rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Më pak tekst është më shumë pavarësi

Arbër Zaimi

Dihet mirë se nuk mjafton të shpallesh që të jesh, ashtu siç dihet edhe që nuk mund të jesh, e të mos kesh mundësi të shpallesh. Çdo thelb, e ka një formë, edhe pse jo secila formë e rrëfen të vërtetën të cilën mbështjell. Pra shpalljet mund të jenë fytyra, mund të jenë maska. Meqë naiviteti ka vdekur përfundimisht, mundet të themi se çdo fytyrë është një lloj maske, apo çdo maskë është një lloj fytyre, megjithatë falë mekanizmave logjikë e intuitivë, falë veprimit dhe njohjes të të qenit, jemi ende në gjendje ta bëjmë dallimin mes fytyrës dhe maskës, midis mashtrimeve dhe të vërtetave, të cilat jo detyrimisht duhet të jenë vetëm neutrale dhe objektive, por as thjesht e vetëm ekzistenciale.

Shqiptarët, jo si etni, po si komb politik (domethënë duke u përpjekur të de-tribalizohen) kanë shpallur dy shtete brenda më pak se një shekulli, Shqipërinë më 1912 dhe Kosovën më 2008. Meqenëse shqiptarët, si njësi e ndërgjegjshme e me vullnet shtetformues, kushtetues, institucionalizues janë bërë më përpara se të shpallen, analiza e shpalljes si dimension të rëndësishëm ka elementin formal, atë që i jep dukje qenies, apo pretendimit për të qenë, apo një farë qenieje që fillimisht ngjizet e paformë por menjëherazi prodhon struktura si epifenomene.

Se ç’i shtyu shqiptarët të shpallen, është çështje më vete. Nëse do të përdorim aparatin analizues të Franc Fanonit, shqiptarët, si në rastin e shpalljes së pavarësisë prej Perandorisë Osmane, si në rastin e shpalljes së pavarësisë prej Jugosllavisë – i shtyu dëshira për të qenë të barabartë e jo të shtypur, në një botë të kornizuar në kombe. Domethënë, kapërcimin prej fenomenit kulturor në atë politik, prej etnisë në komb, e mësuan prej të tjerëve, e mësuan në kurriz të tyre – në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Por thelbi e vullneti kushtetues e shtetformues i shqiptarëve le të mbetet synim i një trajtimi tjetër, ndërsa në këtë trajtim le të përpiqemi të vëmë përballë dy shpalljet e pavarësive të shqiptarëve, një krahasim formalist midis dy sendeve që nuk mund të jenë edhe aq të pabashkëmatshme sa ç’pretendojnë fetishizuesit e konteksteve dhe partikulareve kohore.

Të shohësh origjinalin e shpalljes së 1912 me sa duket nuk do të jetë më e mundur. Origjinali ka humbur gjatë peripecive administrative të Shqipërisë, po fatmirësisht prej shekullit të XX e këndej jemi në periudhë e riprodhimit dhe e kopjimit të shpejtë e të atypëratyshëm. Kemi faksimile dhe mund ta dimë për ç’flasim. Një fletë e thjeshtë, e vetme, jo me përmasa “jashtë tregu”. Në të, shpallja e shkruar me gjashtë rreshta, me dorën e veprimtarit Luigj Gurakuqi, njëkohësisht firmëtar i saj. E si mundet vallë të themelohet shteti, kjo strukturë e stërmadhe që prodhon e konsumon fjalë e burokraci, me më pak se pesëdhjetë fjalë?

Sa i përket shpalljes në 17 shkurt 2008, ajo mund të shihet në origjinal. Dikush mund të thotë se pesë vjet janë pak, e vështirë se humb dokumenti brenda pesë vjetëve, mirëpo kësaj radhe duket se proklamuesit kanë patur ndërmend të nxjerrin mësim prej pësimit. Ata nuk e kanë shkruar këtë shpallje në letër dokudo, por kanë blerë (me porosi) pergamenë të lashtë (madje 700 vjeçare, më të lashtë se sa vetë teksti i parë i njohur në shqip). Përmasat gjithashtu e bëjnë të vështirë për t’u humbur, Në këtë pergamenë prej lëkure viçi (hallall, dhe tmerr i gjithë animalistëve e vegjetarianëve njëkohësisht) u shkrua për 15 orë, me përpikmëri e me kaligrafi, plot 1280 fjalë – prej grafistit dhe pedagogut të Universitetit të Prishtinës, Shyqyri Nimanit. Dizajneri ka rrëfyer në një intervistë të vetën se si ka dashur të bëjë dhe ornamente floreale, se si i ka kushtuar rëndësi secilës shkronjë, se si ka përdorur instrumenta precizë e materialet më cilësore.

Përveç tekstit, në shpalljet që kundrojmë, janë shkruar dhe emrat e firmëtarëve. Tek ajo e para, kanë nënshkruar disa prej 78 delegatëve (ata që kishin mundur të mbërrinin në kohë). Ata ishin përfaqësues të gjithë trojeve shqiptare, katër nga Çamëria, dy nga Dibra, dy nga Janina, njëmbëdhjetë nga Kosova (pra Kosova e paska shpallur një herë pavarësinë apo jo?), gjashtë nga Ohri e Struga, etj. Delegatët kanë nënshkruar me dorën e tyre, kaligrafia e gjithsecilit dallon nga e tjetrit, dhe nuk kanë ruajtur ndonjë rend. Bie në sy që edhe pse në pjesën më të madhe zotëronin tituj të aristokracisë feudale apo ushtarake, edhe pse ishin pasardhës të familjeve me nam e pronë, në nënshkrim e kanë evituar titullin nderues.

Në atë të Kosovës kanë nënshkruar 120 deputetët e kohës, si dhe nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, rendi ishte i paracaktuar. Emrat e firmëtarëve i kishte shkruar bukurshkruesi i lartpërmendur, dhe të gjithë firmosën aty ku duhej, aty ku ishte vendosur tashmë.

Duket sikur tek e para forma ishte një rrjedhojë e pashmangshme, por jo edhe aq e rëndësishme e diçkaje thelbësore – nevojës për të shpallur pavarësi, e për këtë arsye ajo reflekton më shumë dëshirë se sa zanat, më shumë vullnet se sa “know how”. Ndërsa tek e dyta, pavarësia duket se është rrjedhojë e formës. Forma është pararendëse e përmbajtjes në rastin e Kosovës, ekziston fillimisht rendi dhe institucionet, pastaj shpallja e pavarësisë. Po ç’ka këtu për të vënë re, mund të thotë dikush. Ashtu ishin rrethanat, në 1912 më parë u bë pavarësia, pastaj shteti, ndërsa në 2008 më parë u bë shteti pastaj pavarësia. Vetëm se ndryshimi është i rëndësishëm, madje dhe për shkak të kontekstit.

E para, po të ishte art, do t’i përngjante ndonjë sprove minimaliste. E dyta, do t’i përngjante barokut, por jo atij baroku që është bërë në shekullin e XVII. Do t’i përngjante barokut të shek. XXI. Me gjasë, ndonjë estet nuk do të ngurronte ta quante kitsch këtë barok të vonuar që nuk harron të pretendojë lashtësi, këtë shpërfaqje ornamentale që gjithsesi reflekton mungesë të stilit e të shijes. Po ç’na duhet shija – mund të thotë me të drejtë kalimtari – e rëndësishme është përmbajtja, efekti. Bash ashtu është, e rëndësishmja është përmbajtja. Por kjo nuk është aq e shkëputur nga forma, detyrohemi të përsërisim, nuk shkëputet kurrë dot prej saj. Një pionier i lëvizjes minimaliste (meqë ra fjala), arkitekti Ludwig Mies van der Rohe pati bërë moto të vetën togfjalëshin konciz “më pak është më shumë”. Nuk është lojë fjalësh.

Edhe pse është e vërtetë se të dyja deklaratat janë bërë në momente të vështira për shqiptarët, e në situata kur ata kishin fare pak në dorë sa i përket fatit të tyre, edhe pse është e vërtetë që për të dyja deklaratat nuk është pyetur populli, por janë rezultat i vullnetit të një elite firmëtarësh, ato kanë ndryshime thelbësore, që pasqyrohen jo pak edhe në dallimet që kanë në formën e tyre.

Në tekstin e ’12 marrim vesh se shpallet pavarësia pasi delegatët dëgjojnë fjalën e Ismail Kemal Beut, që i njoftonte për rreziqet e mëdha që i kanosen Shqipërisë. Fjalimi nuk na përcillet, as argumentat, por tash që e njohim historinë e kohës, mund edhe t’i marrim parasysh. Shkurt e prerë Shqipëria shpallet më vehte, e lirë dhe e mosvarme, duke i çelur rrugën popullit të saj që të bëjë ç’të dojë me këtë projekt, praktikisht duke ia çelur skenën politike këtij populli që gjer m’atëherë kish ndenjur i kolonizuar si dhjetra popuj të tjerë.  Ishte fillimi i periudhës së dekolonizimeve, që vazhduan gjer vonë (e ca thonë që ende vazhdojnë)

Ndërsa në tekstin e ’08 përtej ornamenteve dhe rregullit na shfaqet një përmbajtje tjetër. Në tekst renditen njëra pas tjetrës parapërcaktimet dhe kufizimet. Aty shpallet dedikimi përfundimtar ndaj integrimeve euroatlantike, shpallet Kosova si përjashtim prej së drejtës ndërkombëtare (pra si rast i veçantë që s’përbën precedent – e që njëkohësisht nuk njeh precedent i bie, pra terren eksperimentesh), rikujtohet dhuna dhe me një gjuhë tërësisht të ngecur në kornizën imperial-koloniale flitet për ndërgjegjjen e popujve të civilizuar që ndërhynë në 1999 në Kosovë. Pastaj rikujtohen me keqardhje negociatat e dështuara Beograd – Prishtinë (në tekstin e shpalljes!!!), dhe konfirmohet korniza e Ahtisaarit si themel i patundshëm i këtij shteti të ri. Nuk përmendet shpesh populli mund të thuhet, por në fakt populli përmendet gjithandej në këtë shpallje. Përmendet në ndalimet që i vihen atij. Kjo shpallje, kjo deklaratë, njeh borxhe e përgjegjësi, bën moralizma e humanizma, e ndër dhjetëra detajet që shtresohen në të, duket se ia parashkruan si të pamundur popullit të vet të jetë më vehte, të jetë i lirë, të hyjë në skenën e politikës si i barabartë me popuj të tjerë.

Në këtë sens, “më pak është më shumë”, si te motoja e minimalistit van der Rohe. Aty ku shkruhet më pak, lejohet më shumë, e aty ku shkruhet më shumë, përgjithësisht lejohet pak a aspak – thonë juristët. Për t’u kthyer te van der Rohe, ndër të tjera aforizma që i faturohen është edhe ky “Zoti fshihet tek detajet”. Ç’ka dashur të thotë vallë ky artist që synonte hapësira ku mbretëronte gjeometria e ashpër, e jo stërhollimi me detaje, me arabeska e lajle-lule? Mos vallë ka dashur të thotë që sa më shumë detaje, aq më shumë zot, pra aq më shumë ndalime, barriera, pengesa? A i përshtatet kjo edhe deklaratës baroke të pavarësisë, me aq shumë detaje, e me një zot që fshihet nën to, që mund të lexohet nëpër rreshta si tepër prezent, edhe pse normalisht do të duhej që kur dikush shpallet i pavarur, të shpallet i zoti i vetes? A nuk fshihej pas detajeve të komplikuara të arkitekturës koloniale pikërisht zoti që sillte rend, kolonizatori? A nuk e përdorën portugezët e spanjollët madhështinë imponente për të vënë në pozitë inferioriteti indigjenët? Po ç’lidhje ka kjo xhanëm, në rastin e Kosovës nuk ka kolonizatorë…

Kalimtari i përmendur mund të bëhet cinik në këtë moment e të thotë – “sa para bën që ajo e Shqipërisë e çel skenën për popullin, kur gjithsesi ai popull s’diti të hipë kurrë në atë skenë, e s’diti të barazohet me të tjerët”. Por ata që kanë kënduar dy gramë teori ligji e dinë që s’është njësoj të lejohesh e të mos bësh (se s’di, se s’do, se s’mund), me të mos qenit i lejuar hiç. Në e paçim lexuar mirë Fanonin, arsyeja e vetme pse të ndërtuarit e shtetit është detyrë për politikanin (e një populli që synon të çlirohet e të pavarësohet për të qenë i barabartë), është për t’ia çelur skenën e politikës popullit, të përkthejë vullnetin e vet për të qenë i barabartë – dhe jo për ta mbyllur përfundimisht këtë skenë në monopolet e pushtetit politik, apo atij ekonomik (që është gjithnjë transnacional). Ndoshta është kjo çeltinë e krijuar në dokumentin e parë që ia parashkruan atij historinë tragjike – të mos-realizimit ende, por të shoqërimit vazhdimisht me një frymë të rezistencës, që dikush mund të thotë se është gjallë dhe sot. E ndoshta është ndjenja e msheltinës (closure), që e bën të dytin të ngjajë i vdekur, i festueshëm, material për muze.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 21, 2013 nga te Esse, Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: