rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Maji ‘68 nuk ka zënë vend

Gilles Deleuze dhe Felix Guattari rimarrin fjalën për të analizuar së bashku 1984-ën nën dritën e 1968

Përktheu Dilfirus Vrioni

Në fenomenët historikë si Revolucioni i 1789, si Komuna, apo si Revolucioni i 1917, ka gjithnjë një pjesë të ndodhisë (événement) që është e pareduktueshme ndaj determinizmave shoqërorë, serive shkakësore. Historianët nuk para e pëlqejnë këtë aspekt: ata restaurojnë shkakësi post-factum. Por ndodhia për nga vetvetja është në shqitje ose çarje me shkakësitë: është një bigëzim, një devijim në raport me ligjet, një gjendje e paqendrueshme që hap një fushë të re të së mundshmes.  Prigogine-i ka folur për këto gjendje ku, ashtu si në fizikë, dallimet e vogla shumohen në vend që të anulohen, dhe ku fenomenë fare të palidhur me njëri-tjetrin hyjnë në rezonancë, në lidhje. Në këtë sens, një ndodhi mund të kundërshtohet, të ndrydhet, të rimerret, të tradhëtohet, ajo gjithsesi bart me vete diçka të patejkalueshme. Janë renegatët ata që thonë: është tejkaluar. Por ndodhia vetë merr vlerë në kohë, ajo s’e lë veten të tejkalohet: ajo është çelja e së mundshmes. Ajo përshkon së brendshmi individët po sa edhe indet e një shoqërie.

Sërish, fenomenët historikë të cilat po thërrasim u shoqëruan me determinizma dhe shkakësi, edhe pse ato ishin të një natyre tjetër. Maji ’68 ishte më shumë në rendin e një ndodhie të pastër, i lirë nga gjithë shkaqet normale apo normative. Historia e tij është një “vazhdimësi paqendrueshmërish dhe luhatjet e amplifikuara”. Ka shumë shqetësime, gjestikulacione, fjalë, marrëzi, iluzione në ’68 por s’është kjo e rëndësishme. Ajo që ka rëndësi është se ndodhi një fenomen pamor, sikur një shoqëri befasisht mundi të shihte atë çka përmbante të patolerueshme, e njëherazi të shihte mundësinë për diçka tjetër.  Është një fenomen kolektiv nën formën: “Të mundshmen, përndryshe asfiksohem”. E mundshmja nuk ekziston paraprakisht, ajo është krijuar nga ndodhia. Është çështje jete. Ndodhia krijon një ekzistencë të re, prodhon një subjektivitet të ri (raporte të reja me trupin, kohën e seksualitetit, rrethanat, kulturën, punën …)

E lënë mënjanë apo e karikaturuar…

Kur një mutacion social shfaqet, nuk mjafton vetëm që prej tij të marriim pasojat apo efektet vijese të linjave shkakësore ekonomike dhe politike. Duhet që shoqëria të jetë në gjendje të formojë dispozicionet kolektive që i korrespondojnë subjektivitetit të ri, në mënyrë të tillë që ajo ta dëshirojë mutacionin. Ky është “shndërrimi” i vërtetë. New Deal-i amerikan, zhvillimi japonez, ishin shembuj shumë të ndryshëm të shndërrimeve subjektive, me të gjitha llojet e ambiguiteteve dhe po ashtu struktura reaksionare por gjithashtu edhe me pjesën e iniciativës dhe të krijimit që ndërtonte një shtet të ri social, të gatshëm t’i përgjigjet ekzigjencave të ndodhisë. Në Francë, përkundrazi, pas ’68, pushtetet nuk pushuan së jetuari me idenë që “kjo dikur do të heshtet”. Në fakt, ajo u hesht, por në kushte katastrofike. Maji i ’68 nuk ishte rrjedhojë e një krize, as reagim ndaj një krize. Është më shumë e kundërta e kësaj. Vetë kriza aktuale, ngërçet e krizës që tashmë ekziston në Francë që sjellin menjëherë pasojën e paaftësisë së shoqërisë franceze për të tretur Majin e ’68-ës. Shoqëria franceze ka dëshmuar një pafuqi radikale për të kryer një shndërrim subjektiv në nivel kolektiv, siç e lypte ’68: e si do të mundte ajo të ndërmerrte aktualisht një shndërrim ekonomik në kushte të “së majtës”? Ajo s’diti t’i propozonte asgjë njerëzve: as në fushën e edukimit, e as në atë të punës. Gjithçka që ishte e re u margjinalizua ose u karikaturua. Shohim sot njerëzit e Longwy që i ngjiten pas çelikut, prodhuesit të qumështit që s’i ndahen lopëve të tyre etj.: e ç’të bëjnë tjetër deri sa çdo dispozicion për një ekzistencë të re, për një subjektivitet të ri kolektiv ishte shkatërruar paraprakisht si reaksion kundër 68-ës, nga e majta po aq sa nga e djathta? Gjer edhe radiot e lira. Çdo herë e mundshmja u mbyll.

Fëmijët e majit ’68  i gjejmë nga pak kudo, ata ndoshta as vetë nuk e dinë, dhe çdo vend i prodhon në mënyrën e tij. Situata e tyre nuk është e shndritshme. Ata s’janë kuadro të rinj. Ata janë në mënyrë të çuditshme indiferentë, dhe njëkohësisht shumë të informuar. Ata kanë ndalur së qeni ekzigjentë, apo narcizistë por e dinë mire që asgjë nuk i përgjigjet aktualisht subjektivitetit të tyre, kapacitetit të tyre të energjisë. Ata e dinë gjithashtu që të gjitha reformat aktuale shkojnë më shumë kundër tyre. Ata janë të vendosur që të merren me punën e vet aq sa të munden. Ata mbajnë një hapje, një mundësi. Portretin e tyre të poetizuar e ka bërë Coppola tek Rusty James; aktori Mickey Rourke shpjegon: “Është një personazh i mbetur pa një dyshkë, në fije të perit. Ky nuk është lloji i Hell’s Angel. Ai ka qeliza gri (tru), ka edhe bonsens. Një përzierje kulture që vjen nga rruga dhe nga universiteti. Dhe ky trazim e ka marrosur. Ai s’sheh asgjë. Ai e di që s’mund të gjendet asnjë punë për të, sepse ai është më i mprehtë se cilido tip i gatshëm për ta bërë atë punë”. (Libération, 15 shkurt 1984).

Nuk ka zgjidhje tjetër veç asaj krijuese

Kjo është e vërtetë në të gjithë botën. Ajo që instutionalizojmë, me papunësinë, me pensionin, me shkollën, janë “situata braktisjesh” të kontrolluara, ku për model shërbejnë të paaftët. Të vetmet shndërrime subjektive të momentit, në nivel kolektiv, janë ato të një kapitalizmi të egër, alla amerikan, ose të një fondamentalizmi musliman si në Iran, ose feve afro-amerikane si në Brazil: këto janë figurat që kundërvihen integrizmit të ri (duhet të shtojmë edhe neopapizmin europian). Europa s’ka asgjë për të propozuar, dhe Franca s’duket të ketë ndonjë ambicie tjetër përveçse t’i mbushë mendjen Evropës së amerikanizuar dhe të mbiarmatosur se do të operojë nën reforma të forta ekonomike. Fusha e të mundësive është përkundrazi diku tjetër: po të ndjekësh aksin Perëndim-Lindjeje, pacifizmi, për sa kohë që propozon të shkërmoqë raportet e konfliktit, të armatosjeve, e gjithashu të bashkëpunimit dhe rregullimit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe BRSS. Potë ndjekësh aksin Veri-Jug, një internacionalizëm i ri, që nuk formohet vetëm në aleancë me Botën e tretë, por mbi fenomenet e botëtretizimit në vetë vendet e pasura (psh evolucioni i metropoleve, degradimi i qendrave të qyteteve, formimi i Botëve të treta europiane ashtu si i analizon Paul Virilio). Nuk ka zgjidhje të tjera veç atyre krijuese. Janë shndërrimet krijuese që kontribuojnë të zgjidhet kriza aktuale dhe të kuptimësojnë një Maj ’68 të përgjithësuar, të një bigëzimi apo të dinamikave të reja.

Gilles Deleuze dhe Félix Guattari

Artikull i botuar fillimisht në Les nouvelles, 3 maj 1984

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 21, 2013 nga te Përkthim dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: