rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

“Qyqja” e Thaçit nuk do të këndojë gjatë

Boiken Abazi

Në mitologjinë shqiptare, Qoku dhe Qyqja janë dy fëmijë të cilëve babai u martohet me një grua tjetër pas largimit të nënës së tyre nga jeta. Në mit thuhet se babai me gruan e re përpiqen t’i vrasin këta dy fëmijë, të cilët për t’i shpëtuar vdekjes kthehen në shpendë. Kur njerëzit dëgjojnë këngën me “ku-ku” të qyqes, miti tregon se njerëzit i drejtohen këtij shpendi duke i thënë “ku-ku qyqja e re, që po këndon në Shën Dre … amanet ta kam lshue, sa vjet kam me rrnue (jetue)”. Besohet se aq herë sa do të përsërisë qyqja “ku-ku”, aq vjet do të jetojë edhe ai që i drejtohet qyqes. Pra, në thelb ai që i drejtohet qyqes shpreson që ajo të këndojë sa më shumë, në mënyrë që t’i shtohen edhe atij “vitet e jetës”, të cilat mund të jenë të pakta nëse qyqja nuk këndon gjatë.

Kësaj jave në Kosovë, Kryeministri Thaçi, i cilësoi ata pak qytetarë që prishën disa varreza serbe si “qyqarë”. Këto akte zemërimi për Thaçin janë kënga e qyqes, dhe ata të paktë që i bën ato, janë qyqja vetë,qyqarët. Thaçi, me ose pa vetëdije, e ka zgjedhur qyqen, këngën e secilës e ka lidhur me jetëgjatësinë e pushtetit të tij.

Në fakt akte si shkatërrimi i gurëve të disa varrezave jo vetëm që nuk bëjnë asgjë për bashkëkombasit tanë që jetojnë të shtypur në Luginën e Preshevës, por ato edhe i zgjasin jetën Qeverisë Thaçi dhe sistemit neokolonialist që është vendosur në Kosovë. Nëpërmjet këtyre akteve ata ndërkombëtarë që sundojnë mbi Kosovën gjejnë justifikime për pushtetin e tyre antidemokratik mbi popullin tonë. Dhe për më shumë, për ta ruajtur sa më mirë këtë pushtet këta ndërkombëtarë dalin në përkrahje të politikanëve që nënshtrohen deri në mohimin e të drejtës së popullit tonë për liri. Këta politikanë janë njerëz si Thaçi, të cilët për hir të pushtetit shkojnë në negociata për veriun dhe komunat me shumicë serbe në Kosovë, sikur këto të ishin çështje të jashtme për Republikën e Kosovës. Ndërkohë që nuk vendosin asnjë kusht për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e trajtuar atë sikur të ishte çështje e brendshme për Serbinë. Dhe kështu, qeveria e Kosovës e çon vendin gjithnjë e më shumë drejt zhbërjes së sovranitetit, duke e bërë të paaftë për të kontrolluar territorin e vet, e aq më pak të aftë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve nën regjimin e Serbisë.

Pasi ka bërë gjithë këtë, me pafytyrësinë më të madhe, në intervistën e dhënë të mërkurën për një të përditshme në Prishtinë, Thaçi i kërkon llogari shqiptarëve të Luginës duke thënë se “Qoftë edhe një qytetar i vetëm, e lërë më liderët politikë të Luginës së Preshevës nuk u shfaqen te monumenti për të bërë përpjekjen më të vogël për ta mbrojtur atë.” Në këtë intervistë ai shkon deri aty sa bën paralelizma mes rezistencës së serbëve ne veri dhe rezistencës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke thënë se arsyeja pse EULEX-i dhe NATO nuk po ndërhyjnë në veri është rezistenca qytetare e serbëve që jetojnë aty. Jo kryeministër nuk është kjo arsyeja, dhe boll e mashtrove këtë popull! As EULEX-i as NATO nuk e njohin pavarësinë dhe janë neutral ndaj statusit të Kosovës. Madje këto dy struktura janë mbi ligjet e Republikës së Kosovës. Ajo rezistencë e serbëve të veriut që ti e quan rezistencë qytetare është në fakt organizim i financuar nga strukturat paralele dhe kriminale serbe që veprojnë në veri nëpërmjet mbështetjes së plotë ekonomike dhe politike nga Beogradi. Kjo është arsyeja pse një grup serbësh në veri mbajnë peng një të pestën e territorit të Republikës së Kosovës, dhe jo rezistenca paqësore e ndonjë qytetari serb. Ndërkohë, të braktisur me kohë nga Qeveria e Kosovës që nuk ka dhënë asnjë kontribut financiar për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Thaçi merr guximin t’i mbaj ata si përgjegjës për mungesën e vullnetit për të mbrojtur kujtimin e dëshmorëve të rënë në luftë. A thua se Thaçi nuk i ka parë pamjet e xhandarmërisë së armatosur serbe që rrethoi Preshevën dhe hyri në qytet nëpërmjet një akti të dhunshëm ushtarako-shtetëror. E megjithatë, shqiptarët e Luginës nuk ndenjën duarkryq por u ngritën më mijëra për të protestuar për të drejtat e tyre.

Kënga e qyqes së Thaçit nuk zgjati, ajo pushoi ende pa nisur mirë. Sot shqiptarët po organizohen si popull i vetëdijshëm politik i cili refuzon të luaj rolin e qyqes që i zgjat jetën pushtetarëve si Thaçi. Shqiptarët sot po artikulohen si qenie thelbësisht politike, duke mos ia lënë në dorë politikën qeveritarëve të verbuar nga pushteti. Shqiptarët po mobilizohen për të treguar se nuk dinë të nënshtrohen dhe janë të gatshëm të solidarizohen me të gjithë ata që janë ende të shtypur nën regjimin e pasardhësve të Milosheviçit. Protesta mbarëpopullore që mbahet këtë të shtunë në Prishtinë e ngre solidaritetin me shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në rrafshin e politikbërjes. Prandaj të shtunën do jem dhe unë në shesh për të bërë një akt solidariteti politik, dhe tashmë e di që aty s’do të jem i vetmi.

Një koment te ““Qyqja” e Thaçit nuk do të këndojë gjatë

  1. ulpiana
    Janar 25, 2013

    Pajtohem me disa kritika por jo me te githa. Se pari, nese Thaqi – i cilësoi ata pak qytetarë që prishën disa varreza serbe si “qyqarë” (sic),aty nuk shof asgje te keqe, fjala qyqar ne ket kontekst nuk ka asgja te bej me “qyqen e mitologjise” por asocijon ne njeriun e lige, shprehje shume e zakonshme tek kosovaret.
    Verejtja tjeter per autorin eshte termi “sunduesin nderkombetar”- “Nëpërmjet këtyre akteve ata ndërkombëtarë që sundojnë mbi Kosovën gjejnë justifikime për pushtetin e tyre antidemokratik mbi popullin tonë.(sic)”,secili nga ne qe ka nje pjekuri te vogel intelektuale e din qe kjo deklarate “nuk pin uje” edhe eshte shume joserioze nese dikush i qaset problemeve shoqnore ne Kosove me ket qendrim. Kush jan sunduesit nderkombetare? Institucionet e tyre kan emra. Nese mendon per Eulex’in, Kforin dhe Ambasadat e shteteve qe na liruan nga Serbija (dhe na paranuan si shtet) athere kishte qene mire per autorin ta bej nje hulumtim ma serioz se kush eshte mik dhe kush eshte armik i popullit tone. “Mbikqyrja” eshte termi ma argumentativ sesa “Sundim”, pajtohem qe jo gjithmone jan duke e kry punen ashtu siq ishte dasht apo si kerkohet prej tyre por mos te harrojme qe mosprezenca e tyre Kosoves kishte me i kushtua me kolaps total, shteti nuk mundet te mbahet me ket kapacitet intelektual dhe financiar qe ka Kosova ne ket moment. Shteti i Kosoves eshte ne proces te mesimit se si funksionon shteti e ky proces kerkon kohe sado qe na dhemb realiteti.
    Ne lidhje me Thaqin dhe kompanine e tij pajtohem plotesisht qe nuk e kan vendin ne qeverisje, shumica nga ta jan njerzi qe kan prapavi te dyshimt,pa punuar kurr ne jete… personalisht mendoj qe termi “qyqare”(i lige) me shume i flen atij dhe njerze te tij sesa atyre qe kan demtu varrezat.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 25, 2013 nga te Polemikë, Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: