepër tjetër arti a dijeje në internet, pa e paguar atë. Pasi që të përshkruarit shpallen piratë, është lehtë të kalohet në fjalinë tjetër, predikatin normues të trashëguar prej kohëve kur ndoshta shkrimi ende s’ishte shpikur: “pirateria ndëshkohet me ligj!”.

Duket pohim paqtues dhe gjykim i shëndoshë. I vetmi fërkim ka të bëjë me faktin se nëse gjer më sot piratët i kemi imagjinuar si vjedhës tejet brutalë, skllavërues, banditë e si llumin e shoqërisë, sot në masë të madhe “piratët” qëllojnë të jenë studentë apo studiues, apo mendje të uritura (ka ende të tilla…) që ose janë në pozitë jo të mirë ekonomike, ose jetojnë në vende të varfra, të cilat nuk e ofrojnë qasjen në llojin përkatës të “ushqimit mendor”. (Ka edhe snobë që formojnë “parti pirate” në vende të pasura, po ky është tjetër muhabet). Nëse piratët klasikë (qoftë dhe në imazhin e tyre të romantizuar) i kemi menduar si njerëz të arratisur prej burgjeve të civilizimit, borxheve të papaguara e detyrimeve të papërmbushura të të gjitha llojeve, piratët e rinj në masë të madhe janë njerëz për të cilët vazhdimisht është e domosdoshme përkujdesja e familjes, shoqërisë dhe e shtetit vetë, që të mbijetojnë në formën që iu jep përkushtimi ndaj dijes apo ndaj kulturës apo ndaj artit.

Pirat, sipas përkufizimit të ri, është ai që nuk pranon dot të mbesë analfabet apo kulturalisht i nënrenditur. Vini re sa ndryshe prej imazhit “të moçëm” të piratit i cili edhe kur luhet nga Johnny Depp nuk di të lexojë.

Dikush mund të protestojë – e ç’hyn analfabetizmi me piraterinë? Askush s’ka nevojë të vjedhë veprën e tjetrit për të mësuar të shkruajë e të lexojë, apo të mbledhë e të shumëzojë – sot. Shoqëria, përmes shtetit duhet të kujdeset për këtë.

Po e pranojmë këtë pohim pa vënë në dukje dështimet e vazhdueshme të këtij shteti që pretendon të ruajë autorët prej piratëve kur vjen puna te ruajtja e fëmijëve prej analfabetizmit që po rishfaqet bashkë me një sërë fenomenesh të tjera që ishin menduar si të tejshkuara e të varrosura në hijet e kohës, si puna nën moshë, mungesa e strehës, mungesa e kujdesit shëndetësor universal, mungesa e bukës apo edhe vetë skllavërimi e shitja si copë mishi. Pra, po i harrojmë këto “mospërmbushje” duke i quajtur si zgripe të parëndësishme, që nuk mbërrijnë të përshkruajnë atë shoqërinë “mainstream”, e cila shumë më mirë reflekton atë që përbën rregull për një shumicë aq dërrmuese sa që mund të pretendojë se përfaqëson “të tërën”.

Pra, po merremi me njerëzit “normalë”, me shumicën, jo me destitutët. Shumica nuk mbeten analfabetë, apo jo? Sigurisht që jo, nëse me “analfabet” do të quajmë veç personin që s’njeh dot gërmat. Por nëse ky koncept i analfabetizmit është i mjaftueshëm për një shoqëri që ende nuk e ka përjetuar hovin e shkencave, teknologjisë dhe komunikimit, shoqërive të sotme i rri tepër ngushtë.

Një student i inxhinjerisë që studion me tekste të viteve ’70, një student i matematikës i cili ende i merr problemat në rusisht, një student i elektronikës që studion me tekste të 2009, një student i arteve që mund të shohë vetëm filmat që përzgjedh rrjeti televiziv digjital apo rrjeti i atrofizuar i kinemave funksionale, të gjithë këta janë pjesërisht apo tërësisht në pozitën e analfabetit përballë kolegëve të tyre që jetojnë në shoqëri më funksionale.

Studenti mesatar, për të mos thënë edhe vetë njeriu mesatar, i parrezatuar prej dijes, prej shkencës apo artit bashkëkohor, humbet bashkëkohësinë. Atij i mungojnë një pjesë e mirë e referencave, i mungojnë aparate të caktuara kuptimore, i mungojnë mjete shprehëse. Kumtin dhe zejen i ka të gjymtuara. Të tillë njerëz zbuluan se ishin një pjesë e mirë e shqiptarëve pas “hapjes” së Shqipërisë me botën. Në vetëdijen e tyre të mëparshme ata kishin qenë intelektualë, studentë të mirë, profesionistë të merituar, artistë e krijues. Duhet të ketë qenë traumatike në nivelin personal të kuptonin se ndërkohë kishin humbur dekada të tëra prej skenave ku zhvilloheshin dijet e globit, dhe ishin veç spektatorë apo aktorë të skenave të dikurshme, njerëz interesantë vetëm në dimensionin e tyre si “relike”. Aq shumë prej risive (qofshin dije të përgjithshme qofshin specifike) injoroheshin prej tyre, sa që jo pak prej shqiptarëve ish-intelektualë, ish-profesionistë, ish-shkencëtarë, ish-artistë që përjetuan këtë “surprizë”, zhvilluan komplekse të inferioritetit të cilat i përcjellin me a pa vetëdije edhe 23 vjet më vonë.

Regjimi i shkuar me ose padashje rezultoi masivisht i suksesshëm në luftën kundër “piraterisë”. Jo për shkak të interesimit të madh për autorët borgjezë apo revizionistë se sa për shkak të paranojave mbi “shfaqjet e huaja” dhe neurozave të burgut të zhvilluara së brendshmi si pasojë e izolimit.

Por a ka kuptim që edhe sot studenti, profesionisti, artisti, shkencëtari, apo qoftë edhe kureshtari i thjeshtë shqiptar të marrë dënim dhe destin të ngjashëm ndërkohë që kanë ndryshuar si vetëdija individuale ashtu edhe qëllimet shtetërore? A ekzistojnë vallë veç dy kondita, ajo e dikurshmja kur ishte mundësia për të “blerë”, por vitrinat ishin bosh dhe kjo e tanishmja, kur teknologjia lejon që globalisht vitrinat të jenë “plot”, por mundësia është tepër e vogël për popuj të tërë?

Dikush sërish mund të kundërshtojë duke thënë se së pari në dinamikat e sotme shumë njerëz zgjedhin vetë të mos thellohen shumë në fusha të ndryshme, pasi s’kanë kohë. Të tjerë pastaj kanë para, por nuk i shpenzojnë për të blerë libra, muzikë apo filma. Pra për t’i rënë shkurt, mundësitë janë, por me zgjedhje të lirë (zgjedhja e lirë, ky mit themelues i religjionit të individualizmit), vendosin të mbeten injorantë apo “analfabetë” relativisht dhe/ose absolutisht. Synimi i këtij shkrimi nuk është që të argumentojë kritika ndaj “zgjedhjes së lirë”, kështu që le ta marrim si të mirëqenë këtë vërejtje.

Por le të mbetet vëmendja jonë tek kushtet që i ofron shoqëria jonë atyre që dëshirojnë apo kanë nevojë të kenë qasje në dije. Le të vërejmë se si është rrjeti i bibliotekave qytetare dhe universitare, reale apo virtuale. Si është rrjeti i kinemave komerciale dhe kinemave të zhanrit. Si është rrjeti i librarive, i kinotekave, i ekspozitave apo i skenave të arteve të ndryshme. Si janë rrjetet e distribuimit të veprave me rëndësi edukative, shkencore, artistike. Cilat janë politikat që dirigjojnë botimin, përkthimin, krijimin, hulumtimin, shfaqjen apo “importin” e dijes, shkencës dhe artit?

Eh po këto këtu te ne këto s’i përballon dot tregu. Tregu vendos për to, jo vetëm te ne të varfrit, po edhe gjetiu. Së fundmi fjala vjen u mbyll trupa e baletit në Operan Metropolitane të New Yorkut për shkak të shtrëngesave financiare, jo City Bank-u. Apo jo?

Çështja është se kjo logjikë që na lë në mëshirë të tregut vërtet na pajis me justifikime për mosmbërritjet tona dhe për faktin se bibliotekat më të mira do të mbeten në universitetet e mëdha të nivelit botëror, se librat më të vlefshëm do të mund të blihen vetëm në gjuhë të huaj, dhe vetëm me çmim tregu, se filmat e mirë do të duhet të shihen në kinema specifike në vende që kanë luksin të kenë të tilla. Por nuk na tregon se pse do të duhet t’i bindet kureshtari, studenti apo studiuesi shqiptar kësaj rregullsie.

Nëse dikush më thotë se, thjesht prej faktit se jetoj në një vend që nuk e ka aktualisht domethënien tregtare që të operojë një rrjet kinemash të zhanrit, unë nuk mund të shoh filmat e regjizorëve që më duhen apo që më tërheqin, unë nuk do të bindem. Nëse dikush më thotë se për të njëjtën arsye unë do të duhet të heq dorë prej leximit të debateve bashkëkohore sa i përket profesionit tim, unë sërish nuk do të bindem. Para kërcënimit për të mbetur “analfabet”, apo gjysmak, apo i prapambetur dhe kërcënimit për t’u bërë “pirat”, unë mendoj se është më joshës ky i fundit (kush ka qenë ai maskara që na mësoi të zgjedhim të keqen më të vockël xhanëm?).

Është legjitime të mbahen parasysh ndërkohë edhe nevojat e autorëve (edhe pse është përgjithësisht e qartë se të drejtat autoriale të cilat objektifikojnë krijimin në masë të madhe janë të drejta që garantojnë përfitimin mbi veprën autoriale jo dhe aq prej vetë autorit se sa prej distributorëve, promotorëve, botuesve etj). Por çdo lloj autori apo krijuesi, që prej atij që bën muzikë e gjer te ai që zbulon formula për barna që trajtojnë sëmundje të pashërueshme është i pamendueshëm pa publikun e tij. Korporatizimi dhe financiarizimi i “industrisë së autorëve” mënjanë dhe “dorëheqja e shtetit” në  anën tjetër po prodhon një pabarazi ekstreme në shpërndarjen e dijeve, shkencës dhe artit në shoqëri e në glob. “Përndritja” apo edhe thjesht edukimi a zbavitja shndërrohet në luks të shtresave më të larta të vendeve më të pasura, ndërsa pjesa tjetër dënohet me budallallepsje, kretinizim, fshatarepsje masive. Gjithnjë e më i thellë e më i gjerë honi i zbrazët që ndan këto pjesë.

Kjo panoramë reflekton thuajse simetrikisht ekstremizimin e pabarazisë globale edhe kur vjen puna tek të ardhurat. Vitet e fundit psh. vetë FMN-ja (që ka filluar të operojë si “zëri i ndërgjegjes” së kapitalizmit modern) arrin të shprehet se pabarazia ekstreme po pengon rritjen ekonomike dhe kërcënon seriozisht demokracinë, edhe në nivel global. Le të përkthehet ky postulat edhe kur vjen puna tek shpërndarja e dijes, të cilën nuk do të guxoja ta trajtoja si një “të mirë” apo “mall”, edhe pse qartësisht imponimi i “shenjtërisë” së të drejtave autoriale rreket ta shndërrojë dijen në një analoge të pronës duke i dhënë autorit autoritetin e “të zotit të tok’s”.

Është detyrë e shtetit dhe e shoqërisë që të përftojë kushtet që tekstet, veprat e artit, arritjet e shkencës dhe teknologjisë, të jenë të paktën të studiueshme (në mos të qasshme direkt) në cilindo vend. Është detyrë e shtetit dhe e shoqërisë të mbështesë (në mos që të administrojë drejtpërsëdrejti) biblioteka, librari, laboratorë, rrjete distribuimi, teatre, kinema, ekspozita, filarmoni, botime etj. Kështu do të mund të respektohej në mënyrë të ekuilibruar edhe interesi publik edhe e drejta e autorit, të cilën pjesërisht do ta paguante publiku e pjesërisht shteti – përmes politikave të subvencionimit që marrin parasysh statusin ekonomik apo rëndësinë shoqërore të studentit, shkencëtarit, artistit etj. Përndryshe, nëse shteti nuk e plotëson këtë detyrë parësore të vetën, kot që i harxhojnë ato para për të reklamuar nëpër tv private vetitë e dënueshme të “piratit”, sepse njerëzit që duan të dinë assesi s’do pranojnë të privohen nga dija. Zgjedhja mes “piratit” dhe “analfabetit” është një zgjedhje false, është kërcënim i drejtpërdrejtë, ndërkohë që piratët e vërtetë janë ata që imponojnë të tilla dikotomi.

Një koment te “Piratin apo injorantin?

  1. Pingback: Piratin apo injorantin? | Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 10, 2014 nga te Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: