rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Dhuna – një përpjekje ekzaminimi

Zgjim Hyseni

Spektakli dhunues, apo qetësia e dhunshme, e njëjta gjë. Gjendja e dhunës. Është rezistenca mohimi i dhunës dhe jo qetësia. Nuk është perceptimi figurativ i ndryshimit të formave të shfaqjes, por të kuptuarit që secila gjendje pabarazie, dominimi a diskriminimi është në vetvete dhunë.

Dhuna, në të kuptuarit primar të  saj nënkupton detyrimin (kryesisht përmes forcës) e subjektit të dhunuar për të ndërmarrë një veprim, ose për t’u përmbajtur së bëri këtë, kundër vullnetit të tij.

Ky lloj përkufizimi i ngurtë që mund të gjendet nëpër kode penale e libra të jurisprudencës, është më shumë mjegullues sesa shpjegues, sidomos kur për qëllim kemi trajtimin dhe vlerësimin politik të situatave të ndryshme ku ndodh konflikti. I izoluar tek akti, pasojat dhe urgjenca që imponon situata, humbet mundësia e shqyrtimit të kauzalitetit të ngjarjes; akti si ndërhyrje që shkund rendin e gjërave ka zhdukur procesin dhe shkaqet; emocionet kanë zëvendësuar shpjegimin. Thjesht nuk është e mundur të flitet për tjetër gjë veç mizorisë së dhunuesit dhe pafajësisë së viktimës. Përpara ngjarjes, gjendja paraprake ishte ajo e rëndit dhe rregullave, pa fërkime e përplasje, e normalitetit që u cënua prej dhunuesit. Dhe ngjarja sigurisht, do të marrë udhën e përgjigjes së zakonshme shtetërore pa pyetur për më gjatë. Kemi ama, pa fund raste që marrin të njëjtën përgjigje, dhe po ashtu pafund raste të reja që presin. Çfarë nuk shkon me këtë dhunë që nuk përfundon?

Do të mohojmë njëherazi të dy reagimet: edhe përgjigjen e dhunshme shtetërorë që ka reduktuar fenomenin tek dispozitat ligjore; po aq me vendosmëri edhe përshpirtërinë “humaniste” të atyre që dënojnë dhunën nga pozicioni i mëshiruesit që u dhimbset viktima, ndërkohë që nuk ndjejnë asfare solidariteti me kauzën për të cilën militanti është i gatshëm të sakrifikojë.

Mund të ndihmojë së këndejmi shqyrtimi i vetë kësaj pikë referenciale prej normaliteti. Pikën zero, ikjen prej së cilës ne e cilësojmë si dhunë. Çfarë nëse vetë ky rend që ka paraparë me detaje përgjigjen për secilën situate kundër tij mbartë në vetvete dhunën? Nëse përgjithësimi  formal – juridik është veçse disiplinim i të dominuarve. Së këndejmi, edhe ngjarja e dhunshme është domosdoshmëri e prodhuar nga vetë rregullimi i padrejtë. “Ligji prodhon mëkatin, dhe jo anasjelltas”, thoshte diku Alan Badiou.

Hapim rrugë kështu për t’u tërhequr nga sekuenca dramatike, për të parë kontekstin politik si kontura e dhunës. Marrëveshja që do të votohej atë ditë në Kuvend, me t’u zbatuar i hap rrugë ndarjes territoriale dhe etnike të vendit; ajo i lejon Asociacionit të Komunave me shumicë serbe zgjedhjen e komandantin rajonal të policisë; ndan gjyqësorin në baza etnike duke krijuar Gjykatë Apeli vetëm për serbët; u jep këtyre strukturave pavarësi financiare përmes rezervimit të të hyrave nga doganat ne Piken 1 dhe 31 vetëm për këtë Asociacion, duke shkelur kwshtu edhe një atribut tjetër të organizmit shtetëror siç është kompetenca e nivelit qendror mbi të hyrat doganore; kjo marrëveshje amniston, për t’i legalizuar pastaj gjithë strukturat e shtetit serb që për 14 vjet me radhë kanë cenuar sovranitetin shtetëror; këtu përfshihen edhe roja e urës, edhe pjesëtarët e MUP-it, BIA-s dhe mbrojtjes civile; janë po ata që kanë spastruar veriun e vendit në ngjarjet e shkurtit të vitit 2000 me ç’rast edhe kanë vrarë 11 shqiptarë, janë vrasësit e Enver Zymberit e Selver Haradinajn. Na thotë vallë dikush nga githë ata gazetarë e analistë, a është kjo Marrëveshje e dhunshme?! Nëse përgjigja është pohuese, atëherë përpjekja për ta ndaluar këtë Marrëveshje është rezistencë. Liria e deputetit për t’u futur në Kuvend është liri për ta legalizuar pushtimin. Të vërtetën mbi situatën e kuptojmë nga raportet dhe qëllimet, kurrsesi nga shfaqja dhe mënyra.

Megjithatë, jo rrallë, mënyra sesi merr udhë  zhvillimi i ngjarjeve, çështjet që bëhen temë kryesore dhe të tjerat që mbesin në periferi , janë në  fakt indikacionet që na çojnë tek shpjegimi i problemit. Problematizimi është vetë problemi. Vëmendja që mori në diskursin publik i ashtuquajturi skandal diplomatik karshi gjithë ngjarjeve tjera të ditës në Kuvend dhe përreth tij, është vetë simptoma e nyjes që karakterizon shtetin e Kosovës. Çfarë lloj raporti pronësie kemi ndërtuar me shtetin dhe institucionet, përderisa merakosemi më shumë për diplomatët e huaj sesa për bllokimin e të “zgjedhurve të popullit”? Pyeti dikush se çfarë kërkuan ata në Kuvend? A mundet që prania e tyre të kish për qëllim presionin ndaj deputetëve. Asnjëherë. Këta janë lojëra para imazhit të dëmtuar të Kosovës në botë. Dukjes së Kosovës para botës. Imazhi në Kosovë është dukje para tjetrit, si dukje për tjetrin. Përqendrimi tek imazhi si zëvendësim i realitetit, është veçse alarm për qenien e dhunuar. Dëmtimi i imazhit na e shpërfaq përputhjen e plotë midis formës dhe përmbajtjes. Kemi cënuar imazhin sepse kemi kundërshtuar dominimin. Dukesh siç të do tjetri kur atij ia detyron ekzistencën. Kjo lloj mendësie dominimi, tipike kolonialiste aq e përhapur në Kosovë, është edhe shpjegimi për bujën që mori “skandali diplomatik” ditën që u votua Marrëveshja, por edhe në raportin që ka Kosova në përgjithësi me ambasadorë e diplomatë të ndryshëm.

Ratifikimi i Marrëveshjes ka çuar peshë dy nga kontradiktat mbi të cilat mbahet në këmbë ky regjim i padrejtë. Raportin e Qeverisë së Kosovë me aspiratat hegjemoniste të Serbisë, por edhe rolin ndërhyrës antidemokratik të ambasadorëve.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 26, 2013 nga te Dialektikë, Politikë dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: