rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Znj. Jacobson, edhe ne e kemi një ëndërr

Boiken Abazi

“Pa marrë parasysh a pajtohen njerëzit me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për këtë rast apo jo, të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë vendimin e gjykatës së pavarur. Ky është parimi kryesor i sundimit të ligjit”, deklaroi nga Deçani pak ditë më parë znj. Jacobson, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Ky deklarim vjen pas protestave që komuniteti i bashkuar në Deçan ka bërë për të kundërshtuar vendimin që i kalon në pronësi Kishës Ortodokse dy ndërmarrje shoqërore të Deçanit dhe territorin e tyre të shtrirë në 23 hektar tokë. Deklaratën znj. Jacobson e lëshoi në fund të muajit janar, i cili në Amerikë njihet si “Muaji i Historisë së Zezë” për të përkujtuar përpjekjen shekullore të afro-amerikanëve për liri, drejtësi dhe barazi. Muaj ky që i bën amerikanët të reflektojnë dhe të kujtojnë çdo vit të gjithë ata që luftuan kundër ligjeve të padrejta dhe sistemit shtypës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Muaj ky i shenjuar me emra si Martin Luther King (MLK), Rosa Parks, Malcolm X, e plotë të tjerë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ashtu si edhe çdo institucion tjetër publik amerikan brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, e kishte pushim zyrtar datën 21 janar për të festuar ditëlindjen e Martin Luther King-ut, por mbase kjo datë e ky muaj nuk kanë nxitur reflektimin e nevojshëm për Ambasadoren Amerikane, e cila mund të ketë qenë e zënë me punët e shumta ku është angazhuar që prej ardhjes së saj në Republikën e Kosovës. Rrjedhimisht, po ia kujtojmë edhe njëherë këto figura historike të kombit të saj:

“Ju i qortoni protestat që kanë ndodhur në Deçan. Por deklarata juaj, më vjen keq që t’jua them, dështon të shprehë një shqetësim të ngjashëm edhe për kushtet që e kanë shkaktuar këtë demonstratë. Jam i sigurt që asnjë prej jush nuk do të ishte i kënaqur me një lloj analize sipërfaqësore që merret vetëm me pasojat dhe nuk i rrok shkaqet më të thella. Është për të ardhur keq që në Deçan ka pasur demonstratë, por është për të ardhur edhe më keq që struktura e pushtetit ndërkombëtar s’i ka lënë komunitetit shqiptar asnjë alternativë tjetër.”

Në citimin e mësipërm emri “Deçan” ka zëvendësuar emrin “Birmigham”, fjala “ndërkombëtar”, ka zëvendësuar fjalët “njerëzit me ngjyrë të bardhë”, ndërsa fjala “shqiptar” ka zëvendësuar fjalën “njerëzit me ngjyrë të zezë”. Martin Luther King-u i ka shkruar këto fjalë në një letër në burgun e qytetit të Birmingham-it në prill të vitit 1963, pasi u arrestua në njërën prej protestave për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto zëvendësime të vogla fjalësh na ndihmojnë t’i aktualizojmë fjalët e tij për t’i dhënë një përgjigje të parë deklaratës së znj. Jacobson. Ndërkohë, për të kuptuar shkaqet që kanë çuar deri te protestat në Deçan duhet bërë një analizë pak më e thellë e situatës dhe e strukturës së pushtetit ndërkombëtar në Kosovë.

Tashmë ka një konsensus në Kosovë që ligjet e miratuara gjatë periudhës së regjimit supremacist serb të Milosheviçit në vitet 1989-1999 janë ligje diskriminuese dhe degraduese për shqiptarët, dhe në Kosovë ka një vendim për t’i shfuqizuar ligjet diskriminuese të miratuara gjatë kësaj periudhe. Gjatë periudhës së lartpërmendur, pas heqjes së Autonomisë për Kosovën, Parlamenti serb nën udhëheqjen e qeverisë së Milosheviçit kaloi një numër ligjesh të cilat kishin për synim jo vetëm shtypjen e shqiptarëve nën ish-Jugosllavi duke mohuar liritë dhe të drejtat bazë politike, por edhe varfërimin dhe shfrytëzimin e tyre ekonomik përmes shpronësimeve të dhunshme të pronës private të familjeve shqiptare dhe pronës publike të punëtorëve shqiptarë. Në atë kohë, si në të gjithë ish-Jugosllavinë, në Kosovë punëtorët ishin të organizuar në ndërmarrje publike që njiheshin si “organizata të punës së bashkuar”. Punëtorët që punonin në këto organizata ishin njëkohësisht pronarë dhe menaxherë të produktit të punës së tyre.

Rasti i dy ndërmarrjeve shoqërore në Deçan e ilustron më së miri atë që ka ndodhur gjatë asaj periudhe. Të dy këto ndërmarrje, bletaria “Apiko” dhe hotel “Iliria”, i janë falur Manastirit të Deçanit nëpërmjet të ashtuquajturave “kontrata të dhurimit”, përkatësisht në vitin 1993 dhe 1997, duke pushuar të gjithë punëtorët nga puna dhe duke e tjetërsuar titullin e pronës mbi 23 hektarë tokë të këtyre ndërmarrjeve. Duke qenë se kisha ortodokse serbe është një institucion historikisht i pandashëm nga projekti hegjemonik i shteti serb, është e qartë pse është bërë ky tjetërsim i pronës në atë periudhë. Pas vitit 1999 punëtorët janë organizuar dhe e kanë çuar këtë çështje në Gjykatën Komunale të nivelit të parë, ku edhe e kanë fituar çështjen. Por, pas vendimit çështja u çua në apel në Gjykatën e Qarkut, ku u morr vendimi që çështja të rishqyrtohej edhe një herë në gjykatën e nivelit të parë. Krejt papritur, në këtë çast ndërhyn nga lart Zyra Ligjore e UNMIK-ut.

Duhet shpjeguar se për një periudhë 10-vjeçare pas vitit 1999, Zyra Ligjore e UNMIK-ut, duke mos e njohur vullnetin politik të popullit në Kosovë, u vetëshpall përfaqësuesi ligjor i të gjitha ndërmarrjeve shoqërore që u vendosën në administrimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM). Bazuar mbi këtë kompetencë të vetëshpallur, Zyra Ligjore e UNMIK-ut e ndaloi gjithë procesin gjyqësor. Një ligj i ri u hartua në Kosovë pas shpalljes së Pavarësisë që e shndërroi AKM-në në AKP (Agjencinë Kosovare të Privatizimit), dhe përcaktoi se të gjitha kontestimet ligjore lidhur me privatizimin duhet të shqyrtohen drejtpërdrejt në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, dhomë kjo e kontrolluar nga gjyqtarët e EULEX-it. Kjo Dhomë e Posaçme në fund të vitit 2012 mori vendimin për t’ia njohur Manastirit të Deçanit pronësinë mbi dy ndërmarrjet shoqërore bashkë me territorin prej 23 hektar toke të këtyre dy ndërmarrjeve. Në fakt znj. Jacobson ka të drejtë kur thotë se kjo Dhomë e Posaçme është e pavarur, por fjalia do të duhej të përfundonte duke thënë se është e pavarur prej popullit shqiptar por e varur nga lart, pra prej ndërkombëtarëve që sundojnë në Kosovë pavarësisht vullnetit të popullit. E thënë me fjalë të tjera vendimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme e ka njohur si të ligjshëm një akt të dhunshëm që është ndërmarrë për shfrytëzimin ekonomik të punëtorëve shqiptarë me qëllim përshpejtimin e spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova.

Pas një vendimi të tillë tallës, ofendues, dhe shtypës të strukturës ndërkombëtare që ka pushtet ekzekutiv në Kosovë, Znj. Ambasadore këmbëngul të na tregojë mbi detyrën që ne kemi për respektimin e parimit të sundimit të ligjit. Edhe një herë, këtu mbase zonjës Ambasadore mund t’i vijë në ndihmë për ta kuptuar situatën një pjesë tjetër e shkëputur nga letra e shkruar prej Martin Luther King-ut nga burgu i Birmingham-it:

Përgjigjja gjendet në faktin se ka dy lloje ligjesh: të drejta dhe të padrejta. Unë do të isha i pari që do të mbështesja bindjen ndaj ligjeve të drejta. Secili ka jo vetëm një përgjegjësi ligjore por edhe morale për t’iu bindur ligjeve të drejta. Nga ana tjetër, secili ka një përgjegjësi morale për të mos iu bindur ligjeve të padrejta… S’duhet të harrojmë kurrë se çdo gjë që Adolf Hitler bëri në Gjermani ishte ‘ligjore’, dhe çdo gjë që bënë luftëtarët e lirisë në Hungari ishte ‘e paligjshme’. Ishte e ‘paligjshme’ të ndihmoje dhe të ngushëlloje një hebre në Gjermaninë e Hitlerit” – Milosheviçi nuk është Hitleri, po as Serbia nuk është Gjermani.

Njëlloj si afro-amerikanët e shtypur nga regjimi i paraardhësve tuaj, edhe ne shqiptarët sot jemi organizuar politikisht për ta kundërshtuar shtypjen dhe padrejtësinë, për të kërkuar lirinë dhe të drejtat tona. Në fakt mund të bëhet një analogji mes periudhës pas luftës civile në Amerikë e deri në vitin 1965, dhe periudhës pas vitit 1999 në Kosovë. Pas luftës civile që përfundoi në vitin 1865, Kongresi dhe Senati i Shteteve të Bashkuara miratuan tre amendamente të kushtetutës amerikane (Amendamentet 13, 14 dhe 15) që ligjërisht u njohën afro-amerikanëve të drejta të plota dhe të barabarta me qytetarët e tjerë. Megjithatë u deshën gati 100 vjet që shumica e afro-amerikanëve ta gëzonin në praktikë të drejtën e tyre për të votuar. U deshën njerëz si Rosa Parks që refuzonin t’i bindeshin ligjeve të padrejta dhe shtypëse ndaj afro-amerikanëve edhe brenda transportit publik në Amerikë. U deshën me qindra demonstrata dhe revolta popullore që në fund, në vitin 1965 të miratohej “Akti i të drejtave të votimit”, i cili i shpalli të jashtëligjshme të gjitha ato praktika që i pengonin afro-amerikanët të regjistroheshin si votues.

Sot, në Kosovë kemi një situatë të ngjashme me situatën para vitit 1965 në Amerikë. Na thuhet se jemi një popull sovran dhe i pavarur, i barabartë me të tjerët, por praktikisht jemi “më pak të barabartë”, për të përdoru një idiomë Orwelliane. Praktikisht dhe ligjërisht, sundimi antidemokratik “i ndërkombëtarëve” në Kosovë, tregon se këta mendojnë që ne kemi ende nevojë për “kujdestarë”. Ashtu siç mendonin ish-pronarët e skllevërve në Amerikë, pasi këta të fundit luftuan dhe fituan kundër skllavërisë.

Edhe ne e kemi një ëndërr znj. Jacobson. Ëndrra jonë është që pas luftës të mos presim edhe ne një shekull, siç pritën afro-amerikanët në Shtetet e Bashkuara, për të gëzuar lirinë dhe të drejtat tona të plota politike. Nëse mendohet se përpjekja e shqiptarëve për liri, drejtësi dhe barazi mund të ndalet, nëse mendohet se Martin Luther King dhe Rosa Parks nuk janë mjaftueshëm bindës për të bërë krahasimin, nëse mendohet se ëndrra jonë nuk është e vlefshme, kujtojmë se, ashtu siç sqaron edhe Malcolm X, ne tashmë e kemi “deklaruar të drejtën tonë në këtë botë … për të qenë qenie njerëzore, për t’u respektuar si qenie njerëzore, për të pasur të drejtat e qenieve njerëzore në shoqëri, në këtë botë, në këtë ditë, të cilën ne synojmë ta sjellim në jetë nëpërmjet të gjitha metodave të nevojshme.”

Le të shpresojmë se herën e ardhshme znj. Ambasadore do të na e japë ne po atë këshillë që historia i ka dhënë popullit të saj.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 6, 2013 nga te Polemikë, Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: