rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Mbi patronizimin e popullit

Arbër Zaimi

Në datën 17 janar 2013, në emisionin “Rubikon” të Adriatik Kelmendit, në “Koha Televizion” Mustafa Nano tek rreshtonte disa argumenta se pse sipas tij “bashkimi kombëtar” nuk qenka i udhës, në shqiptim e sipër të njërit prej tyre i dha (ndoshta pa dashje a pa vetëdije) zë një grupi të caktuar shoqëror, me peshë në opinionbërje në Tiranë e Prishtinë. Argumenti në fjalë ishte se “bashkimi kombëtar” dëmton, apo rrezikon, apo pamundëson, apo dobëson demokracinë. Ndërsa grupi i përfaqësuar, të cilit i pëlqen përgjithësisht kjo frazë, supozoj se i përket shtresës së mesme të sipërme, dhe pse nuk e përfaqëson tërësisht këtë shtresë. Bëhet fjalë për njerëz të mirëpaguar, elita drejtuese e mediave, e institucioneve, intelektualë organikë apo edhe menaxherë të bizneseve. Njerëz që për të qenë aty ku janë, janë të bindur që nuk kanë vjedhur edhe pse aty-këtu mund të kenë bërë ndonjë “shërbim” (po fundja – argumenti rrjedh – këtu të gjithë e shkelin nganjëherë, rëndësi ka që të mos merret vesh, edhe kështu justifikohet shkelja personale duke ia hedhur fajin “të gjithëve” imagjinarë që e shkelin kaq shpesh edhe pse prapë mbeten të varfër).

Liri demokraci – po jo për të gjithë

Ky grup njerëzish, për pozitën që mban në shoqëri, vjen menjëherë pas shtresës së sipërme, asaj të përbërë nga pronarë e pushtetarë, të cilët nuk janë shumë jo pse s’ka para, po pse s’ka kuptim, se të qenit i pasur e i pushtetshëm lezetin e ka pikërisht tek të qenit pak. Nën peshën e shtresës së sipërme, ky grup shpreh dhe kërkon një farë garancie për më shumë të drejta, në dinamikë të ngjashme me baronët që kërkuan kufizimin e monarkive absolute në mesjetën e vonë, apo me borgjezët e pasur dhe pronarët e plantacioneve koloniale që u ngritën në shekujt XVII – XVIII kundër ndërhyrjes së mbretërve në punët e tyre, duke stabilizuar lindjen e një rryme të re filozofike, e një mendimi shtetformues e ekonomik që u quajt liberalizëm. Ky tension dialektik mes shtresës së mesme të sipërme dhe asaj të lartë, në reduktimin e tij të fundit prodhon atë që prej vetë (neo)liberalëve të sotëm (Francis Fukuyama-s i ka ngelur damka) u shpall si fund i historisë gjer para krizës globale: pra vetë demokracinë liberale. E bazuar në tre-katër parime të thjeshta: shteti i zvogëluar e mosndërhyrës, por arbitër; shenjtëria e pronës; liria, e tregut dhe në treg; lëvizje e lirë e mallrave dhe e njerëzve; ndarje e pushteteve etj. E pabesueshme se sa lehtë e sa lexueshëm, edhe sot në shekullin XIX, tek këto parime shfaqet ky tension dialektik mes shtresave, shteti si simbolifikim i sovranit (monarkut të dikurshëm dhe burokracisë së tij) dhe liria në treg etj. si kërkesë e atyre që mëtojnë liri për kastën tregtare/pronare – por jo për ata të cilët qëndrojnë nën ta, sidomos jo për ata të cilët ua garantojnë pozitën dhe fitimin. Edhe shembulli historik e tregon se vetë tregtarët e pronarët e plantacioneve dhe industrive të reja që kërkuan mosndërhyrjen e mbretit në fillim të Revolucionit të Lavdishëm, ishin skllavopronarë që kurrë nuk e ngritën çështjen e lirisë për skllevërit. Këta ishin liberalët e parë, etërit e liberalëve të sotëm (përfshi dhe Locke-un e famshëm), të aftë për t’u ngritur kundër shtypjes së pushtetit, për të marrë dhe vetë ca pushtet, por jo për ta asgjësuar atë, e sidomos jo për ta ndarë atë me masat e gjera. Sepse ndarja e pushtetit me masat e gjera do të nënkuptonte “rrezikim të demokracisë”, sipas fjalëve të vetë Mustafa Nanos, por jo vetëm sipas tij.

Le të kthehemi në fillim, e le të shpjegojmë se pse është në thonjëza “bashkimi kombëtar”. Ky koncept është në thonjëza sepse në mënyrën se si përdoret e keqpërdoret, në kuptimet që i mveshin, në mungesë të përkufizimeve, është zbrazur prej kuptimi dhe prodhon veç abuzim që mund të bëhet shpejt shtypës e fyes. Çështja që shtrohet, sipas mendimit tim, nuk është çështja e një bashkimi etnik, nuk është një fenomen pra kulturor. Por, bëhet fjalë për një fenomen politik, për të drejtën e popujve për t’u vetëvendosur. Principin e vetëvendosjes në politikën ndërkombëtare e kanë përdorur njerëz me botëkuptime të ndryshme, që nga V.I. Lenin udhëheqës i Bashkimit Sovjetik, e gjer te W.Wilson, president i SHBA (pa i barazuar arsyet thelbësisht të ndryshme që rridhnin prej botëkuptimeve të papajtueshme të këtyre dy njerëzve). Që të dy këta kanë luajtur një rol të paanashkalueshëm në historinë moderne të shqiptarëve. Lenini për botimin dhe denoncimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës (1915), gjë që i tregoi shqiptarëve se cilat janë interesat dhe etika e vërtetë e fuqive të mëdha – ndërsa Wilsoni për ndërhyrjen e tij pas Konferencës së Paqes në Paris (1919), duke anuluar vendimet e marra mbi tretjen e Shqipërisë, dhe duke e pranuar përfaqësuesin e Shqipërisë në Washington, pra duke e njohur dhe duke e bërë Shqipërinë pjesë të Lidhjes së Kombeve.

Vijojmë me konceptin e rëndësishëm të vetëvendosjes – së drejtës së popullit-komb që të vendosë e të kushtetojë vetveten në formë shteti. Kjo është çështja e vërtetë që po debatohet, dhe jo ndonjë “bashkim kombëtar” mistik që s’i dihet as skaji e as fillimi, e që jo më kot reduktohet te një cic-mic për paskajoren. Kosova e ka një popull. Po ashtu ka dhe një shtet që qeveris në Kosovë. Kosova nuk e ka aktualizuar të drejtën për vetëvendosje, nuk është populli i Kosovës që e kushtetoi këtë shtet, por protektorati ndërkombëtar që qeveris në të. Sovrani i Kosovës qëndron jashtë saj, shteti i Kosovës kështu siç është nuk e tërheq legjitimitetin prej popullit të saj, dhe as që i bëhet vonë për të. Në i marrshim për të sinqerta fjalët e Mustafa Nanos, ai merakoset për demokracinë. Mirëpo demokracia dhe vetëvendosja e popujve janë dy koncepte etimologjikisht motra, për të mos thënë nuanca të njëra-tjetrës. Si mund të mbrohet njëra e të refuzohet a përbuzet tjetra? Mos vallë Mustafa Nano dhe sëra e opinionbërësve janë për një demokraci ku populli nuk pyetet, nuk llogaritet, nuk përfshihet? Nëse po, pse?

Përgjigjja u dha, mes fjalëve në të njëjtin emision. Frika se liria për vetëvendosje mund të çojë në bashkim, që prish disa ekuilibra, që krijon përballje kulturore, dasi religjioze, që nuk respekton ligjet etj. Pra u radhitën një sërë pamundësish e barrierash që i mvishen popullit pa të drejtë, a thua se ky gjenetikisht dhe prej racës na qenka injorant, i paqytetëruar, proto-fondamentalist, me pak fjalë, popull që s’bëhet. A thua nuk janë krejt këto simptoma të shteteve disfunksionale që kanë dështuar në ligjvënie, në ekonomi, në edukim etj., shtete që janë formuar pikërisht pa marrë parasysh popujt. Vetë problemet që përmendi Nano në “Rubikon”, janë ekzistente, por si pasojë e atij pushteti që duhet të shuhet pas aplikimit të së drejtës për vetëvendosje, pas çarjes që garanton pjesëmarrje, apo pas “hyrjes së popullit në skenën e historisë”, siç do të shprehej filozofi bashkëkohor francez Alain Badiou, autor i librit “Rizgjimi i historisë” (2011).

Meqë Mustafa Nano dhe shqiptarët e sërës së tij janë të shqetësuar me pushtetin që rri sipër tyre (siç thamë në fillim të shkrimit), dhe kërkojnë më shumë hapësirë prej atij pushteti, pse nuk e bashkojnë betejën e tyre kundër qeverisjes – që ka privatizuar pushtetin, që ka përvetësuar atribute të sovranitetit që absolutisht nuk i takojnë – me projektin masiv për vetëvendosje, si kusht që kjo aleancë të përfundojë në demokraci të vërtetë? Si mund të shpjegohet ky kundërshtim edhe ndaj pushtetit edhe ndaj popullit, që vërehet fjala vjen tek shkrimi i opinionistit Enver Robelli, i datës 16 janar 2013 i publikuar tek “Koha Ditore” ku ndërkohë që me shumë të drejtë rendit dështimet e klasave respektive politike në Kosovë e Shqipëri, nuk mbërrin të shkojë përtej konstatimit se integrimi (lexo pranimi i pakusht dhe pasiv i imponimit të fuqive globale) është i vetmi ilaç. Askund nuk e shqetëson Enver Robellin mohimi i së drejtës për të kushtetuar vetveten, mohim që Kosovës po i konfirmohet aq shpesh sa dalëngadalë po tingëllon si natyrë e dytë e këtij populli (ne jemi të vegjël, kështu kemi qenë gjithmonë, vagon i parëndësishëm i trenave të tjerë). Edhe Robelli shfaqet po aq eklektik sa Nano, akuzues i elitave “injorante, epshore, tahmaqare e brutale” ndërkohë që popullin e sheh me një sy thuajse mëshiror (ç’na gjeti ne me këtë popull që kërkon ende “bashkim kombëtar” edhe pse i ka ikur koha, ç’na gjeti me këtë popull që nuk e ka kuptuar ende postmodernen).

Frika nga populli

Ky mendim skualifikues për popullin bëhet malinj në një rast të tretë që po citojmë, në rastin e zv.ministrit të jashtëm të Kosovës, Petrit Selimit, autor i një shkrimi të botuar në gazetën “Express” në 17 dhjetor 2012, si reagim ndaj një proteste që një grup tifozësh dhe fanatikësh religjiozë zhvilluan kundër një evenimenti privat të një reviste mbi seksualitetin (kryesisht me pretendimin se në këtë eveniment promovohej homoseksualizmi, pra protestën mund ta definojmë pa hezitim si homofobe). Në këtë shkrim Selimi përdor një prej gabimeve më të rëndomta logjike, dhe asocion dy të pangjashme duke shkruar se “Përgjigje duhet të japin edhe partitë politikë, sidomos ato që përkrahin nocionin që flasin në emër të popullit dhe se ‘shumica duhet të vendosë’. Ka problem fondamental me konceptet e ‘shumicës’ sepse rëndom në ideologji të tilla, pakicat mbesin të margjinalizuara”. Në këtë fjali Selimi lë të kuptohet se e mendon të arsyeshme të qeverisë pakica, pasi shumica është e paevoluar mirë, pre e instikteve dhe e kafshërisë, dhe kafshët kanë nevojë për barinj, e kjo na qenka elita. Bash kjo tezë mund të përdorej (dhe është përdorur) për ta shuar çdo lloj përpjekje të Kosovës për pavarësi prej Serbisë, por Selimi në logjikë formale e matematike nuk është lojtar i zhdërvjellët, dhe principi i universalizmës nuk i thotë kurrgjë. Pse them që bashkon dy të pangjashme zv.ministri. Sepse e drejta për vetëvendosje është në thelb e drejta për kushtetim të vetvetes, për t’i dhënë shtat vetes, e jo për t’ia kufizuar shtatin tjetrit. Pra principi i vetëvendosjes nuk drejtohet kundër tjetrit, me përjashtim të momentit kur tjetri ta pengon qenien (jo më kot Lëvizja Vetëvendosje! këmbëngul që nuk ka problem me serbët si njerëz, si kulturë apo si popull, por e ka problemin me projektin antishqiptar të ushqyer pandërprerë prej elitave serbe). Principi i vetëvendosjes është universal, dhe kërkon pranimin e secilës vete, nga secila vete. Ndërsa homofobia, ksenofobia, racizmi, seksizmi, supremacizmi etnik etj. janë shprehje që i përkasin një plani krejt tjetër. Ato që prej fillimi interesohen te mohimi i tjetrit, janë lëvizje shtypëse e jo emancipuese. Për të bërë dallim, në terminologjinë e mendimit politik përdoren dy terma: “popull”, për masën që merr përsipër të kushtetojë vetveten, dhe “turmë” për masën që çohet emocionalisht të linçojë tjetrin. Nuk vihet dot barazim mes këtyre dy koncepteve pa u bërë qesharak. Madje barazimi nuk do të qëndronte edhe nëse pjesëmarrësit do të ishin emër për emër të njëjtët individë (gjë që s’bën vaki gjithsesi).

Ç’është vallë ky reaksion i këtij grupi ndaj thirrjes së popullit prej politikës (apo anasjelltas)? Duke e njësuar në shkrimet e në fjalët e tyre “politikën” me “pushtetin”, ata synojnë t’ia veshin mëkatet e së dytës, idesë të së parës. Duan ta përdorin bindjen se “politika është kurvë”, si barbiturat për mpirjen dhe pasivizimin e masave. Duan të krijonë bindjen se ky është nacionalizëm i tejkaluar, regresiv, i frikshëm, edhe pse prej shqiptarëve nuk po kërkohet askund as supremaci, as pushtim i territoreve ku janë të tjerët, as rimarrje e territoreve ku nuk jemi më (si pasojë e spastrimeve etnike të 40 – 50 vjetëve më parë), por po kërkohet vetëm barazi me popujt e tjerë, dhe marrëdhënie të bazuara mbi reciprocitetin dhe të drejtën? Që kur na qenka barazia (premisë formale e demokracisë dhe e paqes ndërkombëtare) e identifikueshme me nacionalizmin makabër që sjellin në antilegomenat e tyre këta opinionbërës? Le pastaj me këtë batutën cliche të strehës së maskarenjve, që s’po pushojnë së rizbuluari engjëjt protomendimtarë.

Kriza është edhe problem i demokracisë së munguar

Në shkrimin e tij të 16 janarit në gazetën “The Guardian”, filozofi slloven Slavoj Zizek analizon se si elitat neoliberale këmbëngulin tek mos-lejimi i së drejtës së popullit për të qenë politik e për të marrë vendime, fjala vjen përmend rastin e referendumit të mohuar në Greqi në 2011 (kujtoni që Papandreou e shpalli një referendum për masat disiplinore, dhe pas presionit të Brukselit e anuloi referendumin një ditë më vonë). Po ashtu sjell edhe rastin e fundit në Slloveni, kur pas një viti debatesh u shtrua ideja për të transferuar gjithë borxhet dhe kreditë e këqija të bankave në një “bankë të keqe”, që të merrej përsipër nga shteti (pra prej taksapaguesve). Edhe pse me këtë ide ranë dakord shumë qytetarë, ndër ta dhe financierë të njohur, nuk u lejua të mbahej referendum. Sipas Zizek-ut, kjo ndodh se elitat mendojnë që populli nuk e ka të qartë zgjidhjen, kështu që kjo duhet kërkuar prej teknokratëve e profesionistëve (këtë mendim e ndajnë dhe shumica e elitës opinionbërëse shqiptare në Prishtinë e Tiranë). Por, vazhdon Zizek, elitat as vetë nuk e kanë hiç të qartë zgjidhjen:

“Në fund të tetorit të 2012 vetë FMN botoi studime që tregonin se dëmi ekonomik i ardhur prej masave agresive disiplinore mund të jetë gjer në trefish më i madh se sa parashikohej fillimisht, kështu që FMN e anuloi qëndrimin e saj këshillues për disiplinë në krizën e eurozonës. Tani FMN-ja e pranon se imponimi ndaj Greqisë dhe vendeve të tjerë të rënduar prej borxhit, që ato të reduktojnë deficitet sa më shpejt do të ishte kundërprodhues, por tashmë qindra mijëra vende pune janë humbur për shkak të këtyre ‘keqllogaritjeve’.
Ky pra është mesazhi i vërtetë i protestave ‘irracionale’ në Evropë: protestuesit e dinë shumë mirë atë që nuk e dinë; dhe nuk pretendojnë të kenë përgjigje të shpejta e të lehta; por pavarësisht kësaj ajo çka ata dinë instinktivisht është e vërtetë – as ata në pushtet nuk i dinë këto përgjigje”.

Demokraci pa vetëvendosje, nuk ka (në botën e kornizuar mes shteteve-kombe, kjo vetëvendosje duhet medoemos të jetë shtet-kombëtare). Pa të, ka vetëm kolonizim prej qendrave të pushtetit, në shfaqjen moderne të tij, pra pa prezencë formale të sovranitetit të metropolit, por me pushtet të bazuar në shfrytëzim prej po atij metropoli. Nëse pajtohemi me këtë kolonizim, le ta bëjmë legjitim, le të bëjmë referendum për bashkim me SHBA-të, apo me Lihtenshtejnin. Nëse jo, shtetin duhet ta themelojmë njëjtë si republikat perëndimore që marrim për shembull. Tek të gjitha ato, sovran është populli, dhe ai është thirrur në referendum për të votuar kushtetutat, ndërmarrjet thelbësore ligjore, ekonomike e sociale, dhe jo vetëm. Se as emancipim, as drejtësi, dhe as shtet funksional nuk ka pa vetëvendosje (ndaj kujt mban përgjegjësi pushteti në një shtet ku populli nuk është sovran i vërtetë? Ndaj ambasadorit, apo ndaj bosit mafioz, apo ndaj CEO-s së korporatës së rastit?).

Sa për epilog, le ta themi një herë e mirë se një pjesë e strehave të fundit të maskarenjve janë identifikuar. Një pjesë, ende jo. Një pjesë janë në zbulim e sipër. Psh. një strehë moderne (aq sa e kahmotshme) e maskarenjve është politizimi i pamundësisë – fokusimi te pafuqia, evidentimi i arsyeve pse subjekti s’duhet dëshiruar, pse nuk duhet lejuar ta shikojë dëshirën e vet, apo pse përgjithësisht subjektit (popull-politik) nuk i duhet “dhënë leje”. Një strehë tjetër e maskarenjve është absurdi që fshihet pas objektivizmit, edhe pse i mbushur përplot gabime logjike që nuk ndërtojnë as nihilizëm, por shkarravina që ngjajnë të tilla…

Një gjë është e sigurt, maskarenjtë nuk janë homogjenë, as klasicistë, as konservatorë. Ata ndërrojnë strehë (formë, shfaqje, qime) shpesh dhe shpejt, e gati çdo strehë strehon dhe të tillë. Po ç’faj ka vallë streha për proliferimin e tyre?

Një koment te “Mbi patronizimin e popullit

  1. arjeta
    Janar 18, 2013

    Le t’i shtojme sa me siper edhe shkrimin e sotshem te Gashit dhe Ahmetit

    http://www.zeri.info/artikulli/3/20/66270/bashkimi-kombetar-e-pse/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 18, 2013 nga te Polemikë, Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: