rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Unë, Albert Jacquard, ministër i Arsimit, vendos: Edukimi kombëtar nuk do të prodhojë më mish për top

L’humanité, 22 mars 1999

 Albert Jacquard

Përktheu: Dilfirus Vrioni

Edukimi Kombëtar nuk duhet të përgatisë të rinj për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë apo shoqërisë. Qëllimi i fundit i edukimit duhet të jetë shkaktimi i një metamorfoze tek qenia në mënyrë që ajo të tejkalojë veten, të kapërcejë frikën nga e huaja dhe të takojë botën ku jeton përmes dijes.

Unë, Ministër i Arsimit Kombëtar, kam të ngulitur vetëm një ide: që të gjithë nxënësit të shikojnë të tjerët, t’i kuptojnë, t’i dëgjojnë, të shkëmbejnë mendime me ta, të shprehen, të mrekullohen prej tyre dhe prej mjedisit të tyre.

I takon shoqërisë të merret vesh me ata që dalin nga shkolla, u takon ndërmarrjeve të organizojnë vlerësimet dhe kualifikimet për personelin e tyre kur ky personel fillon punën.

Rolet nuk duhet të luhen anasjellas: edukimi kombëtar nuk do të prodhojë më mish për top.

Neni i parë

Duhet të eliminohet fryma e konkurrencës në shkolla. Motori i shoqërisë sonë perëndimore është konkurrimi. Ky motor është vetëvrasës.

Nuk duhet më të mësohet për të qenë i pari.

Neni i dytë

Anullohet vlerësimi me anë të notave. Të vlerësosh një kopje, apo, më keq akoma, inteligjencën me një numër do të thotë t’u japësh një përmasë të vetme aftësive të nxënësve.

Nota do të zëvendësohet nga emulacioni. Ky parim, duke qenë më i shëndetshëm, do të bëjë të mundur të përparohet nëpërmjet krahasimit me shokët e klasës dhe jo për t’ua kaluar atyre.

Do të ishte më me vend të vëmë fjalët në vend të notave.

Neni i tretë

Provimet u qëndrojnë parimeve të tyre, që do të thotë se janë të vlefshme vetëm provimet që nxënësit nuk i kalojnë dot. Ata u hyjnë në punë mësuesve për të vlerësuar të kuptuarit e nxënësve.

Por diplomat ose konkurset si puna e diplomave të shkollës së mesme janë humbje kohe dhe anulohen.

Mbi ballinat e gjimnazeve do të shkruhet shprehja: “Ndalohet hyrja për ata që duan të  përgatitin provime.”

Neni i katërt

Grands écoles (Shkolla Politeknike, ENA…) vihen në dyshim lidhur me mënyrën e  rekrutimit. Përzgjedhja, pasojë e domosdoshme për konkurrencën, që zbatonin këto lloj shkollash, prodhonte vetëm personalitete konformiste, të pazotë për kreativitet dhe imagjinatë.

Për të hyrë në ENA, të rinjtë njëzetepesëvjeçarë duhet t’u pëlqenin pesëdhjetë-vjeçarëve. Kjo nuk ishte shenjë e mirë.

Neni i pestë

Mësuesit nuk kanë më të drejtë të informohen për moshën e nxënësve të tyre. Datat e lindjes duhet të shuhen nga gjithë dokumentet shkollore, përveçse për mjekun e shkollës.

Nuk duhet të vihet më në dukje që një fëmijë është apo nuk është i vonuar, sepse kjo është një mjet përzgjedhjeje. Gjithkush duhet të përparojë në rrugën e dijes sipas ritmit të tij dhe pa u ndier fajtor apo krenar përpara shokëve të klasës.

Përkundrazi, mësuesi ka për detyrë të pyesë nxënësin për atë çka ky i fundit di të bëjë, në mënyrë që të përshtatë mësimdhënien, e në rast nevoje të programojë përsëritjen e vitit.

Përsëritja e vitit është realisht e dobishme në rastet kur nuk nënkupton gjykim.

Neni i gjashtë

Çdo mësues do të asistohet nga një mësues filozofie. Sepse duhet, në fakt, të dyfishosh grumbullimin e dijeve nëpërmjet një qasjeje me anë të koncepteve. Duhet ta nisim veçanërisht me historinë e shkencave dhe më pas të rimëkëmbim njohuritë në raport me gabimet historike të interpretimit të dijeve. Duhet që nxënësit të jenë të vetëdijshëm rreth sfidave politike që fshihen pas progresit shkencor.  Më mirë të kalojmë disa javë duke u marrë me një koncept, sesa të pudrosim çdo orë mësimi me nga pak dije.

Neni i shtatë

Puna e mësuesve sipas lëndëve anulohet dhe zëvendësohet me punën në ekip. Ecuria e punës nëpër klasa nuk duhet të trazohet nga zbatimi në mënyrë strikte i programit.

Neni i tetë

Gjatë jetës së tij, gjithkush do të ketë, në fund të të tridhjetave, katër vite sabatike, me qëllim që të bëjë një bilanc të vetes, të riorientohet qartë, apo të mësojë gjëra të tjera. Gjithkush ka të drejtën të ndryshojë zanat apo prirje, sepse nuk është e thënë të marrësh vendime për jetën tënde kur je tetëmbëdhjetë vjeç.

Neni i nëntë

Ministria e Ekonomisë nuk do t’i diktojë më nevojat e saj Ministrisë së Arsimit. Këtej e tutje, Ministri i Ekonomisë do t’i japë gjithë mjetet e nevojshme Arsimit kombëtar për të përmbushur prirjen e tij.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 7, 2014 nga te Përkthim, Shoqëri dhe etiketuar me , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: