rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Kur “përballja nacionaliste” krijohet nga hiçi

Arbër Zaimi 

Diku nga data 5 janar, në një të përditshme të njohur tiranase (Shekulli), u publikua një lajm me titullin “Syriza: Shqipëria të harrojë BE-në, nëse kërkon pronat”. Ndërsa nëntitulli shkonte kështu: “Ekstremistët e majtë: ‘Qeveria që do të drejtojmë ne nuk do të lejojë më pretendime pronësore të çamëve, bashkëpunëtorë të fashizmit të cilët u larguan vetë nga Greqia’”. Nuk do të kishte vlerë të ndalesha as për lexim, e jo më për komentim, në një lajm të shkruar kaq keq dhe pa stil (apo me stilin e mjerë të gazetarisë moderne shqiptare), po të mos kishte një lloj zhurme që e parapriu dhe e pasoi atë. Ca ditë më përpara Aleanca Kuq e Zi i ishte përgjigjur “dhëmb për dhëmb” një kërcënimi të ngjashëm (edhe pse shumë më eksplicit), nga anëtarë të Hrisi Avgjisë (Agimi i Artë – parti neonazistësh në Greqi), e tani, pas këtij reagimi të SYRIZA-s (Bashkimi i Radikalëve të Majtë), nuk vonoi të shfaqet partia konkurente e Aleancës Kuq e Zi në çështje nacionalizmi, PDIU-ja, me një deklaratë të fortë ku kritikonte “qëndrimet e vjetëruara” të SYRIZA-s, pak a shumë e njësonte atë me ekstremistët e djathtë, dhe e përbuzte qasjen nacionaliste greke të këtyre neokomunistëve, duke ripohuar çështjen çame, e duke e mbyllur deklaratën e vet me një citim të Marksit mbi tragjedinë e farsën. Jo se ka ndonjë të keqe të kritikosh neomarksistët duke cituar Marksin vetë, aq më pak ka gjë të keqe të mbrosh çështjen çame, e cila përnjëmend hyn tek problemet që meritojnë zgjidhje, që të normalizohen marrëdhëniet me Greqinë.

U bëra kurioz pra prej betejës së deklaratave, dhe thashë të kërkoj një herë se ç’do të ketë reaguar SYRIZA pas përgjigjes trimoshe të çamëve. Kërkoj në internet, anglisht e frëngjisht (gjuhë që SYRIZA i përdor goxha shpesh në komunikimet e veta – si internacionalistë që janë), mirëpo s’gjeta gjë. Me ndihmë të një shoqeje që dinte greqisht, kërkova dhe në greqisht. Më dilnin vetëm disa blogje gjysmë anonime, të gjitha me anim kah ekstremi i djathtë, të cilat e shkruanin thuajse fjalë për fjalë deklaratën e SYRIZA-s, po ashtu dhe përgjigjen e çamëve. Burim të cituar këto blogje s’kishin, me përjashtim të “Shekulli”-t (më lejoni të nënvizoj që as vetë lajmi i “Shekulli”-t s’përmbante burim, bash siç e lyp dhe standardi i gazetarisë sonë profesionale). I vendosur që të mos i marr për bazë blogjet fashiste greke që citonin “Shekulli”-n tonë, i shkruaj disa miqve shqiptarë që punojnë e studiojnë në Greqi për t’i pyetur nëse dinin gjë. M’u përgjigjën se jo, s’kishin dëgjuar për ndonjë ngjarje të tillë – edhe pse si emigrantë, do u kish rënë në vesh. Po ashtu u shkrova disa të njohurve veprimtarë të kësaj force politike, e as ata s’dinin gjë. Si përfundim, pasi pyetën dhe ata që pyeta, mora vesh se nuk kishte patur asnjë prononcim të tillë. Nuk ka patur asnjë program të SYRIZA-s të botuar në fillim të vitit, siç mëton “Shekulli”, dhe nuk ka patur as shprehje të tilla për punë të çamëve apo të pronave, apo të pengesës së Shqipërisë në BE. Qëndrimi i SYRIZA-s sa i përket kufirit me Shqipërinë dhe me vende të tjera është ai që Aleksi Cipra (kryetar i SYRIZA-s) ka shprehur në një intervistë të botuar në qershorin e 2012 në gazetën “Shqip”, dhe nuk ka të bëjë me atë çka shkruante “Shekulli”.

Mbetet e panjohur për mua arsyeja se përse duhej publikuar ky lajm i pambështetur në ndonjë dokument. Sado banal të jetë niveli i gazetarisë në Shqipëri, sado problematik të jetë i ashtuquajturi treg mediatik, dreqi ta hajë një dysheme duhet caktuar. E si mundesh të shpikësh lajme në këtë farë feje. Jam i bindur (edhe për shkak të një kohe të kufizuar që kam punuar pranë mediave) se nuk përbën përjashtim rasti në fjalë. Përjashtim në fakt përbëjnë gazetarët korrektë dhe mediat që kanë një sistem funksional redaktorësh dhe një kod etike që zbatohet vërtet (madje s’di a ka të tilla media).

Nuk mund të mos dallohen në këtë dështim mediatik dashakeq disa prirje të përgjithshme të opinionit publik në Shqipëri (vër re: po flas për opinionin publik dhe jo për publikun, pasi këto të dyja rrallë herë përputhen). Së pari prirja për ta vendosur fajin për padrejtësitë e bëra ndaj shqiptarëve tek “greku” abstrakt, pra tek cilido grek, në vend që të vendoset ky faj aty ku e ka vendin, tek elitat e pushtetit politik, ekonomik e religjiozo-kulturor në Greqi. Së dyti, dallohet në kontekst interesi për të barazuar “ekstremin e djathtë” me “ekstremin e majtë”, sipas bindjes banale se ekstremet përpuqen, sepse politika paska evoluar, sepse edhe e majta e qendrës ka konverguar me të djathtën e qendrës etj. Bindje kjo që është sa e gabuar, aq edhe fashiste, që e ndan politikën në vetëm dy pjesë, në atë që është “e pranueshme” – pra e keqja më e vogël e qendrës, dhe atë që është e papranueshme – ku fantazmat e Stalinit, Hitlerit, Pol Potit, Mussolinit, Zervas etj. njësohen e bëhen të gjithë bashkë në një klub shfarosësish. Ky argument është i pasaktë, ahistorik, alogjik dhe qorr. Por le të mbetet sqarimi i teorisë politike dhe ndarjes së forcave në spektër për një artikull tjetër.

Ndërkohë, më duhet të them se qëndrimi i nxituar i publikuar nga ana e PDIU, nuk i bën nder çështjes çame, madje mundet ta dëmtojë atë. SYRIZA, për shkak të qëndrimeve të veta të forta e të pakompromis mundet të jetë një prej mbështetësve strategjikë të çështjes çame si çështje e shkeljes të së drejtave të njeriut. Natyrisht, i mbetet PDIU të vlerësojë strategjitë e veta, po gjithsesi çështja çame, apo çështja e shqiptarëve të Greqisë (si e të përzënëve ashtu edhe e të vajturve) është një çështje që nuk i përket veç PDIU-së, por më gjerësisht – popullit shqiptar. Kur merr përsipër të përfaqësosh një popull të tërë – qoftë dhe për një problematikë specifike siç është ajo e marrëdhënieve Shqipëri – Greqi, mirë është të informohesh para se të mbash qëndrime (dmth. të shkosh pak më larg se sa të lexuarit e një lajmi pa fund e pa krye, e pa asnjë burim a referencë në tekst). Një nxitim i tillë i shoqëruar me pakujdesi “guximtare” ndoshta vjen edhe si nevojë për të qenë protagonist në një mejdan imagjinar si ai i përballjeve Shqipëri – Greqi që ushqehen prej mediave dhe prej dimensionit spektakolar të politikës, të theksuar sidomos tek ajo politikë që nuk i ka shumë të zhvilluara dimensionet e tjera.

Si përfundim, më duhet të them se nuk synoj të bëj ndonjë thirrje patetike për miqësi formale mes popujve duke harruar drejtësinë, pasi mendoj se kusht themeltar i miqësisë është barazia e drejtësia. Mirëpo nuk zhbëhet një e padrejtë (ajo që u është bërë çamëve), përmes shpifjeve apo të padrejtave të tjera, sidomos kur këto shoqërohen me dëshirën për të përbaltur një forcë të re e cila premton shpresë për Greqinë dhe për shqiptarët që janë atje, siç është SYRIZA. Premton shpresë se është shprehur dhe është sjellë ndryshe me ta, ndryshe nga ç’janë sjellë partitë centriste mainstream, PASOK-u dhe Demokracia e Re. Si dhe i ka mbrojtur emigrantët (ndonjëherë edhe fizikisht) prej sulmeve të naziskinëve. Nuk e kam idenë se ç’qëndrim ka SYRIZA për çështjen çame, por nuk mund dhe nuk duhet t’i paragjykoj ata, përderisa nuk janë shprehur zyrtarisht, dhe pse natyrisht që vetë shpresoj që të kenë një qëndrim të drejtë për rikthimin e shtetësisë dhe për rikthimin e të drejtave të tjera që shoqërojnë atë.

Një koment te “Kur “përballja nacionaliste” krijohet nga hiçi

  1. greqia
    Qershor 29, 2013

    http://www.syriza.gr/%CF%80%CE%B1%CF%81%CE%BF%CF%85%CF%83%CE%B9%CE%B1%CF%83%CE%B7-%CF%80%CF%81%CE%BF%CE%B3%CF%81%CE%B1%CE%BC%CE%BC%CE%B1%CF%84%CE%BF%CF%83-%CF%84%CE%BF%CF%85-%CF%83%CF%85%CF%81%CE%B9%CE%B6%CE%B1%CE%B5/
    Programi i saj per Politiken e jashtme dhe e mbrojtjes.
    Ku ska asnje pike per marredhenjet me shqiperine dhe ku per Kosoven shkruhet …
    9. Kerkojme promovimin e një politike energjetike dhe paqesore te Balkanit,larg nga ygjidhjet e luftës dhe urrejtjet nacionaliste, me këmnguldesinë e moscënimit të kufinjve dhe rrespektim të plote të të drejtave të njeriut në të gjtha shtetet,në pavarësi nga rraca, prejardhja dhe feja. Pozicionohemi kundër njohjes të paligjshme të pavarësise të njëanëshme të Kosoves.Mbështesim zhvillimin e bashkpunimit Ballkanik me bazë të planit të bashkpunimit Ballkanik,me qëllim një të ardhshme solidare për popujve të zonës.Promovojmë idenë e një Harte ekologjike Ballkanike.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 6, 2013 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: