rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Shkolla e shoqëria – qençe

Arbër Zaimi

Disa organizata studentore vendosën të bllokojnë Rektoratin e Universitetit të Prishtinës në datën 28 janar e këndej. Mes parrullave të tyre binte në sy një përshtatje e një vargu të Ali Podrimes që u pru nga studentët në formën “Qençe nuk studiohet më”. Pse “qençe” mund të pyesë dikush? A nuk është ajo “qençe” metaforë për jetesën nën thembrën e pushtuesit, pra a nuk e ka vendin në muze tani që pushtuesi ktheu majat nga thembrat? Studentët nuk mendojnë kështu. Të studiuarit në Universitetin e Prishtinës meriton madje edhe etiketa të tjera, siç tregon dhe akronimi që ata kanë “shpikur” për këtë universitet – “UPrish”.

Skandali që ka ndezur protestat ka disa ditë që zien nëpër media e nëpër diskutime qytetarësh të përfshirë a të papërfshirë, studentë ose jo. Bëhet fjalë për mashtrimet që kanë bërë një sërë drejtuesish e profesorësh të UP-së për të avancuar me titujt shkencorë si edhe me postet akademike. Në këtë skandal si qershi mbi tortë, na del që edhe vetë Rektori, z. Ibrahim Gashi, s’është hiç më i pastër se kolegët e tij.

Sipas rregullores së UP për të marrë statusin e profesorit (tenurën) nevojiten së paku pesë artikuj të botuar në revista shkencore, ku pretendenti duhet të figurojë si autor i parë. Prej pesë artikujve në fjalë, tre syresh Rektori Gashi i ka botuar në një revistë – fantazëm, e një botuesi sharlatan të quajtur “Society for Science and Nature”, me qendër në Indi. Këto artikuj mund të gjenden online, dhe të lexohen nga kushdo.

Një gazetar i një së përditshmeje në Kosovë dërgoi një “punim shkencor” për botim në të njëjtën revistë. Ai mori pjesë nga “Manifesti për Partinë Komuniste”, libërthi i famshëm i K. Marxit dhe i F. Engelsit, dhe zëvendësoi fjalët “komunizëm”, “proletariat”, “parti” etj. me fjalët “minerale”, “tregti”, “menaxhim”, ndërkohë që për emër të autorit vuri “Filan Fisteku”. Revista “prestigjioze” e botoi këtë “studim” pa kthyer asnjë vërejtje – me të njëjtin standard që ka parë dhe “studimet” shkencore të Gashit e të një duzinea më shumë profesorësh të UP-së. Kuptohet që pasi u mor vesh ky “marifet” studentët dhe përgjithësisht opinioni publik u acaruan me pafytyrësinë e këtyre që pretendojnë të drejtojnë arsimin e lartë në Kosovë. Acarimi u drejtua kryesisht tek mashtrimi, pati dhe nga ata që duke protestuar thanë se “Kosova nuk është Indi”.

Por, në këndvështrimin tim kjo është ta kapësh problemin sipërfaqësisht. Situata aktuale e shkencës, e kulturës, e artit dhe përgjithësisht e shoqërisë është edhe pasojë e instrumentalizimit / industrializimit / komercializimit të arsimit (të lartë).

Unë, të njëjtin problem do ta lexoja në dy nivele.

Në nivel të parë, duhet thënë se kjo çështje s’ka të bëjë me Indinë, pasi vetë India është shumë herë më mirë se Kosova apo Shqipëria, sa i përket avancimit shkencor dhe sa i përket institucioneve publike të arsimit të lartë, dhe prodhon vazhdimisht shkencëtarë me vlerë botërore. Po, është e vërtetë se kompania mashtruese që boton revistën false është e regjistruar në Indi, por të tilla “revista shkencore” private e fitimprurëse ka plot edhe në hemisferën perëndimore, edhe në SHBA e në Kanada. Vit për vit denoncohen të tilla, disa edhe mbyllen, e vit për vit hapen të reja. Pse, mund të pyesë dikush? Përsenë e gjen tek industrializimi dhe komercializimi i arsimit të lartë, i cili është një proces global ku Universitetet shqiptare janë si përherë vagoni i fundit. Shndërrimi i universitetit në treg (pas “ezaurimit” të tregjeve të tjera në botën e sunduar prej neoliberalizmës) e ka kaluar theksin prej cilësisë tek sasia. Qëllimi është të ketë sa më shumë studentë (pavarësisht a dinë apo jo të lexojnë – së pari sepse duhet zvogëluar artificialisht papunësia tani që emigracioni është gjithnjë e më i vështirë, së dyti sepse diqysh duhen marrë votat e rinisë, së treti sepse duhen marrë dhe paratë e tyre); sa më shumë universitete (publike po sidomos private);sa më shumë asistentë dhe profesorë (dhe pse shpesh më injorantë se vetë studentët); siç nënkuptohet, sa më shumë “artikuj” dhe “punime” shkencore (të cilat s’ka kohë t’i lexojë kush për t’u admiruar cilësinë, jo vetëm kur publikohen në pseudo-revista); dhe sa më shumë “diploma” që në 99% të rasteve do jenë çertifikata papunësie, po në 1% do prodhojnë edhe ministra e rektorë. Rritja e sasisë (në proporcion të drejtë me uljen e cilësisë) diktohet nga interesi i kapitalit për t’u zgjeruar, pra nga profiti. Kjo, natyrisht që e vret universitetin dhe krijon “kërkesë” për fenomene si Ibrahim Gashi dhe kolegët e tij, por edhe për raste si ata italianët që vijnë për të marrë diplomë te “Kristali” apo te “Zoja e Kshillit të Mirë” në Shqipëri. Këto janë fenomene të vagonit të fundit, ama ngjasin edhe në vagonin e parë të trenit të komercializimit të arsimit, kuptohet me formë tjetër. Rast për t’u përmendur mund të jetë fjala vjen doktoratura “e shkëlqyer” e Said Ghaddafit në LSE – djali i ish-diktatorit libian, Muamerit – një avancim i vërtetë shkencor sa i përket demokratizimit të shoqërisë civile…

Mbetet për t’u theksuar se treni i komercializimit po has në oponencë të fortë në mbarë globin, prej studentëve e prej shkencëtarëve, e duket se shumë shpejt dikush do t’ia shkelë frenën. Mjerisht tek ne debati mbi këtë çështje uzurpohet nga ata që duan ta përdorin arsimin e lartë për të fituar vota, apo për të fituar para, të cilët jo rrallë kontrollojnë mass-median dhe sektorë të qeverisjes.

Nëse shkolla sot është kjo që është, pre e oreksit të pronarëve të vet dhe shërbëtore e riprodhimit të politikës pa mision publik, nëse media sot është gjithnjë e më shumë një mjet për të ngjallur instinktet primitive të blerësit, mundemi lehtësisht të imagjinojmë një të ardhme të murrme, ku të gjithë i qasen shkencës, artit, dijes e politikës si turistë (C.Levi-Strauss ka një ese interesante ku zbërthen konceptin e turistit, vizitorit të sipërfaqjeve). Selfie me ca libra, një tjetër selfie me ca persona të pushtetshëm vendorë a ndërkombëtarë, dhe mund të bëhesh gazetar me emër, drejtor institucioni, ministër, mësues, profesor, artist, snob, politikan, pse jo edhe kritik, majtist, revolucionar… Opinioni publik drejtohet me sms, me tweets, me statuse facebooku apo me artikuj gazete të gjatë 800 fjalë, ku opinionisti është i njohur vetëm për arsyen që është i njohur. Apo kjo është e tashmja?

Në nivel të dytë, duhet thënë se ajo që ka ndodhur në Kosovë pasqyron pikë për pikë diagramën e pushtetit. Universiteti është pasqyrë e qeverisë në këtë rast.

Në CV-në e Rektorit Gashi, të botuar në faqen zyrtare të UP-së, përveç gabimeve skandaloze drejtshkrimore dhe gramatikore (si në shqip ashtu dhe në anglisht) bie në sy fakti se Ibrahim Gashi numëron një sërë kualifikimesh, trajnimesh, vizitash si profesor në universitete me “emër” në perëndim. Ai renditet si Fulbright Fellow, ndërkohë që ka ligjëruar në SHBA e në EU në shkolla goxha të njohura. Nga ana tjetër, edhe profan në qoftë ai që lexon “punimet shkencore” vë re në to mediokritetin, injorancën, tautologjinë, mungesën e shprehisë shkencore, mungesën e njohurisë mbi logjikën, që shfaqet ashiqare. A thua nuk e kanë vënë re këtë bordet që akordojnë bursa, që japin “Fulbright-in”, apo që bëjnë ftesa për ligjërata?

E njëjta pyetje lind nëse shqyrton pushtetin në qeveri. A thua nuk e dinë ambasadorët apo pushtetarët perëndimorë se me kë kanë të bëjnë? A thua nuk janë të njoftuar për korrupsionin galopant, për nepotizmin, për vjedhjet e pasofistikuara dhe për dhunën brutale që ushtrojnë qeveritarët e Kosovës tash 14 vjet? Herë pas here shprehjet e ambasadorëve tregojnë se në fakt janë të informuar mirë. Por prapë zgjedhin të “legjitimojnë” pushtetin, duke e ftuar për vizita, për “bisedime”, për “dekorime”. Pse jo për Nobel. Ndërkohë që në Kosovë vijon të jetohet “qençe”.

Rektori Gashi, para se të bëhej rektor ka qenë pjesëtar i kabinetit qeverisës, si zv. ministër. Ai shpërfaq të njëjtat fenomene me kolegët e vet, qeveritarët e djeshëm e të sotëm, uzurpatorët e çdo sfere publike në Kosovë, e ndër to edhe të universitetit. Problemi nuk fillon tek universiteti – universiteti është thjesht një simptomë. Problemi në fakt fillon tek ideologjia qeverisëse që shoqërohet nga etika përkatëse. Një ideologji që vë theksin te zvogëlimi i publikes e tek mbivlerësimi i privates natyrisht që shoqërohet prej një etike të keqpërdorimit, të shfrytëzimit, të trajtimit të publikes si mall pa zot.

Ky legjitimim symbylltazi nga ana e të huajve do mund të shihej si mospërfshirje në punët e brendshme të një vendi, po në rastin e Kosovës ku s’ka mbetur “i huaj” pa futur duart, qartësisht s’është kështu. Mbështetja e individëve të faktuar si vjedhës, sharlatanë, dhunues e korruptues ngre pyetje edhe mbi integritetin etik të vetë institucioneve që pretendojnë të sjellin “zhvillimin” në Kosovë.

E gjithsesi ky legjitimitet i importuar duket se nuk pi më ujë përballë protestave studentore që shpejt shpresoj të bëhen mbarëshoqërore, e të kapin edhe çështje të tjera, veç universitetit. Rëndësia e protestave kësaj radhe ka të bëjë edhe me dekonstruktimin e këtyre “dekoratave” të përftuara prej universiteteve me “renome” globale, bashkë me denoncimin e botimeve sharlatane në revista të panjohura. Protestat rrëfejnë se qençe nuk mund të na trajtojë kush, këtë le ta kuptojnë vendorë e të huaj!

3 komente te “Shkolla e shoqëria – qençe

  1. Halim Haziraj
    Shkurt 1, 2014

    ALI. PODRIMCE

    Ndere per fare s’ ka mbete,
    Ftyra shkoi n’p….t’sames,
    Me vjedhe duhet mesue,
    Njerezishem s’ jetohet ma.

  2. Halim Haziraj
    Shkurt 1, 2014

    THASHETHEME
    ……..
    …Madje po thone
    Se tash e mbas soti,
    Se n’kete dhe ne kete toke
    Diplomat do t’shiten
    Sikur specat, me OKE!
    ……
    Bile po thone,
    Se dhite bishteperpjete,
    N’mbrojtje t’moralit, dihet,
    Do t’i thone deles,
    “Mbuloje se te shihet”.
    …….

  3. Halim Haziraj
    Shkurt 1, 2014

    THASHETHEME

    Po thone,
    Cka s’ po thone!
    …..
    Madje, po thone,
    Se tash e mbas soti,
    N’kete dhe, ne kete toke,
    Diplomat do t’shiten,
    Sikur SPECAT,
    ME OKE!
    ……

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: