rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Greva e filozofëve

Ascanio Celestini

Sekretari shkon te presidenti. “Sot fillon greva” – thotë. “Askush nuk është i domosdoshëm” – përgjigjet presidenti. “Kush është hedhur në grevë? Furrtarët? Nuk jetohet veç me bukë. Do hamë ëmbëlsira, siç thosh’ Mari Antuaneta. Janë hedhur mjekët? Epo, do hamë nga një mollë, se një mollë në ditë është ilaç. Janë hedhur gazetarët? Në Itali ka vetëm tre gazetarë…Po e ndalën ata punën, s’ka për ta vënë re kush. Epo, s’do transmetohet një pjesë e Report[1]-it dhe s’do botohen një dorë artikujsh në gazeta. Askush nuk është i domosdoshëm. Janë hedhur aktorët e teatrit? Pse mo…ka akoma teatër?! Janë hedhur futbollistët? Kjo po që bën përshtypje, po fundja për një javë mbyllje kampionati s’bëhet qameti. Futbollistët do shkojnë në plazh me kërcimtaret televizive. Tifozët do zihen me grushte falas tjetërkund. Do kthehen në shtëpi të mavijosur, por të paktën do të kenë kursyer paratë e biletës. “Askush nuk është i domosdoshëm”.

“Zoti president”, – vazhdoi sekretari, “sot fillon greva e filozofëve”.

Fillimisht s’e vuri re njeri. Si të ishin hedhur në grevë pleshtat në kurriz të qenve apo kariet në gojë. Më pas, filozofët kryqëzuan duart përpara librave në biblioteka e librari, në shkolla e universitete. Kryqëzuan duart përpara mendimit. Pa filozofët nuk mund të mendohet. Punëtorët e Torinos në funeralin e shokëve të tyre nuk po kuptojnë dot asgjë. Shkuan te filozofët, te Karl Marksi dhe e pyesin: “Pse kan’ vdek’ k’ta pesë shokët tanë? Pse nuk na del të punojmë tetë orë në ditë dhe duhet punuar edhe katër orë shtesë për të çuar bukë në shtëpi?”

Marksi mund t’u thoshte se një herë e një kohë punëtori shkonte në pyllin që ishte i të gjithëve, dhe merrte një copë dru që bëhej i tiji, për ta përpunuar me vegla pune që ishin të tijat, për të bërë një karrige që ishte e tija, për ta shitur me një çmim që e vendoste ai dhe ishte i drejtë si çmim. Tani punëtori shkon në një fabrikë që nuk është e tija, punon me makina që nuk mund t’i blejë, ndërton sende që nuk i përkasin dhe shpeshherë as e di se ç’janë. “Ky është tëhuajsimi”, do t’u thoshte Marksi. Nuk është ndofarë farë trishtimi si në filmat e viteve gjashtëdhjetë, por një rreng i tregut për të pasuruar pronarët. Do t’u thoshte edhe se kryeministri i tyre[2] ka qenë president i IRI[3]-t në kohën kur Thyssen Krupp[4]-i nisi të bënte pazar në Itali, kur qeveria shiste fabrikat për pesë pare gjë . E blenë uzinën e shkrirjes së çelikut për ta mbyllur, ashtu siç bën një pronar thertoreje që blen thertoren përballë vetëm për të shmangur konkurrencën. Por nuk ua thotë, pasi sot është dita kur filozofët janë hedhur në grevë.

Në kishë në mes të meshës nis greva. Prifti ngre naforën e kupën. Mendon: “Ç’duhet të bëj me këtë copë buke e këtë verë?” As të krishterët nuk e dinë, dhe shkojnë te papa. Ai u thotë: ‘Besoni, dhe pikë!”, por nuk e di arsyen. Sepse edhe papa ua ka nevojën filozofëve. Edhe ai, pa mendimin zhytet në terrin e besimit. Atëherë shkon te Shën Agustini, Toma i Akuinit, madje edhe te Sokrati dhe parasokratikët, te Hegeli dhe Benedeto Kroçeja. Ata mund t’ia shpjegonin se zoti nuk hyn në një copë buke siç hyn mishi në një kuti konservash. Mund t’i thoshin se “besimi është zgjedhje”, por nuk e bëjnë ngaqë sot është dita kur filozofët janë hedhur në grevë.

Madje edhe furrtari që bën llogari me laps mbi letrën e bukës nuk është më i zoti të dijë se sa bëjnë dy plus dy ngaqë filozofia është edhe mendim matematik. Dhe njerëzia rrugëve shohin diellin që lëviz në qiell dhe nuk di se si ta ndalë. Dhe filozofët mund t’ua thoshin se “nuk mund të ndalet sepse dielli është tanimë i palëvizshëm!”, por nuk e bëjnë ngaqë sot është dita kur filozofët janë hedhur në grevë.

Atëherë, presidenti, bashkë me sekretarin, shkon te filozofët. “Çfarë doni për ta ndalur grevën?” – i pyet.

“Duam gjithçka, e duam menjëherë dhe e duam për të gjithë”.

Dhe presidenti nuk mund t’u thotë jo. Të nesërmen greva mbyllet. Greva e filozofëve, por jo ajo e furrtarëve. “Epo, askush nuk është i domosdoshëm. Nuk jetohet veç me bukë”. Paskëtaj nis greva e mjekëve, dhe do hamë një mollë. Më vonë hidhen në grevë transportuesit, dhe në Itali mbaron benzina nëpër pika karburanti. “S’ka problem, se një ditë edhe mund të ecim!” I jashtëzakonshëm do të ishte ai vend në të cilin filozofët do të konsideroheshin një kategori e domosdoshme.

Përktheu: Arlind Qori


[1] Emision televiziv hetimesh gazetareske që transmetohet te Rai Tre

[2] Më 2007, kur është shfaqur kjo pjesë, kryeministër i Italisë ka qenë Romano Prodi.

[3] Instituti për Rindërtimin Industrial, ent publik Italian, i krijuar nga fashistët për të përballuar krizën ekonomike të viteve 30 duke ndihmuar në rimëkëmbjen e bankave dhe kompanive. Ka pasur rol të madh në ekonominë italiane të pasluftës.

[4] Ndërmarrje siderurgjike gjermane, nga më të mëdhatë në Evropë.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 4, 2014 nga te Përkthim dhe etiketuar me , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: