rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Nacionalizmi, patriotizmi, fashizmi

Shënime të shpejta 

Arbër Zaimi

Nacionalizmi është fenomen shumëformësh, mbi të cilin është teorizuar e vazhdon të teorizohet gjatë. Është e vërtetë historike që projektet nacionale nuk mund të shihen si të tilla, përveçse karshi projekteve imperiale. Vetë pyetjes se ç’është kombi (nacioni), do të ishte shumë vështirë t’i përgjigjeshim po të mos kishim parasysh kontekstin e luftërave perandorake për të shtrirë hegjemonitë e tyre ushtarake, ekonomike a kulturoro-informative mbi “zonat që iu interesojnë”. Projektet nacionale kanë lindur prej lëvizjeve anti-imperiale, e në disa raste kanë përfunduar në pikën e nisjes, duke ndezur impulse të reja perandorake.

Shpesh thuhet se kombet lindën në shekullin XIX, prej elitave të ndriçuara politike. Pohimi është tepër simplist. Për të qenë më të saktë do të duhej të analizonim pse, nga çka, e për ç’arsye historike lindën kombet. Siç bën Hobsbawmi, fjala vjen, kur analizon proto-nacionalizmin popullor. Kombet nuk lindën nga hiçi, por nga përpjekja e vazhdueshme e popujve për të ndërtuar sovranitet komunitar, shtete më të lira, më demokratike e më të drejta. Kombet lindën kur u shembën pushtetet absolute, monarkitë, e sidomos perandoritë klasike. Sot thuhet që kombet po shuhen. Natyrisht, “armiku” është i njëjti, janë sërish perandoritë që mëtojnë suprimimin e këtyre formacioneve politike, ose përmes shtypjes së tyre, ose përmes asimilimit (shndërrimit të kombit në perandori). Perandorinë nuk e shqetëson etnia, përkatësia kulturore apo fetare. E shqetëson kombi, pikërisht sepse ky ka rezultuar të jetë një koncept i qëndrueshëm dhe i realizueshëm i ndërtimit të një publiku sovran që i reziston pushtetit imperial, që pavarësohet nga ai, që ndërton konditat dhe terrenin e domosdoshëm për barazinë reciproke në marrëdhëniet ndërkombëtare. Perandoritë nuk e durojnë barazinë.

Konformistët, të përkulurit e përjetshëm ndaj cilitdo “të forti”, e bashkojnë zërin në unison me establishmentin perandorak që riprodhohet në masë, qoftë ndër kanale diplomatike, qoftë ndër kanale mediatike. Konformistët bëhen renegatë të nacionalizmit, e mohojnë atë, dhe thonë se përkushtimit ndaj publikut tek i cili përkasin duhet t’i vënë një emër tjetër, ta quajnë patriotizëm. Se kjo është më e pranueshme. Pse? Mos vallë është e njëjta gjë, por me emër tjetër, sa për korrektesë? Jo. Patriotizmi nuk ka të bëjë me projektin politik të pavarësimit, që përmendëm më sipër. Patriotizmi edhe si koncept edhe si ndjenjë ka qenë i njohur e i promovuar që shumë herët, prej Perandorisë Romake. Nuk është aspak më modern, apo më i emancipuar. Është thjesht më arkaik, më perandorak, dhe mbi të gjitha, individualizues e jo motivues i publikut. Atdhedashuria, si çdo lloj dashurie, është ndjenjë e jo projekt. Si ndjenjë, përjetohet individualisht, e jo domosdoshmërisht dashuria e dikujt mund të koordinohet me atë të tjetrit, qoftë dhe për të njëjtin atdhe. Patriotizmi e lidh ndjenjën me vendin e babës, paçka nëse mund të ngjizet (e shpesh ngjizet) ndër “skllevër bij skllevërish”. Të bësh ndarjen binare mes nacionalizmit dhe patriotizmit (apo atdhedashurisë), si dy anë të së njëjtës medalje, është të jesh në rastin më të mirë i palexuar në historinë e njerëzimit, e në rastin më të keq servil i pushtetit imperial, që nuk na çon përpara drejt shekullit të XXI, por na kthen pas, madje edhe më pas se shekulli XIX. Jo në kuptimin e zhvillimit teknologjik, të kuptohemi, por në zhvillimin e shoqërisë, shpërndarjen dhe lokacionin e pushtetit, lirive, të drejtave, individuale, shoqërore apo ndërkombëtare. Të mos harrojmë se perandoritë, edhe sot, janë ato që më së shumti abuzojnë me këto të drejta. Tabir-saraji madhështor i Kadaresë, po rezulton profetik, në dritën e megaagjensive që ruajnë cilindo komunikim, të cilitdo, për gjithçka. Po ky është muhabet tjetër, e servilë jo vetëm që do të ketë gjithnjë, po ata rrezik do të jenë gjithnjë shumicë numerike.

Natyrisht, nacionalizmin dhe asnjë koncept tjetër nuk mund ta bëjë të vlefshëm thjesht vektori anti-imperial. Në vend se të kundërvëmë nacionalizmin dhe patriotizmin në një farë fraze anakronike dhe alogjike, për ta analizuar më mirë, do të duhej të shihnim për ndarje, për një tension dialektik që ekziston brenda vetë nacionalizmit. Historikisht është shfaqur në një miriadë formash e përmbajtjesh, por prej tyre do të mund të abstragonim dy arketipe të nacionalizmit. Nacionalizmin pushtues, dhe nacionalizmin çlirimtar. Ose nëse duam t’i quajmë ndryshe, nacionalizmin shoven dhe nacionalizmin emancipues. I pari është pjellë e mendimit “realpolitik”, prodhon merkantilizmin, prodhon agresionin, cënimin e reciprocitetit, urrejtjen e fqinjit, asimilimin e minoriteteve dhe në analizë të fundit, prodhon (tentativën për) rikthimin në perandori, prej së cilës fillimisht pretendon shkëputjen – pra përbën ptolemizim të situatës. I dyti jo. I dyti prodhon publik, prodhon hapësirë, prodhon vendimmarrje, llogaridhënie. Çel hapësira, themelon sovranitet, dhe ndërton strukturën e së drejtës. Duke u angazhuar për reciprocitet e barazi ndërkombëtare, në fakt, është pikërisht nacionalizmi çlirimtar ai që themelon po në shekullin XIX atë ide emancipuese që quhet internacionalizëm, e që kurrsesi s’mund të njësohet me globalizmin neoimperial.

Në një botë ku struktura imperiale mbijetoi në forma diku latente e diku jo, pavarësisht goditjeve të forta që pësoi globalisht në dy shekujt e fundit, kombet e krijuara mbi nacionalizmin shoven veprojnë si pjellë e ish-perandorive që mëtojnë të ribëhen të tilla. Ato mbajnë çelësat e pasurisë të grumbulluar qëmoti, me punën e pasuritë e kombeve të skllavëruara. Ndërsa kombet e çliruara, vijojnë rrugën e vështirë të emancipimit, shpesh të etiketuara si “botë e tretë”, “vende në zhvillim”, etj. Ndarja e botës në jug e veri, në lindje e perëndim edhe pse maskohet si ndarje “qytetërimesh”, si përplasje “kulturash”, edhe pse në fakt thjesht reflekton pikërisht trashëgimi duarsh të ndyra. Por rruga e nacional-liberatorëve ende s’është e kryer, nuk i ka ikur koha siç kanë qejf të thonë disa publicistë me pretendime të diskutueshme mbi njohjen e historisë, teorisë ndërkombëtare apo filozofisë dhe ekonomisë politike. Nuk po pretendoj për përjetësinë e nacionalizmit, apo për fetishizimin e tij. Por nacional-çlirimtarizmi do të ketë fundin e vet vetëm kur të vdesë logjika imperiale dhe ajo shovene. T’i kërkosh kombeve të pushtuara apo të kolonizuara që në emër të internacionalizmit ta ndërpresin projektin nacionalçlirimtar përkundër projekteve nacional-imperiale që vijnë nga qendra e pushtetit  (qoftë ky hard apo soft power), është njësoj si t’i kërkosh të mbrohen me lule ndaj banditëve të armatosur, në emër të pacifizmit.

Përveç servilëve të zakonshëm, nacionalizmi kontestohet edhe prej “revolucionarëve të kolltukut”, këtyre pjellave të shtresave të larta, që kujdesen për pamjen e tyre të jashtme prej antikonformisti ndoshta thjesht për të justifikuar një botë të brendshme tejet monotone. Kritika e tyre më e përsëritur është banale: nacionalizmi nuk na qenka ide universale. Së pari, nacionalizmi nuk është ide, nuk pretendon të jetë e tillë. Nacionalizmi është koncept i politikëbërjes, është projekt. Si të tillë mund ta njohim, t’i gjejmë fillimin, t’i parashikojmë fundin. Së dyti, është i rëndësishëm (keq)përdorimi i konceptit të universales. Universalja e zbrazët, ajo tërësisht abstrakte, që nuk i pranon valencat për shkak të frikës nga kundërvalencat, është një universale e mbushur me ankth ekzistencial. Prej kësaj universaleje nuk mund të rrjedhë asnjë aksion a pasojë. Ajo është një pus, rrotull të cilit duhet të kesh shumë ekuilibër, që të jesh në gjendje të ecësh pa rënë. Një universale e tillë është prodhim i këndvështrimit perëndimor – të zhgënjyer prej provave e përpjekjeve në historinë e vet. Natyrisht, parë nga këndvështrimi francez, britanik apo amerikan nacionalizmi nuk mund të jetë projekt emancipues. Këto popuj kanë qenë ose janë perandori, e nacionalizmi shoven që kanë ndërtuar këto megashtete në vend të emancipimit kanë sjellë shtypje, dhunë, varfëri, për kolonitë a ish-kolonitë e tyre, qofshin në formën klasike të kontrollit territorial, qofshin në formën moderne të kontrollit ekonomiko-informativ.

Vetë koncepti i identitetit klasor nuk mbërrin ta gjejë universalitetin e vet në momentin që klasat janë të ndara në kombe, e subalternojnë njëra-tjetrën. Punëtori gjerman nuk do të solidarizohet me punëtorin turk, për sa kohë që mirëqenia e punëtorit gjerman bazohet (edhe) tek mbishtypja e punëtorit turk. Punëtori serb do të vazhdojë të mos solidarizohet me punëtorin shqiptar të Kosovës, sa kohë që tregu i Kosovës mbetet “interes i Serbisë” dhe gjeneron të ardhura për atë vend, që do të thotë sado pak edhe të mira për vetë punëtorin, në analizë të fundit. Që identiteti klasor të gjejë universalen dhe solidaritetin do të duhej që klasat e interesuara t’i kundërviheshin projekteve koloniale e neokoloniale, gjë që është vënë në dukje nga një sërë teoricienësh që janë marrë me emancipimin klasor, ndër të cilët edhe Kautsky apo Gramsci.

Pikërisht perëndimorët e bardhë janë ata që “mbërritën” në përfundimin mendjelehtë se “raca nuk ekziston”. U deshën shekuj skllavërie, në emër të superioritetit racor, u deshën qindra lëvizje emancipuese të atyre që e gjetën unitetin tek raca e shtypur që të bardhët të mbërrijnë në këtë përfundim. Por nëse duket e lehtë ta pranosh këtë konstatim nga ana e të bardhit, pra që “raca nuk ekziston”, nuk është po aq e lehtë të pranohet ky konstatim prej pozicionit më pak të privilegjuar të pasardhësit të të shtypurit. Raca vijon të ekzistojë e të përbëjë një projekt bashkimi për emancipim, qoftë në vendet ku të shtypurit janë pasardhës emigrantësh, qoftë atje ku janë vendas. Është e vështirë të besohet se raca nuk ekziston kur përballesh me vjedhjen e shtypjen shekullore që është bërë bash në emër të racës, e që mund të jetë sofistikuar në formë, po mbetet prezente në thelb.

Me pak fjalë, është e lehtë të thërrasësh për braktisje të nacionalizmit si koncept obsolet, kur je pjesë e një vendi që nacionalizmin e përdor për të shtypur të tjerë. Po nuk është e njëjta gjë kur je pjesë e një populli që i mohohet nacioni, i mohohet barazia si komb mes kombesh, e bashkë me këtë i mohohen një sërë të drejtash politike e publike ndërkohë që nuk i besohen as çelësat e ekonomisë së vet, e as ato të tregtisë.

Është e rëndësishme ta bëjmë dallimin mes programit nacional-çlirimtar të popujve dhe nacionalizmin djathtist të pushtuesve. Këtë e ka vënë në pah ndër të tjerë Leon Trotsky, një revolucionar në praktikë e jo thjesht në studio. Në programin e tij tranzicional, ndërkohë që i bënte opozitë stalinizmit tashmë të aplikuar, ai shkruan: “Kur bujku a punëtori flet për mbrojtjen e atdheut ai flet për mbrojtjen e familjes së vet e të atyre si ai prej armikut pushtues, prej bombave e prej sulmeve me gaz. Me mbrojtje të atdheut kapitalisti dhe gazetarët e tij nënkuptojnë pushtimin e kolonive dhe tregjeve të reja, dhe rritjen e ‘ekonomisë kombëtare’ përmes bastisjes së vendeve të tjera. Patriotizmi dhe pacifizmi borgjez janë tërësisht të rreme”.

Pra s’mund të themi me aq lehtësi se cilido që mbështjell veten me flamur kombëtar na qenka fashist. Edhe aty ka dallime klasore brenda shoqërisë, si dhe dallime të nënvendosjes apo mbivendosjes së shoqërisë ndaj të tjerave. Nuk është njësoj nacionalisti angolez dhe ai portugez, ai algjerian dhe ai francez, ai palestinez dhe ai izraelit, etj. Por këtë “gabim” shohim ta përsërisin rëndom analistë dhe “intelektualë” të sistemit. Me përsiatjet e tyre ata dëshirojnë të na lënë të kuptojmë se destini ynë është të nënshtrohemi, e se ata që ngrenë krye për një pavarësi e sovranitet “normal” të këtij kombi, s’janë veçse fashistë arkaikë. Është e lehtë ta hedhësh fajin tek populli, e sa më i varfër të jetë ai, aq më e lehtë përbaltja.

Në librin që Kristo Frashëri ia kushton studimit të historisë së mendimit dhe lëvizjeve të majta në Shqipëri hasa në një pasazh interesant. Në varrimin e veprimtarit Ali Kelmendi, në Paris, një prej oracioneve u mbajt prej filozofit të njohur francez Henri Wallon. Koha ishte e tillë, dhe Wallon foli për fashizmin. Në fjalimin e tij Wallon bën dallimin mes fashizmit të vendeve të mëdha (Gjermania, Franca, Italia) dhe atij të vendeve të vogla. Ai e përkufizon fashizmin si përpjekja maksimale për desubjektivizimin e popujve. Si të tillë, tek vendet e mëdha këtë impuls, këtë projekt e përfaqësojnë pushtuesit, kolonizatorët e “pacifistët” e njohur – ata që të mbështetur nga pushteti që zotërojnë synojnë të shuajnë subjektet e vogla, shtetet e kombet më të pafuqishme. Ndërsa te vendet e vogla, sipas Wallonit, fashizmin e përfaqësojnë servilët ndaj fashistëve të shteteve të mëdhaja. Tek shtetet e vogla e të pafuqishme fashistët janë gjithnjë kuislingë, ata desubjektivojnë popullin e tyre, e shesin vullnetin politik të atij kombi, në emër të pushtetit personal si puthadorë i senjorit të pushtetshëm prej një vendi të madh.

3 komente te “Nacionalizmi, patriotizmi, fashizmi

  1. Pingback: ARBER ZAIMI: NACIONALIZMI, PATRIOTIZMI, FASHIZMI | Rrethi i Ferrit

  2. shinasi
    17 Korrik, 2013

    z. Zaimi, pergezime. nje shkrim qe me te vertete meriton te lexohet e te diskutohet. i pasur me ide dhe me ide te trajtuara qarte.

    • solnox
      17 Korrik, 2013

      Ju falenderoj z. Rama, tema sigurisht qe eshte e gjere dhe ka vend per shume me shume se kaq.

Lini një Përgjigje te shinasi Anuloje përgjigjen

Të dhëna

Ky zë është postuar më 17 Korrik, 2013 nga te Dialektikë dhe etiketuar me , .