rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

E kundërta e ligjit dhe çështja gjinore

IMG_2064_[]

Teutë Rrusta

Ligji i punës në Kosovë krijon shumë  hapësira për rregullimin e kushteve të punës dhe punësimit, mirëpo  ai nuk vlen për gjë nëse mbetet në letër. Në një vend ku për plan është eliminimi i publikes duke shitur të gjitha ndërmarrjet, shteti ka përherë e më pak lidhje me qytetarët, dhe rrjedhimisht përherë e më pak mbrojtje të tij. Kjo reflektohet edhe në buxhetin që i ndahet implementimit të këtij ligji.  Pra, ka shpërputhje mes asaj se si është e strukturuar shoqëria dhe asaj që parasheh ligji.

Si shembull pasqyrues mund ta marrim në trajtim vetëm një pjesë shumë të rëndësishme të ligjit, siç është ai për pushimin e lehonisë (neni 49). Me këtë ligj, gratë kanë të drejtë që t’i kenë 12 muaj pushim të lehonisë. Sa i përket pagesës, punëdhënësi është i detyruar që gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë t’i  japë punëtores 70% të pagës bazë. Kjo është edhe arsyeja pse gratë hasin në rezistencë të madhe kur vjen puna tek punësimi në ndërmarrjet private. Në të shumtën e rasteve pyeten nëse janë të martuara apo të fejuara (kuptohet, joformalisht), në mënyrë që ta masin rrezikun se sa janë shanset që të mbetën shtatzënë. Tre muajt tjerë kompensohet nga Qeverisa me 50% të pagës mesatare në Kosovë. Një pagesë e tillë ua vështirëson edhe më shumë gjendjen ekonomike. Gruas i takon e drejta edhe për tre muaj tjerë por pa pagesë. Natyrisht që kjo e drejtë nuk shfrytëzohet për shkak se nuk e përballon dot t’i kalojë tre muaj pa të ardhura, pikërisht në kohën kur i janë rritur shpenzimet.

Si pasojë e privatizimit të çdo gjëje – kemi edhe një lloj të shtypjes gjinore. Seksualizimi i punës  është problem në rritje, ndërsa punësimi i grave është  përherë në rënie. Kjo papunësi vjen si rrjedhojë  e dominimit të ndërmarrjeve private, të cilat, si logjikë  kanë përfitimin maksimal, pavarësisht ndikimit që kanë  në shoqëri, meqë për neoliberalizmin “nuk ka diçka të tillë si shoqëria” (M. Thatcher). Logjika përvetësuese e shfrytëzuese patjetër që bie ndesh me atë kolektive. Tjetërsimi i punëtorit në punë ka edhe një dimension tjetër kur vjen puna tek gratë. Në shumë kompani private gjejmë gratë në recepsion, prezantuese, shitëse nëpër butikë e dyqane, gratë në logon e kompanisë, etj. Përdorimi i grave dhe vajzave si pasqyrë, fytyrë të kompanive është objektifikim i tyre.

Krejt këto mbesin në thellësinë e territ, për shkak se për shumë parregullsi dhe padrejtësi, si gjatë  punësimit, gjatë procesit të punës ashtu edhe kur dikush del nga puna, nuk ka mbikëqyrje e ndëshkim. Sipas një raporti që e kishte bërë GAP-i, në qershor të vitit 2011, del se “inspektorati i punës si organ mbikëqyrës i ligjit të punës ka një numër të pamjaftueshëm të  inspektorëve dhe një mori problemesh që vijnë si rezultat i buxhetit të vogël që disponon”. Pra, kjo nuk na flet vetëm për mungesë fondesh, kjo tregon që kjo Qeveri nuk e ka pas njëmend aplikimin e një ligji të tillë, por e ka bërë sa për sy e faqe.

Ajo çfarë do të ishte mbrojtje e vërtetë  për punëtorët, dhe që do t’i kontribuonte barazisë  gjinore është sigurimi shëndetësor e social, për të  cilin as që bëhet fjalë. Sigurim shëndetësor gëzojnë  vetëm ata  punëtorë që punojnë nëpër kompani me fitim të madh, siç është PTK-ja. Mirëpo edhe në këtë kompani tani është vënë në  rrezik sigurimi për shkak të shitjes së Telekomit nga Qeveria Thaçi.

Sigurimi i shëndetit dhe ai social duhet t’i takonte secilit qytetar, pa dallim. Kjo përveç që do të rriste cilësinë e jetesës, do të ndikonte menjëherë edhe tek punësimi i grave. Sigurimi shëndetësor e social do t’i hiqte barrierat që vënë kompanitë private në punësimin e grave dhe vajzave. Pra, nuk mjafton t’i kemi ligjet e favorshme nëse nuk përcillen me disa hapa konkretë dhe paralelë në vënien e tyre në shërbim të shoqërisë. Tani për tani, ligjet e mira janë përdorur për t’u lavdëruar jashtë vendit apo kur shkojnë të kërkojnë liberalizim të vizave, por jo për çfarë do të duhet të ishin, pra për rregullimin dhe lehtësimin e jetesës së qytetarëve.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Qershor 13, 2013 nga te Gjinore, Publicistikë dhe etiketuar me , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: