rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Baleti në Kosovë, shumë talent, aspak investim

Përkundër kushteve dhe rrethanave të pavolitshme, arti i kërcimit në Kosovë është zhvilluar deri në njëfarë stadi, por ka akoma shumë për t’u bërë

Leonidë Molliqaj

Hapja e degës së baletit në kuadër të shkollës së mesme të muzikës në Prishtinë ishte një hap shumë i rëndësishëm, por nuk duhej lënë me kaq. Po bëhen trembëdhjetë vite që u hap kjo degë dhe përveç rifreskimit të trupës së baletit, që u bë në vitin 2004, nuk po bëhet ndonjë hap tjetër.

Tani në Kosovë po investohet vetëm në trupën e baletit, por jo edhe në hapjen e shkollës profesionale të baletit. Nuk them se nuk duhet të investohet në trupë, por është një gabim i madh që shkolla është lënë anash. Pas trembëdhjetë viteve të hapjes së degës së baletit, duhej të ishte formuar shkolla profesionale e baletit, ose, të paktën do të duhej të fillonte shkollimi i nxënësve të degës së baletit në kuadër të shkollës së muzikës, që nga klasa e pestë, ashtu siç është në gjithë botën. Mirëpo fatkeqësisht, në këtë drejtim nuk ka zhvillime të reja.

Çfarë po ndodh aktualisht me nxënësit dhe degën e baletit?

Drejtori i Trupës së Baletit në Prishtinë dhe një ndër themeluesit e degës së baletit në kuadër të shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova”, Ahmet Brahimaj, thotë se arsyeja e mosshkollimit të nxënësve të baletit nga klasa e pestë është mungesa e kushteve në shkollën e muzikës. “Në shkollën e muzikës nuk ka kushte për të mbajtur degë të baletit, kështu që,  ushtrimet i mbajmë në teatër dhe nuk na ka konvenu me i sjellë fëmijët e vegjël në teatër se i kishte përngja çerdhes”, thotë Brahimaj. Më tej, Brahimaj thotë se baleti i Kosovës ka kaluar nëpër vështirësi të mëdha, “njëra prej vështirësive kryesore ka qenë viti ’91 kur na kanë suspenduar si Trupë prej Teatrit dhe në njëfarë mënyre është shuar baleti. Kthimi pas lufte na ka shty që të marrim masa urgjente që të shpëtojmë trupën e baletit. Unë kam qenë iniciator bashkë edhe me kolegët që të hapim degën e baletit në kuadër të shkollës së muzikës për arsye që sa më shpejt të dalin gjeneratat e reja edhe ta riformojmë trupën. Tash i kemi deri në 30 balerinë në skenë, nuk janë të gjithë në lista të rrogave sepse ka probleme. Këto janë arsyet domethënëse pse e kemi hapur degën në kuadër të shkollës së mesme, pra hapësira dhe koha”.

Një problem tjetër me të cilin ballafaqohen nxënësit e baletit në Prishtinë është edhe planprogrami, që në të gjitha vendet ku ka shkollë të baletit, është tetëvjeçar. Edhe ky problem vjen nga mosfillimi i baletit që në klasë të pestë. Prandaj, nxënësit dhe mësimdhënësit detyrohen që programin tetëvjeçar ta kalojnë brend katër viteve. I pyetur se me çfarë programi punohet në degën e baletit, meqë është vetëm 4 vite studimi, Ahmet Brahimaj thotë se programin e kanë si e gjithë bota, “vetëm se varet prej pedagogut si e aplikon”, duke shtuar se “Dega e baletit është shumë profesionale, nuk ka balet amator ka vetëm profesional. Ne kemi respekt nga shumë koreografë botërorë dhe kemi punuar me ta. Jemi trupa më aktive në të gjitha vendet ballkanike dhe s’e di qysh kishte me qenë ndryshe profesionalizmi”.

Komuna e Prishtinës dhe përgjegjësitë për degën e baletit

Shefi i Arsimit për Komunën e Prishtinës, Refik Beqiri, thotë se nuk kanë pasur kërkesa për hapjen e degës së baletit nga klasa e pestë, “dhe nuk e kemi menduar ta hapim nga shkolla fillore për shkak se nuk ka interesim nga ana e nxënësve”.

E për hapjen e shkollës së baletit të pavarur nga shkolla e muzikës Ahmet Brahimaj thotë se as nuk kanë provuar të bëjnë hapa në këtë drejtim, meqë, sipas tij, kërkohen investime të mëdha. “Vitin e kaluar e kam dërguar një kërkesë në ministri, e kam dërguar planprogramin për shkollën tetëvjeçare të baletit por nuk janë përgjigjur. Por, sigurisht që edhe ata llogarisin me ndërtimin e objektit të ri të fillojmë nga klasa e pestë”, pohon ai.

Refik Beqiri thotë se Komuna nuk ka bërë përpjekje për të hapur shkollë të baletit sepse, sipas tij, mjafton dega që ekziston në shkollën e muzikës. “Nuk ka as kërkesa për të ndjekur shkollë të baletit nga ana e nxënësve, në këtë degë vijojnë mësimin vetëm talentët e lindur kështu që, mjafton dega në shkollën e muzikës”, thotë Beqiri.

Që nga hapja e degës së baletit në kuadër të shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova”, në vitin 2000, nxënësit e kësaj dege ushtrimet i bëjnë në sallën e Teatrit Kombëtar, dhe këtë gjë e pohon edhe Brahimaj.

Në fund, Brahimaj thotë se problemi kryesor në procesin mësimor është mungesa e hapësirës, “sepse në një sallë ushtrojnë të gjithë nxënësit”. Por, sipas tij, edhe me këtë mungesë të kushteve, Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka arritur të ketë suksese. “Është lodhje, sakrificë por për fat të mirë balerinët e duan profesionin dhe janë të vetëdijshëm që puna i sjell sukseset”.

Në anën tjetër, Refik Beqiri thotë se ende nuk dihet nëse shkolla e re e muzikës do të ketë edhe një sallë të baletit. “Nuk mund të them asgjë ende, sepse nuk e di sa do të ketë hapësirë shkolla e  re”.

Hapësirat e munguara për Baletin dhe balerinët e ardhshëm

Për mungesën e hapësirës flasin edhe nxënësit e baletit. Nita Sllovinja, nxënëse e vitit të tretë, thotë se problemin kryesor gjatë ushtrimeve e kanë sallën, të cilën e përdor edhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe shumë herë, sipas saj, kanë probleme me orarin e ushtrimeve.

Dashuria ndaj artit dhe dëshira për të qenë pjesë e shfaqjeve të baletit, e ka shtyrë Nitën që të regjistrohet në degën e baletit. Por, pavarësisht dëshirës së saj, ajo ende nuk është angazhuar në ndonjë shfaqje. Ndërkohë, një nxënëses së vitit të parë, e cila nuk dëshiron ta bëjë publik emrin, i është plotësuar dëshira që të marrë pjesë në një shfaqje baleti. Ahmet Brahimaj, thotë se nxënësit dhe Trupa e Baletit Kombëtar bashkëpunojnë gjatë gjithë kohës. Baleti Kombëtar, sipas Brahimajt, i bën tre ose katër  shfaqje në vit, dhe nxënësit e dalluar të degës së baletit marrin pjesë në këto shfaqje. Këtë të fundit e pohon edhe nxënësja e vitit të parë, e cila ndihet e lumtur që është në mesin e atyre që u është ofruar kjo mundësi. Ajo tregon se ka marrë pjesë në shfaqjen e fundit të Trupës së Baletit Kombëtar, “Kopelia” me koreograf Ilir Kernin.

Një tjetër problem për të cilin flet Nita, është edhe gjetja e këpucëve të baletit, puanteve dhe e kostumeve të baletit. Ajo thotë se këpucët e baletit dhe kostumet për ushtrime i blenë në një dyqan në lagjen Dardania, por, “është problem për t’i gjetur sepse  nuk ka dyqan të veçantë për kostumet tona”. E në anën tjetër, nxënësja e vitit të parë thotë se nuk e ka këtë problem. “Patikat dhe veshjet e baletit që i përdorim gjatë ushtrimeve i blej në një librari që mban veshje baleti, ndërsa puante unë nuk përdori  për shkak që jam ende në vitin e parë të baletit”, thotë ajo.

Aktiviteti i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës

Balerina e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, Behie Murtezi thotë se falë punës së madhe që ka bërë nuk ndjen vështirësi, edhe pse baletin e ka filluar vonë, pra nga viti i parë i shkollës së mesme. Sipas saj, jo të gjithë balerinët e suksesshëm në botë e fillojnë shkollën e baletit në klasën e pestë. “Kemi solistë botërorë që baletin e kanë filluar nga shkolla e mesme dhe janë shumë të suksesshëm, kjo varet vetëm sa punon dhe sa e do këtë profesion”, thotë Murtezi. Ajo mendon se Trupa e Baletit Kombëtar Kosovës qëndron në një nivel shumë të mirë, “këtë e them edhe duke i marrë parasysh vlerësimet që na i bëjnë koreografët me të cilët bashkëpunojmë, që janë shumë dhe nga e gjithë bota”.

Bashkëpunimi i fundit, sipas Murtezit, ka qenë me koreografin shqiptar Ilir Kerni, në vënien në skenë të baletit “Kopelia”. Murtezi thotë se punën e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës e vlerëson publiku. “Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, ne çdo të enjte japim nga një shfaqje, dhe gjithmonë salla është e mbushur plot, kështu që publiku e vlerëson punën tonë”, thotë balerina Murtezi. Ajo thotë se kanë edhe vështirësi, me të cilat përballen kohë pas kohe, por mundohen që ato të mos ndikojnë në punën e tyre. Murtezi, gjithashtu, e falenderon Drejtorin e Trupës së Baletit, i cili, siç thotë ajo, ka shumë vështirësi, por, gjithmonë e gjen mënyrën për t’i motivuar që të vazhdojnë ritmin e punës.

Si u zhvillua baleti në Kosovë

Në Kosovë  deri në vitet e 1960, arti i baletit ka qenë pazhvilluar. Me ndryshimin e rrethanave politike pas Plenumit te IV (1966), lindi nevoja për krijimin e shprehjeve të reja artistike skenike të shoqërisë sonë. Përgjegjësit e atëhershëm arsimoro-kulturorë krahinorë kanë iniciuar shkollimin e kuadrit përkatës profesional në mënyrë që Kosova ta ketë një trupë profesionale të baletit.

Kështu që, në vitin 1968 arrihet marrëveshja me shkollën e mesme të baletit në Shkup, me ç’rast nën udhëheqjen e pedagoges Tatjana Petrovska regjistrohen 25 të rinj shqiptarë nga Kosova, nëntëmbëdhjetë meshkuj dhe pesë femra: Agim Shala, Rrustem Bajrami, Isa Bajraktari, Jonuz Beqiraj, Jashar Berisha, Enver Berisha, Ahmet Brahimaj, Skënder Domniku, Enver Elshani, Salajdin Kiçe, Gani Loshi, Rrustem Metaj, Elez Nikçi, Abdurrahman Nokshiqi, Hysen Podrimçaku, Rrustem Sellca, Shaban Shabanaj, Gani Loshi, Naim Veliu, Nexhmije Meha, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Sabrie Spahiu dhe Saliha Salihu.

Pas përfundimit të suksesshëm të shkollimit, shumica prej tyre kthehen në Prishtinë dhe në kuadër të Teatrit Popullor Krahinor krahas dramës dhe muzikës, formohet dhe njësia e tretë krijuese, ajo e Ansamblit të Baletit.

Shtatëmëdhjetë nismëtarët e këtij arti te ne pra janë: Shqipe Hoxha, Abdurrahman Nokshiqi, Esma Mulla, Ahmet Brahimaj, Rrustem Sellca, Elez Nikçi, Salajdin Kiçe, Gani Lloshi, Jonuz Beqiraj, Hysen Podrimçaku, Rrustem Bajrami, Rrustem Metaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Skënder Domniku, Shaban Shabanaj dhe Enver Berisha.

Udhëheqës i kësaj trupe zgjidhet Abdurrahman Nokshiqi, dhe kështu fillon epoka e baletit në Kosovë, e një arti më të kultivuar skenik.

Me vonë për shkak të lëvizjeve dhe arsyeve të ndryshme të balerinëve që nuk ishin nga Kosova, u ndie mungesa e madhe për pjesën femërore të ansamblit. Kjo edhe për shkak të mentalitetit të shqiptarëve të Kosovës, sepse baleti në atë kohë për shumë njerëz ishte tabu. Si për çudi, ndërsa trupat e tjera të baletit, në vende të tjera, vuanin nga mungesa e balerinëve (meshkujve) cilësorë, te ky ansambël ishte e kundërta, ngaqë meshkujt kanë qenë më shumtë në numër, se sa femrat.

Kështu, përmes lidhjeve me trupat e tjera të baleteve, arrihet marrëveshja për angazhimin periodik të balerinave nga vendet e ndryshme të Evropës dhe të botës, si nga Anglia: Vanda Ibra, Suzan Lejk dhe Xhoana Xhenkins. Nga Polonia: Joana Andziak, Lidija Tomashevska dhe Ana Stavnjak. Nga Rumania: Lilana Benudau. Nga Beogradi: Vjollca Curri, si dhe nga Filipinet e largëta: Marja Bertlan.

Themelimi i kësaj trupe qe një hap i guximshëm, sa edhe i mirëpritur për shqiptarët e Kosovës në kërkim të shtigjeve të reja të shprehjes skeniko-muzikore. Në rrugëtimin e parë këta të rinj, treguan se mund të ecin krahëpërkrahë me kolegët tjerë balerinë të Jugosllavisë.

Me sakrifica e mund, të përkushtuar në artin e bukur të kërcimit, Ansambli i Baletit pati sukses edhe në qendrat e tjera të Jugosllavisë, dhe festivale, si në: Lubjanë, Dubrovnik, Novi Sad, e të tjerë. Kurse, përfaqësuesit e tij ishin prezentë nëpër seminare e tubime të ndryshme profesionale.

Në vitin 1985, u bë ristrukturimi i trupës dhe shef i saj zgjidhet Ahmet Brahimaj, deri në largimin e dhunshëm nga puna që iu bë punëtorëve shqiptarë (të Kosovës) në fund të viteve të 80 –ta dhe në fillim të viteve të 90 – ta, për t’u rikthyer përsëri në vitet 1999 – 2000.

Veprat e vëna në skenën e Kosovës nga Baleti Klasik dhe vallëzimi

Në skenën tonë janë përgatitur e shfaqur veprat e kompozitorëve  të ndryshëm botërorë, si: Ravel, Shtraus, Gershvin, Çajkovski, e të tjerë, e deri tek autorët shqiptarë si: Rauf Dhomi, Rexho Mulliqi, Akil Koci, Bashkim Shehu, Gazmend Zajmi, Prenk Jakova, e të tjerë.

U krijua një repertor me vepra baleti, si: “Sokoli e Mirusha” (në vitin 1974, me muzikë të Akil Kocit dhe Koreografi të Slavko Pervan), “Halili dhe Hajria” (në vitin 1979, me muzikë të Tish Daisë dhe koreografi të Panajot Kanaçit) “Bolero” (në vitin 1979, me muzikë të Moris Ravel dhe koreografi të Ollga Millosavlevës), “Legjenda mbi ngadhënjimin” (në vitin 1981, me muzikë të Rexho Mulliqit dhe koreografi të Ollga Millosavlevës), “Romeo e Xhulieta” (në vitin 1984, nën koreografinë e Mihaill Bellcik), “Kënga e Rexhës” (në vitin 1983, me muzikë të Akil Kocit dhe koreografi të Franjo Horvat), “Besa” (në vitin 1985, me muzikë të Bashkim Shehut dhe koreografi të Lejla Glluha – Buneta), “Don Kishoti” (me muzikë të Ludvik Minkus, koreografia sipas Marius Petipa), “E bukura More” (në vitin 1987, me muzikë të Rauf Dhomit dhe koreografi të Abdurrahman Nokshiqit),  “Fyelltari” (në vitin 2001, me muzikë të Jean – Noel Francoise dhe koreografi të Oliver Viaud), e të tjera, të cilat patën jetëgjatësi e sukses.

Mungesë të madhe ka patur në koreografët klasikë, të cilët si kuadër ne nuk i kemi, dhe çdoherë është dashur t’i angazhojmë nga jashtë. Në këtë drejtim nga personalitetet e kësaj gjinie është shquar Abdurrahman Nokshiqi – Abi, i cili me sukses ka realizuar disa shfaqje të baletit. Pra, koreografët në bazë të tematikës së baletit, kryesisht janë angazhuar nga vendi dhe Evropa.

Entuziastët tanë të përkushtuar ndaj këtij arti skeniko-muzikor, gjatë këtyre viteve brenda mundësive dhe rrethanave ekzistuese, shpirtërisht janë munduar të japin çdo gjë nga vetja vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e caktuar, të zhvillimit e të krijimit të artit të mirëfilltë të baletit në Kosovë, si dhe ta përhapin atë në masat e gjera. Mund të thuhet, se në këtë aspekt ia kanë dalë, ngaqë kanë ndikuar në interesimin dhe krijimin e balerinëve të rinj, si dhe t’i mbushin sallat me shikues.

Në një periudhë kohore, për shkak të moshës, të mosfreskimit e të mungesës së shkollimit të kuadrit, drejtoria e Teatrit Popullor Krahinor, paksa e pati lënë anash problemin e këtij ansambli, tejet të rëndësishëm për artin dhe kulturën shqiptare në ish – Jugosllavi. Dhe erdhi në diskutim funksionimi i tij i mëtejshëm.

Më e keqja erdhi në kohën e katrahurave politiko – historike, gjegjësisht pas qëndrimit dinjitoz, njerëzor, profesional dhe kombëtar të anëtarëve të tij, kur  refuzuan të luajnë në shfaqjen “Banoviq Strahinja” në vitin 1991, në të cilin “kryetrimi” serb – personazh i shfaqjes në vend që t’i këpusë dhjetëra fezet e turqve, sipas libretit të politikës ditore shoviniste, ishte paraparë që feset të zëvendësohen me qeleshet shqiptare. Kjo ka nxitur revoltë të madhe te balerinët tanë dhe vendosmërisht kanë protestuar e refuzuar të luajnë, për çka me urdhrin e drejtorit të dhunshëm Mirko Zhariq, më 1 tetor 1990, pasoi largimi i tyre me dhunë nga teatri.

Dhe, kështu për një dekadë të tërë pushoi së ekzistuari Ansambli i Baletit në Kosovë.

Pas luftës në vitin 1999 u riaktivizua ky ansambël dhe rilindi baleti i Kosovës.

Përveç kësaj, me iniciativën e anëtarëve të kësaj trupe, në kuadër të shkollës së mesme të muzikës u hap dega e baletit. Kështu që në vitet e fundit kemi një freskim dhe pasurim kuadrosh të gjeneratës së balerinëve të Kosovës.

Si duhet të ishte Shkolla e Baletit në Kosovë?

Krenare Krasniqi (mësimdhënëse – koreografe)

Baleti klasik është një nga zhanret më specialë të artit. Përgatitja për t’u bërë një balerinë apo balerin i këtij zhanri tradicionalisht dihet që fillon në moshë shumë të hershme. Kjo për veçantitë që ka ky lloj i vallëzimit i cili lidhet tepër ngushtë me shkathtësitë trupore, intuitën dhe sintetizimin e këtyre të dyja pra, rezultat intuitiv dhe lëvizje fizike. Si të tilla ushtrimet e baletit duhet të fillojnë, të paktën, nga klasa e pestë në shkollën fillore, pra më së voni rreth moshës 10 vjeç. Kjo traditë është prej shumë vitesh e shpërfillur në Kosovë.

Për ta bërë këtë në degën e baletit në Prishtinë, së pari duhet të kemi hapësirë. Pra, puna më e vogël dhe më e lehtë që mund të bëhet për degën e baletit në Prishtinë, është të sigurohet një sallë tjetër e baletit, e jo nxënësit të ushtrojnë në sallën ku ushtrojnë balerinët e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Dikush do të mund të thoshte se deri tani shkolla e muzikës, në kuadër të së cilës funksionon dega e baletit, nuk kishte hapësira të mjaftueshme  për ta siguruar një sallë të tillë. Por, kjo do të mund të bëhej shumë lehtë nga Komuna e Prishtinës. Kjo e fundit menaxhon Pallatin e Rinisë, në të cilin gjendet edhe një sallë për balet. Pra, sigurimi i një salle tjetër për shkollën e baletit, të ndarë nga Trupa e Baletit, nuk do të donte ndonjë investim të madh, madje nuk do të kishte fare kosto financiare.

Një zyrtar i Komunës së Prishtinës tha se nuk ka interesim aq të madh nga nxënësit për balet, prandaj nuk e shohin të nevojshme zgjerimin e shkollës së baletit apo fillimin e baletit nga klasa e pestë e shkollës fillore. Nuk ka se si të ketë interesim për diçka që nuk ekziston. Mund të thuhet ndoshta, se nuk ka interesim aq të madh për balet nga nxënësit e shkollës së mesme, por kjo është normale, sepse në moshën 14 apo 15 vjeçare muskujt dhe kockat janë të formuara tashmë dhe vetëm ata nxënës që janë të lindur dhe kanë talent të jashtëzakonshëm mund t’ia dalin t’i bëjnë hapjet në këtë moshë. Të tjerët, për të pasur sukses, mësimdhënësit duhet të kenë shumë durim dhe përkushtim që të punojnë me ta për të arritur suksesin e dëshiruar.

Një problem tjetër për Baletin në Kosovë është edhe mungesa e njohurive të tjera profesionale, përveç ushtrimeve të baletit klasik. Një balerin, përveç mësimit të ushtrimeve të baletit klasik, duhet të mësojë edhe historinë e baletit shqiptar dhe botëror, repertorin skenik, folklorin koreografik, vallet historike, duetin klasik, vallëzimin modern, e shumë lëndë të tjera. Është e ditur  që në Kosovë nuk kemi profesionistë që do të mund t’ua mësonin këto lëndë nxënësve, por, kjo gjë do të mund të bëhej në bashkëpunim me Shqipërinë, ku ka mjaft profesionistë të kësaj fushe, të cilët pa problem do të mund të vinin në Prishtinë për të punuar.

Sa për fillim, do të mjaftonin dy apo tre mësimdhënës të vinin nga Shqipëria, sepse disa nga lëndët, përfshirë edhe baletin klasik, do të mund t’i jepnin edhe mësimdhënës të kësaj fushe nga Kosova. Pastaj, balerinët që dalin nga dega e baletit të Prishtinës do të mund të shkolloheshin në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe pastaj të ktheheshin në Prishtinë për të kontribuar në zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë.

Pra, me fillimin e baletit nga klasa e pestë e shkollës fillore dhe me futjen e këtyre lëndëve në kurrikulën e Shkollës së Baletit, do të formohej shkolla profesionale. Për t’i bërë këto, ndoshta do kishte një kosto të caktuar financiare (futja e lëndëve tjera, përveç baletit klasik, sepse sallën, siç u përmend më lartë, për fillim do të mund ta shfrytëzonim pa asnjë kosto financiare), por, e dimë që Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës e keqpërdorin buxhetin për interesa të veta dhe e harxhojnë atë në gjëra shumë më të parëndësishme, e po të ndalnin këto, sigurisht që do të dilte buxhet edhe për artin e bukur të baletit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 27, 2013 nga te Art, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: