rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Mbi organizatën, anëtarë apo aktivistë

Dardan Molliqaj

Shumë shpesh krijohet përshtypja se organizimi është i ndarë nga koncepti politik. Fakti që ke një koncept të drejtë nuk do të thotë aspak që do të kesh edhe një organizim të mirë dhe të fuqishëm. Po ashtu organizimi i mirë dhe i fuqishëm, nëse nuk është i ndërtuar mbi parime dhe vlera, mund të jetë shumë i rrezikshëm për vetë konceptin.

Është shumë e rëndësishme sot të diskutojmë mbi organizimin tonë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Koncepti jonë politik është shumë i drejtë, dhe aktualisht i vetmi që ofron alternativë për zhvillimin e vendit. Por rrezikon të mbetet vetëm një koncept i mirë dhe i drejtë, thuajse utopik, nëse nuk do të pasohet edhe me një organizim të mirë dhe të fuqishëm.

Dëshiroj ta shtroj për diskutim një temë shumë të rëndësishme mbi organizimin tonë, një temë që ka të bëjë me debatin se a duhet të synojmë më shumë rritjen e anëtarësisë (zgjerimin sasior) apo forcimin e aktivistëve (thellimin cilësor). Është një diskutim shumë i vjetër mbi debatin se ku duhet të fokusohet një organizatë, në rritjen e saj sasiore apo atë cilësore. Ajo që unë po e theksoj këtu me togfjalëshin “anëtarësi cilësore” nuk ka të bëjë me shkollimin formal të anëtarit, por me atë se sa një anëtar e ka kuptuar, përvetësuar konceptin dhe programin e organizatës, dhe sa  është në gjendje ta riprodhojë atë – pra sa aktivist është. Ky diskutim i vjetër mendoj që është shumë aktual edhe sot, sidomos për organizimin tonë. Në organizimin tonë këtë dallim formalisht e bëjmë përmes ndarjes në statutin tonë të kategorive të anëtarëve dhe aktivistëve. Tash e tutje këtij dallimi do t’i referohemi me këto dy etiketa, pra anëtarë dhe aktivistë.

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbi 15 mijë anëtarë të pajisur me karta anëtarësie. Për mendim tim ne jemi sot një organizatë me shumë anëtarë, por aktivistët, pra pjesa e avancuar cilësisht, është disi më e vogël (dhe kjo është e kuptueshme). Një pjesë e anëtarësisë sonë ende nuk e ka kuptuar dhe as nuk e ka përvetësuar sa duhet konceptin dhe programin tonë, e ca më pak kemi anëtarë që janë në gjendje ta riprodhojnë atë. E them ketë sepse ndodh që qytetarët, kur vijnë për t’u anëtarësuar në Lëvizjen tonë, jo rrallë e bëjnë këtë të shtyrë nga dëshira e mirë, nga atdhetaria, nga nevoja për ndryshim apo edhe nga irritimi me forcat e tjera. Por shpesh ata e njohin programin dhe konceptin tonë vetëm prej së jashtmi, e edhe kur anëtarësohen, e pranojnë këtë program vetëm formalisht. Kjo mund të jetë normale në forcat e tjera politike, por jo tek ne. Pranimi vetëm formal i programit tonë nga qytetari, pa e kuptuar dhe përvetësuar atë, jam i bindur se nuk do të kontribuojë në ndërtimin e një organizate të fuqishme dhe mbi të gjitha një organizate që ka frymë bashkësie dhe e cila bazohet në parime dhe vlera – se kjo është një prej gjërave që e bëjnë Lëvizjen tonë risi në skenën politike shqiptare, e jo përsëritje të rutinës së mërzitshme në Prishtinë, apo edhe në Tiranë. Nëse qytetari i bërë tash anëtar identifikohet vetëm formalisht me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, atëherë e ka të vështirë që të ndihmojë për ta shtrirë organizatën në vendin ku banon dhe punon.

Pra nëse na kënaq vetëm zgjerimi sasior, atëherë anëtari ndoshta nuk do të jetë në gjendje ta shtrijë konceptin tonë të qytetarët me të cilët jeton dhe punon. Kurse aktivisti është ai që e ka kuptuar dhe përvetësuar konceptin dhe programin dhe është në gjendje ta riprodhojë atë. Aktivisti për një kohë shumë të shkurtër mbërrin ta shtrijë organizimin dhe konceptin tonë në vendin ku banon dhe ku punon, dhe sigurisht që ai do ta shtrijë konceptin tonë edhe të anëtaret e rinj që do të anëtarësojë. Kështu do të kemi një zgjerim jo vetëm formal e sasior të organizimit por mbi të gjitha ky zgjerim do të jetë konceptual dhe i qëndrueshëm.

Shumë lehtë mund të krijohet përshtypja që faji qenka tek vetëpërcaktimi i qytetarit për të qenë anëtar, e jo aktivist, apo tek një lloj përtese apo pasiviteti – e kështu mund të duket se struktura jonë po përpiqet ta hedhë fajin diku jashtë vetes. Por thirrja që unë po bëj në këtë moment është që ne si Lëvizje në të gjitha nivelet tona organizative të kemi një qasje që nuk synon thjesht rritjen e anëtarëve, por në radhë të parë synon shndërrimin e anëtarëve në aktivistë.

Një organizim i tillë është i domosdoshëm për lëvizje që synojnë transformime socio-politike në një vend si yni. Jam shumë i bindur që Kosova ka nevojë për një transformim të tillë.

Regjimi gjithnjë i përdor si mjete policinë, mediat e kontrolluara, paranë publike dhe grupet mafioze për ta mbajtur pushtetin. Ndërsa rezistenca e ka vullnetin dhe konceptin e drejtë politik si mjete për t’u ballafaquar me të. Prandaj pushtetin mundemi ta mundim vetëm me aktivistë të cilët e kanë përvetësuar konceptin dhe programin. Koncepti dhe programi pa organizim të fuqishëm rrezikon të mbetet vetëm një ide e mirë në letër. Një organizim i papërshtatshëm rrezikon ose ta pamundësojë realizimin e konceptit ose ta stërkeqë atë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 27, 2013 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: