rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Zhdukja e shtresës së mesme: Ukrainizimi (apo sirianizimi)

Arbër Zaimi

Trazirat në Ukrainë rëndom po shpjegohen në linja identitare, etnogjuhësore apo fetare. Kështu lindja na qenka më tepër rusofone e perëndimi flet ukrainisht, kishat në lindje varen prej patriarkanës së Moskës e ato në perëndim prej patriarkanës së Kievit – e tani vetëm sa plasi ky konflikt i pashmangshëm etnik. Por si u mbërrit deri këtu? Njëzet e ca vjet më parë Ukraina ka qenë një prej vendeve më entuziaste për shkëputjen prej Bashkimit Sovjetik. Pavarësimi republikan ka qenë një ëndërr e madhe e ukrainasve, ëndërr e ushqyer edhe prej historisë së përvuajtshme – qoftë nën perandorinë ruse, qoftë nën përndjekjet dhe diskriminimin masiv nën sovietimperializëm. E sot ky vend duket përballë një udhëkryqi fatal, i përçarë, e në prag të ndarjes territoriale.

Përbën interes për ne të lexojmë sa më saktësisht atë që ndodh në Ukrainë, sepse në një farë mënyre atje po ekspozohen traga të proceseve ku ka kaluar ose po kalon gjithë lindja evropiane (e ndoshta më gjerë), siç janë psh. klientokracia, qeverisja e oligarkëve, putinizmi, zhdukja e shtresës së mesme dhe identitarizimi e depolitizimi i politikës.

Kyçin për të kuptuar përplasjet e sotme gjakësore duhet ta kuptojmë në proceset ekonomike që kanë ndodhur në Ukrainë prej fillimit të viteve ’90 e gjer sot, procese që nuk janë shumë të huaja për shqiptarët, meqë i kanë përjetuar edhe vetë ato.

Zhdukja e shtresës së mesme dhe krijimi i oligarkëve

Tranzicioni ekonomik në Ukrainë, ashtu si në shumicën e vendeve ish-komuniste u shoqërua me reforma strukturale të cilat mbyllën fabrika e uzina e në të njëjtën kohë shkatërruan kompanitë publike. Sektorët fitimprurës në miniera, industri e tregti shumë shpejt u privatizuan, shpesh në mënyrë jo-transparente. Në të njëjtën kohë u degraduan shërbimet publike, arsimi, shëndetësia e pensionet, të shpallura si barrë për buxhetin e shtetit. E gjithë kjo u shoqërua edhe me procesin kulturor përkatës, që i vendos vlerat tek fitimi e tek pasurimi duke ia ndërtuar të pushtetshmit breroren e respektit të pakushtëzuar – ndërkohë që solidariteti shoqëror e politik dhe angazhimi individual në të mirë të publikes gjithnjë e më shumë u shpallën vlera të së shkuarës, arkaike, pengesa të zhvillimit.

Rezultati nuk mund të ishte i paparashikueshëm. Imponimi i terapisë së shock-ut mbërriti të kristalizonte shumë shpejt polet e ardhshme të pushtetit, në formën e klaneve gjysmë-formale të udhëhequr nga oligarkë tepër të pasur dhe me pushtet të pakufizuar. Prej fillimit të viteve 2000 e këndej vlerësohet se 2/3 e pasurive të Ukrainës janë në pronësinë e vetëm 50 personave. Këta pra janë oligarkët në fjalë. Ky mbipasurim i këtij grupi të vogël individësh ka ardhur thjesht e vetëm si pasojë e varfërimit masiv të pjesës tjetër të shoqërisë. Shtresa e mesme e vogël e krijuar në periudhën e socializmit, burokratët, punonjësit e arsimit e shëndetësisë, intelektualët, punëtorët e industrive të ndryshme dhe tregtisë në masë të madhe u papunësuan dhe gradualisht u shndërruan në shtresë të varfër.

Klientokracia dhe putinizmi

Ekonomia vendase kryesisht u korporatizua, dhe korporatat përgjithësisht janë në pronësi të oligarkëve, por edhe të investitorëve të huaj. Meqenëse oligarkët kontrollojnë ekonominë dhe pushtetin politik, nuk u deshën shumë përpjekje për të arritur “fitoret” e nevojshme, duke zvogëluar gjithnjë e më shumë taksimin për “investitorët” dhe duke ulur pagën minimale në masë të tillë sa që sot e kësaj dite ka shumë ukrainas që emigrojnë gjer dhe në Çeçeni ku rrogat janë më të mira në krahasim me vendlindjen. Oligarkët, përveç kontrollit të ekonomisë, u bënë shumë shpejt edhe kontrollues të pushtetit e politikës, jo përmes fijeve të prapaskenës por përmes angazhimit direkt në skenën qeverisëse. Të tillë oligarkë si Timoshenko e Janukoviç në perëndim të globit shembullohen fjala vjen prej Berluskonit e në lindje prej Putinit.

Kriza globale që preku edhe Ukrainën si kudo tjetër e ushtroi presionin e saj kryesisht tek shtresa e mesme që kishte mbetur, duke e rrëzuar atë në shtresë të ulët – si dhe te shtresa e ulët, duke e ballafaquar atë me pasigurinë për mbijetesë dhe duke e shndërruar në prekariat, në një masë të madhe njerëzish preokupimi kryesor i së cilës është të sigurojë ushqimin për të nesërmen. Kjo masë gjithnjë e më shumë është e depolitizuar dhe injorante, e parrezatuar prej arsimit, prej kulturës apo shkencës. E pikërisht këtu ndodh çarja e madhe dhe e vërtetë që rri si pikënisje dhe si kyç shpjegues për atë çka po ndodh sot në Ukrainë.

Identitarizimi dhe depolitizimi i politikës

Hendeku i madh ekonomik midis oligarkëve dhe masave të prekariatit si dhe tejzvogëlimi për të mos thënë zhdukja e shtresave që qëndronin në mes të këtyre dy ekstremeve ka prodhuar (si gjetiu në vendet e Evropës Lindore) një “politikë të depolitizuar”. Partitë politike, mediat dhe në analizë të fundit, vetë shteti, janë të financuara e të kontrolluara nga oligarkët – qëndrimet politike të të cilëve përcillen përmes rrjetit të klientelave të tyre gjer në masa. Këto interesa shpesh përplasen, për shkak se vetë oligarkët janë klientë herë të Moskës e herë të Berlinit, e këto përplasje gjithashtu përcillen përmes klienteles gjer tek masat.

Por përplasjet e klientelave nuk mund të funksionojnë pa një mbulojë ideologjike, që i bën ato të tingëllojnë të “arsyeshme” për qindra mijëra njerëzit që janë angazhuar nëpër protestat e fundit. Amballazhi ideologjik kryesisht synon të shmangë analizën ekonomike dhe ta zëvendësojë atë me interpretim identitar. Kështu, ukrainasit nuk i shpjegohet varfëria e vet në terma të pabarazisë së rritur, të mbipasurimit të oligarkëve e të vetë natyrës së kapitalizmit të egër të zhvilluar në Ukrainë, por i thuhet se ai shtypet për shkak se flet këtë apo atë gjuhë, se beson në këtë apo atë kishë, se jeton në këtë apo atë krahinë. Të tilla shpjegime identitare e kanë bastionizuar Ukrainën, e secili bastion ka oligarkët e vet tek të cilët beson e për të cilët sakrifikohet. Në një farë mënyre kemi një rikthim në mesjetë, një zhbërje të Republikës (si shteti që angazhon masivisht qytetarët në politikë), dhe një rilindje të principatave. Oligarkët janë princat e rinj, klientë të perandorëve të ndryshëm, të cilët angazhojnë ushtritë e vasalëve lokalë kundër njëri-tjetrit.

Në fillim të viteve 2000 në qeverisje ishte Janukoviçi, një person i ardhur nga bota e krimit, dhe i mbështetur prej klaneve të Donjetskut (prandaj edhe konsiderohet si bastion i tij Ukraina lindore)dhe prej oligarkut më të pasur në vend, Rinat Ahmatovit. Oligarkët rivalë, të kryesuar nga Timoshenko nisën të organizojnë protesta të cilat kulmuan me “Revolucionin Portokalli”, të mbështëtur strukturalisht edhe nga aktorë perëndimorë qeveritarë ose jo, ndër të cilat SHBA por edhe SOROS. Pas rrëzimit të Janukoviçit në 2004 shpresa u ngjall sërish, megjithatë dy liderët anti-Janukoviç, Timoshenko dhe Jushçenko shumë shpejt u përçanë (sërish interesat e oligarkëve). Timoshenko e cila konsiderohet pro-perëndimore nisi në 2006 negociata të fshehta me Putinin për furnizimin e Ukrainës me gaz natyror, dhe këto negociata përftuan një marrëveshje në vitin 2009. Vetë Timoshenko që prej viteve ’90 është një prej personave më të pasur në Ukrainë, e konsideruar si “princesha e gazit”, për shkak se kontrollon një pjesë të madhe të prodhimit e tregtimit të këtij produkti bazik për vendin ish-sovjetik. Në fillimet e karrierës së saj si biznes-grua ajo nuk ka hezituar të bashkëpunojë me kriminelë të njohur, me qëllim të vetëm pasurimin. Gjatë qeverisjes Jushçenko-Timoshenko ekonomia u vu edhe më shumë nën kontroll të oligarkëve, pabarazia u thellua e po ashtu edhe varfëria. Timoshenko bashkëpunoi me Janukoviçin (asokohe në opozitë) për ta zhveshur presidentin Jushçenko nga një pjesë e fuqive kushtetuese. Por në 2010 Janukoviçi erdhi sërish në pushtet, me zgjedhje të lira dhe me premtimin për më shumë barazi (edhe pse kuptohet që në një vend ku popullsia masivisht është varfëruar në kufijtë e mbijetesës – vota shitet). Jushçenkos i erdhi tashmë radha për t’u hakmarrë ndaj ish-bashkëpunëtores së tij, dhe menjëherë bashkëpunoi me Janukoviçin për të ngritur çështjen e korrupsionit të Timoshenkos në lidhje me marrëveshjen e saj me Putinin, çështje që e çoi Timoshenkon në burg.

Të gjitha këto do të tingëllonin interesante sa një telenovelë, po të qe se populli ukrainas do të ishte ulur në pozitën e spektatorit. Mirëpo fakti është se përplasjet mes klaneve të oligarkëve, që kanë njësuar pushtetin ekonomik me atë politik, prodhojnë vazhdimisht përplasje mes masave. Këto përplasje nuk kanë më natyrën e dialektikës politike (përplasja mes kahjeve të ndryshme të spektrit, mes të majtës e së djathtës psh.) Përkundrazi, këto përplasje janë mes dy të djathtave që dallojnë veç në partikularizmat e shfaqjes së tyre. E tillë është edhe përplasja që lindi në nëntor të 2013 e që u ndal në shkurt të 2014 pas më se 100 të vrarëve. Janukoviçi dha dorëheqjen, Timoshenko u lirua. Përballja sërish është redukturar në pro-rusë kundër pro-perëndimorëve. Edhe pse liderët pro-perëndimorë si Timoshenko apo Kliçko vetë e kanë mësuar ukrainishten pas të tridhjetave, ata nuk hezitojnë të vënë theksin te rusofonia e prolindorëve. Ndërkohë që prolindorët harrojnë se vetë Janukoviçi gjer në nëntor ka angazhuar gjithë aparatin shtetëror për të realizuar “integrimin evropian” të vendit.

Çka ndodh sot në Ukrainë, në një farë mënyre ndodh edhe në Siri, ku kemi oligarkë që përplasen duke marrë me vete masa të mëdha të një popullsie të tejvarfëruar: disa oligarkë klientë të Iranit apo të Moskës e disa oligarkë klientë të Arabisë Saudite, Turqisë apo SHBA-ve. Situata edhe aty tenton të vetëshpjegohet në terma identitarë – fetarë apo etnikë (edhe pse në atë vend shiat e sunitët, arabofonët e iranofonët kanë bashkëjetuar në shekuj). E nëse situata në Siri nuk po merr kahjen e Ukrainës, pra nëse Asadi s’po jep dorëheqje, kjo ndodh për shkak të një transformimi të situatës gjeopolitike, kur interesat e perandorive që kontrollojnë oligarkët duket se janë përafruar pas rinisjes së komunikimit SHBA-Iran e pas disa lëshimeve të vetë Rusisë.

Këto fenomene vërtetojnë edhe një herë faktin se trupa themelore që mban gjallë republikanizmin kombëtar është shtresa e mesme (me shtresë të mesme po konsiderojmë, kushtimisht, cilindo që ka një punë të sigurt në afat të mesëm dhe që mbërrin të sigurojë një jetë mbi standardet minimale përmes punës së vet). Zhdukja e shtresës së mesme e shkatërron edhe shtetin-komb edhe vetë republikën, duke fragmentizuar e duke atomizuar publiken në partikulare kundërthënëse e duke krijuar hapësirën e duhur për perandoritë që të luajnë shah lirisht përmes oligarkëve-klientë e klientokratë. Kjo është situata ku aktualisht ndodhet edhe vendi jonë bashkë me mjaft vende fqinjë, ku zhdukja e shtresës së mesme është shoqëruar me identitarizim të politikës, qoftë në sensin krahinor a dialektor, qoftë në sensin fetar. E nëse dikush pyet se pse nuk ndodhin përplasjet, përgjigjja duhet gjetur sërisht tek analiza e oligarkëve tanë, të cilët me sa duket tash për tash “fatmirësisht” janë klientë të së njëjtës perandori. Por ky ekuilibër është tejet i brishtë, për sa kohë varet nga interesa tepër të ngushta të një grupi të vogël njerëzish. Zgjidhja e vërtetë për të garantuar stabilitetin e për të shmangur “ukrainizimin” apo “sirianizimin” e vendeve tona qëndron tek krijimi i një ekonomie solidare, që forcon shtresën e mesme dhe që përfshin pjesën dërrmuese të popullit në këtë shtresë, e cila bën më pas të mundur rilindjen e politikës qoftë në nivel të diskutimit, qoftë në atë të angazhimit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 25, 2014 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: