rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Ca ide për të transformuar një Republikë ende oligarkike

Le Monde, 6 maj 2013

Intervistuar nga Nicolas Truong

Si ndodhi që demokracia dhe barazia u bënë akse kryesore të hulumtimeve, hetimeve dhe shqetësimeve tuaja politike?

Pierre Rosanvallon: Fillova punë në CFDT (Konfederata Franceze Demokratike e Punës) sapo mbarova në HEC (shkolla e lartë komerciale), menjëherë pas 1968. Në atë kohë fillova të lexoj tepër për historinë e lëvizjes punëtore. Isha lidhur me një botues, Léon Centner, që kishte botuar një koleksion impresionues të qindra pamfletëve mbi ndërtimin e lëvizjes punëtore, të titulluar Revolucionet e shek. XIX në 48 volume. I kisha blerë të gjitha në CFDT dhe isha zhytur në to. E kuptoja që në atë kohë se s’mund t’i kuptonim problemet që na shtronte e tashmja – projekti i vetëadministrimit ishte kryesor në atë kohë – e aq më pak mundeshim të kishim largpashmëri të problemeve. Nga ana tjetër doja të kuptoja fenomenet e entropisë demokratike. Të dija përse strukturat e funksionimit kolektiv nuk ecnin aq mirë sa ç’pritej. Të gjitha këto pyetje mbi organizimin e jetës demokratike, ndërtuan repertorin e parë të studimeve të mia.

Së dyti e kam vendosur theksin mbi tipin e konflikteve sociale të fillim-viteve ’70, konflikte që vizatuan një peisazh të ri sa i përket kërkesave, dhe që ftojnë për t’i riformuluar termat e emancipimit individual e social. Në veprën time të parë “Hierarkia e pagave dhe lufta e klasave”, i publikuar nën një pseudonim, jam interesuar, përshembull, për dallimet e pranueshme në punë. Cila ishte diferenca maksimale e pagës që tolerohet midis një punëtori dhe drejtorit të tij? Si duhej përcaktuar paga minimale? Dhe këtyre pyetjeve iu shtuan ato mbi institucionet e solidaritetit, të kuptimit të kushteve në të cilat ato filluan të delegjitimoheshin në mes të viteve 1970. Këto tri shtylla të punës sime u ndërtuan duke u nisur nga pyetjet që lindën prej eksperiencës sime sindikale, si dhe nga leximet mbi historinë e lëvizjes punëtore. Gjithashtu, edhe prej udhëtimeve që kam bërë për të studiuar kibutzet [formë kooperative në Izrael], apo ndërmarrjet që vetëadministroheshin në Jugosllavi.

Jacques Rancière: Në 1968, pamë të rishtroheshin pyetje të cilat i mendonim të zgjidhura: ç’ do të thotë lëvizje punëtore, luftë klasash etj. Për t’i matur këto, iu futa një kërkimi arkeologjik që shkon gjer në vitet 1830-1840. U vetëdijësova mbi rolin thelbësor të pohimit demokratik në historinë punëtore, larg nga kritika marksiste, sipas së cilës demokracia nuk ishte veç një maskë për shfrytëzimin. Ishte koha kur i gëzoheshim revoltave të egra. Por ajo që më çuditi nga gjithë ky hulumtim është protokolli punëtor, mënyra sesi greva ka lindur historikisht si një ndërtim racional i njerëzve që s’kërkonin vetëm paga edhe kushte më të mira jetese, por që donin gjithashtu të konsideroheshin njerëz që mund të mendonin, flisnin dhe vendosnin. Kjo ka qenë një element thelbësor në konceptimin tim për demokracinë, ky pohim punëtor i kapacitetit për të menduar dhe jo thjesht për të luftuar. Punëtorët pohohen si pjesëmarrës në një botë të përbashkët; ata çlirohen prej identitetit punëtor i cili u është imponuar për të fituar një bashkësi të re, një kolektiv të ri punëtor. Kjo e ka shenjuar konceptimin tim për demokracinë e për emancipimin: ata që janë në anën tjetër nuk kërkojnë thjesht atë që u takon, por gjithë aftësitë e tyre si qenie njerëzore, me gjithë implikimet e mundshme. Isha filozof, por ajo që rezultoi prej librit “Nata e proletarëve” nuk ishte as tezë filozofie, as historie, dhe as shkencash politike. Ishte një pikëpjekje e përveçme, që më detyronte të shkëputesha prej modelit akademik të grumbullimit dhe të trajtimit të informacionit. Tekstet punëtore nuk ishin më një vektor informacioni mbi konditat e punëtorëve, por një mendim, një akt, që më duhej ta përhapja e ta ndaja me të tjerët.

Po a nuk kemi nga një anë intelektualët që mendojnë dhe nga ana tjetër punëtorët e kuadrot që punojnë. Kjo ndarje dhe ky përfaqësim i roleve dhe funksioneve, a është ende jetëgjatë?

P.R. Gjatë vitit 1968 në CFDT mund të gjeje një tip militantësh punëtorë që i ngjanin punëtorëve të viteve 1830 të studiuar nga Jacques Rancière, persona që lexonin tepër shumë. Atëherë zbulova që ekzistonte një jetë e vërtetë intelektuale edhe jashtë jetës akademike. Krijimi i La République des idées [Republikës së ideve] apo La Vie des idées [Jetës së ideve] vazhdon në logjikën e këtij konstatimi, me objektivin për të prodhuar edhe qarkulluar një dije shoqërisht të përshtatshme, e cila e lidhet me eksperiencën.

J.R. Duhet nje gradë e caktuar budallallëku për të luajtur rolin e intelektualit, do të thotë për të supozuar që ka një kategori njerëzish që mendojnë ndërsa të tjerët nuk mendojnë. Kjo lidhet me idenë sipas së cilës njerëzit gjenden të nënshtruar pikërisht meqë nuk e dinë se pse janë të tillë. Por njerëzit nuk kanë nevojë që t’ua tregojmë se pse dhe si ata janë të nënshtruar, ata këtë e dinë shumë mirë. Duke punuar mbi historinë e emancipimit punëtor vërtet që jam vetëdijësuar se problemi i këtyre punëtorëve nuk ishte që të kuptonin sistemin, por që të dinin se a është e mundur një tjetër botë, e a ishin ata të zotët ta ndërtonin.

Një numër i madh intelektualësh na thotë që kapitalizmi që ju keni përshkruar do të tejkalohet nga shoqëria postindustriale, ku mbi kundërshtimin triumfon konsumi. A e jepni dhe ju të njëjtën diagnozë?  

J.R. Kemi jetur për shumë vite me iluzionin se e kemi kaluar kapitalizmin industrial, se jemi në një shoqëri post-fordiste ku puna materiale do të ishte zhdukur dhe bota do të ishte shndërruar në një univers mikroborgjezësh konsumatorë. Por realiteti i kapitalizmit nuk është ai i një shoqërie nga e cila do të avullojnë raportet e dominimit. Përkundrazi, gjejmë forma përjashtimi që mendonim se i përkisnin së shkuarës. Shërbimet shtëpiake, puna e fëmijëve, e skllevërve: janë pjesë e ekonomisë kapitaliste. Tejkalimi i kapitalizmit fordist është shkatërrimi i organizuar i procesit të punës, fabrikimi i një bote ku gjithçka është kurdisur për të ndarë njerëzit, për t’i larguar, që të evitohen gjithë takimet e tyre, e për rrjedhojë lufta kolektive. E kjo është gjithashtu një shoqëri që nuk pushojn së qeni e gërryer prej pabarazive, në kundërshtim me gjithë propogandën për triumfin e barazisë.

P.R. Një epokë e kapitalizmit industrial ka përfunduar në vitet 1970, ajo karakterizohej prej një mënyre të akumulimit të kapitalit dhe organizmit të prodhimit, që vetvetiu prodhonte klasën punëtore. Ishte një kapitalizëm ku procedurat dhe format e standardizuara të organizimit e përvijonin punëtorin. Por është zhvilluar një mënyrë e re prodhimi, që nuk kënaqet thjesht me shfrytëzimin e forcës anonime të punës. Aty ku kapitalizmi i ri mobilizon veçoritë e çdo individi, kapitalizmi industrial përdorte përgjithshmëritë e tyre. Sot, ajo çka prodhon pasurinë nuk është thjesht shfrytëzimi mekanik. Është gjithashtu vleftësimi i të gjitha formave të të përveçmes: krijimtarisë, implikimit, përgjegjësisë. Angazhimi, kreativiteti, autonomia, ja se çfarë e kushtëzon prodhimin modern. Bashkë me format e padëgjuara më parë të dominimit, rezulton një brez i ri personash që nënshtrohen. Me procesin e globalizimit shprehet gjithë heterogjeniteti i formave kapitaliste: pra në shoqëritë tona mbetjet e kapitalizmit fordist, madje ka me raste edhe forma më arkaike, bashkëjetojnë me një kapitalizëm të ri, tepër të zhvilluar. Globalizimi nuk ka vetëm funksionin e shumëfishimit të shkëmbimeve.

A jemi tashmë pjesë e një Europe post-demokratike, siç shprehet filozofi gjerman Jürgen Habermas ?

J.R. Sot na imponohet ideja se problemet që ka bota janë bërë kaq të rëndësishme sa që nuk është më e mundshme që për to t’i besojmë vendimmarrjes popullore. Marrim si shembull votimin e dytë për Kushtetutën europiane: presidenti Sarkozy kishte thënë asokohe që bëhej fjale për diçka tepër serioze e s’mund t’u lihej në dorë francezëve për t’u votuar. S’është thjesht çështja për një rregull kushtetues, ajo për të cilën luhet është raporti mes dy inteligjencave kundërshtare.  Është një thyerje e pangjitshme midis dy botëve.

P.R. Kur Jürgen Habermas flet për tendencën e shpërhapjes së idesë demokratike në format e thjeshta të administrimit dhe të rregullimit, ai zbeh një dimension thelbësor të krizës së demokracisë moderne. Sot është zhvilluar ajo që ne e quajmë qeverisje, një formë e “shpërhapjes” së politikës. Mund të flasim në këtë sens për një depolitizim “teknik”  të demokracisë. Kjo mund të jetë e justifikueshme në disa fusha. Në atë masë që korrespondon, ndonjëherë me nevojën për një rregullim “objektiv”, që limiton politizm-konfiskimin partizan. Por problemi është se nuk ka patur ndonjë lëvizje të kundërt me depolitizimin, ndonjë akt ripolitizimi të mirëfilltë sa i përket problemeve kryesore të jetës në bashkësi. Jemi dëshmitarë njëkohësisht të një erozioni të lehtë të modelit demokratik, që gjithnjë e më shumë gjendet i reduktuar vetëm në momentin elektoral. Problemi është se zgjedhjet, duke u shenjtëruar, përfundojnë në reduktim të esencës së politikës. Sepse jeta demokratike presupozon një hapësirë diskutimi për ndërtimin e së përbashkëtës, në terma rishpërndarjeje, barazie, drejtësie, apo administrimi të diferencave. Dhe vijon çështja themelore e organizimit të pushtetit qytetar që nuk kufizohet në organizimin e një delagacioni, por implikon, në një mënyrë aktive dhe permanente, forma kontrolli, vigjilence dhe vlerësimi.

Cila është natyra e krizës së demokracisë dhe e depolitizimit që po ndodh sot ?

J.R. Sipas meje nuk ka shpërndarje të politikes, por ka një konfiskim, një pronësim qendror nga ana e shtetit. Pyetja është: ç’do të konsiderojmë parësore në vetë idenë e demokracisë? Demokracia, më duket se është para së gjithash, një praktikë që bën të ekzistojë subjektin popullor si të tillë, pavarësisht se populli është përfaqësuar në nivel parlamenti dhe shteti. Demokracia edhe përfaqësimi nuk janë koncepte të lidhura normalisht që prej origjinës, përkundrazi, ata madje janë plotësisht në kundërshti. Duhet ta kemi të qartë se “demokracia përfaqësuese” është një kontradiktë termash, pra s’duhet ta presim rigjenerimin e demokracisë prej procesit elektoral dhe më veçanërisht nga zgjedhjet për Presidentin e Republikës. Institucioni presidencial është një institucion i menduar qartazi si kundërdemokratik, i krijuar ne Francë në vitin 1848 për të përgatitur një kthim te mbretëria dhe i rikrijuar nga De Gaulle-i  për balancuar “kaosin” popullor. Pra, është një institucion monarkik në kurriz të Republikës.

P.R. Nuk mund të ketë demokraci nëse nuk ka ndarje të formave të njohjes, informacionit, nëse nuk ka diskutim të gjallë mbi gjithçka që ndërton një botë të përbashkët. Ringjallja e demokracisë duhet të bëhet sot objektiv parësor, në kushtet e asaj që unë e quaj kundër-demokraci. Të gjithë qytetarët nuk mund të ushtrojnë pushtet, por të gjithë mund të jenë vigjilentë edhe të marrin pjesë në debatin publik.

Kundër-demokracia nuk është e kundërta e demokrasicë, por ajo që i vihet përballë për përplasje. Duhet t’i japim fund iluzionit, dëshirës, që mund të krijojmë një mekanizëm të thjeshtë që do të ishte tërësisht përfaqësues, ku vullnetet e popullit do të transmetoheshin tërësisht tek ndërlidhës transparentë, duke prodhuar vendimet e duhura. Ky është vizion idealist! Duhet pra që të ketë kundër-pushtete, instanca kontrolli, forca rikujtuese e rimarrëse. Nuk është rastësi që në Greqinë e vjetër zgjidheshin po aq kontrollorë sa edhe qeveritarë. Demokracia ka entropi në të gjitha pjesët e saj. Dhe që ajo të ecë përpara duhet të bëhet më e komplikuar e të ndahet përfundimisht nga konceptimi mekanik që në fund të fundit nuk i shërben .askujt tjetër veçse interesave të klasës politike. Kjo duhet të ndodhë edhe pse njëkohësisht demokracia është një makinë që prodhon mosbesim, duke e rritur hendekun midis diskursit dhe realitetit.

Për rrjedhim, përfaqësim nuk do të thotë vetëm të delegosh por t’i japësh jetë realiteteve, e të bësh të njohura ekzistencat. Jetët e patreguara mbeten pa dinjitet. Ekziston një aksion i tërë social që mund të orientohet për të prodhuar një përfaqësim tjetërsoj, ekziston një jetë sociale autonome që mund ta organizojmë për të ringjallur diskutimin, debatin politik dhe demokratik.

Socialistët, që e kanë mbledhur sot thuajse gjithë pushtetin, si janë në raport me krizën e përfaqësimit?

J.R. Nuk ka krizë të përfaqësimit te ne. Ndërkohë që në manifestimet madrilene i thoshin kandidatëve “Ju nuk na përqafësoni”, në Francë pati emocion të madh për zgjedhjet primare brenda Partisë Socialiste, duke rikthyer iluzionin se zgjedhjet presidenciale janë zemra e gjallë e demokracisë, edhe pse presidenti, s’është veçse streha e fundit e monarkisë, e njeriut që e mishëron kolektivitetin brenda personës së vet.  Këto “primaret” e famshme s’janë aspak shënja të “rinovimit të demokracisë”. Nuk ka demokraci nëse këtë e identifikon vetëm si formë të ndarjes së pushtetit, organizuar rreth një sistemi parlamentar apo presidencial.

Demokracia nuk është zgjedhja ndërmjet ofertave, është pushteti për të vepruar. Është pushteti i kujtdo, i atyre që nuk kanë tituj – pasurie, lindjeje, shkence apo të tjerë tituj, që i kualifikojnë për të ushtruar pushtetin. Pushteti i shtetit nuk pushon së reduktuari këtë pushtet. Për këtë arsye është gjithnjë e më shumë e nevojshme pasja e forcave demokratike autonome që kanë axhendat e tyre vetjake, që kanë mënyrën e tyre të ekspertizës, të vlerësimit, të kontrollit për t’i armatosur njerëzit kundër formave aktuale të dominimit. Karl Marx thoshte që kishte pesëqind vjet që shtetet tona nuk ishin gjë tjetër, veçse agjentë tregtie të kapitalizmit internacional. Ishte e ekzagjeruar në kohën e tij, por sot është tepër e vërtetë. Kemi forma të shtetit që janë tërësisht në shërbim të logjikës kapitaliste. S’ka pse presim që partitë që luajnë lojën parlamentare të dalin prej kësaj logjike, sepse është pikërisht kjo që i bën të ekzistojnë dhe janë të paafta të imagjinojnë tjetër gjë. Problemi i demokracisë është edhe problem imagjinate. Ka patur parti punëtore, komuniste apo social demokrate që kanë ditur t’i krijojnë kundër-pushtete pushteteve të shoqërisë kapitaliste, forma ku inteligjenca kolektive ushtrohet intelektualisht, politikisht dhe ekonomikisht. Këto sot janë zhdukur tërësisht. Ne i akuzojmë socialistët tanë se janë social-demokratë, por ata janë shumë më poshtë se kaq.

P.R. Problemi është se socializmi francez nuk ka asgjë social-demokrate në kuptimin autentik që ka termi. S’ka patur atëherë kur duhet të kishte, e tani është shumë vonë. Social-demokracia nuk është vetëm një sinonim i reformizmit, është emri që i kanë vënë një projekti historik të administrimit të përbashkët të shtetit të mirëqenies prej forcave të punës e të kapitalit, e kjo do të thotë organizim i kompromisit mes klasave. Konkretisht social-demokracia i vë fre kapitalizmit dhe riekuilibron raportet mes formave financiare dhe industriale. Ky kompromis mes klasash duhet rishpikur tërësisht në epokën e globalizimit dhe të kapitalizmit inovativ. Në rendin e mirëfilltë politik, nuk shoh asnjë program që të bëjë që gjërat të përparojnë vërtet në këtë drejtim. Ndonjëherë përmbajnë ndonjë reformë të shkëlqyer po këto janë të kufizuara, si përshembull akumulimi i mandateve (cumul des mandats). Duhet parë më larg se sa perfeksionimi i makinës elektorale të përfaqësimit.

Një parti progresiste duhet t’i rikthejë kuptimin demokracisë, duhet të lejojë lulëzimin e të gjitha formave të kundër-demokracisë, të vëzhgimit, të kontrollit edhe të vlerësimit qytetar për të cilin po flasim. Duhet t’i japë jetë shprehjes së shoqërisë dhe mbi të gjitha të vërë në jetë politikën e barazisë, gjë që mizorisht mungon sot në Europë. Është një lloj i ri socializmi që duhet shpikur, një socializëm më së pari promovues i idesë demokratike dhe asaj të barazisë.

Po si ta rigjenerojmë demokracinë pra? A duhet t’i japim fund akumulimit të mandateve dhe profesionalizmit të jetës politike?

J.R. Për ta instauruar demokracinë në funksionimin e shtetit, duhet rimenduar përfaqësimi, dhe i duhet dhënë fund mbledhjeve me më të famshmit e me të përzgjedhurit e lokaliteteve, atyre deputetëve që nuk përfaqësojnë asgjë tjetër veçse interesa partikularë, edhe pse janë votuar për të mbrojtuar ato të kombit. T’i japësh fund akumulimit të mandateve është gjë e mirë, por është i gjithë procesi i atribuimit të këtyre mandateve që duhet rimenduar. I duhet dhënë fund mandateve të përjetshme, madje mandatet nuk duhet të jenë as të rinovueshëm! Demokracia ka nevojë për një rotacion shumë më të rëndësishëm në mënyrë që të ketë sa më pak politikanë profesionistë që të jetë e mundur. Problemi është që reformat e propozuara nuk mëtojnë ta rimendojnë në mënyrë radikale sistemin përfaqësues. Atëherë po, gjithçka që e redukton këtë konfiskim të pushtetit është e mirëseardhur, por përpjekjet për reduktime të tilla janë kaq të vogla, sa që s’mund të presim gjëra të mëdha.

P.R. Profesionalizmi i politikës është një tendencë globale e mërzitshme në demokracitë tona. Një pjesë e mirë e të zgjedhurve të së majtës, gjatë gjithë jetës s’kanë qenë gjë tjetër veçse asistentë në parlament, zyrtarë të partisë, apo rrogëtarë në UNEF (Unioni Kombëtar i Studentëve Francezë). Po si ta luftosh këtë punë? Në fakt ne mund të shpresojmë që të zgjedhurit të rrinë sa më pak kohë nëpër poste, por mendoj që është më efikase të zhvillojmë forma të reja politike post-përfaqësuese, sesa të kemi qëllim një përfaqësim perfekt utopik. Problemi nuk është thjesht t’i përgjigjemi difekteve të institucioneve. Nuk mund t’i zëmë besë vetëm reformave në këtë hapësirë. Një jetë politike dhe demokratike e pavarur e institucioneve elektorale të përfaqësimit është thelbësore.

A duhet t’i rikthehemi zgjedhjes me short?

J.R. Natyrisht që duhet rivënë përzgjedhja me short kudo që të kemi mundësi. Shorti është një teknikë e drejtë për të zgjedhur njerëzit që mbartin jo vetëm aftësi specifike, por edhe aftësi të së përbashkëtës. Dhe duhet rimarrë ideja – për një kohë të gjatë e cilësuar e drejtë edhe normale – e të vënit në pushtet të njerëzve që nuk kanë dëshirë për pushtet apo interesa personalë për ta ushtruar atë. Sot, quajmë normale t’ia japim pushtetin atij që e dëshiron më shumë. Epoka Sarkozy ishte një apotezë në këtë pike! Por duhet të vendosim pak pasiguri në politikë. Partitë që në princip i grupojnë militantët meqë ata jepen njësoj pas asaj ideje të përbashkët që mishëron partia, mund të zgjidhnin shumë mirë me short kandidatët e tyre. Nëse jo, i bie që mendojnë se s’kanë veçse një bërthamë njerëzish kompetentë, e që të tjerët janë idiotë, por në këtë rast kjo duhet thënë hapur. S’bëhet fjalë këtu të dublojmë institucionet elektorale përfaqësuese me institucione pjesëmarrëse. Kjo s’bën gjë tjetër, veçse krijon një tjetër kategori profesionistësh. I duhet dhënë përparësi mekanizmave që prodhojnë anonimin e çfarëdoshëm.

P.R. Hedhja në short është një teknikë e drejtë për të zgjedhur një person çfarëdo, perfekte nëse konsiderojmë që ky cilido është i aftë të kryejë punën për të cilën është zgjedhur (si shembull, juritë penale). Procesi zgjedhor është një mekanizëm përzgjedhës që në mënyrë eksplicite aplikon kritere të zgjedhjes (ekspertizën, kapacitetin për të qeverisur, pozicionimin politik etj). Pra nuk bëhet fjalë vetëm për të dubluar institucionet elektorale përfaqësuese me institucione paralele pjesmarrëse. Qëllimi duhet të jetë  të ripolitizohet ajo që është e rëndësishme në procesin zgjedhor, dhe në të njëjtën kohë t’i jepet përparësi mekanizmave që prodhojnë anonimin e çfarëdoshëm (në çështjet e diskutimit, kontrollit dhe gjykimit). Paraqitet në këtë çështje dhe një problem i “rendimentit demokratik”. Ne nuk e vëmë re sot energjinë e pamasë që duhet të harxhojmë për të arritur ndonjë rezultat brenda një partie politike, për shkak të rivalitetit midis personave dhe rrymave. Personalisht, preferoj ta harxhoj ndryshe energjinë time. Mendoj të kontribuoj së pari për progresin e demokracisë jashtë një partie politike, më shumë se sa brenda saj. Nëse ka ndodhur një profesionalizim i politikës kjo ka ngjarë edhe për shkak se për shumë njerëz investimi që lyp një parti politike ka marrë rëndësi të madhe, dhe sjell përfitime qartësisht në rritje.

Mendoni që e majta në pushtet ka tendencën të braktisë politikën e barazive, si dhe të privilegjojë societalen në dëm të sociales?

P.R. Të vësh societalen kundër sociales, s’bën kuptim. Realiteti është që ka shumë skena të barazisë që mbështjellin të dy dimensionet: skenat e singularitetit, reciprocitetit dhe të komunalitetit. Nuk është rasti të themi se ekziston njëra skenë që duhet t’i përthithë të tjerat. Secila përfaqëson një formë të barazisë, që përkufizohet sipas mënyrës me të cilën e prodhon njëkohësisht autonominë dhe të përbashkëtën. Sepse barazia është aftësia për të jetuar si të barabartë, e kjo jo thjesht si një përkufizim aritmetik, mekanik apo ekonomik i lidhjes sociale. Nëse ideja e barazisë bën regres ndërsa justifikimi i pabarazisë përparon, kjo nënkupton se betejën e ideve duhet ta luftojmë pikërisht në këtë fushë. Një pjesë e madhe e krizës së barazisë vjen nga fakti se pabarazia ka hyrë në kokat e njerëzve. Sidomos përmes teorive të drejtësisë, që janë përqendruar në çështjen e dallimeve të pranueshme mes individëve. Në këtë kuadër bëhen të drejta të gjitha pabarazitë që supozohet se rrjedhin nga angazhimi, nga puna, apo nga virtyti i personave, siç edhe janë të padrejta të gjitha pabarazitë e trashëguara. Problemi është mbi të gjitha se realiteti i riprodhimit të pabarazive është thelbësor. E për më tepër këtu bëhet fjalë për të organizuar një botë të përbashkët, jo thjesht një mbivendosje individësh.

J.R. Barazia duhet marrë e mirëqenë, s’është një objektiv që duhet synuar. Pra, ajo që duhet marrë si e para në radhë është njohja e kapacitetit të njerëzve, që po i quajmë “cilido”, për të ndërtuar një jetë individuale dhe një jetë të përbashkët. Është kjo e para gjë që përshkon atë që e quajmë sociale e societale, këtë çështje të mirëbesimit tek një aftësi që e ndajmë me njëri-tjetrin. Së pari nevojitet të ndërtojmë një botë intelektuale të përbashkët. Kjo s’mjafton, por gjithçka kalon prej këtej, a kemi ne besim në kapacitetin e njerëzve për të prodhuar të përbashkëtën vetë? Ekziston një formë e vendimmarrjes që është parësore në raport me një botë ku pabarazia është menduar si një strukturë normale e gjërave dhe barazia si një strukturë ideale, utopike dhe e lajthitur. Është ajo që vihet në lojë dhe në çështjen e martesave mes homoseksualëve. Gjithë ideja e barazisë sot shfaqet si kundër-natyrë. Kjo gjë e përshkon çdo çështje, jetojmë në një botë ku organizimi i bashkësisë dhe klima ideologjike e krijuar në tridhjetë a dyzet vjet kundër-revolucionesh intelektuale, bëjnë që barazia sot të konsiderohet si një lloj utopie absolutisht e marrë e atyre njerëzve që do të donin njëfarësoj të bënin të mundur që një burrë të bëhet grua dhe një grua të bëhet burrë. Kjo është ajo që luhet përtej çështjes së “martesës për të gjithë”.

Çështja Cahuzac në disa raste është cilësuar si “krizë e demokracisë”. Si dhe sa e shpërfaq kjo çështje të keqen që gërryen besimin tonë tek politika?

P.R. Besimi është i lidhur me mundësinë për të shtruar një hipotezë mbi sjelljen e ardhshme të një personi apo të një grupi. Besimi pra cënohet nga gjithçka që i thyen, ndërpret zotimet, në formën e premtimeve të pambajtura: është problem i gjuhës politike në përgjithësi që vihet në pikëpyetje në këtë rast. Ajo humbet peshë prej çdo shpërfaqjeje të ndonjë loje të dyfishtë, apo të ndonjë poshtërsie strukturore. Problemi është që besimi ndërtohet ngadalë, nga grumbullimi i provave, por shkatërrohet shpejt e brutalisht. Është njëlloj si reputacioni. Për ta zvogëluar mosbesimin duhet gjetur nocioni i përgjegjësisë politike, gjë që do të thotë ta njohësh faktin e fajit të përgjithshëm të atyre që kanë në ngarkim rregullimin e sistemit, edhe pse drejtpërdrejt ata mund të mos jenë “fajtorë”. Në çështjen Cahuzac, për mua është e qarte që Pierre Moscovici duhet të kishte dhënë dorëheqjen.  Sepse një prej zëvendësministrave të tij është fajtor.

J.R. Është komike kur sheh si “krizë të demokracisë” në faktin se një oligark përfiton nga funksionet e veta për t’u pasuruar vetë: çiftëzimi mes pasurisë edhe pushtetit është princip i oligarkisë. Sido qofshin gjërat çështja Cahuzac s’është veçse një dëmtim anësor i sistemit të simbiozës mes pushtetit ekonomik dhe pushtetit etatik që na qeveris. Nga kjo pikëpamje, ata që dëmtojnë më shumë janë politikanët e ndershëm, që ekzekutojnë me duar të pastra politikën e diktuar prej institucioneve të mëdha financiare.

Masat e transparencës dhe të luftës kundër konflikteve të interesit, a ju duken në lartësinë e duhur të asaj që është në lojë?

P.R. Gabohemi nëse e kthejmë transparencën në objektiv dhe në vlerë në vetvete. Nëse transparenca e institucioneve është e pashmangshme dhe duhet zhvilluar në mënyrë të pandërprerë, transparenca e personave duhet të jetë e matur mirë. Konceptimi liberal i botës ngrihet mbi ndarjen e privates nga publikja. Ta ekspozosh jetën private (pra edhe pasurinë) ka kuptim vetëm nëse është mjet i nevojshëm për të garantuar në politikë qëllime si drejtësia (mungesa e konflikteve të interesit), moraliteti (sjellja e personave), apo dinjiteti i funksioneve publike. Por s’janë vetëm faktet, është e rëndësishme edhe përshtypja që kanë qytetarët. Pra shpesh duhen dubluar mekanizmat parandalues për të zvogëluar pandehmat, që janë helm i besimit dhe i demokracisë, e me të cilat ushqehen populizmat.

J.R. Çështja është të dish se çfarë është në lojë. Nëse është fjala që t’i rikthejmë besim imazhit të qeverisësit, këto masa mund të çojnë në një farë efikasiteti. Nëse synimi është që të shkatërrosh autoritetin e fuqive financiare, kuptohet që përmes këtyre masave s’ka asnjë gjasë që kjo të ndodhë derisa, sidoqoftë, qeverisësit tanë s’kanë asnjë qëllim që ta bëjnë.

Përktheu: Dilfirus Vrioni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: