rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Interesi privat, interesi publik dhe shpresa

Visar Ymeri

Në vitin 1999, që nga qershori i hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, dhe i Ushtrisë Çlirimtare të  Kosovës nëpër qytetet e Kosovës, popullit iu kthye shpresa. Askush nuk do ta harrojë kurrë këtë moment. Ky moment na bëri popullin më optimist në botë. Ata muaj të fundit të mbetur të Shekullit XX, dhe vitet e para të Shekullit të ri ishin periudhë mobilizimi, ishin periudhë e asaj shprese që na nxit të ngrihemi në këmbë  dhe të mobilizohemi kolektivisht për ta ndërtuar vendin. Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u kthyen në shtëpitë  e tyre dhe filluan punën për rindërtim. Punëtorët u kthyen në  fabrikat e tyre he filluan punën në sanimin e objekteve dhe makinerisë  prodhuese. Shoqëria ishte këtu e gatshme ta rindërtojë vendin dhe ekonominë. Konstelacionit i mungonte vetëm një element prej atyre të pazëvendësueshmëve. Shteti.

Por shteti nuk erdhi në ndihmë. Dhe për më keq erdhi si ndalesë. Sepse erdhi si privatizim, si tërheqje e shtetit nga përgjegjësia për zhvillim, e jo si ndihmesë që do ta bënte shteti zhvillimor. I urdhëroi punëtorët ta ndalin punën nëpër fabrika, sepse i donte ato të privatizuara. Dhe nga ky privatizim u shkatërrua potenciali prodhues i Kosovës. Mbi 500 ndërmarrje u shitën, prej të cilat shumica dërrmuese si objekte të vdekura, e jo si fabrika prodhuese e me bilanc pozitiv që ishin, dhe 75 mijë punëtorë e humbën vendin e punës rrjedhimisht. Shteti po tërhiqej dhe prapa i linte gërmadhat. Si ushtri pushtuese që për qëllim ka plaçkën e luftës e jo administrimin e territorit.

Ky model i shtetit u nis të ndërtohej nga UNMIK-ut. (Natyrisht këtu nuk po them që UNMIK-u na e paska nisur ndërtimin e shtetit të Kosovës, por që i përvijoi dhe imponoi institucionet administrative për administrimin e vet të përkohshëm, të cilat pastaj e vazhduan punën e lënë përgjysmë si institucione të Republikës së Kosovës.) Ky model i shtetit bazohet në paradigmën ideologjike se shteti i bën dëm ekonomisë, dhe se tregu është ai që di t’i përcjellë më  së miri sinjalet e veta, dhe ta bëjë alokimin e përshtatshëm të resurseve dhe investimeve për ta nxjerrë maksimumin e rendimentit ekonomik. Kështu, thonë këta, ajo që është  e mirë për kompanitë individuale (gjithsesi private pasi që çdo gjë duhet të jetë private) është  e mirë për ekonominë në përgjithësi. Dhe, argumenti vazhdon, kur shteti ndërhyn i shtrembëron sinjalet e tregut dhe e shtrembëron rrjedhën e ekonomisë në përgjithësi duke u përqendruar në projekte ekonomik jo rentabile. Ky postulat na është shitur tash e 14 vjet këtu në Kosovë si një e vërtetë absolute por edhe universale. Pra është  e vërtetë mbi të vërtetën dhe e aplikueshme në secilin vend dhe në secilën situatë. Dhe ky paska qenë modeli që e ka bërë perëndimin kaq të zhvilluar, dhe me këtë mirëqenie që e shohim sot (për të qenë  të saktë që e shihnim herë më shumë  e herë më pak deri në vitin 2008 kur filloi kjo krizë  që nuk po përfundon).

Por ky postulat ideologjik, sikur secili sosh, nuk mund të jetë më larg së të vërtetës. Është pikërisht e kundërta ajo që i ka zhvilluar vendet e zhvilluara. Pra jo tregu por shteti. (Ka një tendencë të vazhdueshme të keqkuptimit të këtij modeli ndër ne; kur themi shteti zhvillimor, nuk nënkuptojmë as ekonomi të centralizuar e as ekonomi pa treg, por planifikim afatgjatë stratregjik ekonomik, rregullim i tregut dhe bashkërendim aktivitetesh ekonomike në  pronësi private apo publike, për zhvillim të gjithëmbarshëm shoqëror e ekonomik.) Ka raste të shumta të zhvillimit ekonomik të drejtuar drejtpërdrejt nga shteti përmes mekanizmave të ndryshëm. Njëri prej këtyre mekanizmave është edhe themelimi dhe menaxhimi i kompanive të caktuara nga vetë  shteti. Rasti i Francës, Austrisë, Norvegjisë, Koresë Jugore, Taivanit, Singaporit, etj., tregojnë shumë qartë që shteti edhe si pronar por edhe si menaxhues nuk është apriori i dëmshëm për zhvillimin. Përkundrazi në këto raste është dëshmuar se ai është i pazëvendësueshëm. Kompanitë me famë botërore në industrinë e tyre kanë qenë kompani shtetërore gjatë tërë kohës sa janë zhvilluar (Renault, Hyundai, LG, Statoil, EDF, etj.).

Interesi strategjik ekonomik i një vendi nuk bartet dot nga kapitali privat. Sektori privat është i domosdoshëm por industrializimi i një ekonomie të varfër dhe pa kapital si kjo e jona është  barrë tepër e madhe po qe se i lihet në shpinë vetëm kapitalit privat. Në kohërat e sotme të financiarizimit të skajshëm të ekonomisë këto investime afatgjata në industrializim po duken edhe më të pamundshme. Logjika e këtij kapitalit të ri global është përfitimi maksimal afatshkurtër. Nevojat për industrializimin e Kosovës janë pikërisht e kundërta e kësaj: investime afatgjata përfitimi nga të cilat nganjëherë as nuk duket në horizont. Këtë nuk do ta ndërmarrë kurrë sektori privat. Këtë do ta bëjë shteti dhe shoqëria, dhe pastaj do të bashkëngjitet kapitali privat. Ose nuk do të bëhet fare. Kjo fjali e fundit është fjali pesimizmi. Pesimizëm demobilizues që vjen nga tërheqja e shtetit. Populli i Kosovës ka rrezik të fillojë të mendoj kështu. Kaq larg nga optimizmi i ‘99. Për kaq pak vjet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: