rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Moderniteti Filozofik Gjerman: Anti-Psikologjizmi tek Kanti, Hegeli dhe Marksi

Gent Carrabregu

Filozofia, si ligjërim autonom brenda shkencave humane gjithmonë ka pasur një raport shumë polemizues me fusha të caktuara shkencash humane. Ky raport madje, disa herë është identifikuar aq fort me filozofinë sa është bërë pjesë e pandashme e përkufizimit të identitetit të saj. Kështu, për shembull, të gjithë e dimë historinë e raportit polemik mes filozofisë dhe retorikës. Platoni i grumbulloi të gjithë intelektualët e antikitetit grek, që për dallim nga filozofët nuk besonin në barazinë e mendjeve dhe pranonin pagesë për t’iu mësuar njerëzve artin e të folurit elokuent, në kampin e retoricienëve—sofistëve famëkeqë. Disa prej dialogjeve më të famshme platonike (p.sh., Gorgias, Protagoras) janë të titulluar me emrat e disa prej këtyre sofistëve bashkëkohës të Platonit që kishin bërë emër me artin e tyre. Natyrisht, këto dialogje kishin për synim një kritikë të rreptë filozofike si ndaj artit të retorikës si të tillë, ashtu edhe ndaj mënyrës sesi e kuptonin këtë zanat ushtruesit më të famshëm të tij gjatë antikitetit.

Filozofisë moderne po ashtu, iu desh të  zbulonte kundërshtarin e vet polemizues. Në traditën që  definon modernitetin në filozofinë përëndimore—Idealizmi Gjerman—ky kundërshtar u bë “filozofia” e empiricistëve britanikë (Locke, Hume, Burke). Sipas Kantit dhe Hegelit, empiricizmi britanik, që kishte lulëzuar gjatë Iluminizmit Skocez, nuk meriton të quhet filozofi. Përkundrazi, sipas tyre, ajo që britanikët kishin bërë është psikologji, sado që ata hulumtimet e veta i quanin “hulumtime filozofike.” Edhe Marksi, si zgjatim i Idealizmit Gjerman në fushën e ekonomisë politike, vazhdon këtë traditë gjermane të kritikës së mendimit britanik, duke ndërmarrë dhe ai një lëvizje anti-psikologjike në studimin e ekonomisë politike kapitaliste.

Në fakt, nuk mund t’i kuptosh arritjet më madhore filozofike të këtyre të treve në fushat përkatëse (filozofi e moralit, filozofi e historisë, filozofi e ekonomisë politike) pa e kuptuar anti-psikologjizmin thelbësor dhe parimor të tyre. Për Kantin, Imperativi Kategorik si shpjegim i pikëvështrimit moral ofrohet pikërisht për ta nxjerrë moralin nga pasionet njerëzore me të cilat e kishte lidhur empiricizmi britanik dhe për ta ngritur atë tek arsyeja e pastër njerëzore. Deri para Kantit, filozofia morale kishte formuluar parimin themelor të moralit sipas të famshmit “Rregull të Artë,” i cili diktonte kështu: “Trajto të tjerët ashtu siç do të doje që të tjerët të të trajtojnë ty.” Për Kantin ky rregull është vetë vdekja e moralit, pikërisht sepse e lë atë në mëshirën e psikologjisë subjektive të secilit individ. Çka në qoftë se, pyet me të drejtë Kanti, një individ i caktuar qëllon mazohist dhe e përfill Rregullin e Artë? Morali, sipas Kantit, për të patur ndonjë domethënie objektive, duhet të ketë bazë objektive; e sipas tij e vetmja garancë për këtë është arsyeja njerëzore. Prandaj, filozofia morale e Kantit e lidh moralin pikërisht me racionalitetin praktik njerëzor, të kuptuar si aftësi për t’i dhënë vetes ligjin në pajtim me norma universale. Imperativi Kategorik, në njërin prej formulimeve, thotë: “Vepro vetëm mbi atë parim të cilin do të doje që në të njëjtën kohë të bëhej ligj universal.” Ky test që kërkon korrektësinë e parimit të veprimit tonë tek aftësia e tij për t’u universalizuar e çpsikologjizon tërësisht pikëvështrimin moral sepse e bazon atë në racionalitetin e pastër të njeriut si qenie e lirë: pra në aftësinë e tij për të qeverisur jetën e vet në pajtim me parimin e moskundërthënies.

Në të njëjtën mënyrë, pasardhësit më të drejtpërdrejtë të Kantit—Hegeli dhe Marksi—vazhdojnë çpsikologjizimin e fushave të tjera të shkencave humane duke ia nënshtruar shpjegimin historik arsyes filozofike (Hegeli) dhe ekonominë politike filozofisë materialiste (Marksi). I pari refuzon ta shohë historinë si shkencë që merret thjesht dhe vetëm me përshkrim të aksidenteve historike, me ç’rast ngjarjet e rëndësishme historike duken si aksidente natyrore. Përkundrazi, filozofia ka për detyrë që të tregojë se si dhe pse historia është e mundshme të rikonstruktohet racionalisht si shpalosje gjithnjë e më eksplicite e një norme si liria, e cila është karakteristikë definuese e qenies njerëzore. Marksi, në anën tjetër, të njëjtën logjikë e shtyn të bëjë punë të re: të tregojë se si ekonomia politike klasike nuk mund të shpjegojë historinë e transformimeve të rendeve ekonomike duke u marrë me çështje krejtësisht subjektive të psikologjisë së aktorëve ekonomikë—siç janë, ta zëmë, preferencat e konsumatorëve, dëshira për një produkt, etj. Përkundrazi, pyetjet e mirëfillta të ekonomisë politike mund të adresohen vetëm përmes analizimit të procesit të prodhimit, ku pyetjet themelore kërkojnë të zbulojnë se kush është ai që përvetëson dhe vendos mbi fatin e vlerës tepricë dhe kush është ai që e bën të mundur atë tepricë. Këto janë dy pyetje që kanë përgjigje objektive dhe që mund të na ndihmojnë të mësojmë se me çfarë rendi politiko-shoqëror kemi të bëjmë (skllavopronari, feudalizëm, kapitalizëm, apo socializëm).

Sa herë që mendoj për këtë aspekt të rëndësishëm të traditës filozofike gjermane, më  vjen ndërmend hegjemonia gjithnjë e më e fuqishme sot në  fushat e shkencave humane, ajo e psikologjisë dhe neuroshkencës. Nga përparimi i hulumtimeve shkencore në këto fusha, natyrisht, nuk kemi asgjë të keqe. Por ajo që është për t’u kritikuar është tendenca naive natyraliste që pyetjeve të pastra filozofike tenton t’iu gjejë përgjigje në fushën e psikologjisë a të neuroshkencës. Sot është shumë e modës që të deklarohet e tejkaluar filozofia apo që koncepte kyçe të saj, si liria e vullnetit apo arsyeja e pastër, të quhen iluzione që nuk janë shkencërisht të vërtetueshme. Me këtë rast harrohet që teoria filozofike, ndonëse gjithmonë e kushtëzuar nga gjetjet shkencore, e ruan autonominë e pyetjes së vet. Naiviteti natyralist që është në modë sot nuk mund kurrsesi të zhbëjë këtë autonomi dhe argumentet më të mira për këtë na i kanë ofruar pikërisht treshja gjermane e filozofisë moderne—domethënë Kanti, Hegeli dhe Marksi.

Dhe kur jam tek kjo temë, si studiues i mendimit filozofiko-politik të Ukshin Hotit, ajo që më vjen ndërmend pashmangshëm është se sa i ndryshëm do të  kishte përfunduar mendimi politik e shoqëror i Hotit sikur ky të  ishte regjistruar si student në fakultetin e psikologjisë në Zagreb, ku kishte dashur të vazhdonte studimet fillimisht, por ku kishte dështuar të kalonte provimin hyrës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 10, 2013 nga te Shkencë dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: