rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Fytyra, barku dhe shkolla e të çarmatosurve

Albin Kurti

Pas rrahjeve vijnë therjet. Njëherë një nxënësi shqiptar 13 vjeçar, e pastaj një vajze shqiptare 16 vjeçare. Kjo e dyta u ther dy herë me thikë, për të dytën herë me radhë. Të maskuarit që flisnin në gjuhën maqedone e kishin therur Arlinda Bajramin një herë në fytyrë dhe herën tjetër në bark. Në fytyrë që t’i mbetet shenjë për tërë jetën, t’i kujtohet dhuna, por edhe t’ua kujtojë dhunën e përjetuar të afërmëve e të dashurve të saj, shoqeve e shokëve të saj. Dhe, në bark, aty ku supozohet që do të zhvillohet e, më pas, edhe të lindë një tjetër foshnje shqiptare e padëshiruar për sulmuesit me thika. Maqedonasit e Gruevskit po iu përngjajnë gjithnjë e më shumë serbëve të Millosheviçit.

Ta ruajmë qetësinë? Të mos biem pre e provokimeve? Të gjitha këto i kam dëgjuar para një çerek shekulli në Kosovë. Qetësia dhe durimi i shqiptarëve kurrë nuk ua ka ndërruar mendjen armiqëve të tyre. Arlindën e therën njëherë. Shqiptarët duruan dhe qëndruan të qetë. Dhe, Arlindën e therën për herën e dytë. Heshtja dhe mosvperimi kundrejt kriminelëve shovinistë nuk shpaguhen. Përkundrazi. Këtë na e dëshmon përvoja e secilit prej nesh, e jo veç librat e historisë të cilët dokumentojnë dhjetëra elaborate e programe ‘akademike’ të fqinjëve tanë hegjemonistë për ‘zgjidhjen e çështjes shqiptare’. Po, pra, ata kishin gjithmonë më shumë programe për zgjidhjen e çështjes shqiptare sesa vetë ne.

Këto akte të tmerrshme të dhunës mbi fëmijët ndodhën në të njëjtën shkollë që quhet ‘Dimitar Vlahov’. Nxënësit shqiptarë aty i kishin rrahur disa ditë më parë dhe, kur shkuan sërish në shkollë, ata i therën. Sulmuesit thua se deshën t’iu thonë që të mos shkojnë më në atë shkollë dhe, meqë ata shkuan sërish, ua shtuan dhunën. E, megjithatë, sulmuesit nuk i vranë nxënësit. Sulmuesit i lanë të gjallë ata duke besuar t’i kenë frikësuar e tmerruar dhe tash vetë ata nxënës me trishtimin e tyre frikësojnë edhe nxënësit e tjerë shqiptarë drejt shpërnguljes së tyre. Sepse, s’do mend që një i frikësuar frikëson të tjerët rrotull dhe, njëkohësisht, pamundësimi i vijimit të shkollimit për nxënësit e mitur i detyron familjet e tyre që të shpërngulen gjetiu. Meqenëse nuk iu del zot kush, ato duhet të zgjedhin: ose t’i lënë fëmijët e tyre të paarsimuar, ose të shpërngulen nga vendbanimi i tyre.

Kështu pra, në njërën anë, kemi meshkuj maqedonë me fytyrë të maskuar kurse, në anën tjetër, fytyra e njomë e prerë e vajzës shqiptare që shëmtohet përjetësisht; mandej, në njërën anë, thika në dorën e mashkullit ndërsa, në anën tjetër, barku i therrur i femrës; dhe, së fundi, në njërën anë, shkolla me emër maqedonas kurse, në anën tjetër, nxënësit e padëshirueshëm shqiptarë. Nga pikëvështrimi i sulmuesve shënjestra është e trefishtë: fytyra si pamje dhe dinjitet, barku si riprodhim dhe shkollimi si arsimim dhe edukim. Mbase, asgjë e re: të gjithë agresorët dhe okupatorët përgjatë historisë këtë hall kishin me shqiptarët: dinjitetin dhe identitetin e tyre, shtimin e tyre dhe njerëzit e arsimuar të tyre. Dihet që ankesat e ‘akademikëve’ e politikanëve serbë te diplomatët ndërkombëtarë gjatë shekujve XIX e XX mbi natalitetin e lartë të shqiptarëve kanë çuar te bajonetat që çajnë barkun e shtatzënave shqiptare. Sulmuesit maqedonas po shkojnë edhe një hap më larg se kaq: nga krimi më mizor mbi shtatëzënat te parandalimi kriminal i shtatëzanisë.

Qeveritarët shqiptarë në Shkup dhe qeveritë nga Prishtina e Tirana mjaftohen me ndonjë deklaratë të mefshtë thua se duan ta bindin Gruevskin që nuk e kanë përnjëmend reagimin. Në fakt, këto dy qeveri, e posaçërisht ajo në Prishtinë, më shumë flasin (teksa nuk ndërmarrin asgjë) për dëgjuesin ndërkombëtar. Dhe, i ftojnë qytetarët shqiptarë për paqe e tolerancë. Veçse për paqe duhet ndryshuar Gruevski aspak tolerant e jo shqiptarët, apo jo? Si mund t’i barazosh palët kur përkundruall janë vënë protestuesit e paarmatosur shqiptarë me njësitë speciale dhe falangat paramilitare të Gruevskit? Mbi të gjitha, nuk është e drejtë që shqiptarëve të Maqedonisë, shqiptarët e Kosovës që vetë s’e duruan Millosheviçin, tash t’iu thonë atyre që ta durojnë Gruevskin.

Dhuna fizike mbi shqiptarët në Maqedoni është tepria e dhunës strukturore që shprehet në çdo aspekt të jetës shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë, shqiptarët përbëjnë çerekun e qytetarëve të Maqedonisë ndërkohë që numri i tyre realisht sillet rreth një të tretës. Numri i të punësuarve në ndërmarrjet publike dhe administratën shtetërore është rregullisht nën 10%. Sigurisht që shifra “20%” është shprehja më e shpeshtë në tekstin e Marrëveshjes së Ohrit, mirëpo, nga pushteti në Maqedoni kjo merret si shtysë e motiv për t’i zbritur shqiptarët kudo nën 20% të popullsisë, e jo për t’ua rritur atyre të drejtat meqë përbëjnë mbi 20% të popullsisë në aq shumë vendbanime.

Nga Marrëveshja e Ohrit shqiptarët dolën të çarmatosur kurse sot mbesin të pambështetur nga Shkupi, Tirana e Prishtina. Pika 2 e Marrëveshjes së Ohrit që quhet “Përfundimi i armiqësive” thotë: “Duhet të përfundojnë plotësisht armiqësitë, të çarmatosen plotësisht dhe vullnetarisht grupet e armatosura të shqiptarëve etnikë dhe të bëhet shpërbërja e plotë dhe vullnetare e tyre”. Pra, ta detyron çarmatosjen dhe shpërbërjen vullnetare (sic.) të grupeve të armatosura të shqiptarëve etnikë, që do të thotë se njëkohësisht nuk ta njeh fare Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Kur t’i marrin pushkët mandej edhe të presin me thika. Arlinda Bajrami është shqiptari i sotëm (jo vetëm) në Maqedoni: i therur sërish dhe përsëri, dy herë për të dytën herë. Luftërat çlirimtare të shqiptarëve zgjatën nga disa muaj, porse luftërat politike, institucionale dhe diplomatike kundër atyre luftërave çlirimtare po zgjasin për shumë vite prej atëherë. Jo vetëm në Maqedoni por edhe në Kosovë e në Luginë të Preshevës.

Marrëveshjet e Rambujesë, Ohrit dhe Konçulit mundësuan instalimin e shqiptarëve në pushtet dhe çarmatosën popullsitë shqiptare. U kooptuan dhe u pasuruan elitat shqiptare dhe mbetën të varfër e të papunë masat e shqiptarëve. Në Mal të Zi pushteti i Podgoricës, në Kosovë burokratët ndërkombëtarë, në Serbi pushteti i Beogradit, përgjithësisht, i kanë rehatuar elitat tona. Përveçse të veshur me pushtet, kryesisht simbolik, ata janë bërë shumë të pasur, kryesisht me korrupsion. Shqiptarët e pasur në pushtet janë më shumë të pasur sesa shqiptarë. Ndërkaq, për qytetarët e thjeshtë shqiptarë përballë tyre, Frantz Fanoni do të thoshte: je i varfër sepse je shqiptar dhe je shqiptar sepse je i varfër.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Mars 6, 2013 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: