rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Slavoj Žižek: Gandi, Aristidi* dhe dhuna hyjnore

Yong-june Park: Si do t’i interpretonit shembujt e Gandit, Mandelës dhe Aristidit në raport me fuqinë transformuese të dashurisë në revolucion?

Slavoj Žižek: Për sa i përket dashurisë, do të doja të citoja Krishtin kur thotë: “Nëse ndokush vjen tek unë pa urryer më parë nënën, babain, gruan, fëmijët, vëllezërit e motrat e tij, ai nuk mund të jetë dishepulli im” (Luka 14:26). Si duhet ta lexojmë këtë deklaratë?

Për mua, dashuria është kategori lufte. Për shembull, dikur kam thënë, për të provokuar miqtë e mi, se Gandi ishte më i dhunshëm se Hitleri. E dini se çfarë doja të thosha? Sigurisht që Hitleri ka qenë më i dhunshëm në kuptimin e vrasjes së njerëzve. Mirëpo, në realitet kjo dhunë ka qenë, në një kuptim niçean, reaktive. Themelisht, problemi i Hitlerit ishte se si të shpëtonte regjimin kapitalist, si të parandalonte revolucionin. Në të vërtetë ai nuk veproi; të gjitha veprimet e tij ishin themelisht reaksione. Dhe gjithçka e bënte vetëm që punët të shkonin siç kishin shkuar kaherë.

Ajo që bëri Gandi, megjithëse ishte mjaft paqësore, në një kuptim ishte skajshmërisht e dhunshme, duke bojkotuar blerjen e veshmbathjeve britanike etj. Ai shënjestroi kësisoj krejt strukturën koloniale britanike. Hitleri nuk bëri asgjë të tillë. Ai nuk e shënjestroi kurrë funksionimin e shtetit gjerman. E shikoni, ky është një shembull i mirë i asaj që dua të them me dhunë pozitive hyjnore. Është thjesht një akt i pezullimit/bllokimit të pushtetit.

Përmendët Nelson Mandelën: pak a shumë ai ishte njëlloj. Sigurisht që kishte edhe beteja e bomba, por kjo është tjetër histori. Megjithatë duhet thënë, duke i bërë kritikën Mandelës dhe Gandit, se kjo procedurë e ka një cak. Është mjaft e trishtë. Mirëpo kjo procedurë, ku luhet me dinjitetin njerëzor, bën punë, si në Egjipt, deri në pikën kur kundërshtari yt ka një minimum dinjiteti apo etike.

Prandaj rruga e Gandit bënte punë, por nuk mund të universalizohet. Bëri punë ngaqë kolonizatorët britanikë, pavarësisht tmerreve të tyre, kishin një farë dinjiteti minimal. A nuk është kufizimi i mbramë i strategjisë së Gandit fakti që funksionon vetëm ndaj një regjimi liberal-demokratik i cili i nënshtrohet një minimumi standardesh etiko-politike – sipas të cilave, për ta shtruar në terma emotivë, të pushtetshmit “e kanë një farë ndërgjegjeje”? Kur e pyetën Gandin se çfarë duhet të bënin çifutët ndaj Hitlerit në Gjermaninë e fundviteve 30, ai u përgjigj se ata duhet të kryenin vetëvrasje masive, e kësisoj të zgjonin ndërgjegjen e mbarë botës. Mirëpo kjo s’mund të funksiononte me nazistët. Mund ta imagjinojmë fare lehtë reagimin nazist ndaj kësaj pune: “Sa mirë, do t’ju ndihmojmë ne – ku doni t’ua u sjellim helmin?” Kjo ishte me të vërtetë tragjike.

A e dini çka ndodhur me Komisionin e të Vërtetës dhe Pajtimit (KVP) në Afrikën e Jugut? Këtu ndeshim cakun e vërtetë të përpjekjes, përndryshe sublime, të strategjisë të së vërtetës dhe pajtimit në Afrikën e Jugut të pas aparteidit. Ajo mund të funksionojë vetëm nëse mund të mbështetemi në një etikë minimale. Sepse, a e dini se ç’ka ndodhur ca herë? Shpeshherë ajo ka funksionuar. A e dini se cili ka qenë rregulli? Kur përpara viktimave dilte një torturues i poshtër apo njeri i keq, dhe rrëfente publikisht se ç’kishte bërë, atëherë ai falej. Kujtdo, që ishte i përgatitur të tregonte publikisht veprimet e tij, shpeshherë në sy të viktimave të tij të dikurshme, i premtohej falja, sado të neveritshme të kishin qenë ato veprime.

Mirëpo në disa raste ka ndodhur diçka e çuditshme, madje moralisht e tmerrshme – si në rastin e oficerëve të policisë sekrete që kishin vrarë brutalisht aktivistin zezak Steven Biko. Torturuesi bëri përpara dhe, me një buzëqeshje cinike, rrëfeu historinë e tij të torturës dhe vdekjes me të gjitha detajet më të lemerishme: “Po, ju kam shtrydhur koqet, ju kam futur brisqe në gojë…Hahaha, jua thashë. Kështu që tani jam i lirë.” Pa pikën e pendimit! Me një person totalisht të paturp apo një subjekt cinik kjo gjë nuk funksionon.

Tmerri etik i këtij vizioni qëndron në faktin se na dëfton cakun e idesë së “të vërtetës dhe pajtimit”: Po sikur të kemi që keqbërës të cilit rrëfimi publik i krimeve të tij nuk i shkakton asnjë katarsis etik, por përkundrazi i jep një kënaqësi të turpshme shtesë?!

Të kthehemi te pyetja juaj: Duhet parë gjithmonë se si funksionon dashuria në një situatë të caktuar. Edhe Aristidi e dinte se kur duhej përdorur dhuna. Nganjëherë dhuna mbrojtëse është e domosdoshme. Mirëpo, ajo që duhet të mbajmë mend gjithmonë është se kjo dhunë është, tashmë në një kuptim të mirë, reaktive. Ky duhet të jetë pozicioni ynë bazik, çka përbën  edhe atë që është e madhërishme në identifikimin e majtizmit autentik me një rebelim emancipues. Kemi armiq, por nuk jemi kurrë përjashtues. Është vetë dashuria ajo që na shtyn ta shkëpusim veten nga bashkësia organike në të cilën kemi lindur.

Përkthyer nga: Arlind Qori

Marrë nga: Yong-june Park (Ed.) – Slavoj Žižek: Demanding the Impossible


*Jean-Bertrand Aristide, në origjinë prift katolik haitian i rrymës revolucionare të teologjisë së çlirimit, që ka shërbyer si udhëheqës i lëvizjeve demokratike dhe revolucionare në Haiti, i zgjedhur disa herë president i Haitit dhe po aq herë i dëbuar me grushte shteti të ndihmuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 16, 2013 nga te Intervistë, Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: