rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Zero Dark Thirty – Blatim hollywoodian ndaj pushtetit amerikan

Slavoj Žižek

Ja se si e arsyeton Kathryn Bigelow, në një letër që i ka dërguar gazetës “LA Times”, paraqitjen pamore të metodave të torturës së përdorur prej agjentëve të qeverisë për të kapur e për të vrarë Osama bin Ladenin:

“Ata që merren me art në mes tonë e dinë mirë se paraqitja pamore nuk nënkupton mbështetje. Po të qe kështu, asnjë artist nuk do të ishte në gjendje të pikturonte praktika çnjerëzore, asnjë autor s’do mundte të shkruante për to, asnjë regjisor s’do të mund të merrej me subjektet therës të kohëve që jetojmë”.

Jo moj? S’është hiç e thënë të jesh moralist, apo naiv sa i përket emergjencës së luftës kundër sulmeve terroriste, që të mendosh se të torturuarit e një qenieje njerëzore është diçka aq tronditëse në vetvete sa që nëse e paraqet në mënyrë neutrale – dmth. duke ia neutralizuar këtë dimension goditës – tashmë ia ke dhënë një lloj mbështetjeje.

Imagjinoni një dokumentar që do paraqiste Holokaustin në ndonjë mënyrë të ftohtë e të çinteresuar, si një operacion të madh industrial-logjistik, duke u përqendruar tek problemet teknike që dalin (transporti, depozitimi i kufomave, shmangia e panikut tek të burgosurit që do të helmoheshin me gaz). Një film i tillë ose do të mishëronte ndonjë joshje të thellë e imorale me temën e vet, ose do të përdorte neutralitetin e paturp të këtij stili për të ngjallur pështirosje e tmerr tek spektatorët. Ku qëndron Bigelow këtu?

Pa asnjë hije dyshimi ajo është në anën e normalizimit të torturës. Kur Maya, heroina e filmit, sheh për herë të parë waterboarding (torturën e mbytjes me ujë), fillimisht tronditet po shumë shpejt ia merr dorën; më vonë gjatë filmit ajo kërcënon ftohtësisht një të burgosur të rëndësishëm arab duke i thënë se “nëse nuk flet me ne do të të dorëzojmë në Izrael”. Por obsesioni për të gjurmuar e për të gjetur Bin Ladenin e ndihmon që të neutralizojë pikëpyetjet e zakonshme morale. Shumë më i tmerrshëm është partneri i vet, një agjent i ri i CIA-s, një mjekrosh që zotëron në mënyrë të përkryer artin e të kaluarit lehtësisht prej torturës në miqësi, pasi që viktima është thyer (duke i ndezur cigaren viktimës e duke bërë shaka me të). Ka diçka tejet shqetësuese në mënyrën se si ai pak më vonë ndryshon pamje, prej një torturuesi të veshur me jeans, në një burokrat Washingtoni të veshur me sqimë. E pra ky është normalizimi në shfaqjen e tij më të pastër e më efikase – ka ndonjë hezitim të vogël aty-këtu, më shumë për shkak të ndonjë ndjeshmërie të lënduar se sa për çështje etike, por puna duhet kryer. Ky vetëdijësim mbi ndjeshmërinë e lënduar të torturuesit si kostoja (kryesore) njerëzore e torturës bën të sigurt që filmi nuk është thjesht ndonjë propagandë djathtiste prej dy lekësh: kompleksi psikologjik paraqitet në mënyrë të tillë që çdo liberal ta shijojë filmin pa u ndjerë fajtor. Kjo është arsyeja pse Zero Dark Thirty është shumë më keq se filmi “24″, se në atë film të paktën Jack Bauer (protagonisti kryesor) thyhet andej nga fundi.

Debati se a është torturë apo jo waterboarding-u duhet lënë mënjanë, si çdo budallallëk i dukshëm: e si vallë, në mos duke shkaktuar dhimbje dhe frikë prej vdekjes, i bën waterboarding-u të flasin e ua thyen vendosmërinë të pandehurve për terroristë? Zëvendësimi i fjalës “torturë” me “teknikë e hetimit të sforcuar” është një vazhdim i logjikës politikisht korrekte: dhuna brutale e ushtruar nga shteti bëhet e pranueshme kur ndërrohet gjuha.

Mbrojtja më e paturp e filmit është pretendimi se Bigelow nuk na e marrka parasysh moralizmin banal dhe se ajo paraqitka në mënyrë të esëllt realitetin e betejës kundër terrorizmit, duke ngritur kështu pyetje të vështira, pra duke na nxitur të mendojmë (plus, shtojnë ca kritikë, ajo “dekonstrukton” cliche-të femërore – protagonistja Maya nuk shfaq ndjeshmëri, ajo është e fortë dhe e dhënë pas punës së saj njëjtë si burrat). Por, kur vjen puna te tortura, askush s’do të duhej “të mendonte”. Një paralele me përdhunimin na imponohet këtu: po sikur një film të shfaqte përdhunim brutal në të njëjtën mënyrë neutrale, duke pretenduar se spektatori duhet ta shmangë moralizmin banal dhe të fillojë të mendojë për përdhunimin në gjithë kompleksitetin e vet? Me reagimin e tij stomaku na tregon se diçka s’është në rregull këtu; unë vetë do të doja të jetoja në një shoqëri ku përdhunimi thjesht konsiderohet i papranueshëm, në mënyrë që cilido që do ta mbështeste përdhunimin të ngjante si një idiot ekscentrik, jo në një shoqëri ku të duhet të argumentosh kundër përdhunimit. E njëjta gjë vlen për torturën: një shenjë përparimi etik është fakti se tortura mohohet “dogmatikisht” si e pështirë dhe e papranueshme, pa patur nevojë për argumenta.

Po si t’ia bëjmë me atë argumentin “realist”, që tortura ka ekzistuar gjithnjë, kështu që a mos është vallë më mirë që të flitet publikisht për të? E pra, ky është problemi. Nëse torturë ka patur gjithnjë, pse ata që janë në pushtet po na rrëfejnë haptazi për të pikërisht tani? Ka vetëm një përgjigje: që të ulen standardet tona etike.

Tortura shpëton jetë? Ndoshta, por ajo që është e sigurt është se humbet shpirtra – dhe s’ka justifikim më të paturp se sa pretendimi që një hero i vërtetë është gati të sakrifikojë shpirtin e tij apo të saj në mënyrë që të shpëtojë jetët e bashkatdhetarëve të vet. Normalizimi i torturës tek Zero Dark Thirty është një shenjë e zbrazëtisë morale së cilës po i afrohemi ngadalë. Nëse ka ndonjë dyshim për këtë, atëherë përpiquni të imagjinoni ndonjë film të rëndësishëm hollywoodian që e shfaq torturën në një mënyrë të tillë, 20 vjet më parë. As që mund të mendohet.

Përktheu Arbër Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 28, 2013 nga te Polemikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: