rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Sfida e vërtetë e Ramës

Arbër Zaimi

Në një gazetë proqeveritare, ca ditë më parë, u botuan disa foto të kryeministrit Rama teksa bareste rreth kryeministrisë për të mbikëqyrur punimet. Gazeta vinte në dukje se sa ndryshe pra është Rama nga Berisha, i cili kurrë nuk dilte pa truproja dhe sipas spekullimeve mediatike, vishte dhe antiplumb. Natyrisht që është e kotë të bëjmë pyetjen se ç’kërkonin gazetarët me kamera aty pranë, bash në kohën kur kryeministri kish dalë për një inspektim spontan… Ndoshta tash e tutje na duhet të mësohemi me prezencën spontane të gazetarëve sa herë që Rama të ketë kësi suksesesh të vogla, të lezetshme dhe ah sa shumë demokratike.

Në këto muaj të parë të qeverisjes së tij Edi Rama po shfaq atë që pritej në fakt, prirjen e tij për spektakolaren. Kjo prirje për spektakolaren, e cila është shfaqur dhe në muajt e parë të qeverisjes së tij në Bashkinë e Tiranës nuk duhet marrë në tërësi si e pavlefshme, përkundrazi. Korniza, sipërfaqja, dukja, ka edhe ajo gjithnjë përmbajtjen e saj. Kështu psh. emërimi i grave në poste drejtuese të konsideruara më parë burrnore, si Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Doganave apo Drejtoria e Tatimeve – edhe pse jo domosdoshmërisht na sjell efikasizim të rritur të këtyre sektorëve, apo as emancipim të përgjithshëm të gruas në shoqëri – janë akte që edhe thjesht përmes dukjes e trazojnë ujët e ndenjur të mentalitetit tonë patriarkal, pra edhe nëse në vetvete nuk sjellin emancipim, ndihmojnë të krijojnë kushtet për emancipim. Po ashtu me rastin e bixhozit, edhe pse aksioni me emrin psikedelik “Fund i marrëzisë” nuk do t’i japë fund bixhozit nëpër qytete, sepse thjesht mbylli, sekuestroi dhe vuri gjoba për agjentët e këtij biznesi që kanë shkelur ligjin, sërish është e rëndësishme që një aksion i tillë ndodh, edhe për t’iu treguar atyre që zhbëjnë shoqërinë qoftë ligjërisht qoftë jo, se nuk janë të paprekshëm. E kështu me radhë, mund të dallojmë spektakolaren (e rëndësishme ose jo) edhe tek publikimet bujëmëdha të arritjeve tek mbledhjet e tatimeve e doganave, tek zëvendësimi i policave barkmëdhenj me gra të veshura në uniformën blu, e sidomos te menaxhimi dhe përgjigjja që iu dha situatës së krijuar nga protestat e nëntorit kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri. Ndoshta të gjitha këto një e nga një e meritojnë një analizë më vete, për të parë se çfarë vërtet emancipuese gjendet në to, ndërkohë që spektakolaren tashmë e kemi parë të gjithë.

Por sfida e vërtetë e Ramës, në mendimin tim, është disi larg sferës së spektaklit që përfaqësohet nga aksionet më sipër (e me siguri do të përfaqësohet në vijim edhe nga aksione të tjera). Nuk dua të zhvleftësoj ndërhyrjet e tij për të bërë funksionale gjymtyrët e shtetit të atrofizuar të Sali Berishës. Por dua të them se këto gjymtyrë do të shërbejnë pak, pa funksionalizuar trupin. Dhe trupi është ekonomia.

I gjendur në krye të Shqipërisë në një moment delikat, Rama duhet të prekë kapërcyellin ku gjindet sot mendimi politik socialdemokrat nëpër botë. Sfida e vërtetë është se si do të mundet kryeministri ta transformojë Shqipërinë, prej një vendi tërësisht të varur nga importet, me një ekonomi ku punësimi kryesisht mbruhet në sektorët e administratës publike, tregtisë dhe shërbimeve, në një ekonomi ku do të nisë të prodhohet, e ku do të synohet që të ulet defiçiti tregtar.

Nxitja e prodhimit dhe zhvillimi i disa fazave të përpunimit brenda vendit, përmes krijimit të industrisë së lehtë dhe asaj përpunuese, kërkojnë kapital. Ky kapital nuk mund të vendoset nga shteti, së paku jo tërësisht dhe jo në kushtet e sotme, kur buxheti gjendet i holluar edhe nga korrupsioni i shfrenuar i klaneve PD-iste. Ky kapital nuk mund të vijë as nga kreditimi i rregulluar sipas strukturimeve të imponuara nga BB dhe FMN. Gjëja më e mirë do të ishte – dhe këtu do të matet vërtet suksesi i Ramës – nëse kapitalistët vendas që gjer tash kanë qenë të përqendruar në biznese me fitim të lehtë e të shpejtë, si ndërtimet etj. do të drejtohen kah zhvillimi i prodhimit, industria e lehtë dhe përpunuese, por edhe – sipas një prioritizimi strategjik – kah industritë e përpunimit të mineraleve. Kjo do të ishte një reformë e vërtetë përmbajtësore, do ta ndihte punësimin, dhe eventualisht do ta përmirësonte mirëqenien individuale dhe kolektive në Shqipëri.

Shfaqje (skenë) tjetër e së njëjtës sfidë është nevoja për të balancuar interesin privat, tashmë mbizotërues e ngulfatës, me interesin publik, që mbijeton latent e në gjendje të mekur, pas privatizimeve të sektorëve prodhues të nisur në kohë të Berishës së parë e të nxituar në kohë të Nanos. Privatizimet kulmuan me koncesionet e dhëna në kohë të Berishës së dytë, kohë kur nëndheu e natyra gjithashtu u privatizua në masë të madhe. Po ashtu avancoi privatizimi i arsimit e i shëndetësisë. A mundet Rama t’i japë drejtim këtij treni të cilin ekstremistët e privatizimit e kanë drejtuar kah humnera? Shenjat s’janë të mira. Koncesionimi i doganave për Crown Agents (reformë tepër e djathtë, edhe sipas këndvështrimit të shumë qeverive aktuale evropiane), koncesionimi i mbledhjes së tatimeve, apo krijimi i burgjeve private duket se më shumë i mëshon pedales së gazit në trenin ideologjik të cilin përmendëm.

Të transformosh kapitalin, prej formës së vet më fluide, siç është kjo e tashmja – e përqendruar në shërbime (kryesisht financiare), ndërtim dhe tregti – tek një formë disi më statike, siç është investimi në prodhim është diçka e vështirë, por jo e pamundshme. Një reformë e tillë lyp në radhë të parë transformim ideor, kapërcim prej neoliberalizmit dhe monetarizmit të Friedmanit dhe Greenspanit në neokejnsianizmin e Stiglitzit dhe Krugmanit dhe në politikat e shtetit zhvillimor të H.J.Changut. Ky transformim ideor kërkon një këmbëngulje dhe imponim të fortë, duke patur parasysh se neoliberalizmi paraqitet si paketë hegjemonike, në të cilën janë indoktrinuar mijëra ish-studentë nëpër shkolla të huaja e të vendit, që tashmë paraqiten si ekspertët e rinj të qeverisë. Këta ekspertë në masë të madhe janë indoktrinuar për të mbrojtur interesat e një shtrese të caktuar dhe të një forme të caktuar të kapitalit (para ca ditësh The Guardian shkruante se si psh. dhe profesorët e ekonomisë të Universitetit të Manchesterit protestuan kundër ideologjizimit dhe dogmatizimit të skajshëm të doktrinës së ekonomisë që mësohet sot në fakultete). Debatin ideologjik me këta ekspertë të dalë taze nga shkollat e perëndimit sigurisht që nuk do ta fitojnë përfaqësuesit e atyre fëmijëve shqiptarë, gjysma e të cilëve s’mbushin dot barkun (gjer edhe UNICEF para ca ditësh na e tha këtë), ndërkohë që mbeten analfabetë prej varfërisë. Ata fëmijë janë pasojë e të njëjtës dogmë që shplan mendjet e “fëmijëve” të tjerë, atyre që tash do të punojnë si byrokratë në qeverinë Rama, apo që do të shërbejnë si legjitimues të saj përmes hipsterizimit të kulturës dhe artit..

Pra kjo është sfida e vërtetë e Ramës. A do të mbërrijë ai ta reformojë ekonominë si socialdemokrat, duke përdorur këta ekspertë neoliberalë? A do të dijë t’i imponojë politikat shtetërore kapitalit? Nëse ndodh e anasjellta, atëherë spektakli i Ramës ka për të pasur fare pak efekt, e do të lërë edhe më pak gjurmë “historike” se lyerja e fasadave të ndërtesave në Tiranë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 26, 2013 nga te Politikë, Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: