rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Paqja pa antifashizëm?

Albin Kurti

Gabimi i pacifizmit evropian kundrejt fashizmit ndërmjet dy luftërave botërore po përsëritet në Ballkan, në vigjilje të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore. Paqja nuk është qasja e drejtë dhe as e dobishme kundrejt fashizmit. Nuk kemi nevojë për përvoja të hidhura të na përsëriten për të mësuar atë që tashmë e dimë. Pacifizmi nuk e pacifikon fashizmin (të cilin kështu vetëm sa e inkurajon), por pikërisht pacifikuesin. Paqja ndaj fashistëve është marrëdhënie e njëanshme: mund të japësh paqe por s’merr dot paqe mbrapsht.

Fashizmi serb aktualisht përfaqësohet nga treshja Nikoliq-Vuçiq-Daçiq. Origjina e tij është Nikola Pashiqi kurse prindërit e drejtpërdrejtë të këtyre bijve të fashizmit serb janë Milosheviqi e Shesheli. Si asnjëherë më parë ky fashizëm po shpërblehet jo vetëm duke u toleruar si nga Brukseli zyrtar po ashtu edhe nga Prishtina zyrtare. Dialogu politik në Bruksel shënohet nga kërkesat e Daçiqit, koncesionet e Thaçit dhe ndërmjetësimi i Baroneshës Ashton. Vëllimi ishte anormal: për vetëm një vit, që prej tetorit të vitit të kaluar, Thaçi është takuar plot 18 herë me Daçiqin. Ajo që po normalizohet është gjithsesi anormale.

Dikur Serbia e konsideronte Kosovën çështje të brendshme të saj. Sot, Serbia është bërë çështje e brendshme e Kosovës. Thaçi dikur s’e pranonte tezën që Kosova është çështje e brendshme e Serbisë, mirëpo vetëm 15 vjet më vonë ai edhe e pranon edhe e zbaton tezën që Serbia të jetë çështje e brendshme e Kosovës. Dalja e Kosovës nga Serbia po zëvendësohet me hyrjen e Serbisë në Kosovë.

Me dialogun në Bruksel po normalizohet Serbia brenda Kosovës. Ky normalizim është gjithsesi forcim i Serbisë jo vetëm brenda Kosovës: ajo po forcohet edhe në kontekstin rajonal edhe në raport me BE-në. Dikur, në kohën e Milosheviqit e të Koshtunicës, Serbia mbante qëndrim kundër BE-së dhe NATO-s dhe i dirigjonte serbët e Kosovës përkundër perëndimit. Tash, nëpërmjet dialogut politik me Thaçin, ajo po e vazhdon dhe shton kontrollin mbi serbët pa pasur nevojë të jetë kundër perëndimit.

Baronesha Ashton në Bruksel (me EULEX-in në Kosovë) dhe Daçiqi në Beograd (me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë) janë shndërruar në pronarët e vërtetë të Kosovës. Qeveritarët e Kosovës janë menaxherët, kryeministri Thaçi është CEO (Chief Executive Officer), ndërkaq ambasadorët e Quintit në Prishtinë paraqesin Bordin e Drejtorëve. CEO-së, apo ‘shefit’, i japin bonuse, teksa pronarët menaxhojnë gjithë menaxherët (me në krye shefin). Ishte simptomatike ajo shprehja e famshme ‘shefi i shefave’ te afera Pronto, apo jo?

Në raport me Serbinë, Kosova nuk i ka problem vetëm krimet e luftës, por edhe qëllimet kriminale të saj që vazhdojnë të gjallojnë. Thaçi nuk do t’ia dijë për asnjërën prej këtyre. Thjesht, shumë më tepër Daçiqi beson në Serbinë si shtet sesa që Thaçi beson në shtetin dhe Republikën e Kosovës. Thaçi beson në para e në pushtet dhe që të dyja i do për vete. Paratë i ka për pushtet; pushtetin e ka për para.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të dominohet nga veriu, pavarësisht numrit dhe popullsisë më të madhe në komunat me shumicë serbe në jug. Një aksion i mundshëm që do të dëshmohej posaçërisht problematik do të ishte bartja e kërkesave të gjera dhe të pazgjidhura pronësore të Serbisë anekënd Kosovës (p.sh. përtej 10 komunave anëtare) te Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Për më tepër, disa frikësohen që dykuptimësitë do të shfrytëzohen nga Asociacioni që të grabis pushtet në Kosovë. Siç tha një diplomat evropian i intervistuar, ‘Beogradi do të përgatisë serbët lokalë të thonë që gjithçka që nuk është eksplicite është kompetencë e Asociacionit’. Nëse njëra apo dy nga këto mundësi do të realizohen, kjo do të përmbushte druajtjen e errët që Asociacioni do të bëhet një ‘entitet’, sikurse Republika Serbe në Bosnje e Hercegovinë”. Kështu thuhet në një raport të botuar këto ditë nga Këshilli i Politikës për Demokratizim (DPC) e që mban titullin “Ujdi ende e papërfunduar: Kosova dhe marrëveshja Prishtinë-Beograd”.

Fundja, Lista Serbe e Daçiqit njëherë u quajt Lista Serbia, ashtu qysh edhe Bosnja quhej Serbi për t’u kurorëzuar me Republikën Serbe atje që paraqet vetë arkivolin e shtetit të Bosnjës.

9 Maji, Dita e Evropës, lidhet me deklaratën e burrështetasit francez, Robert Schuman, nga viti 1950. Mirëpo, nuk duhet harruar që, para kësaj, saktësisht pesë vjet më herët, u shënua ngadhënjimi mbi fashizmin në Evropë, më 9 maj 1945. Themeli i Bashkimit të sotëm Evropian nuk është thjesht paqja, por (edhe) antifashizmi. Fitorja mbi fashizmin e solli paqen kurse paqja ndaj fashizmit e solli Luftën e Dytë Botërore.

Me qasjen e saj në Ballkan, Baronesha Ashton po e shpërfill antifashizmin nga parimet themeltare të BE-së duke e lënë aty të vetmuar paqen. Paqja pa antifashizëm është spostim i luftës për ‘ditë më të mira’. E, kushedi, Baronesha Ashton mund të jetë vetëm një gur në mozaikun e madh evropian ku tolerimi i partive të djathta ekstreme i kombinuar me fjalën magjike ‘austerity’ (shkurtesat) vetëm sa e ka forcuar fashizmin prej Greqisë e deri në Holandë, prej Francës e deri në Finlandë…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 20, 2013 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: