rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

« Gabimi mjekësor » dhe polumbari Isuf Kalo

Agon Neka

Isuf Kalon e dëgjova, me kujdes për herë të parë, gjatë një emisioni (tek Opinion më duket) para disa muajsh. E kishin ftuar, bashkë me disa specialistë të tjerë të mjekësisë të jepte mendimin e tij mbi gabimet mjekësore, temë që ishte e nxehtë ato ditë për shkak të vdekjes së një vogëlushi, Denisit, gjatë një operacioni në QSUT. Cfarë tha Isuf Kalo ? Tha po ato gjëra që ka shkruar në artikullin « Ajsbergët e mjekësisë » tek Panorama para ca ditësh. Madje, edhe metaforat që ka përdorur, si gjatë emisionit, po ashtu edhe në artikull janë po ato : ajsbergu, Titaniku, lundërtarët, detet, oqeanet, etj. Mu kujtua sesi Isuf Kalo gjatë emisionit televiziv, në emër të të gjithë bluzave të bardha, i kërkonte falje familjarëve të Denisit për vdekjen e tij ; ndërkohë lexoj tani në artikullin e tij tek Panorama që kërkon një tjetër falje, po kësaj here tek familjarët e Arselës, viktimë e rradhës e mjekësisë tonë. Pyetja që shtrohet tashmë është kur do të dalë sërish Isuf Kalo të kërkojë falje për pacientë që vdesin, sipas tij për shkak « gabimesh mjekësore » ?

Në fakt, me metaforat e Isuf Kalos me dete e vaporë nuk do të kishte asnjë problem, sikur argumentët e tij të mos fusnin ujë. Kalo na thotë në artikull, në vija të trasha, se gabimi s’është vetëm njerëzor, por është individual. E thënë më shkurt, jeta e një pacienti varet nga profesionalizmi, etika apo dhe vullneti individual i mjekut. Këtë thotë Kalo së pari. Së dyti, na thotë se mjekësia nuk është shkencë ekzakte, por është gati-gati një « shkencë fatale ». Fataliteti paraqitet si një ajsberg që shfaqet papritur në realitetin tonë shqiptar « të mrekullueshëm » e që përmbys gjithçka, edhe « mrekullinë » e sistemit tonë mjekësor (pas Gjermanisë, jemi ne me siguri !). Për të ilustruar këtë argument të dytë të Kalos, le të ekzagjerojmë pak : imagjino i dashur lexues, se ti, për shembull, tani je mirë e bukur duke lexuar këtë shkrim, kur bam ! një infarkt kardiak. Të çojnë në spital me urgjencë, mjekët fillojnë të kujdesen për ty, mendojnë se ke « pak tension », kur bam ! ta jep edhe një apandesit i padiagnostikuar ! dhe, në fund, zbulohet se shkaku i vdekjes ishte një kancer në stadin terminal ! Gabime fatale! Fajtorët dënohen, e del Isuf Kalo në fund e kërkon falje mbi një gabim mjekësor padashje (tautologjizmi « gabim padashje » është padashje dhe këtu). Pas vdekjes tënde i dashur lexuar, Kalo i fton mjekët të nxjerrin mësime.

Shkenca i njeh gabimet mjekësore dhe, teorikisht, mjeku Kalo i duhet dhënë pak të drejtë. Madje, në artikull përmend raste të rënda gabimesh mjekësore në botë. Problemi është se Kaloja, që krahason mjekësinë tonë me një Titanik që përplaset me një ajsberg të papritur, harron ose s’kupton, që mjekësia jonë është një dështim i tërë që nis që nga auditoret universitare e deri tek qëndrat e specializuara të kujdesit mjekësor. Sigurisht, që ka një përgjegjësi individuale të mjekut, por si mund të arsyetohet drejtë mbi gabimet mjekësore vetëm e vetëm duke e konsideruar problemin si ndonjë çështje morale, etike, deontologjike, në vend që të shihet problemi si një rrjedhojë sistemike e shkatërrimit të sistemit shëndetësor dhe, më konkretisht, të spitalit publik ? Gabimi mjekësor në vendet e zhvilluara konsiderohet si një fenomen i izoluar, ndërkohë që tek ne « gabimi » është bërë tendencë. Në këtë rast, përgjegjësia s’mund të jetë thjesht individuale, dhe s’mund të mos ketë karakter politik : C’politikë po ndiqet sot për të përmirësuar kujdesin shëndetësor tek ne ? A i sheh Kaloja në ç’gjendje mjerane janë spitalet shqiptare ? A e sheh ai se çfarë kalvari heqin pacientët në hallkat e mjekësisë shqiptare ? A e sheh sesi spitali publik është shndërruar në paradhomë të spitaleve private që zhvillohen e fitojnë territore në kurriz të publikes ? Pa u zgjatur mbi të stërmërzitshmet muhabete tenderash, mungesë ilaçesh, monopolesh, e tjerë, e tjerë, sepse mund të ankohemi e të shtrojmë pyetje pafund, por po guxoj të shtroj edhe një pyetje të fundit :

A e sheh Isuf Kalo që në Shqipëri nuk ka më pacientë, por ka vetëm klientë ?

Unë besoj se ky është mëkati dhe krimi më i madh që ka ndodhur në këto 20 vjet tranzicion. Transformimi i pacientit në klient ! Ajsbergu « Denis » apo « Arsela » nuk janë ajsbergë të izoluar dhe, me këto ritme, këtyre mund ti vendosim edhe emrin tonë një ditë. Por këta s’janë ajsbergë zoti Kalo, e mjekësia jonë s’është një Titanik, por veçse një trap. E falë këtij sistemi që ju justifikoni e mbroni me argumente vaporësh, jo vetëm nuk ka për tu nxjerrë ndonjëherë mësim, por më e keqja po vjen përpara. Për ti qëndruar besnik metaforës së Kalos, sistemin tonë mjekësor mund ta pikturojmë kështu : Ne jemi të gjithë ca mjeranë të sëmurë që endemi mbi një trap në një oqean të akullt.

Po rrini pa frikë, se polumbari Kalo do na nxjerrë nga fundi i detit, ndoshta do të kërkojë edhe falje. Po kujt do t’i duhet atëherë ?

4 komente te “« Gabimi mjekësor » dhe polumbari Isuf Kalo

  1. Matt hito
    Mars 14, 2013

    NJE SHKRIM ME VLERA TE MEDHA , shkrim me argumenta shkencore serioze ( i thenur me ” poezi” ) urime autorit , me vjene mire qe e njeh ” vdekien e femise DENIS ALMADHI ” dhe e komenton drejte . DR. MATT HITO .

  2. Shqiptar Oseku
    Qershor 8, 2013

    Shifrat? Statistikat? Kurbat? Diagramet? Dicka të veme, ckadoqoftë që e dëshmon disi pandehmen mbi të cilën ndërtohet artikulli, se Shqipëria paska vdekshmëri më të madhe në krahasim me një mesatare të dickafes? Se, nëse s’ke, kjo i afrohet shpifjes për një profesionist të nderuar ndërkombëtarisht të Shqipërisë. Vetëm kaq po them, a.

    • Matt hito
      Korrik 1, 2013

      Zoti SHQIPTAR OSEKU .
      JU KERKONI SHIFRA , STATISTIKA , DIAGRAMA …. ESHTE E DREJTA JUAJ …POR KY FAKT TE BIND SE KETO TE DHENA JU E DINI MIRE QE DUHET TI PUBLIKOJE VETE PULUMBARI KALO , mbasi pozicioni i tij ( si drejtor ) ja kerkon keto statistika ” por per fate te keqe KALO DUKE LUNDRUAR NE TRAP HARRON SE KA NJE DETYRIM ” publik ” per te dhenur keto statistika .
      PERFUNDIMISHT PRANONI SE :MUNGESA E KETYRE TE DHENAVE NE SHQIPERI ” ESHTE GABIM NJEREZOR I PROFESORIT QE LUNDRON NE TRAP ”
      DR. MATT HITO .

  3. adriandobi
    Maj 26, 2014

    DR Kalon e njohin te gjithë, po kush te jete vallë ky Agushi;) Njeriu njihet nga veprat. E dimë se ç’farë ka bërë Dr. Kalo. Po ti Agush ç’farë ke bërë?!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 21, 2013 nga te Polemikë dhe etiketuar me , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: