rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Pa opozitë

(në vend të elegjisë)

Arbër Zaimi

Midis një sëre problemesh të vjetra e të reja me të cilat do të ballafaqohet Shqipëria gjatë mandatit “Rama”, nuk është më i parrezikshmi apo as më i vogli ai që konsiston në mungesën e opozitës së organizuar, në parlament apo në shoqëri.

Koncepti i politikës bipartizane tashmë është thyer, ndërkohë që ka shfaqur vazhdimisht disfunksionalitetin e vet, sidomos në vitet e fundit. Degjenerimi i mekanizmave përfaqësues të partive, dhe shndërrimi i këtyre të fundit në operatorë klientelash e pazaresh më shumë se sa në agjentë mobilizues të elektoratit i ka njëjtësuar shumë polet që gjer më tash janë perceptuar si opozitare, dhe mishërimi më figurativ i këtij njësimi është Ilir Meta.

Sido që ta shohësh, fakt është se PD-së i mungojnë argumentat etikë, politikë apo estetikë për të bërë opozitë ndaj qeverisjes PS-LSI, dhe shfaqja e saj në ditët e para të parlamentit është qesharake, si çdo shfaqje e një tirani të shfronësuar, që vijon për inerci të sillet si i tillë. Makinacionet e Berishës, që mund të dukeshin “të zgjuara” kur ishte në pushtet, tani ngjajnë histerike edhe pse të domosdoshme për të mbajtur shtrënguar pas vetes atë strukturë në rënie që përfaqëson PD-ja.

Kjo parti e cila ka shenjuar paskomunizmin shqiptar mua më duket një parti që po i afrohet fundit të saj për këto arsye:

Së pari, ajo nuk ka mbërritur të artikulojë interesat e së djathtës në Shqipëri, apo interesat e kapitalit, për ta thënë më qartë. Këto interesa duket se i përfaqëson më së miri PS-ja, një forcë në të djathtë të qendrës, e cila jo më kot përfshin në gjirin e saj një numër të madh sipërmarrësish miliarderë. Dy-tre elementët e mbajtur për “të majtë” në programin e PS, s’janë në opinionin tim veçse në funksionin e placebos, apo më saktë, në rolin e mjaltit me të cilit lyhet buza e shishes së hidhur që po i serviret fëmijës-popull prej qeverisë së re. Por për këtë shishe të hidhur reformash strukturore nën suazën e FMN, dhe në interes të “punëkrijuesve” do të flasim në një tjetër artikull. Ky i sotmi ka të bëjë me opozitën, apo më mirë me mungesën e saj. Pra argumenti i parë është shtrirja strukturore e PS-së djathtas, që për arsye të shumta është më e zhdërvjelltë, më mirëfilli e aplikueshme dhe më përfaqësuese se sa ajo e PD-së.

Ndonjëri mund të habitet: çne bijtë e nomenklaturës së lartë komuniste na drejtokan një forcë të djathtë? Por, cilët prisnit ju të ishin drejtuesit e së djathtës? Pasardhësit e popullit? Argumenti i “bijve të nomenklaturës” të cilët e trashëgokan të majtën prej baballarëve është i pavlefshëm. Politika nuk trashëgohet gjenetikisht, por trashëgohet siç trashëgohet prona (a mungesa e saj), shtresa, gjendja socioekonomike, kultura.

Së dyti, formati qeverisës i PD-së, me një person të fortë e karizmatik në krye, me klane familjare që qeverisin me metoda postfeudale, është një format që ndoshta i përshtatet një mentaliteti rural në do territore të cilat tashmë janë shpopulluar. Ky mentalitet është i papranueshëm në zonat urbane të cilat janë në rritje të vazhdueshme, edhe për shkak të migrimit të brendshëm. Por, ç’është më e rëndësishmja, ky mentalitet nuk është assesi i pranueshëm për njerëzit e pushtetshëm të ekonomisë dhe të hegjemonisë. Janë vetë biznesmenët ata të cilët nuk e tolerojnë dot paternalizimin prej patriarkut, dhe prandaj preferojnë neoliberalizmin e Ramës dhe Metës më shumë se sa postfeudalizmin postkanunor dhe kozanostrian të Berishës.

Së treti, edhe momentumi moral(ist) i PD-së është venitur. Humbja e 2013 për Berishën dhe të tijtë është rrëgjuese, shumë më shumë se ajo e 1997, ku pavarësisht ngjarjeve, fundi i fundit Berishës i mbeti morali i atij që u rrëzua me dhunë, në kushte anormale, dhe që pranoi për hir të popullit qeverisjen teknike etj. Këto rrethana e lejuan ringjitjen dhe rikthimin e tij në 2005, me një kartë tepër të fortë morale, e cila ishte e besueshme në masë të madhe, dhe jo vetëm në popull por edhe në shtresat e elitës intelektuale, siç dëshmon fjala vjen Blendi Kajsiu, që në atë kohë tregon se besonte vërtet në projektin antikorrupsion të Berishës. Kjo kartë përfundimisht ra që në mandatin e parë të PD-së, por u rrëgjua sidomos në mandatin e dytë, falë përkujdesjes së Metës, që dëshmoi se kjo PD ishte në gjendje të kompromentohej në çdo aspekt për të ruajtur pushtetin. Menaxhimi i situatës pas Gërdecit e rriti pështirosjen popullore ndaj kësaj force, ndërkohë që arma e vetme që mund të përdoret nga PD në komunikimin e saj publik, tash disa vjet është cinizmi. Sipas po këtij cinizmi, njësoj ka për të qenë edhe Rama, se fundi i fundit edhe ai ka keqbërës në gji të partisë së tij, edhe ai bashkëpunon me Metën. Mirëpo, ceni strategjik i këtij arsyetimi është se nuk merr parasysh se të qenit moralisht “njësoj”, apo të ngjashëm favorizon gjithnjë atë që është në pushtet, pra kësaj here jo PD-në.

Natyrisht që mund të vijojnë edhe më tej arsyet pse PD-ja nuk ka performuar mirë si parti e djathtë dhe nuk ka për të qenë një opozitë reale as në këto katër vjet. Ndër to është braktisja e përfaqësimit të shtresave tradicionale të së djathtës, indiferenca ndaj të përndjekurve, marrëdhëniet e këqija me publikun e me ndërkombëtarët, si edhe injoranca e shfaqur vazhdimisht në parlament e nëpër foltore, qoftë nga zëdhënës e qoftë nga deputetë.

Pamundësia e organizimeve politike (partive) për të bërë opozitë, as që mund të mendohet se do të kulmohen prej shoqërisë civile, apo opinionistëve, mediave a ekspertëve “të pavarur”. Këto në fund të fundit nuk janë veçse struktura shoqëruese që ndihmojnë partitë të shtrijnë hegjemoninë e tyre, pra nuk mund të jenë gjë tjetër veçse struktura profesionale të legjitimimit. Alternativa opozitare do të mund të lindte vetëm në një formë të mirëfilltë organizimi politik.

Ndërkohë që nuk shqetësohem hiç për PD-në, e as për Berishën, ajo që më shqetëson është se kjo parti dekadente do të mbahet gjallë për inerci, për forcë të zakonit në këtë lojën “rotacionale” të demokracisë së radhës së qumështit. Fundi i fundit atyre s’u mbetet veçse të presin, në një vend ku ende nuk po duket në perspektivë organizimi i një force politike të majtë, edhe pse potenciali popullor për një event të tillë është aty, në formën e zhgënjimit prej qeverisjeve të deritashme dhe klisheve të tyre integriste dhe europianiste, si edhe në formën e mllefit ndaj një pushteti gjithnjë e më të pasur që qeveris një popull gjithnjë e më të mjerë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 21, 2013 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: