rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

“Kultura e thashethemit” dhe thashetheme të Kulturës

Alment Muho

Në gazetën Panorama të 15 marsit, lexova një artikull të Aurel Plasarit, i cili më bëri përshtypje për mënyrën thatësisht denigruese me të cilën trajton një tjetër shkrim, që me sa duket, është bërë motiv për ta nxitur të… replikojë? Jo, kjo s’mund të thuhet, derisa Plasari, pavarësisht pse bibliofil, nuk merr as edhe për një çast mundimin jo vetëm të citojë ndonjë rresht të shkrimit që u bë strumbullar i reagimit të tij, por madje as t’i përmendë shkarazi emrin autorit të shkrimit, sa për detyrim etik të shkruesit ndaj lexuesit, por edhe ndaj botuesit, meqë, tek e fundit, kemi para syve një shkrim çarçaf të gjatë që, pa paraqitur asgjë nga ajo çka e bën të ndihet autorin e tij të prekur, shtjellohet në masë dërrmuese si një vetë-apologji e pakursyer, aq sa të vjen natyrshëm dyshimi se vetëm sebepi paskësh munguar… Plasari mjaftohet ta quajë shkruesin “anonim” kurbetçi; e meqë kaq nuk mjafton për të ndërsyer kureshtjen e lexuesit dhe rrjedhimisht empatinë e tij me shkrimin e vet, i shton kurbetçiut, sipas një analize (psikologjike?, logjike?) krejt sui generis, cilësorët “me probleme psikike” dhe – në mendjen e vet për t’i vënë kapak kësaj bezdie – “me probleme të rënda karakteriale”. Tani që shkruesi me identitet fantazmë u delegjitimua dhe u likuidua me dy fjalë (ç’na kujton kjo teknikë demonizimi?), lirisht mund të vërshojë korrigjimi i një porcioni të historisë që sheh protagonist vetë Aurel Plasarin, i cili, i mbështetur në autoritetin e dëshmisë legjitimuese të At Zef Pllumit, mund t’i hyjnizojë një monument vetes, në mënyrë që çdo dyshim që i drejtohet, çdo pikëpyetje, sado shkarazi apo tërthorazi, të tingëllojë si shpifje e ulët e diktuar nga motive ato vetë të dyshimta. Mirëpo, për çfarë flet shkrimi (as) i cituar nga Plasari?

Ta nisim atëherë nga ajo që Plasari heshton, minimalisht për një çështje simetrie që argumenti i tij, në përmasën që i referohet dhe e denoncon, do të duhej të kishte. Shkrimi i kurbetçiut (Orgest Azizi), të cilit Aurel Plasari i referohet, ka për titull “”Vdis vetëm për me u tradhtue’, ose Zef Pllumi në Lampeduza”. Ky shkrim, qysh në krye hapet me një incipit migjenian të poemës së mjerimit, të tjetërsuar sipas kohës sonë dhe kontekstit, aty ku mjerimi është fondamentalisht moral. Kushdo që e ka lexuar këtë shkrim të Azizit – i cili personalisht më pëlqeu shumë dhe më bëri të mendoj sa e madhe është mungesa e prononcimeve të një kalibri të tillë në të përditshmet tona, por jo vetëm – ka kuptuar se thelbi i tij është revoltimi deri në një ndjenjë turpi që krijohet nga manipulimi apo instrumentalizimi politik që i bëhet figurës së At Zef Pllumit dhe asaj dëshmie që pikërisht është shkruar për të na i mbajtur veshët ngrehur e sytë hapur karshi fenomenesh të tilla vrastare, përmes botimit pompoz (në të gjitha drejtimet) që Berlusconi, pasi e ndërmori si gjest politik editorial, e paraqiti në Senatin Italian: “Rrno vetëm për me tregue” tashmë si bibël partie? Një marketing që vret çdo pyetje, çdo brerje intime ndërgjegjeje, çdo habi të mirëfilltë që libri i At Zefit i lë në trashëgimi lexuesit, një përdhosje lehtësisht e monumentalizueshme e skamjes përmes kamjes këmbërëndë? Një gjest i lavdishëm dhe mimetik kristian nga ana e Kavalierit, por dhe një mjet efikas për të hyrë e për t’u pritur me duartrokitje aty, në “vendin e krimit” prej nga doli pak kohë më parë me fishkëllima? Një vepër prej Samaritani të mirë, apo një investim i leverdisshëm ideologjik? Ambicje e jetës së amëshuar, pa kaluar momente dramatike reflektimi dhe pa shqiptuar ndonjë Mea culpa në jetën e vet tokësore, apo identifikim patetik i “të persekutuarit të madh të Italisë” me të persekutuarin e komunizmit shqiptar?

Berlusconi është emri i një sindrome. Pa i hyrë një analize serioze të llojit të politikës që ka krijuar e që e dëshmon katastrofikisht e me kokëfortësi realiteti ku gjendet Italia sot – gjë të cilën, nga ana tjetër, e bën mjaft mirë artikulli i Azizit – mjafton të mbetemi në një nivel anekdotik për ta kuptuar. Në një film të hershëm, Woody Allen, në rolin e një shkrimtari të famshëm, në takim me studentët e njërit prej universiteteve prestigjioze amerikane, pyetjes së njërit prej tyre, nëse ndihet disi Narciz, i përgjigjet: “Narciz nuk do të thosha. Po qe se duhet të identifikohem medoemos me një personazh të mitologjisë greke, atëherë preferoj Zeusin”. I vendosur në të njëjtën situatë, Berlusconi do të thoshte: “nuk jam aq delirant sa të zëvendësoj Zotin. Tek e fundit, do të kënaqesha duke u bërë këshilltar i tij”. Ndoshta, si njeri i dëlirë e me ndjenjë humori siç ka qenë, me atë kërshëri antropologjike që e karakterizonte, At Zef Pllumi do të kish qeshur me batutën, por me siguri do të mrrolej i çuditur dhe do t’i vizatohej një pikëpyetje në fytyrë nëse tjetri do të këmbëngulte te serioziteti i synimit të vet. Dhe vështirë se do t’i qasej prapë. Ndërkohë, takimi i dy emrave që, për të përdorur një fond të imagjinarit të besimtarëve të krishterë, do të ish evituar si takimi i djallit me temjanin, ndodh pavarësisht, serbes, në faqet e librit që bëhet histori, madje me ambicje përjetësie.

Nuk është çështja të hedhim problemin, apo më saktë, skandalin, siç përdoret termi etimologjikisht në filozofinë greke dhe në teologji, pas shpatullave, duke thënë se tek e fundit, këto janë fenomene normale përsaqë mbeten subjekte të lirive individuale të garantuara me ligj dhe të mekanizmave të tregut të lirë. Nuk është çështja as të kuptojmë nëse, në të gjallë të vet, At Zef Pllumi paskësh shprehur ndonjëherë simpati për Silvio Berlusconin (gjë të cilën s’kam si ta di, por s’kam as pse ta di). Çështja është që këtu përballemi me një simptomë të rrezikshme, e cila, duke na treguar se gjithçka është njëlloj e mundshme, po aq fsheh dhe zhduk kundërshtitë ekzistenciale të pareduktueshme, elementët e mirëfilltë cilësorë që u qasen botëve të pabashkëmundshme, gjithë duke u veshur petkun hipokrit të bashkëjetesës konsensuale. Këtu konsiston skandali ku normalisht do duhej të pengoheshim… Dhe, në këtë ambientin tonë, pas lajmërimit të tij, gjithçka krejt paqësore, pa një hezitim, pa një pyetësim të kësaj nisme rrafshuese… një ambient pa tharm rezistence (intelektuale, pra morale), edhe pse “Rrno vetëm për me tregue” këtë duhej të na kish përçuar, meqë ky është misioni i lartë i dëshmisë: mbrujtja e një ndërgjegjeje kolektive që denoncon, që e shfaq në lakuriqësinë e vet të patolerueshmen.

Thënë ndoshta pak si tepër shkurt, kjo është çështja thelbësore, shqetësimi moral që ngre kurbetçiu në artikullin e tij, e jo ku di unë se ç’aludim personal (në kuptimin privat) shikon e i hakërrehet Plasari. Ta devijosh problemin nga dyshimi i hedhur mbi figurën e intelektualit si figurë publike specifike – dyshim që edhe vetë Plasari e ushqen ndaj ambientit shqiptar në përgjithësi, nga sa rezulton në një pasazh në vetë artikullin që shkruan – drejt privatësisë së personit dhe të raporteve personale të tij, do të thotë jo vetëm ta shmangësh atë, por ta legjitimosh aktivisht duke e përtëritur në kurriz të karakterit publik të veprës e të ndikimit të saj në shoqëri. Paranoja e gjithësecilit mund të heshtë përpara skizofrenisë së përgjithshme, meqë krahasimisht është pakogjë. Ndërkohë, nevojiten zëra (që bëhen) publikë për t’i rezistuar kësaj të fundit. Veç në mos qofshim rehatuar përfundimisht në të. Atëherë, po, në një kuptim, Plasari ka të drejtë: termi kurbetçi na dilka i qëlluar. I qëlluar jo sepse autori i vënë në shënjestër rastësisht është i tillë, por sepse të ngresh këtë çështje e t’i japësh zë, do të thotë vetvetiu të shndërrohesh në kurbetçi, në esencën e kurbetçiut, që përballë rehatisë protokollare autoktone, shndërrohet në tëhuajësim, në t’u bërit i huaj si detyrim moral, në të folurit si i tillë, në pahjen e mospërkatësisë “familjare”. Parë nga këndvështrimi i autoktonit, edhe mund të ngjajë një çështje psikopatie, shoqëruar me probleme karakteri madje… derisa dhe autoktonët të tëhuajësohen pak nga ky shëndet i lumë që mbartin pa meritë e që i ngjan paqes hipokrite që po ashtu krijon viktimat e veta. Nga ana tjetër, a nuk është “shoqëria e hapur” shqiptare, në një pjesë konsistente të saj, shoqëri kurbetçinjsh në vend të vet?

Në një mënyrë të pakuptueshme, por shi për këtë simptomatike, për të mos lënë më ndonjë kërshëri a hezitim te lexuesi në lidhje me argumentimin e tij kundër Azizit, Plasari e fundos me cilësorin fantastik, me monedhën gjithëqarkulluese kallpe, “xhihadist”… “Kurbetçi”, si kryeshenjues, ende-ende kishte një lloj sharmi, edhe sepse kjo fjalë, pikërisht ngaqë disi e harruar dhe e vjetëruar, sot pasurohet me përmbajtje të re politike e me imperativë moralë (për t’u premtuar ose për t’u tradhëtuar), por xhihadist tingëllon si termi më i inflacionuar në ditët e sotme, kur nuk përdoret striktësisht nga ndonjë organ hetuesie apo nga Ministria e Brendshme. Me të drejtë, duhet të pyesim veten, atëherë, se cilat janë referencat themelore të këtij xhihadisti në shkrimin e vet, e ndoshta edhe më tej. Frymëzuesi i parë, dhe prania e të cilit ndihet përgjatë tërë shkrimit të Azizit, është Primo Levi, simboli moral dhe kritik i dëshmisë së jetës së kampit në Perëndim… Me Xhihadin zor se puqet, ndërkohë që shumë më natyrshëm shfaqet “vëllazëria dëshmuese”, “aleanca shpirtërore” me At Zefin. “A është vallë ky njeri?”, çuditërisht, nuk gjendet më në libraritë shqiptare (e, të paktën nga sa arrihet t’u besohet katalogëve on line, as në Bibliotekën Kombëtare). Libër fantazmë, pavarësisht pse themeltar në letërsinë e dëshmisë, përkundër dy botimeve paralele të “Mein kampf”, që i shikon madje të ekspozuara dhe nëpër kioska rrugëve. Referenca të tjera të shkrimit, pos asaj migjeniane të inçipitit: Giorgio Agamben, Carmelo Bene, Ascanio Celestini, Nanni Moretti, etj. Përtej shkrimit në fjalë, Orgest Azizi është ndër përkthyesit shqiptarë më të talentuar të prozës filozofike nga frëngjishtja, ku mes të tjerëve spikasin autorë si Georges Bataille, Michel Foucault, etj., të cilët përçojnë një emancipim themelor që tash flet edhe shqip. Nëse këto referenca, nëse këto streha banimi shpirtëror, kanë zënë të dyshohen për xhihadizëm, atëherë u dashka rishkruar krejt historia…

Pak më tepër reflektim kritik, pak më tepër ndjenjë përgjegjësie morale, në një kuptim kolektiv, është ajo çka i mungon shoqërisë sonë të hapur sot, e cila, dita-ditës po bëhet më e shqyer. Dhe më tepër banim i plagëve kolektive që ruan memoria e përbashkët, siç e vë këtu dhe shenjën e tij të pashlyeshme At Zef Pllumi, në mënyrë që të mos harrohen e as të përdhosen duke u përqeshur në një histori pa drejtësi, apo, për të cituar fjalët e paharrueshme, “që viktimat të mos vriten për së dyti”. Dhe kjo nuk është kulturë e thashethemit, se përndryshe tërë kultura do të duhej të ishte e tillë. Në përfundim, “Vdis vetëm për me u tradhtue…” nuk është tjetër pos dëshmi e rinovuar e frymës së dëshmisë së vetë At Zef Pllumit, fatkeqësisht, ndër tepër të paktat.

Një koment te ““Kultura e thashethemit” dhe thashetheme të Kulturës

  1. Pingback: “Kultura e thashethemit” dhe thashetheme të Kulturës | Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Mars 24, 2014 nga te Polemikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: