rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Mbi demonstratat popullore në Turqi

Arbër Zaimi

Ç’po ndodh me revoltat popullore në Turqi, a janë ato një “pranverë turke” e ngjashme me ato të Afrikës Veriore, a është revoltë “të indinjuarish” si në disa vende të Evropës, apo janë shenjat e para të një revolucioni? Protestat e nisura në mbrojtje të parkut Gezi u shndërruan shumë shpejt në demonstrata që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Erdogan, e u shpërndanë si sëmundje ngjitëse në më shumë se 50 qytete të Turqisë. Natyra fillimisht urbane e protestave i ka bërë disa analistë të thonë se kjo s’është veçse një prej shfaqjeve të radhës së diferencave dhe pritshmërive kulturore midis atyre që i veshin vetes etiketa “qytetare” dhe që mbështesin një politikë më liberale, dhe masave të gjera fshatare, konservatore, të cilat përbëjnë bazën e fortë të votave të AKP-së, partisë të kryeministrit Erdogan.

Të tjerë analistë nuk kanë hezituar ta çojnë edhe më tej këtë diskurs identitar “fshat-qytet”, e të vënë në dukje edhe dallimet e supozuara mes protestuesve republikanë “laikë”, dhe qeveritarëve otoman-nostalgjikë, që po implementojnë disa reforma që mund të konsiderohen edhe si njëfarë ringjallje e islamit, të tilla si ndalimi i konsumit të alkoolit pas orës 22:00, lejimi i shamisë për punonjësit e institucioneve publike dhe studentët, ndalimi i disa nuancave të ndezura të buzëkuqit për punonjësit publikë (ndër to edhe për stjuardesat e Turkish Airlines) apo edhe klasifikimi i puthjes në buzë si akt i turpshëm, e për pasojë i ndaluar në ambiente publike. Të tillë analistë nuk harrojnë të thonë se shndërrimi në ligj i këtyre dokeve “myslimane” revolton më shumë pikërisht “qytetarët”, ndërkohë që “fshatarët” e Anadollit të brendshëm, Turqisë lindore e qendrore, i shohin këto ndërmarrje legjislative si konfirmim të vlerave tradicionale të një nacioni që gjenezën dhe historinë e vet e ka deri diku të lidhur edhe me fenë.

Përmes zëvendës-kryeministrit, qeveria e ka zbutur diskursin dhe ka kërkuar falje për dhunën e ekzagjeruar ndaj protestuesve, edhe pse vetë shefi i tij, pra kryeministri bashkë me anëtarë të tjerë të qeverisë e kanë justifikuar dhunën duke vënë në dukje se nëpër protesta janë përzier shumë elementë të së majtës radikale, të opozitës zyrtare (Partia Popullore Republikane, CHP), si edhe shërbime të huaja. Zyrtarët e qeverisë pasi kanë kalkuluar dëmet materiale, mbi 50 milionë euro, nuk kanë harruar të shtojnë se me kaq para do të ishin ndërtuar disa fabrika e do të ishin punësuar shumë njerëz.

Raportimet nga Stambolli tregojnë edhe më shumë se kaq. Sipas pjesëmarrësve në protesta e demonstrata, të cilët komunikojnë me krejt botën përmes tweeter-it, duke e kapërcyer domosdoshmërinë e mbulimit dhe raportimit nga mediat profesionale (pra të censuruara), protestuesit nuk janë aq lehtë të etiketueshëm. Ka mes tyre radikalë të majtë, komunistë, ambientalistë e anarkistë të grupeve e organizatave të ndryshme, të cilët ngrihen vazhdimisht në protesta për një shoqëri më të barabartë e më të drejtë. Por ka edhe grupe aktivistësh myslimanë, djem e vajza me shami, të cilët protestojnë kundër një qeverie që sipas tyre nuk përfaqëson assesi modelin e drejtësisë islame, por që me një mantel “morali fetar” përpiqet të mbulojë reformat e forta neoliberale, privatizimin e egër dhe rritjen e theksuar të pabarazisë – shndërrimin e Turqisë në një shopping center gjigand, ku të pasurit dhe turistët e huaj shijojnë bukuritë natyrore e trashëgiminë kulturore, ndërsa masat e njerëzve punojnë në kushte gjithnjë e më të këqija, për paga tepër të ulëta. Ka midis protestuesve edhe anëtarë të partisë opozitare, CHP-së kemaliste, që nuk ndryshon shumë prej AKP kur vjen puna tek politikat social-ekonomike, por që nuk i lënë pa shfrytëzuar dasitë kulturore dhe identitare kur vjen puna te rrezikimi i pushtetit, të cilin e synojnë vetë. Nuk duhet harruar se pjesë përbërëse e organizimeve protestuese janë edhe sindikatat e ndryshme, të cilat kanë shpallur grevë të përgjithshme javën që shkoi, duke shënuar edhe një rast tjetër të organizimit dhe bashkëpunimit punëtor, që duhet nënvizuar se në Turqi ka një traditë të shkëlqyer e të gjatë, në organizime, protesta, demonstrata e beteja të tjera. Pjesë përbërëse me sa duket janë edhe grupe alevitësh, pjesëtarë të një tarikati sufi që janë shpallur jozyrtarisht si të padëshiruar nga pushteti, e që vetë qeveritarët i kanë quajtur jo rrallë “komplotistë”, “të pafe”, apo “komunistë”. Nuk mungojnë as kurdët, dhe një nga të arrestuarit e parë të përplasjeve ishte Siri Syrja Onder, regjizori dhe deputeti socialdemokrat që para jo më shumë se dy muajve lexoi para qindra mijëra kurdëve në Dijarbakir letrën e armëpushimit me qeverinë, që e kish dërguar nga burgu lideri politik i atij populli, Abdulla Oçalan. Natyrisht, nuk mund të mungojnë as tifozët e futbollit, kemalistë te thekur, mijëra rioshë të veshur me fanellat e Beshiktashit (që ndodhet pranë parkut në fjalë), por edhe mbështetës të Fenerbahçesë dhe Gallatasarajit, duke shënuar një rast të rrallë bashkëpunimi mes këtyre klubeve rivale.

Pra situata është si gjithnjë me e komplikuar se ç’ përpiqen ta shfaqin mediat, e natyrisht që është e pathënshme krejtësisht. Por jo e pa-analizueshme, gjithsesi. Duke i ikur thjeshtësimeve, pyetjes që shtruam në fillim do të mund t’i përgjigjeshim se jo, rasti i demonstratave në qytete të Turqisë nuk është “pranverë turke” në modelin e “pranverave arabe” në Tunizi e Egjipt (nëse ekziston një model i tillë). Nuk është kështu pikërisht për faktin se siç e përmendëm, Erdogan dhe AKP, ndryshe nga Mubarak e Ben Ali, e ka gjithsesi një mbështetje masive në popullsi dhe ka fituar tre herë zgjedhjet bindshëm, pa ndonjë pretendim për parregullsi. Natyrisht fitorja e Erdoganit ka ardhur edhe për shkak të flirtit populist me islamin (por këtij flirti nuk i kanë shpëtuar as produktet e pranverës arabe, pasardhësit e diktatorëve egjiptianë, tunizianë apo libianë), edhe për shkak të “neo-otomanizmit” – vektorit imperial që pretendon të ushtrojë soft-power mbi vende të Ballkanit, Lindjes së Afërme e asaj të Mesme, por mbi të gjitha mbështetja ndaj Erdoganit vjen për faktin se ka funksionalizuar shtetin në të gjitha dimensionet e veta. Problemi i të pasurit të një shteti funksional ndoshta ngjan disi i paarsyeshëm në perëndimin global, e ndoshta nuk gjen shumë jehonë në qarqet liberale, por duhet mbajtur parasysh se në Turqi për vite me radhë ka qenë e vështirë të bëhej funksional shteti e ligji, për shkak të grushtshteteve, për shkak të ndërhyrjeve nga jashtë, si edhe për shkak të pushtetit sipëran të ushtrisë, që përzihej shpesh në politikëbërje.

TURKEY-POLITICS-UNREST

 

Por, në analizë të fundit ky funksionalizim i shtetit ligjor duhet thënë se nuk ka patur të bëjë me shpërndarjen e drejtësisë apo barazisë në popullsinë e Turqisë, përkundrazi. Efekt i këtij shteti ligjor ka qenë pikërisht ndarja e popullsisë në krahina e në bastione, ndarje që burimin e ka ekonomiko-social por shfaqjen e ka kulturoro-identitare. Si rezultat i kësaj ndarjeje është krijuar situata rutinore ku fshatin dhe grupet religjioze i mban e djathta konservatore, ndërsa qytetet i merr partia republikane e qendrës, gjë që shënon pikërisht impotencën e gjermëtanishme të opozitës zyrtare turke ndaj një qeverie të tillë. Opozita zyrtare duke mos mundur të hapë një diskutim përmbajtësor qoftë për ta zëvendësuar, qoftë për ta ndryshuar për mirë aparatin ideologjik që funksionalizon pushteti, hidhet në hendekun e identitarizmit lokalist, e bëhet e pafuqishme në sytë e kujtdo (gjë që edhe më shumë e ashpërson regjimin). Të tillë shembuj shfaqen rëndom sot nëpër botë, duke nisur prej SHBA-ve (ku konservatorët kanë mbështetjen e padiskutueshme të asaj që quhet Bible Belt), e gjer te Shqipëria (ku Berisha ruan si bastion zonat më të pazhvilluara, rurale e malore në veri e verilindje të vendit), apo Kosova (ku Thaçi kontrollon Drenicën kulturalisht e ekonomikisht të varfër e fshatare).

E vërtetë është që së paku një pjesë e protestuesve në Turqi janë të ngjashëm me “të indinjuarit” në vende të ndryshme të Evropës, si psh. në Spanjë apo Itali. Sidomos pjesa më liberale e tyre, ndër të cilit mund të përmendim fjala vjen shkrimtaren e njohur Elif Shafak, tregojnë se si arsyeja kryesore për të cilën janë ngritur në protesta janë të drejtat civile dhe cënimi i stilit të jetesës. Sipas kësaj pjese të popullit, do të mjaftonte një kthesë, një nuancë paksa më libertare dhe “perëndimore” nga ana e qeveritarëve, dhe protestat do të shuheshin. Sipas tyre nëse do të respektohej liria e medias, nëse feja nuk do të bëhej çështje publike, e nëse nuk do të cënoheshin hapësirat urbane pa pyetur frekuentuesit e atyre hapësirave, gjithçka do të qe në rregull. Por prezenca e grupeve të tjera të protestuesve që janë përmendur më sipër, e që nuk etiketohen dot si pjesë e bashkësisë liberal-perëndimoriste, e bën edhe këtë të vërtetë thjesht të pjesshme.

Natyrisht, të vërtetat e pjesshme ndërtojnë mozaikun e të vërtetës së përgjithshme në rastin e Turqisë. Çfarë mund të themi, në këtë moment, është se mospajtueshmëria ndaj qeverisjes neoliberale-autoritare të Erdoganit është në rritje. Po shtohen pakënaqësitë për privatizimin agresiv të ekonomisë, për trajtimin gjithnjë e më të keq të punëtorëve (që gjenden vazhdimisht në një situatë prekariati), për pabarazinë në rritje midis klanit të kapitalistëve të mëdhënj korporatistë dhe shtresës së mesme e asaj fshatare, për trajtimin e pabarabartë të kurdëve apo alevitëve dhe popullsive të tjera, për ringjalljen e nacionalizmit të vjetër imperial që synon të zëvendësojë nacionalizmin republikan të Mustafa Kemalit, për ngjyrimin e politikave shtetërore me elemente religjioze të lëvizjes së Fetullah Gylenit (që po bëhet gjithnjë e më prezente në pushtet – aq sa një libër që denonconte përfshirjen masive të ithtarëve të kësaj lëvizje në forcat e policisë, u sekuestrua dhe gazetari-autor u arrestua) etj.

Një abstragim i rëndësishëm për t’u nxjerrë prej shumëngjyrësisë konfuze të asaj çfarë po ndodh në Turqi është se nëse do të kishte dogmatizëm dhe sektarizëm të pakapërcyer prej secilit grup që ka dalë në protestë, pra po të fokusohej secili në spektrin e ngushtë të pakënaqësisë së vet, s’do të mbërrihej kurrë impakti masiv i demonstratave që tashmë po e shkundin mbarë politikën turke, por edhe më gjerë se aq. Pikërisht ky bashkim, kjo aleancë e gjerë në aksion, ka bërë të mundur një farë suksesi kundër një qeverie që kontrollon dhe manipulon mediat dhe fenë, e që në mbrojtje të vetvetes nuk harron të përmendë rrezikun që vjen prej fuqive të jashtme (rrezik jo krejt i pabazë, duke patur parasysh situatën gjeopolitike por edhe historinë – ama që bëhet tejet i diskutueshëm kur njihen marrëdhëniet pekuliare të Erdoganit me SHBA dhe me Izraelin). Mbi të gjitha kjo aleancë popullore, që përfshin qytetarë e fshatarë, punëtorë e të papunë, tifozë e borgjezë, socialdemokratë e radikalë, ka bërë të mudur rezistencën ndaj një pushteti që nuk heziton të përdorë dhunën dhe armët gjer në fatalitet. Asnjëri prej këtyre grupeve të protestuesve nuk do të mund të mbërrinte sukses të tillë, masiv e këmbëngulës përballë mizorisë nëse fokusi s’do të ishte beteja, por tek dallimet mes të revoltuarve.

Një tjetër përfundim i rëndësishëm ka të bëjë me debatin teorik mbi lëvizjet e revoltat politiko-qytetare, që po e quajmë “spontanitet vs. organizim”. E vërtetë që të tilla organizime masive nisin spontanisht e shpërndahen si sëmundje ngjitëse nga qyteti në qytet e nga lagjja në lagje, e vërtetë që nuk e ndezi zjarrin e parë vetëm një shkëndijë, po dhjetëra shkëndija, ama mbërritja e impaktit të fortë shoqëror, sic po ndodh në Turqi, nuk do të ishte e mundur pa një traditë të gjatë organizative, pa një përvojë të disiplinuar aktivizmi e pune të vazhdueshme (jo vetëm gjatë protestave, por edhe para e pas tyre). Punëtorët, sindikatat dhe organizata politike avangardë në Turqi gjithnjë kanë qenë në gjendje të organizohen në mënyrë efektive në protesta, dhe demonstratat e fundit masive kanë qenë vetëm një muaj para se të nisnin protestat e tanishme, në rastin e Një Majit, në po të njëjtin vend ku nisën dhe revoltat e tanishme, pra në Gezi Park, në sheshin Taksim të Stambollit. Rasti i Turqisë tregon, si për inat të puristëve që kërkojnë një farë “universaleje” ideale paraprake, por edhe për inat të liberalëve postmodernë “urbanë-elitistë” (që këmbëngulin cektësisht në identitarizëm kulturor) se të tilla revolta nuk mund të mbërrihen as thjesht falë spontanitetit, as thjesht falë organizimit, po vijnë si një gërshetim i ndjeshmërive të përkohshme e partikulare, me disiplinën dhe me rrjetin e kultivuar të aktivizmit dhe organizatës politike, që çel hapësirën për përfshirje në vend të përfaqësimit, e kësisoj çel rrugën drejt universales politike që niset nga singularja dhe domosdoshmërisht udhëton përmes partikulares.

E a është ky revolucion? Është ende herët për të folur për këtë, por tani për tani, jo. Është e rëndësishme të ndiqen me vëmendje ngjarjet në Turqi, dhe të analizohen këto ngjarje nga perspektiva dhe rrethanat e vendeve në të cilat jetojmë. Edhe pse mbështetja morale për protestuesit e ka një domethënie simbolike, më e rëndësishmja do të ishte që kjo mbështetje të jetë thelbësore, që pushtetet e Kosovës dhe Shqipërisë të analizohen e të luftohen edhe ato nën dritën e ngjashmërive që kanë me pushtetin në Turqi (apo në vende të tjera), e që lëvizjet popullore e intelektualët gjithashtu të nxjerrin mësim prej një situate që ndoshta është pak më shumë se thjesht sekuenca e radhës në protestat globale kundër neoliberalizmit (që po bëhet gjithnjë e më autoritar në kushtet kur i duhet të ruajë pushtetin pavarësisht krizës që shkaktoi vetë). Erdogan i ka quajtur protestuesit zyrtarisht çapaçulë (si Ilir Meta që i quajti kokëpalarë demonstruesit në Tiranë). Por kjo turmë “çapaçulësh”, nëse mbërrin të organizohet e të qartësojë kërkesat e saj, mund të prodhojë një model të ri, jo-autoritar dhe jo-neoliberal në këtë qendër rajonale, e këto ndryshime do të reflektoheshin menjëherë – pozitivisht – edhe në Shqipëri e Kosovë, ku bizneset “erdoganiste” kanë privatizuar pjesë të rëndësishme të ekonomisë vendase, duke cënuar prodhimin e duke e tregtarizuar këtë ekonomi, që është vendosur qartazi në shërbim të strategjive neoimperiale turke, si ekonomi kliente e dorës së fundit.


13 qershor 2013, botuar tek 
Përballja

2 komente te “Mbi demonstratat popullore në Turqi

  1. gazi
    Korrik 13, 2013

    Deputy Assistant US Secretary of State Philip T. Reeker visited Serbia first and then Kosovo to remind us how important the talks between Serbia and Kosovo are. He reminded the Kosovars that the ones that protested that day in front of the parliament, which resulted in a slight injury to the US ambassador in Kosovo, who was going to attend the parliament in this historical moment, are nothing but “harlequins.” (Wait, isn’t this something like “çapulcu”? Oh my God, Erdoğan is a bad influence for everyone. #direnAmerica)

    http://www.todayszaman.com/blogNewsDetail_getNewsById.action?newsId=320745&columnistId=157

  2. shenimeperkinen
    Gusht 2, 2013

    “Një pjesë e qenësishme e rinisë së arsimuar anembanë Turqisë po udhëheq një lëvizje të gjerë kundër praktikave shtypëse dhe reaksionare të qeverisë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm në atë që e kam quajtuar « rilindja e Historisë »”.

    “Këto janë tipare të asaj që e kam quajtur revoltë e menjëhershme: një prej forcave potenciale të veprimit popullor revolucionar politik – në këtë rast, rinia e arsimuar dhe një pjesë e borgjezisë së vogël rrogëtare – ngrihet, në emër të vet, kundër shtetit reaksionar. E them me entuziazëm: veprimi është i drejtë! Por kur vepron kështu hapet problemi i kohëzgjatjes dhe qëllimit të vetë revoltës. Është e drejtë të veprosh, por cila është arsyeja e tij e vërtetë në aspektin e mendimit dhe për ardhmërinë?”

    Alain Badiou

    http://shenimeperkinen.wordpress.com/2013/07/08/revolta-ne-turqi-e-pertej/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Qershor 20, 2013 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: