rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Apoteoza e punësimit

Arlind Qori

“Punë! Punë! Në shekullin e njëzetenjëtë s’ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza pune.” Të gjithë premtojnë punësim. Fakti që e përdor edhe qeveria tregon që pavarësisht shifrave zyrtare, niveli i papunësisë duhet të jetë i frikshëm. Ajo që mungon nuk është çka tregon gishti i secilës palë ndaj tjetrës, pra mungesa e një plani realist punësimi, por ajo që gishti fsheh, d.m.th. se në çfarë kushtesh punojnë shumica e shqiptarëve sot dhe si ndërlidhet kjo me papunësinë. Meqenëse pothuajse të gjitha punët kërkojnë një pronar mbi krye (operacioni çezarian klasor e ndan domosdoshëm punëtorin nga mjetet e prodhimit), paga, kohëzgjatja, rreziku jetësor e shëndetësor, atrofizimi intelektual, krijimtaria e punës etj, nuk varen nga dëshira e mirë e punëkërkuesit, madje as nga pronari babaxhan, por nga një sistem marrëdhëniesh ekonomike, të cilat në fazën aktuale të zhvillimit të kapitalizmit i përkeqësojnë të gjithë treguesit e mësipërm. E jo vetëm kaq, por prodhojnë brenda fatlumëve të punësuar punësim të përkohshëm, pa të drejta, të keqpaguar deri në zgrip, dhe mbi të gjitha të papunë, e ca më keq, të papunësueshëm.

Në një situatë të tillë, punësimi kthehet në apoteozë, ku njeriu lyp punë si malësori migjenian misrin. Është i gatshëm për çdo gjë, veç për një çikë punë, e cila praktikisht konvertohet në një copë bukë; atë copë që deri vonë e sajonte disi, ku me pak emigracion e ku me një rrjetë social-fisnore. Por kur kriza shthur një pjesë të rrjetës, herët a vonë të gjithë bien në dysheme. Garuesit politikë i premtojnë punësim përmes investimeve të huaja dhe privatizimeve në masë, por deri më tash vendi ynë është pararojë privatizimesh dhe papunësie njëkohësisht. Investimet e huaja jo domosdoshmërisht kanë karakter prodhues, madje shpeshherë (kujto Bulqizën!) shpunësojnë në masë dhe shkatërrojnë edhe pasurinë e madhe minerare në mënyrë të parikuperueshme. Dhe kjo papunësi sistemore jo vetëm që urit të papunët, por edhe tremb fatlumët e punësuar. Madje si rezultat i presionit konkurrues të të parëve, të dytët janë gati të lëshojnë gjithçka, të punojnë më shumë, të paguhen më pak, të jenë më kokulur, të kërkojnë më pak të drejta, të mbyllin sytë përpara shokëve që vdesin apo gjymtohen nga kushtet e punës. Kësisoj, puna kthehet në privilegjin e thërrimeve dhe punësimi në zotin e ri. Në rast se qëmoti utopia karakterizohej nga shmangia e punës, apo liria e vetërealizimi në të, utopia bashkëkohore lyp punë. Shqiptarët e fillimviteve 90 ëndërronin punë më të mirë, të mirëpaguar, me kushte më njerëzore. Shqiptarët e sotëm ëndërrojnë të mbijetojnë, pra thjesht të punojnë.

Ajo që harrohet është se jo vetëm që puna për të gjithë lehtëson kushtet dhe përparon të drejtat në punë, por edhe anasjelltas: punëtorët e mirorganizuar nuk shtrëngohen nga frika e humbjes së punës për të punuar më shumë e për t’u paguar më pak (rrjedhimisht duke nxjerrë të padobishëm bashkëpunëtorët), por duke fituar të drejtën për të punuar më pak, pa ulje page ose me rritje të saj, krijojnë kushtet e punësimit të gjithkujt. Shpenzohet e njëjta sasi e përgjithshme pune, punojnë të gjithë, secili punon më pak, dhe ndoshta paguhet edhe më shumë. Ekuacion i çuditshëm? Jo, nëse preket ca shenjtori i fundit: fitimi. Utopi? Ndoshta, por nga ato pa shenjtorë!

Përballë utopive qëndrojnë distopitë, ose zhgjëndrrat ku çdo ndryshim konsiderohet apokaliptik. Apologjetët e të tashmes rreken ideologjikisht që fajin ta shohin kudo, veçse jo sistemor. Në fillim purizmi konceptual. Në çdo shoqëri kapitaliste që prodhon varfëri e papunësi, për të mos folur për kushtet e punës, tregohet distanca midis kapitalizmit në letër dhe atij real. A thua se sistemet ekonomike janë skica teorike, dhe jo produkte historike?! Kur kjo del huq, faji shihet tek i papuni (për mungesën e punës) dhe te punëtori (për kushtet). Fundja duhet të jetë përgjegjësi e tyre që nuk i zhvillojnë aq shumë imagjinatën dhe vetitë e jashtëzakonshme për të gjetur punë dhe për t’ia dalë. E fundit fare është ideja sipas të cilës, pavarësisht se shumëkush nuk është pronar i asgjëje përveç fuqisë së vet punëtore (që jo domosdoshmërisht i hyn në punë ndokujt aktualisht), vetë kjo fuqi vlen si mjet prodhimi, dhe mbi të mund të punohet apo investohet nga bartësi i saj. Në rast se sipërmarrësi tradicional dallohej prej pronësisë mbi mjetet e prodhimit jashtë vetes, tash që vetja është kthyer në mjet prodhimi, të gjithë jemi pronarë dhe punëtorë të vetes sonë. Mjafton të gjejmë rrugën magjike. Deri më tash, sipërmarrësit më të suksesshëm të vetes janë shitësit e cigareve. Në botë ka edhe punëtorë mushka, të cilët ofrojnë brendinë e trupit të tyre si mjet transporti për lëndët narkotike. Thuhet, por ndoshta janë thashetheme dashakeqëse, se rrugën më të lehtë e ka gjetur njëri që shiti një veshkë; me paratë e fituara luajti në bursë, dhe tani jo vetëm që e zëvendësoi të humburën, por është bërë tregtar veshkash. O burra për Eldorado! E keni brenda vetes!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 20, 2013 nga te Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: