rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Ku ta fusin kokën të rinjtë?

Vetëkuptohet se përgjigja e strucave nuk pranohet

Arbër Zaimi

Dimri i mbushi shqiptarët me gëzim, prej festave të nëntorit e gjer te ato të dhjetorit. Po njëkohësisht me gëzimin, erdh’ edhe i ftohti dhe terri i zakonshëm i dimrit, që zbutet aq shumë në gjirin e familjes së fortë, asaj strehëzës që pret me ngrohtësi edhe zëmëdhenjtë snobë e rebelë që thërrasin gjithë ditën për emancipim e pavarësi nga tribunat e shoqërisë civile (se sado luftëtarë të emancipimit që të jenë, e kanë vështirë të shkëputën nga gjiri i ëmbël i familjes patriarkale, ku kthehen menjëherë pas pune, apo pas kafes). Po nejse, tema jonë nuk do të nisë me shoqërinë civile a snobat, por me të ftohtin dhe terrin e dimrit. Pra kthehemi te i ftohti.

Përveçse vë në pah ngrohtësinë e strehëzës familjare dhe fishekzjarret festive, ashpërsimi i motit do të duhej, në shoqërinë tonë, të ngrinte dhe problemin e të pastrehëve. Një problem që bëhet aq brutal sa na detyron të kthejmë kokën tjetërkah kur shohim vetë të pastrehët që flenë në kartone, mbuluar me jorgane rreckash, poshtë kateve të para të ndërtesave apo në ndonjë cep ku s’ndajnë shoqëri me kërkënd, veç qenve.

Megjithatë, s’janë vetëm endacakët të pastrehë (se ndonjë cinik mund të më akuzojë për “humanizëm mëshiror” këtu). S’janë vetëm endacakët të pastrehë, ashtu siç nuk janë vetëm lypsarët mjeranë e të papunë. Të pastrehët janë shumë më shumë se aq. Pozitivisti do të kërkonte shifra, mirëpo pozitivisti le të shkojë vetë t’i gjejë shifrat në këtë rast. Janë ca gjëra që mund të kuptohen edhe pa u referuar në shifrat e prodhuara nga entet statistikore që mëtojnë të plotësojnë qejfe pushtetarësh përmes rigorit shkencor. Përshembull, është e kuptueshme se çështja e strehimit është hall i pakapërcyeshëm për shumicën, përderisa rroga mesatare është nën 300 euro (deklarativisht, prapë sipas enteve, e sheh që s’kemi ku shkojmë pa to…), ndërsa çmimi i metrit katror vështirë se gjendet për më pak se dyfishi i kësaj shume, edhe ky në periferi të periferisë, atje ku konditat janë tashmë gati për getot e ardhshme, ku betoni takon betonin si në distopitë steampunk. Domethënë, që t’i biem shkurt, me 300 euro në muaj, po të hash edhe bukë, i bie që një metër katror të jesh në gjendje ta blesh për katër muaj. Dmth. blen tre metra katrorë në vit. Kjo të detyron të jesh së paku çift (ja pra origjina ekonomike e familjes… dhe e varësisë prej saj). Edhe si çift, jo se e ke të lehtë, vetëm nëse janë të dy në punë, i bie të blejnë 6 metra katrorë në vit. Një shtëpi minimale, prej 50 metrash katrorë, po të blesh 6 metra në vit, kërkon 8 vjet e gjysmë. Po të marrësh parasysh edhe mobilimin, llogariti plot 10 vjet. Natyrisht, po të mos jetë marrë kredi (po sigurisht që do të jetë marrë kredi, se 10 vjet rrugëve s’do rrinë – e jo shumëkush ka fatin që të marrë borxh pa interes). Pra, po të kemi parasysh kredinë, mund ta bëjmë fare mirë hesapin për 15 vjet. Kuptohet, po të jenë vazhdimisht në punë. Gjë kjo, jo tamam e lehtë në ditët e sotme. Dhe sërish natyrisht, po të përdorin kontraceptivë e të mos bëjnë fëmijë. Për 15 vjet rresht këta dy të rinj do të kalojnë të dyzetat dhe jeta e tyre do të jetë tërësisht tripartite, punë – bukë – shtrat. Funksione të tjera të jetës janë lukse që s’ia lejon dot vetes kur e di se sa shpejt mund të mbetesh pa strehë.

Le të themi, pa pikë humanizmi, që kjo perspektivë është çnjerëzore dhe çnjerëzuese në të njëjtën kohë. E në një shoqëri funksionale, së paku ata që angazhohen politikisht, pra forcat politike, mediat, shoqëria civile e intelektualët, do të duhet ta ngrinin këtë si pyetje. Por, meqenëse mantra e përbashkët e aktorëve në fjalë është shkatërrimi i së përbashkëtës dhe ekzaltimi i privates, no single fuck is given.

Perspektiva bëhet edhe më e errët po të mësosh për mijëra, apo dhjetëra mijëra apartamente që janë ndërtuar vitet e fundit e që rrinë të pashitura, të padhëna me qera, të papërdorura. Të ndryra prej investitorëve që nuk i nxiton askush për t’i shitur, gjersa të vijë momenti i duhur dhe të shesin aq sa duan ata. Ç’ndodh në këtë rast me ofertën dhe kërkesën, ku shkon dora magjike dhe e padukshme e tregut, ajo që vë gjithçka në ekuilibër? Ku përfundon ky pehlivan ekuilibër kur investitori ka interesa më prioritare se sa shitja e produktit të vet?

Vërtet, çështja e strehimit do të meritonte më shumë vëmendje prej politikës e aktorëve të tjerë. Ajo do të duhej të qe kryeçështje, duke patur parasysh se neglizhenca e ka prurë shoqërinë në nivele të stresit që domosdoshmërisht rezultojnë në familjarizëm, në nepotizëm, në forcimin e institucionit të “mikut” (se miku është ai që ta siguron borxhin, kredinë a mikrokredinë, apo që të gjen shtëpinë paksa më lirë, apo që të gjen punë për vete a për bashkëshortin, e që del garant që të mos e humbësh atë vend pune). Pra domosdoshmërisht përfundohet në disfunksion, herë social e herë psiqik.

Nëse do të rrekesha të jepja një zgjidhje në këtë tekst të shkurtër, brenda kornizave të sistemit aktual ekonomik-shoqëror, ajo do të rrinte te taksimi. Njësoj siç duhen taksuar trojet bujqësore të lëna djerrë (se pronari ka leverdi në aktivitete të tjera), ashtu duhen taksuar dhe shtëpitë e apartamentet e batallosura prej investitorëve që i hyjnë punës së ndërtimit për të larë para, apo për qejf, apo për ku di unë pse. Në këtë perspektivën time të skicuar shpejt e shpejt, individi/familja nuk do të taksohej nëse do të zotëronte gjer në 50 metra katrorë (dhe kjo do të duhej të shpallej si minimum jetik, si strehë që i nevojitet gjithkujt dhe që shteti do të duhej t’ia siguronte gjithkujt, përmes ndihmës sociale, kreditimit të butë, apo qerasë në përputhje me të ardhurat etj). Pastaj, cilido që zotëron më shumë se 50 metra do të taksohej progresivisht. Gjer në 80 metra – 3%, gjer në 120 – 7%, gjer në 200 – 15%, gjer në 300 – 25% e kështu me radhë. Kështu ai që zotëron 100 apartamente e s’do as t’i shesë as t’i japë me qera, do të ndëshkohej e do të detyrohej t’i nxirrte në treg. E kështu çmimet do të zbrisnin drejt një niveli që e reflekton më mirë fuqinë blerëse, që e reflekton më mirë nivelin ekonomik dhe atë të të ardhurave që ka shoqëria jonë. Ky do të ishte versioni A i zgjidhjes, ndërsa versioni B, paksa më radikal, po sërish brenda kornizave të ekonomisë mikse, do të qe marrja në dorë e krejt sektorit të ndërtimit të banesave prej enteve publike (shtetërore). Përmes analizimit të nevojave, të demografisë dhe të ekonomisë, do të mund të bëhej një planifikim që shmang getoizimin, shmang dyndjet në zona të caktuara, ruan raportin banorë/punësim dhe zgjidh përfundimisht problemin e strehimit, me kosto shumë më të ulët se sa ajo që po prodhon aktualisht privati në këtë sektor. Por që të ndodhë kjo, duhet që çështja të bëhet temë publike, e temë publike te ne bëhen ato çka do “elita”, gjersa masat popullore e rinia në përgjithësi janë të fjetura dhe të paangazhuara, duke refuzuar organizimin që është e vetmja rrugë për të kërkuar zgjidhje e për ta mbërritur atë. Nga ana tjetër elita, kjo prodhuese bujare shpresash, nuk është kurrë e pastrehë, dhe nuk ka asnjë interes ta zhvendosë diskursin, si e lyp nevoja, prej “të drejtës së tregut” tek “e drejta e banimit”.

3 komente te “Ku ta fusin kokën të rinjtë?

  1. Avni R. Rama
    Janar 4, 2013

    Përshëndetje Arbër së pari të uroj shëndet dhe një fillim të mbarë në këtë vit që sapo kemi hy.

    Artikulli ne fjale me pëlqeu shume sepse shtjellon një problem thelbësorë që në përket secilin nga NE. Edhe propozimi apo koncepti i zgjedhjes se këtij problemi me duket shume i drejt dhe i arritshëm por me një Qeverisje tjetër që Elita e re dhe e sinqertë e kësaj Shoqërie ka mundësi ta bëjë realitet.
    Ekziston një thënie se „Edhe mbreti ka telashe“ ai së paku përkujdeset për zgjedhjen e tyre, pa marr parasysh se të çfarë natyre janë ato. Ne jemi dëshmitarë të degradimit të vlerave njerëzore. Çështja e problemeve socio-politike çdo ditë e më shumë po merr konotacione tmerruese nga kjo keqqeverisje pa vizion për ndërtimin dhe zhvillimin e mirëqenies se përgjithshme.
    Familja për është esenca e ekzistimit tonë si individë dhe si shoqëri por ne si duket i kemi përzier konceptet. Qeverisja e pakicës në dëm të shumicës me familijarizëm është shumë i dëmshëm edhe për ata që tani po qeverisin, sepse nesër do te vijnë tjerët në Qeveri e pastaj vet do ti shijojnë pasojat e keqqeverisjes se tyre.
    Është e domosdoshme të jemi të zëshëm ndaj këtyre dukurive dhe ti luftojmë ato, sepse po e ngulfatin zhvillimin e mirëfilltë të Shtetit që përkujdesjen për qytetarët e vet duhet ta ketë prioritet në rend të parë, sepse Qytetari është ai pjesëtarë i gjallë që prodhon të mira dhe i harxhon ato. Qëllimi i qeverisjes duhet të jetë që këto raporte ti rregulloj në të mirë të të gjithëve duke i forcuar me ligje përkatëse që janë obliguese për të gjithë duke fillua prej Presidenti deri të fëmija në djep .
    Nëse gjendja vazhdon kështu me pasivitetin tonë NE do të vetë shkatërrohemi ende pa i shijua të drejtat tona të garantuara me Kushtetutë dhe të gjitha Konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për të jetuar i lirë në Atdheun e vet .
    Nëse ato të drejta na shkelen atëherë pse rrime te strukur? Në vetë duhet ti luftojmë padrejtësitë, sepse ato po na rëndojnë neve. Ata që bëjnë të padrejtën e bëjnë sepse NE vetë me indiferencën dhe mos reagimin tonë po ua lejojmë.
    Deri atëherë ata(Pushtetarët )do të na sundojnë në emër tonin.
    Përshëndetje!
    Avni Rama

  2. Askushi
    Janar 9, 2013

    a nuk do te argumentonin perkrahesit e neoliberalizmit se “dora e padukshme e tregut te lire” pengohet nga burokracia e korruptuar shteterore e cila e ka nje lloj monopoli mbi tregun e patundshmerise?

  3. a.zaimi
    Janar 10, 2013

    @askushi – Nuk do te mund ta argumentonin keshtu, pasi skualifikohet edhe per nga faktet, edhe per nga qendrueshmeria logjike:
    se pari, burokracia shteterore ka gjithnje e me pak kontroll ne tregun e patundshmerise.
    se dyti, edhe ne vendet ku projekti neoliberal mberriti “suksese” para krizes, edhe ku korrupsioni pretendohet te jete me i ulet, strehimi mbetet problem, ashtu sic mbetet problem gjithnje e me i madh punesimi rinor, etj.
    se treti, burokracia e korruptuar perbrenda projektit neoliberal eshte produkt i ketij projekti, e jo armik i tij. Argumenti se “tregu nuk funksionon se e pengon burokracia dhe korrupsioni” eshte po aq i paqendrueshem sa argumenti se “komunizmi nuk funksionoi se e pengoi burokracia dhe korrupsioni”.
    se katerti, strehimi, sipas konceptit ne shkrim, eshte nje e drejte, e jo thjesht nje komoditet, pra nuk eshte ceshtje tregu.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 4, 2013 nga te Ekonomi, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: