rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Zanat postmoderne të malit mediatik

Boiken Abazikarikature

Shtojzovallet, të bardhat, fatmirat dhe nuset e malit janë të gjitha sinonime eufemike që përdoren në gjuhën shqipe për t’iu referuar zanave të malit – krijesa me fuqi të mbinatyrshme – pasi besohej se nuk ishte e udhës që hyjnitë të thirreshin drejtpërdrejtë në emër. Në Eposin e Kreshnikëve shpjegohet se zanat jetonin në thellësinë e pyjeve të maleve të larta, e që fuqinë e tyre e merrnin nga tri Dhi të Egra me brirë dukati (të artë). Ato shfaqen si krijesa femërore me fuqi shëruese, të veshura me fustane nusërie. Njerëzit njëherë e njëkohë niseshin në pelegrinazhe në kërkim të tyre, me shpresën që zanat do t’i ndihmonin. Çuditërisht, cilësitë e mbinatyrshme dhe efektet shoqërore të kultit të zanave na shfaqen në kohën e sotme tek disa krijesa që jetojnë brenda dhe nëpërmjet hapësirës “mistike” të malit të madh mediatik. Ne i njohim këto krijesa të shoqërisë tonë përmes emrave si analistët, opinionistët apo gazetarët e “paanshëm”, të cilët pretendojnë se janë edhe të pavarur. Në këtë shkrim do t’u referohemi këtyre krijesave me epitetin “zanat e malit mediatik”, ose thjesht si “zanat postmoderne”, për të mos i nxehur këto hyjni të epokës së informacionit.

“Zanat e malit mediatik” të shoqërisë tonë janë kryesisht burra që paraqiten si “zana postmoderne”. Njëlloj siç besohej se zanat mitologjike lindnin e përkundnin fëmijë pa kryer kurrë marrëdhënie seksuale, “zanat postmoderne” thonë se janë virgjëresha të papenetruara nga politika, që sjellin në jetë ide dhe që përkundin opinione në gazeta dhe emisione televizive. Sipas “zanave të malit mediatik”, larg qëndrimeve politike ndodhen vyrtytet më të larta e më të pastërta shoqërore. Ato betohen se nuk u jepen epsheve dhe instikteve shtazore të njeriut sepse kanë marrë përsipër një mision tepër të shenjtë: përndritjen e publikut të gjerë. E vërteta empirike me shifra, fakte dhe statistika, analiza e simptomave duke anashkaluar apo deformuar shkaqet dhe historinë, është qumështi që ngjizet në gjirin e “zanave postmoderne”. Zanat e mitologjisë ishin të vështira për t’u gjetur dhe qumështin çudibërës të gjirit të tyre ua jepnin kreshnikëve në 2-3 pika. Kurse “zanat postmoderne” i gjen çdo ditë në media, edhe kur s’i kërkon, duke të plasur fytyrës me dhjetra kova “qumështi” të prishur.

Realiteti shoqëror në të cilin jetojmë  është ndërtuar mbi një sistem ekonomiko-politik të  natyrshëm – ky është besimi mbi të cilin “zanat postmoderne” ngrejnë argumentet e tyre empirike të ashtuquajtura objektive. Etimologjia e emrit zanë lidhet me emrin zë (zani, zëri). Zanat e kreshnikëve këndonin e flisnin me formula magjike, ndërsa “zanat postmoderne” flasin e shkruajnë mbi magjinë vetërregulluese të ekonomisë dhe tregut të lirë. Miti mbi këto “zana postmoderne” thotë se nuk janë me asnjë palë, dhe se janë njëkohësisht mbi çdo palë, lartë në malin mediatik. Ato shpesh duket se kanë neveri për palët, duke i futur të gjithë në një thes. Miti thotë se ato janë neutrale dhe profesionale. Por ç’kuptim ka e drejta për fjalën e lirë, dhe mediat si mali ku do duhej të kultivoheshin frytet e këtij parimi, kur dikujt nuk i lejohet të duket se ka qëndrime, e thënë ndryshe kur nuk i lejohet të shfaqet si njeri? Paanshmëria mediatike nuk ekziston dhe nuk do të kishte asnjë vlerë edhe po të ekzistonte.

Çështja është ideologjike. Gjuha që ne qeniet njerëzore përdorim nuk është kurrë objektive, aq më pak kur flasim për fenomene të ndërlikuara shoqërore që nuk janë formula matematikore. Gjuha që ne përdorim është e mbushur me simbolika dhe është tepër e koklavitur. Ajo është gjithnjë e ndërtuar mbi disa qëndrime dhe parime bazë, të cilat një individ e ka thuajse të pamundur t’i zbërthejë deri në atë masë sa të shprehet në mënyrë objektive. Dhe nëse dikush do të arrinte ta artikulonte një gjuhë të tillë të ftohtë dhe objektive, ai person do të dukej i çmendur, dhe askush nuk do ta merrte vesh. Kjo nuk do të thotë se nuk ka të vërteta objektive, por që ne arrijmë t’i njohim ato gjithsesi subjektivisht. Askush nuk mund të komunikojë në mënyrë objektive pa patur fuqi mbinjerëzore. Këtë mund ta bëjnë vetëm krijesa gjysëm-hyjni e gjysëm-njeri si “zanat postmoderne”.

Miti i vjetër i zanave i paraqiste ato si rojtare të natyrës: bimësisë dhe kafshëve të egra. Dhia e egër është një kafshë shumë e zhdërvjellët, që në mitologjinë tonë është veshur që herët me fuqi mistike, dhe prandaj besohej që zanat e merrinin fuqinë e tyre nga Tri Dhitë me brirë dukati.  Zanat e Eposit të Kreshnikëve janë një kult i ngritur në një shoqëri me një ekonomi të bazuar krejtësisht mbi produktet natyrore. Ky mit i përgjigjej marrëdhënieve të prodhimit të shoqërisë skllavopronare e më pas të asaj feudale, ku mbijetesa e njerëzëve ishte e lidhur ngushtë me punën në prodhimin e produkteve bujqësore, blegtorale dhe me gjuetinë e kafshëve. Në ato kohë shkenca nuk kishte përparuar ende deri në atë nivel sa të zbërthente e të shpjegonte shumë prej ligjeve të natyrës që njohim sot. Për pasojë, natyra vishej me fuqi mistike dhe fetishizohej pëmes kultit të zanës.

Miti i ri i “zanave postmoderne” është gjithashtu një kult që reflekton marrëdhëniet në prodhim të shoqërisë, por kësaj radhe të asaj industrialo-kapitaliste, apo duke përdorur fjalët e Alain Badiou, të kapitalo-parlamentarizmit. “Zanat postmoderne” e marrin fuqinë e tyre nga trinomi qeveri – kapital – media. Të njëjtat kompani të mëdha që harxhojnë me miliona në reklama nëpër media për të nxitur konsumin, financojnë sot edhe milionat e fushatave elektorale të partive politike. Ndërkohë, qeveritarët tanë në pushtet e përdorin shtetin për të rritur mirëqënien e familjeve të tyre dhe të bizneseve që i financojnë, duke privatizuar çdo gjë publike, dhe duke e zhdukur dallimin midis biznesit dhe qeverisë në kurriz të popullit. Por që populli të zbutet e të mos i kundërvihet këtij sistemi, atëherë mobilizohet industria mediatike, ku një rol kyç për ruajtjen e sistemit përmes prezantimit të tij si një zhvillim objektiv dhe natyror e luajnë edhe “zanat postmoderne”.

Ngjashëm me mitin e vjetër të zanave, miti i “zanave postmoderne” i paraqet ato si rojtare dhe promotore të natyrshmërisë së sistemit kapitalist dhe të kafshëve të egra që e kontrollojnë këtë sistem. Ne e pimë qumështin e prishur të këtyre zanave sepse jetojmë në epokën e konsumit masiv. Në këtë epokë dëshirat dhe nevojat e njerëzve fabrikohen nga i njëjti treg që prodhon edhe ofertën dhe vlerësimin e cilësisë, duke të bërë edhe ta pish qumështin e prishur edhe të të pëlqejë. Pa zbërthyer atë që po na ndodh e perceptojmë realitetin të përmbysur me kokë poshtë, duke menduar se janë “zanat e malit mediatik” ato që na përndritin dhe caktojnë vlerat në shoqëri, dhe jo në që u japim atyre vlerë të pamerituar. Por kjo nuk është gjithnjë e lehtë për t’u kuptuar. Fundjafundit, ku ka brirë më të mprehtë, më të fortë, më imponues, më “dukat” e më joshës se brirët e bashkuar të pushtetit, kapitalit dhe medias. Kështu, duke mos i qëmtuar nevojat dhe vlerat tona dhe duke mos e kuptuar që “zanat postmoderne” janë krijuar për të ruajtur me zell kafshët më të egra të para ndonjëherë nga njerëzimi – një pjesë e mirë e pushtetarëve dhe e biznesmenëve të lidhur ngushtë me ta – përfundojmë duke i fetishizuar këto zana, dhe duke jetërsuar pushtetin e tyre simbolik mbi ne.

Zanat dhe analistët e paanshëm janë të dyja krijesa fiktive joreale. Ato nuk mund të ekzistojnë. Ajo që ekziston në realitet janë disa servilë të shpifur të  cilët fitojnë statusin e rremë të analistit të  paanshëm përmes promovimit të qëllimt që u bëhet në mediat kryesore nga ana e pushtetit dhe kapitalit. Sa më parë që t’i identifikojmë e të mos i fetishizojmë, sa më parë që këto krijesa servile ta humbasin pushtetin e tyre simbolik, aq më parë do të mund të kthjellohemi, aq më shpejt mund ta kthejmë në këmbë realitetin e përmbysur me kokë poshtë, e aq më të lehtë do ta kemi ta gjejmë rrugën drejt të vërtetave që kërkojmë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Qershor 14, 2013 nga te Publicistikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: