rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Brukseli dhe multifytyrat e ndarjes etnike në Kosovë

Arbër Zaimi

Krijimi i një entiteti territorial serb brenda Kosovës? E ku përfundoi vallë ajo ëndrra evropiane për Kosovën multietnike? Të lodhur prej gabimeve që po i palosin sërë-sërë në historinë e re, njësoj si në të vjetrën, pushtetmbajtësit e Brukselit po i dorëzohen pasioneve territoriale (e shovene) të qeveritarëve serbë, dhe janë veç një hap larg shndërrimit të Kosovës në një Bosnjë të re, përmes legalizimit të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, që formalisht do të quhen asociacion/bashkësi e komunave serbe në Kosovë e që me ç’duket do të kenë kompetenca të shtrira edhe mbi disa elemente që do të duhej të ishin atribute të shtetit.

Kështu, shqiptarëve që pranuan multietnicitetin në fjalorin e tyre politik e në praktikat e tyre institucionale, u dëshmohet tani se sa absurd ka qenë ky pranim. Por kjo nuk dëshmohet prej vetë shqiptarëve, që duke qenë shumicë dërrmuese në Kosovë (mbi 92%), e duke banuar në një nga zonat më homogjene kulturalisht sa i përket Ballkanit do të ishin të interesuar ta dobësonin e ta rrënonin konceptin e multikulturalizmit. Multikulturalizmin paradoksalisht priren ta braktisin të parët ata që pritej të ishin garantët e tij, ata që ishin dikur imponuesit e tij, pra ndërkombëtarët. Me kërkesën e atyre që janë në fakt përfituesit më të mëdhenj prej multikulturalizmit në Kosovë, minoritetit serb.

E njëjta logjikë funksionon edhe për Pakon e Ahtisarit apo Kushtetutën e Kosovës. Pikërisht ata që i imponuan këto marrëveshje, madje duke i paraqitur edhe si “lëshimin e fundit”, si kompromisin final dhe të domosdoshëm të shqiptarëve në Kosovë, sot janë gati që të shkelin edhe sipër tyre, për të bërë lëshimin e radhës, në emër të kompromisit “të ri e të pashmangshëm”.

Por, asgjë nuk duhet të na habisë. Për sa kohë pushteti në Kosovë e në Shqipëri vijon t’i servirë popullit një ideologji supremaciste, sipas së cilës ne qenkemi më të mirë se tjetri, më të mirë se serbët, e prandaj jemi tolerantë dhe lëshojmë pe – kjo punë kështu do të vazhdojë. Serbët janë më pak se 80% në shtetin e tyre, e prapëseprapë nuk pranojnë të shpallen republikë multietnike. Serbët kudo që ndodhen kërkojnë as më pak e as më shumë se autonomi republikane e nuk pranojnë të jenë minoritet, si në rastin e Bosnjës (Republika Srpska), ashtu edhe në të Kroacisë (Republika Serbe e Krajinës), e tani edhe tek Kosova (vini re dallimin e politikës dinjitoze mes Kroacisë – që nuk e lejoi këtë budallallëk të rrezikshëm – dhe Bosnjës – që i bëri gropën vetes). Pushtetarët shqiptarë, si zemërgjerë që janë, nuk tremben nga perspektiva e Bosnjës, dhe as nuk kërkojnë të njëjtën gjë që kërkojnë serbët, as në Serbi, as në Maqedoni e as në Mal të Zi. Sepse, sipas bindjes në fjalë, kur u ndanë virtytet, kështu na ranë. Ne qenkemi popull që pjellim stabilitet, dhe serbët pillkan veç destabilitet – kjo është ajo bindje romantike supremaciste për të cilën flas, që është e dallueshme në dekada të politikës moderne shqiptare, e që si çdo supremacizëm, premton rrënim.

Supremacizmi mëshiror i pushtetarëve shqiptarë natyrisht që është veçse një mbulesë për të vërtetën, që ëshët servilizmi i skajshëm ndaj ndërkombëtarëve, që janë instanca e fundit e pushtetit në Prishtinë e Tiranë. Ky servilizëm u është i domosdoshëm për të ruajtur pushtetin në kushtet e dështimeve ekonomike e shtetformuese, si dhe të humbjes së legjitimimit në dhjetëra afera korruptive. I vënë përballë shovinizmit serb (edhe ky një ideologji që pushtetarët e Beogradit e përdorin për të mos u përballur me problemet reale të atij vendi dhe të atij populli), prodhohet situata aktuale me tre komunat që gjenden në veri të Kosovës, prej të cilave në 12 vitet e fundit janë përzënë dhunshëm mbi 12.000 shqiptarë.

Apologjetët e pushtetarëve mund të thonë se s’kemi ç’bëjmë, këto janë kushtet që na i imponojnë “miqtë tanë ndërkombëtarë” dhe ne duhet t’i pranojmë që të mos mbesim të izoluar. Por kjo është gënjeshtër. Miqve ndërkombëtarë u duhet bërë e qartë se bosnjëzimi i Kosovës dhe ndarja e saj në entitete etnike do të prodhojë pasiguri dhe jo stabilitet. Kjo rrethanë jo vetëm që do të defunksionalizojë Prishtinën, siç ka bërë me Sarajevën, por do të ndikojë edhe Tiranën, sepse sado distantë që ta mbajnë veten pushtetarët e atjeshëm, lidhja e Shqipërisë me Kosovën është kërthizore (jo thjesht për shkaqe kulture, etnie apo folku, po për shkaqe të interesave ekonomikë dhe interaksionit njerëzor mes pjesëtarëve të një kombi). Njësoj siç ndikon keq Bosnja në vendet me të cilat ndan kufi, e më gjerë në gjithë rajonin.

E megjithatë, është e kotë të kërkosh moral prej atyre qeveritarëve që po shkojnë në negociatat famëkeqe, në kushte të tilla. Ata vetë e dinë mirë se ç’po bëjnë, i njohin dhe pasojat. Edhe nëse personalisht mund të jenë injorantë, i kanë aq para sa të blejnë ekspertizë e këshilla prej atyre që kanë aftësi më të mëdha njohëse. Çështja është se përmes korrupsionit e krimit brutal ia kanë futur këmbët vetes në një këpucë. E kanë humbur legjitimitetin në sy të ndërkombëtarëve e në sy të popullit të vet, dhe e vetmja mënyrë për të mbajtur pushtetin (pra për të mos shkuar në burg) është që të binden për gjithçka, të lëshojnë pe kudo që kërkohet, me shpresën që kur të vijë puna te votat, t’i lejojnë sërish që të vjedhin 140%. Pra, kompromiset e tyre rrjedhin nga kompromentimi, dhe janë të barabarta me të. Ndryshe do të ishte puna po të kishim të bënim me qeverisje dinjitoze. Në të tillë rast, së pari nuk do të pranohej asnjë marrëveshje me Serbinë që nuk ka rangun e marrëveshjes ndërkombëtare, pra që nuk ratifikohet nga dy kuvendet (marrëveshjet aktuale, për sa kohë nuk janë të ratifikuara, kanë për t’u hedhur poshtë herët a vonë). Së dyti, kushtet dhe kërkesat e vendosura për bisedime, do të ishin transparente dhe të argumentuara mbi bazë aktuale e historike. Kryekushti do të ishte reciprociteti, njohja e Kosovës nga Serbia dhe njohja e krimeve të luftës. Nuk ka send më emancipues se barazia, dhe për sa kohë që këmbëngulim se marrëdhënia mes shqiptarëve dhe serbëve duhet të emancipojë dy popujt, atëherë rruga duhet të jetë ajo e barazisë së shprehur, formale dhe thelbësore, dhe jo ajo e dhelpërive si në shekujt e shkuar. E sa i përket ndërkombëtarëve, do të qe krejt e lehtë të bindeshin që kjo është rruga e vetme drejt stabilitetit rajonal, natyrisht po të kishin të bënin me njerëz seriozë, që i dinë pozicionet e veta dhe të popullit që përfaqësojnë, që synojnë zhvillim të përbashkët, e që nuk shesin gjithçka për një grimë pushtet. Qeverisje të tilla sot për sot nuk i kemi, por rezervat që ushqejnë poshtërsinë e korrupsionin po shterojnë. Por herët a vonë, vetë mjerimi ynë do të na e sjellë dinjitetin.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Mars 31, 2013 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: