rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Ethica, more directorico demonstrata

(Përsiatje metafizike të një kurbetçiu)

nga Orgest Azizi

1. Për Drejtorin e Bibliotekës kombëtare («Mirmjes, zoti Drejtor!»), shprehjet: «drejtori i përjetshëm i një Biblioteke që vetëm emrin e ka kombëtare» (shprehja ime) dhe «drejtori i Bibliotekës kombëtare» (rimarrje e tij), janë të njëvlefshme. Drejtor = i përjetshëm, «kombëtare» vlen edhe si cilësim bosh. Tendencialisht, biblioteka (sive director) priret drejt rastit limit të një biblioteke të zbrazët, të mbushur vetëm nga prania e Drejtorit: rast absolut, ku të dyja shprehjet bëhen krejtësisht të padallueshme. I përjetshëm, i rrethuar vetëm nga vetvetja (Unë, unë, etj…), Drejtori është substancë (jo subjekt). Veti kryesore (e vetme?) e tij është conatus director essendi. Siç thotë poeti, në frëngjishten që ka për zemër ta përdorë Drejtori, edhe kur e shkruan me gabime: «Tel qu’en lui-même, l’éternité le change.»

2. Në pajtim me sa më lart, për Drejtorin, biblioteka (ideale) është brendi e kulluar, pa raporte me jashtësinë, aq më pak me kurbetçijtë: monadë e mbyllur, pa dyer e pa dritare, në mes të Tiranës (diku mes xhamisë dhe gropës së Ajdin Sejdisë). Biblioteka, ose bota pa Tjetëri.

3. Vetë zot, vetë shkop, substancë e pafundme dhe e përjetshme, deviza e Drejtorit, e përkthyer në arabishte kuranike, është «La ilaha illa Allah», që do të thotë: «Ka vetëm një Drejtor (Drejtori është Një)», dhe biblioteka është vendi i tij.

3bis. Nga shkrimi i tij mësojmë se Drejtori, para se të bëhej Drejtor, nuk ishte Drejtor (i bibliotekës kombëtare), madje as e kishte ndërmend (kjo e fundit është e pavërtetueshme). Kjo mund të duket tautologji, por vlen të theksohet, veçanërisht për brezat e rinj, që nuk e njohin të kaluarën. Ka pasur pra, një kohë, kur Drejtori nuk ishte drejtor i bibliotekës, dhe kur biblioteka kishte drejtor tjetër (për nëndrejtorë nuk flitet kurrë: ata/ato nuk dihen). Pra, në parim, diçka e tillë, edhe pse e pabesueshme, është e mundur. Një kohë që ka qenë, mund të rikthehet. Një ditë, ndoshta, do ta kemi dhe ne një bibliotekë («U desh të zhdukeshin përbindshat/që në këtë botë…», etj.).

4. Për këtë arsye (pika 3), Drejtori i ka zët kurbetçijtë. Afërmendsh, sekush prej tyre është potencialisht blasfemues: të shpërndarë në vende të pafé, ata mund të shohin se ka dhe shumë biblioteka të tjera, shumë më të pasura e të populluara, dhe shumë drejtorë të tjerë, më të përkohshëm; mund të shohin se, në thelb dhe në mision, bibliotekat janë profane (= publike), dhe drejtorët po ashtu. Kundër këtij kumti sakrilegj, të ardhur nga të ikurit jashtë, Drejtori i ndënjur, me të drejtë shpall një luftë përnjëmend të shenjtë: e thënë arabisht, edhe një herë: «xhihad» kundër kurbetçijve.

5. Për vlerësimin e realitetit të mërgimit, Drejtori ka zgjedhur një udhëzues emërmadh (shih dhe më poshtë, pika 6): Sollzhenicinin, i cili i ka mësuar se «mërgimi është rrugë që s’të shpie askund». Për udhën pa krye të mërgimit, Drejtori mund të kishte zgjedhur ndoshta më mirë Walter Benjaminin, të cilin vërtet mërgimi nuk e shpuri askund, madje, pasi e futi në kamp, e la dhe pa varr. Por kjo do ta kishte afruar së tepërmi drejt Lampeduzës, pra drejt kurbetçijve që i ka zët (ç.d.v.). Nën mësimet e Sollzhenicinit, të ngujuar tragjikisht në Vermont, Drejtori vendosi të mos i hyjë një udhe të tillë pa krye. Zgjedhje me vend: udha me krye e të ndenjurit e shpuri drejt e… në krye të Bibliotekës. Ndokush mund të mendojë se një vend i tillë, në krye të bibliotekës më të zbrazur të Europës, është tamam mishërimi i askundit. Është e drejta e tyre. Drejtori vetë («Mirmjes, zoti Drejtor!») mendon ndryshe. Edhe kjo është e drejtë e tij. Bezdia e demokracisë është se ka shumë të drejta, deri edhe për kurbetçijtë. Për pasojë, Drejtori e ka zët edhe atë. Në mënyrën e vet, edhe Drejtori është kurbetçi, i rënë në dheun e huaj të demokracisë, i përzënë nga parajsa e një kohe pa kurbetçij. Prandaj, në mes të saj, ka ndërtuar një principatë të vockël, ku mbretëron i vetëm, mbi ca gra: bibliotekën.

6. Drejtori vdes për emrat e mëdhenj: «shkrimtari i madh», «Sollzhenicini i madh», «Françeskani i madh», «revista emërmadhe» (gjë, kjo, që s’mund të thuhet për bibliotekën). Emrat e tjerë nuk vlejnë të përmenden. Për Drejtorin pra, emrat ndahen në dy kategori: emrat e mëdhenj (që e joshin pa masë) dhe jo-emrat. Kurbetçijtë, si dhe biblioteka, bëjnë pjesë tek kjo e fundit.

7. Drejtori vdes edhe për emrin e vet, të cilin, me takt, e përdor në vetën e dytë ose të tretë, dhe irritohet kur nuk ia përmendin. Nisur nga sa më lart (pika 6), mund të nxjerrim përfundimin se Drejtori edhe emrin e vet e mban për të madh («Mirmjes, zoti Drejtor!»).

8. Drejtori ka një kuptim tepër të gjerë, deri në antifrazë, të termave «xhihadist» dhe «modest». Njërin e përdor për të tjerët, tjetrin ia mvesh vetes. Në të dyja rastet pa vend. (Por Drejtorit mund t’i falet: sikundër thotë CV-ja e tij, ai «e ka kryer të gjithë arsimin në vend», ku këto dukuri mbeten anekdotike.)

9. Përveç të qenit Drejtor, Drejtori, i cili «punon natë e ditë» (informacion i dhënë me takt, veta e tretë), ushtron, si amator, edhe zanate të tjera. Njëri nga ata është ai i zoologut të mërgimtarisë. Sikurse Berlusconi (kujdes, emër i madh!), edhe Drejtori i ndan mërgimtarët në dy klasa: emigrantët model (Sollzhenicini, Kadareja, me gjasë), të mirët, ata që s’bëjnë zhurmë; dhe «një specie tjetër», tejet negative: kurbetçijtë, llumi i shoqërisë, siç thoshte Xhelil Gjoni në vitin e lumë 1990, kokëpalarët, siç tha një Xhelil më i kamur. Emigrantët e mirë, janë një nga një, me emër (të madh): kurbetçijtë janë shumë, hordhi, të paemërt. Më 1943, Hannah Arendt, prej dy vitesh e mërguar në Amerikë me «vetëm 50 dollarë në xhep», botoi një artikull me titullin programatik «We refugees» dhe të cilin, në homazh të Drejtorit, do ta përkthejmë «Ne, kurbetçijtë». Subjekti filozofik është ai, solidar dhe universal, që shprehet në shumës, që përbashkon nga poshtë: «Ne, kurbetçijtë». Drejtori-substancë nuk bën pjesë në këtë kategori («specie») njerëzore: ai shprehet në njëjës, është autoreferencial dhe përçan nga lart.

10. Zanati tjetër amator i Drejtorit (por nuk dihet cili është zanati i tij si profesionist), është ai i psikiatrit. Edhe këtu, nga koha e pakët, nuk është shumë i përpunuar. Në fakt, psikiatria e Drejtorit përmblidhet e gjitha në një kategori të vetme, atë klasiken e psikiatrisë sovjetike në kohën e Brezhnjevit (shën.: Drejtori lexon rusisht), të «të sëmurit psikik» (cf. M. Foucault, V. Bukovski, Suzana Selenica). Drejtori i ndënjur, që jeton, lindur e rritur, në një mdjedis tejet të shëndetshëm, siç është ujdhesa e betonuar buzë Adriatikut, e ka të lehtë të vërejë te Tjetri shenjat e sëmundjes në fjalë, edhe pa e konsultuar pacientin. Prandaj, i lumtur nga jeta e tij në kopshtin e lulëzuar, Drejtori ndjen edhe keqardhje për kurbetçinjtë e shkretë (sikurse edhe Berlusconi për viktimat e komunizmit – «Përshëndete bamirësen!»). Ndokush nga kurbetçijtë mund t’i këshillojë Drejtorit që keqardhjen e tij ta fusë aty ku t’i rrijë më mirë, se kurbetçijtë s’ia kanë nevojën.

9-10bis. Këto zanate nuk figurojnë në CV-në e Drejtorit në faqen web të BKSh (Drejtori është modest…). Ato që figurojnë nuk të shpien medoemos në bibliotekë. Publiku nuk e di mirë se çfarë duhet për të qenë Drejtor i bibliotekës. Përfundim: për të qenë Drejtor i bibliotekës duhet të jesh Drejtor i bibliotekës (ky përfundim, i diktuar nga faktet, na duket megjithatë logjikisht i çalë).

Pa numër. (shih dhe më lart, pika 10) «Shoku Hysni Kapo: Po Bilal Xhaferrin ku e gjete ti me Fadil Paçramin? Bilal Xhaferrin që është arratisur në Greqi, armik, njeri i bastarduar.» (Todi Lubonjës në Plenum – nga arkiva). Përfundim : Drejtori zotëron dhe praktikon rrjedhshëm disa gjuhë të vjetra.

11. Drejtori na informon (nuk e dinim), se ai vetë paska qenë i pranishëm në ceremoninë e Senatit. Thotë, madje, se po të donte mund të kishte vënë edhe dekoratën e marrë nga Roma (përmendje me takt, veta e parë, por në kushtore). Fakti sillet disi si kërcënim, ose sfidë. Por nuk është e qartë kujt i drejtohet dorashka e Drejtorit? Senatit, publikut, kurbetçijve, vetë Berlusconit (ruajna zot ! – «Përshëndete bamirësen!»)?

12. Drejtorit i pëlqejnë garat, edhe të pabarabrata; vdes të jetë i pari. Kështu, mburret se dy ditë pas ceremonisë, i pati shprehur rezervat e veta në Vizion+, duke ia marrë kurbetçiut në kthesë (si dhe kurbetçiut A. Vehbiu, dy herë të vonuar: shih blogun e këtij të fundit, «Peizazhe të fjalës»). Kurbetçiu, ndër shumë privacione të tjera, nuk e ka fatin të jetë shikues i televizioneve shqiptare dhe i fjalëve vendimtare që thuhen në to. Megjithatë, i këshillojmë Drejtorit, nëse na lejohet («Mirmjes, zoti Drejtor!») të nxitohet herë tjetër, se ku i dihet sa të paudhë ka: bën mirë që deklaratat t’i japë sa zbret nga avioni, ose me telefon sapo mbaron ceremonia. Më mirë akoma, qysh para ceremonisë, qysh kur e mori vesh se, dhe si, po kurdiseshin gjërat.

13. Drejtori lexon libra. (Ky informacion nuk buron gjëkundi nga shkrimi i tij. Ne thjesht e hamendësojmë, duke e marrë të mirëqenë. Vetëm se Drejtori nuk e bën këtë hamendësim për të tjerët, dhe ka prirjen e natyrshme të mendojë se vetëm ai e bën një gjest të tillë: ngaqë director sive bibliotheca, kjo e fundit monadë, nga utopia e një bote pa kurbetçij, etj. – ç.d.v.)

14. Drejtori e ka njohur mirë Zef Pllumin, nga afër, nga shumë afër (ky është fakt).

14bis. Zef Pllumi ndoshta nuk e ka njohur mirë Drejtorin (ky është thashethem).

15. Drejtori është i vëmendshëm ndaj aktualitetit (xhihadist, etj.), i cili, për të, është përherë i njëjti (shih, më poshtë).

16. Një rrezik islamist i kanoset Shqipërisë (refren i Drejtorit)! Treguesi më domethënës për këtë është se shqiptarët që frekuentojnë xhaminë janë disa herë më të shumtë se ata që frekuentojnë bibliotekën përballë (po kjo s’është e vështirë). Vija e rishfaqur e Theodhosit kalon tashmë mu te rruga mes bibliotekës dhe xhamisë : shqiptarët, masivisht, ia mbajnë për nga xhamia e tutje: Tajvani, Blloku, Liqeni, etj. Në bibliotekë ka mbetur vetëm Drejtori Ben Ali, me sytë nga Perëndimi. Ka ende ndonjë qëndrestar, e ndër ta edhe ndonjë kurbetçi naiv (si unë), që orvatet të hyjë në bibliotekë: më kot. Te porta e ligjit të saj shkruhet «Hyrja vetëm për anëtarë» (sikundër në lokale është «vetëm për familjarë»). Edhe po e kalove, të leh roja: Çuno, ku shko ti? Edhe po e kalove këtë, refreni është gati: S’ka drita, s’ka ajër, s’punon ashensori, kopje e vetme, vërtetim nga qendra e banimit, e punës (zbrit bëj një fotokopje te kioska poshtë)! Vihet re se këto detyrime të fundit janë pikërisht ato që nuk mund t’i përmbushë dot kurbetçiu. Biblioteka e përjashton kurbetçiun. Ky i fundit, vazhdon të shpresojë te biblioteka.

17. Drejtori, thotë CV-ja, ka marrë më 1989 urdhrin Naim Frashëri nga Presidiumi i Kuvendit popullor. Më 1990, thotë Drejtori, ai ka takuar Zef Pllumin. Përfundim: jeta e Drejtorit është plot të papritura.

17bis. Më 2012, thotë CV-ja, ai është dekoruar nga Kuvendi Popullor. Përfundim tjetër: jeta e Drejtorit vazhdon (ose : Drejtori ha bukë në çdo regjim.)

18. Drejtori, me takt, lajmëron se zotëron një profil fb, praktikë në modë kjo te elitat e moshuara të Tiranës. I mësuar jashtë, kurbetçiu habitet se si një ide e tillë nuk i ka shkuar edhe për bibliotekën e zbrazët. Të kishte dhe ajo një profil fb, siç e kanë mijëra biblioteka, deri tek e përditshmja më lokale, dhe ndoshta i afroheshin disa «miq» : fillimisht virtualë, por më vonë, të thirrur, bën vaki edhe vinin në vend (ruajna zot, pse ç’u bë biblioteka, han ?)

19. Të gjitha këto informata, pohime, teorema, u nxorën, larg thashethemeve, vetëm nga shkrimi i fundit i Drejtorit. Shumë të tjera mund të nxirren që, për arsye vendi, s’mund t’i vëmë (lexuesi mund të ushtrohet). Për informacione të tjera, negativisht kësaj radhe, in absentia, kurbetçijtë mund të vizitojnë faqen web «BKSh.al» (edhe blogu i një kurbetçiu është më i larmishëm!); vëndalijtë mund të përpiqen të shkojnë vetë në godinën e bibliotekës: është ajo që është bosh, përballë xhamisë, me një kioskë përpara dhe një kabinë telefoni të prishur, me fillin që i del nga bodrumi i bibliotekës. Ka dhe një «degë» afër Urës së Tabakëve: aty, dera e bardhë plastike (si në shtëpi refugjati) me xhamat e zeza, është përherë e mbyllur, edhe brenda orarit. Por ju provojeni, shtyjeni derën se hapet, dhe na thoni pastaj se ç’patë aty brenda…

20. Info e fundit nga rrjetet sociale. Persona të caktuar, me interesa po aq të caktuara, lajmërojnë nxjerrjen e një «livre noir», me titullin: «16 vjet që nuk tronditën Bibliotekën Kombëtare». Libri, dygjuhësh (shqip-italisht), që mëton të sensibilizojë opinionin e gjerë për gjendjen e mjeruar të bibliotekave shqiptare, do të promovohet nën kujdesin e Lega Nord, dhe ka një parathënie «me katër duar» nga Umberto dhe Renzo Bossi (ky i fundit ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga kushtet e arsimimit të tij në Tiranë).

P.S.: në një version të parë, përgjigjja ndaj sulmit të Drejtorit mbyllej me thirrjen, drejtuar vëndalijve e kurbetçijve, për të shkuar, vjedhurazi siç i ka hije klandestinit, dhe vizatuar në muret e bibliotekës së zbrazët parullën: poshtë drejtori!

Por m’u duk e tepërt. Më poshtë se kaq, ku të shkojë ?

«Lamtumirë, zoti Drejtor!»

Paris, 17 mars 2014

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Mars 20, 2014 nga te Polemikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: