rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Punëtorët shqiptarë dhe Fantozzi

Arbër Zaimi

Edhe pse ky shkrim do të botohet ca ditë më vonë, tash që shkruaj është Një Maj, datë e ngarkuar nga simbolika të forta e nga interpretime të ndryshme. Duke vështruar rrugët e qeta të vendit tonë, mund të mendosh se jetojmë në një shtet të punëtorëve, ku ata vetë qeverisin e për pasojë nuk kanë nevojë të protestojnë. Ose mund të mendosh se punëtorët janë vetëdijësuar për mbisimbolifikimin e kësaj date, dhe protestojnë çdo ditë tjetër të vitit kundër shtypjes, ama në Një Maj jo, për inat të atyre që kujtohen për ta veç një ditë në vit. Por fatkeqësisht e dimë që nuk është asnjë prej dy varianteve më sipër. Arsyeja pse rrugët janë të qeta në Një Maj është thjesht sepse shtypja e shfrytëzimi klasor janë bërë hegjemonike, si pjesë e një ideologjie të individualizmit ekstrem, të përqafuar nga elitat, mediat, shoqëria civile e shkollat, të përcjella jo rrallë nga feja e nga familja. Është kjo ideologji individualizuese që e ka shndërruar shqiptarin e varfër në një Fantozzi, një punëtor të pafat në punë e në jetë, që asgjë s’ka të sigurt, që abuzohet me arrogancë nga kushdo që i kalon afër, që s’ka besim asgjë te vetja intelektuale apo fizike, që familjen e ka si strehë të fundit po jo për t’u shpëtuar fatkeqësive se sa për t’u bërë shkaktar i tyre. Pre e individualizmit të shpërndarë nga një tufë priftërinjsh neoliberalë, punëtorët e të papunët e varfër shqiptarë, kush më shumë e kush më pak, janë bërë të gjithë si Fantozzi, ky personazh i kinemasë italiane që shpërfaq pikërisht atë mjeranin që s’do të gjejë kurrë forcë të kundërpërgjigjet apo të organizohet, atë varfanjakun që nis të sillet e të mendojë si borgjez i vogël, edhe pse në fakt është tepër-tepër i vogël për të qenë i tillë. Merita e filmit dhe e personazhit është sepse tregon të vërtetën, punëtori, punonjësi, i papuni, i varfri – nuk janë heronjtë virilë të epikave revolucionare, nuk janë toreros hemingwayanë. Përgjithësisht ata gjithnjë kanë qenë kështu, po t’i marrësh një nga një, të goditur nga fatkeqësia e bartjes mbi shpatulla të gjithë hierarkisë së shoqërisë. Mbi ta gjithçka, e nën ta veç pasardhësit e tyre, destini i të cilëve është abuzimi, qysh prej lindjes (jo më kot latinët i quanin këta njerëz proletarii, ata që nuk zotëronin asgjë tjetër pos fëmijëve të tyre)

Në këtë shkrim me termin “punëtor” po quaj atë që aktualisht punon dhe s’është pronar, por edhe atë që ka punuar dikur e tash është në pension, apo atë që po pret ende të punojë por s’ka mbushur moshën. E natyrisht, edhe atë që është i papunë, por i ka nxjerrë krahët e vet në treg të punës, qoftë ky treg te partizani i panjohur, te zyrat publike apo agjensitë private të punësimit, te intervistat për në sektorin terciar, apo te llotaritë për të shkuar në Kanada. Të gjithë këta, po i quajmë punëtorë dhe pavarësisht ideologjisë liberale që përmendëm më sipër, këta kanë më shumë të përbashkëta se sa dallime. Theksimi i dallimeve në rrogë, profesion, prejardhje, kulturë ka për synim t’i mbajë këta njerëz të lidhur fort me identitetin e tyre fantozzian, por duhet ndërgjegjësim për të përbashkëtën që të mund të shfaqet në horizont ndryshimi.

Le të flasim për të përbashkëtat. Punëtorët shqiptarë, të gjithë bashkë, janë të shtypur dyfish. Është shtypja e brendshme, ajo klasikja e identifikuar prej marksistëve, prej elitave dhe hegjemonisë brendashtetërore, por është edhe shtypja globale, e ushtruar prej vektorëve imperialë dhe korporativë mbi shtetet gjysmake, si puna e Shqipërisë dhe Kosovës. Të dyja këto shtypje gjurmën më të rëndë e lënë tek punëtori, edhe pse kanë efekte në gjithë shtresat shoqërore. Asnjëra prej tyre nuk mund të jetë e para, apo më e rëndësishmja, të dyja janë të gërshetuara bukur mirë, dhe kur pranohen, pranohen të dyja, e nëse kundërshtohen, kundërshtohen bashkë.

Ndërkohë që s’mund të refuzohet potencialisht mundësia e organizimit spontan kundër shtypjeve në fjalë, spontaniteti masiv është i rrallë, rastet e popujve që dalin në shesh vetvetiu, të ndriçuara prej një ekzaltimi çlirimtar numërohen me gishta në historinë e tyre. Nga ana tjetër, edhe organizimet elitare e intelektuale, revolucionet “top-down”, si ai kemalist në Turqi ndodhin po aq rrallë e nuk kanë recetë të përgjithshme. Një mendje e shëndoshë politike do t’i përfshinte në koncept që të dyja, spontanitetin dhe organizimin, në përpjekjen për ta bërë fantozzin punëtor e për pasojë qytetar, për ta politizuar atë.

Elita politike aktuale nuk synon pushtet të punës, por të mos-punës. Puna në fizikë është e barabartë me forcë herë lëvizje (distancë). Ndodh që partitë aktuale kanë forcën, e jo rrallë bëjnë edhe një farë lëvizje, po siç dëshmojnë njëzet e kusur vjetët e fundit, gjithnjë kthehen në pikën fillestare. E kjo e bën punën të barabartë me zero, pasi distanca është sërish zero. Shkurt muhabetit, sillen në një vend, bëjnë një vrimë në ujë me politikat e tyre, sepse iu intereson status-quo. A nuk është momenti zgjedhor i 2013 njësoj me atë të 2005. A nuk është Berisha e keqja e madhe siç ishte Nano e keqja e pambërritshme? A nuk janë akuzat morale dhe jo ato politike thelbi i fushatës (gjë që dëshmon se politikisht s’ka dallime)? A nuk ka sërish akuza të njërës palë ndaj tjetrës se “po i vjedh programin”, gjë që tregon se programi s’paska asgjë aq të ndryshme sa të mos e bëjë dhe pala tjetër? Në fakt kjo elitë është produkti më i dëmshëm i neoliberalizmit, është shkrirje (fuzion) i pushtetit politik me pushtetin e kapitalit. Të njëjtat interesa përfitimi sundojnë njërën palë apo tjetrën, e i shndërrojnë këto parti në parti të mos-punës, sepse forcën e kanë po nuk kanë lëvizjen.

Në anën tjetër ka subjekte që kanë lëvizjen (konceptin, vizionin dhe idenë për të), por që mbyten në dogmatizëm, e nuk mbërrijnë kurrë të ndërtojnë forcën (organizimin), e për pasojë sërish nuk bëjnë punë (për çështjen e punëtorëve të shtruar më sipër. Të tilla forca ose përqendrohen vetëm kundër shtypjes së jashtme (imperializmit neoliberal), ose vetëm kundër shtypjes së brendshme (servilëve lokalë të ambasadave). Fiksimi i tyre me ruajtjen e “virgjërisë” doktrinore i mban larg punëtorëve të fantozzizuar.

Sot tregu i lirë është një parajsë demokratike, ku kushdo bën ç’të dojë, zgjedh ç’të ketë qejf, brenda ligjit. Ama kjo demokraci mbaron aty ku mbaron tregu, mbaron në vendin e punës (qoftë kjo në bujqësi, ndërtim, manifakturë, industri apo shërbime), mbaron në politikë (qoftë kjo kombëtare apo ndërkombëtare). Detyra emancipuese bie pikërisht në demokratizimin e punës dhe të politikës. E kjo s’mund të ndodhë përpos duke angazhuar ushtrinë e madhe të punëtorëve, të ish-punëtorëve dhe të atyre që ende s’kanë gjetur punë. Kjo nënkupton në radhë të parë organizim e në radhë të dytë politizim i tyre, që të dalin prej gjendjes së tashme, që të zgjohen prej zombiefikimit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 8, 2013 nga te Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: