rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Servilët e BigMan-it

Arbër Zaimi

Ç’i shtyn vallë disa analistë e opinionistë në Tiranë të përdorin klishe të shkurtra dhe logjikë paragjykuese për të përshkruar se si fitorja e Vetëvendosjes në Prishtinë në 1 dhjetor na qenka në fakt fitore personale e kandidatit e jo e organizatës, fitore e nxitur nga disa marrëveshje të supozuara diku në prapaskenë, fitore e ardhur nga disa tërheqje fijesh prej Thaçit apo eminencave të tjera të pushtetit “real”, fitore që gjithsesi do na rezultoka në ndarje, apo në ndryshim (lexo shuarje) të Vetëvendosjes kështu siç është, e broçkulla të tjera?

Apo, ç’i shtyn disa gazeta e televizione të Prishtinës që të bëhen pjesë e qerthullit të llafeve që zhvleftësojnë protestat popullore të mesit të nëntorit në Tiranë, duke hedhur lloj-lloj hipotezash konspirative, sipas së cilave ka qenë Rama që donte të thoshte “jo” që në fillim, po nuk e thoshte dot vetë, kështu që organizoi protestat për legjitimim, ose sipas ca të tjerave, ka qenë Berisha që instrumentalizoi protestën, e sipas të tjerave akoma kanë qenë grupe komplotiste antiamerikane, të dyshuarit e zakonshëm, marksistë apo islamistë, që deshën edhe kësaj radhe ta nxjerrin Shqipërinë nga rruga e duhur.

Përgjigjja e parë, e menjëhershme, është tashmë familjare për veshët e shqiptarëve në Shqipëri a Kosovë, elitat e pushtetit në të dyja vendet janë bashkë, apo janë një, për të perifrazuar sloganin e famshëm “jemi një”. Janë një elitat si pushtet institucional, bashkë me gjymtyrët e tyre të zgjatura në korporata e biznes, në media e kulturë, në opinion e në akademi. Kuptohet se kur themi “janë një”, nuk nënkuptojmë se janë shokë, që punojnë për interesin e tyre të përbashkët përkundër interesit të “neve të tjerëve”. Sigurisht që mes tyre ka konkurrencë, madje nga më e forta, ka luftë për pushtet, ka kanibalizëm madje. Por janë një, në sensin që janë njësoj, veprojnë njësoj, nisen nga të njëjtat premisa, dhe ecin në të njëjtën rrugë – si metodë e si besim (ideologji). Për të perifrazuar Edi Ramën (në një takim me studentë gjatë 8 dhjetorit) në garën mes tyre “vetëm korsitë ndryshojnë, dhe gara pra është thjesht se cili ecën më shpejt, e jo se cili mposht përfundimisht kundërshtarin”. Në këtë lexim të parë, natyrisht që konservatorizmi i pushtetit do të përpiqet të shtypë çdo shkëndijë të së resë, kudo që ajo paraqitet.

Por kjo përgjigjje nuk të kënaq deri në fund. Se prapë, ç’e shtyn Mero Bazen të shkruajë për Shpendin që fiton pavarësisht “akrobacive fetare të Vetëvendosjes???” me të njëjtën lehtësi që shkruante dikur (para se të ndërronte kamp) për tangat rozë të nja dy ministrave të kabinetit aktual të Edi Ramës? Apo, ç’e shtyn Berat Buzhalën të “rrihte shpatullat” e Ramës gjatë fjalimit ku kryeministri shqiptar shau mbarë e prapë protestuesit si injorantë luditë, e më pas ta akuzonte vetë Ramën për mungesë “burrërie” kur ai vendosi t’i thotë “po” kërkesës së popullit të tij? Është vallë ndonjë aleancë editoriale mes “Express” dhe “TemA”? S’besoj, e para sepse aktorët e përfshirë ishin prezentë edhe në media të tjera, e dyta se tabloidizimi i medias shqiptare është vetëm një simptomë, shkaku qëndron tjetërku. Po është e vërtetë se analistët rreken të jenë shërbyes të elitave duke e çuar në ekstrem konservatizmin e tyre, por përse ky 55-izim i medias?

Që ta shpjegoj pak, 55-izimi nuk ka të bëjë vetëm me demonizimin e kundërshtarit, me etiketimin e tij si omega e skëterrës, gjë që më pas përcakton edhe cektësinë e çdo analize. Këtë, pak a shumë e bëjnë gjithë analistët e pozicionuar dhe shpesh edhe “të papozicionuarit” në Prishtinë e Tiranë. Kultura ndikohet nga pozicioni ekonomiko-social, dhe pozicioni i tyre ekonomiko-social është ai i servilit, i shqytarit, i laros. Kështu që këtë e kuptojmë. Por 55-izimi është fenomen pak më i veçantë. Ka të bëjë me ndërtimin e më pas përdorimin e skenarëve alternativë ndaj reales e ndaj realitetit, në forma komplotesh e konspiracionesh, që ngjallin psikoza jo vetëm te lexuesi, po edhe te ai që shkruan. Pse pra u shpërnda kësaj radhe kjo “praktikë pune”, edhe përtej Gazetës 55 në Tiranë (pioniere e fushës), apo përtej Gazetës Express (që më parë kish provuar pa shumë sukses të shiste histori me suxhuk)?

Përgjigjja ndoshta është kjo: që të ruajnë arsyen e tyre të ekzistencës. Këta “gazetarë” e këto “media” ekzistojnë vetëm si “dillerë”, funksioni i tyre është ai i lehtësuesit të prapaskenave politike, i intrigantit, i riprodhuesit të mashtrimit, të cilin e quajnë “the game” dhe që me shpresë luhet “by it’s rules”. Nëse në një moment të caktuar komunitetet, qytetarët, populli në përgjithësi ngrihet e hyn në skenën e politikës duke marrë vendim për veten e vet pra duke u politizuar, atyre s’u mbetet më punë për të bërë. Kështu që me çdo kusht, me legjitimitetin që të jep nevoja për të ruajtur vendin e punës se me atë “ushqejnë kalamajtë”, ata do t’i kundërvihen çdo rasti të tillë, qoftë ky vetëdijësimi i gjerë popullor dhe angazhimi si kurrë më parë i qytetarëve nëpër protesta në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, qoftë ky vullneti i ndryshimit të qytetarëve të Prishtinës, i mundësuar nga rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Shpend Ahmetit, pa koalicion, pa aleanca, pa pazare siç ka ndodhur rëndom në zgjedhjet e tjera.

Kësaj radhe ata i humbën dy beteja, por jo “luftën”. Ata madje kam përshtypjen se ndihen optimistë, se për vite me radhë kanë fituar çdo betejë. Këto dy raste i shohin si përjashtim. Por gjithsesi janë në panik. Në radhë të parë përpiqen që t’i mbajnë ngjarjet si të pandërlidhura me njëra-tjetrën, duke mohuar kështu vetëdijësimin e ndërsjelltë popullor, që ndodh edhe përmes rrezatimit të vetë ngjarjeve. Në radhë të dytë, gjejnë justifikime, për veten e tyre, për pronarët e tyre, për pasuesit e tyre, që të vërtetojnë se gjërat nuk janë ashtu siç duken. Kështu që thonë se protestat në Shqipëri: nuk ishin politike; ishin çështje moshe – doli vetëm brezi i ri; nuk kishte më shumë se 20.000 qytetarë në protesta; nuk ishin të informuar sa duhet (me informim lexo – dijen që përzgjedh e përcjell pushteti); nuk ishin të gjithë për të njëjtin qëllim; se këto protesta ishin nga frika më shumë se sa nga ndonjë ideal; etj. etj. Ndërsa për zgjedhjet në Prishtinë po të njëjtët vazhdojnë: Fitoi Shpendi se ishte nga Harvardi; se e mbështeti Thaçi; se e mbështeti hoxhë Shefqeti; se e mbështeti ambasadorja; se është ndryshe; se do ndahet nga Vetëvendosja; etj. etj. Paçka se vetë Shpendi thotë se nuk do të ndahet e as që mendon për t’u ndarë, se zgjedhjet i ka fituar Vetëvendosja, se nuk ka bërë asnjë aleancë as të fshehtë e as të hapur, e kështu me radhë.

A mund të fitohet argumenti me këta “analistë”? Po aq saç mund të fitohet argumenti me dikë, vendi i punës i së cilit varet pikërisht nga fakti që ti s’duhet ta fitosh assesi betejën.

Gjykimi i tyre është i pjesshëm, i mjegulluar dhe instrumental. Të tillët mund të gjenden kudo sot në botë. Jo vetëm tek mediat të cilët u shërbejnë si frymëzim, te “The Sun” apo “Daily Mirror”, apo televizionet berlusconiane. Por edhe në forma pak më të sofistikuara. Psh. në kinemanë hollywoodiane. Shihni filmin e Spielbergut “Lincoln” psh. Gjatë gjithë sprovës kinematografike (s’po e gjykoj estetikisht, se m’u duk i pavlerë), të krijohet përshtypja se emancipimi i zezakëve në ShBA ka ndodhur si pasojë e vendosmërisë së Abraham Lincolnit, i cili korruptoi, shantazhoi dhe kërcënoi kundërshtarët e tij demokratë (ishte koha kur demokratët ishin pro-skllavërisë), dhe pasi mori shumicën e votave, arriti t’ua falte zezakëve lirinë. E kuptoj që Spielbergu është i bindur që filmat me dinosaurë shiten dhe janë të suksesshëm, e kuptoj po ashtu që ai është dashamirës i së ashtuquajturës big-man theory (gjë që duket, fjala vjen, edhe tek “Lista e Schindlerit”), por kjo teori veç historike që s’është. Anashkalon e shumëzon me zero luftëra të mëdha, qoftë në fushën e betejës, qoftë në lëmin e dijeve, luftëra ku kanë dhënë gjakun e mundin me mijëra heronj e martirë të emancipimit të zezakëve në ShBA. Të besosh se një president i bardhë, në një shtëpi të bardhë, u zgjua në mëngjes me dëshirën e çuditshme për të amenduar kushtetutën në favor të skllevërve, është po aq naive dhe idioteske sa të besosh se një ditë, një tjetër president në po të njëjtën shtëpi u zgjua me dëshirën e çuditshme për të dërguar aeroplanët bombardues mbi Serbi, për të çliruar Kosovën. Të tilla shpjegime janë apolitike, depolitizuese, amorale dhe demoralizuese. Fatmirësisht, përditë e më shumë, po u del boja!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 15, 2013 nga te Polemikë, Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: