rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Mendësia e (pa)mundësisë

Autor: Zgjim Hyseni

Pa pasur asnjë qëllim polemizimi personal dhe duke ruajtur respektin për autorin, e quaj të nevojshëm e madje të rëndësishëm debatin që ka ngritur Shkëlzen Gashi në shkrimin e tij kritik mbi kushtet e propozuara nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për dialogun Prishtinë-Beograd. Kjo rëndësi konsiston më shumë sesa tek hulumtimi a vërtetimi i fakteve (më gjithë rëndësinë e tyre të pamohueshme), tek logjika e interpretimit të tyre. Këtu nis edhe problemi i Shkëlzenit. Midis rreshtash e gjejmë edhe dakordësinë e supozuar të tij për lexuesin lidhur me real-politikën, por edhe me një koncept të caktuar mbi atë se çfarë konsiderohet të jetë kuptimi i humanitares. Ideologjia vepron spontanisht, siç mund të ketë vepruar edhe tek vetë autori. Në trajtimin e çështjeve politike nuk ka qëndrime “objektive e neutrale” mbi faktet, e ata që këmbëngulin tek njëfarë qëndrimi balancues “mbi palët”, janë në fakt më të përthithurit nga efektet totalizuese të ideologjisë. Shkëlzeni në shkrimin e tij bën më shumë analizë pozicionesh, pa i vënë në trajtim vetë këto pozicione. Analiza pa dialektikë, s’është gjë tjetër veçse fotografim i realitetit, e si e tillë ajo i shërben më parë shkencës statistikore sesa politikës. Ata që ndjekin këtë metodë në vend të ndërveprimit zhvillues të kontradiktës shohin kompromisin, e rrjedhimisht në vend të sintezës, shohin përbërjen mekaniciste, ku në vend të krijimit të së resë kemi thjesht kombinimin e dy gjërave të vjetra.

Shkrimin e Shkëlzen Gashit të botuar tek gazeta Panorama më 2 nëntor dhe te gazeta ZËRI më 4 nëntor e përshkon një lloj i heshtur pranimi për qëndrimin refuzues të Serbisë sikur Kosova ta kushtëzonte dialogun me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe ndryshimin e kushtetutës së Serbisë ku Kosova është sanksionuar si pjesë integrale e Serbisë. Ky lloj pranimi vjen jo nga mosnjohja e e Shkëlzenit për shovinizmin serb, por pikërisht se njohja e tij kufizohet këtu, tek raporti i forcave që i mundëson Serbisë shovinizmin. Kësisoj, pyetja që shtrohet është: a e njohim realitetin për ta vulosur, apo për ta ndryshuar? Por edhe a e njohim vërtetë realitetin? A i dimë vërtetë potencialet tona duke qëndruar dhe duke bërë llogari të ftohta? Mbase duke qëndruar brenda këtij kuadri statik e të paanganzhuar nuk e llogarisim dot efektin e ndërmarrjeve e vepimeve tona politike.

Ndoshta Serbia vërtetë nuk e pranon kushtin e parë për njohje të pavarësisë së Kosovës e ndryshim të kushtetutës së saj, dhe as atë tjetrin për t’i shpërbërë strukturat e saj ilegale në veri dhe gjetiu nëpër Kosovë. Ndoshta Serbia nuk e pranon asnjë kusht që ja vëmë. Mirëpo, si e dimë ne këtë gjë? A nuk është më e drejtë dhe më e mirë që megjithatë t’i bëjmë këto kushte dhe le ta marrim edhe përgjigjen negative, sesa të mos i themi fare duke imagjinuar përgjigjen e Serbisë? Më tutje, a nuk do të thotë kjo se pikërisht kështu po tregojmë varësi mendore nga Serbia? Pse ky mirëkuptim ndaj Serbisë për atë që (mbase) s’e pranon ajo? A do të thotë kjo se para se t’i vëmë kushte Serbisë, nuk duhet të mendojmë për drejtësinë e atyre kushteve tona por për gjasat që ka që Serbia t’i pranojë ato? Mirëpo, kjo logjikë është e kundërt me kushtëzimin që e bë subjekti karshi tjetrit dhe me kushtëzimin si proces subjektifikimi. Po qe se ne duhet të mendohemi se cilat kushte i pranon Serbia ato tashmë nuk janë më kushte. Apo, më saktësisht, janë kushte tonat brenda kushteve të imagjinuara të Serbisë që do të thotë se janë kushte të Serbisë dhe, për më tepër, janë kushte të Serbisë që ne tashmë i kemi pranuar! Me këso mënyre të menduari, pra se çfarë kushtesh tonat do të mund t’i pranonte Serbia, në fakt, ne pranojmë kushte të Serbisë ende pa na i vënë ajo ato neve. Ne kushtëzojmë sepse jemi (shpallur) dhe bëhemi (ajo që u shpallëm) duke kushtëzuar.

Pa dyshim që fjalia kryesore e Shkëlzenit është kjo pjesa te fillimi: ‘dihet se Kosova nuk ka asnjë mundësi që të ushtrojë trysni mbi të (Serbinë, vër. imja)’. Pra, ndjenjë dhe bindje e pafuqisë absolute vetjake. ‘Asnjë mundësi’ thotë Shkëlzeni! Pikërisht tash kur Serbia varet prej Kosovës për përparim në integrimet evropiane dhe mu tash kur Nikoliq e Daçiq lëngojnë që të duken krejt ndryshe prej Sheshelit e Milosheviqit të cilëve u kishin shërbyer si dy duar të djathta! Pse ky konstatim fatal i njëfarë pamundësie objektive para nesh e rrotull nesh? Nuk ka shpjegim tjetër përveçse… Hashim Thaçi. Kuti matës i mundësive për shtetin sipas kësaj pikëpamjeje është vetë Hashim Thaçi. Se çka është e mundur e çka jo, se cilat janë mundësitë për neve, përcaktohet nga Hashim Thaçi. Meqë Thaçi nuk e bën, atëherë nuk është e mundshme. Nuk mjafton ta kundërshtosh Thaçin si qëndrim. Duhet ta kundërshtosh Thaçin edhe si mënyrë. Përndryshe ai bëhet horizonti i perceptimit. Shkëlzeni e kritikon Thaçin (vetëm moralisht) për ta shndërruar atë në kufi të perceptimit të tij (politik). Kjo dëshmon se është plotësisht e mundshme që ta gjykosh në veçanti Thaçin ndërkohë që gjykon politikën në përgjithësi sipas Thaçit.

Çështja tjetër problematike tek shkrimi i Shkëlzenit është mënyra se si e trajton ai çështjen e të pagjeturve, por edhe krimet e luftës në përgjithësi. Ai sugjeron se ne duhet të mirëkuptojmë edhe kërkesën e Serbisë për zbardhjen e fatit të pagjeturve serbë, ndërkohë që thotë se s’ka pse i vëmë kushte Serbisë për njohje. Ai kërkon barazi të viktimave, por nuk kërkon barazi politike midis palëve në luftë. E barazia politike është hiç më pak se njohja e pakusht e subjektivitetit tonë politik. Gjej rastin këtu ta parafrazoj një fjali që e kam lexuar në tekste të Alain Badiousë. Ai thoshte se ne nuk e duam paqen përkundër luftës, por e duam paqen përtej luftës. Edhe ne Shkëlzen, nuk e duam asnjë marrëveshje që s’është gjë tjetër veçse reflektim i raportit aktual të forcave (që brenda saj ka potencialitet lufte), por për një marrëveshje që zhduk shkaqet që kushtëzuan luftën. Kushtet tona lidhur me çështjen e të pagjeturve nuk bëhen nga pikëpamja e një morali të pastër jopolitik dhe jashtë politikës, shoqërisë e historisë. Dhe, ne njëmend duhet që t’i trajtojmë seriozisht rastet e serbëve civilë të vrarë a zhdukur pas luftës, madje pa na kushtëzuar Serbia, por ja që ky pushtet i cili e ka kapur shtetin nuk e bën këtë. Ne duhet ta kushtëzojmë Serbinë. Dhe, kjo e drejtë e jona nuk buron nga ndonjëfarë morali absolutisht i pastër yni dhe po ashtu një moral i tillë nuk duhet të jetë kusht për kushtet tona. Mirëpo njëkohësisht nuk duhen barazuar vrasjet e krimet duke i reduktuar ato në numra. Jo të gjithë të vrarët janë viktima dhe gjithashtu viktimat nuk janë të barabarta. Serbia ka kryer krime lufte me program politik. Në anën tjetër, shumë prej krimeve ndaj serbëve janë krime ordinere indvidësh a bandash të pasluftës (p.sh. për pasuri a prona) ose hakmarrje pas masakrave e poshtërimeve të përjetuara nga forcat shtetërore serbe gjatë luftës. Algjerianët në luftën e tyre nacional-çlirimtare kundër Francës kanë bërë krime gjatë e pas luftës. Porse ato as krahasohen me krimet e Francës kolonizatore dhe as nuk mund të trajtohen para krimeve të Francës. Aq më pak në rast se Franca nuk do ta njihte ende pavarësinë e Algjerisë e të mbante struktura armiqësore atje.

Shkëlzeni pra bën gabim kategorizimi duke mos vënë re dallimet mes moralit si atribut i veprimit dhe gjykimit individual dhe atij si atribut i veprimit të një kolektiviteti politik të organizuar si shtet. Për sa kohë flasim për negociata mes dy shteteve, kolektivetete të lira e të barabarta, morali relevant është ai i kolektivitetit. Si kolektivitet, ne padyshim që jemi absolutisht të pastër karshi Serbisë: ne nuk kemi pasur ndonjëherë e as nuk kemi plane të mandatuara instituticonalisht e politikisht për shtypje dhe pamundësim të realizimit të lirisë kolektive të popullit serb. Vetë ne, ndërkaq, kemi qenë në shënjestër shekullore të shtetit të Serbisë dhe vazhdojmë të jemi të penguar edhe sot, me plane të mandatuara institutionalisht nga Serbia, si dhe përmes Kushtetutës së saj, në rrugën tonë drejt realizimit të vetes si kolektivitet i lirë dhe i barabartë me çdo kolektivitet tjetër. Morali dhe liria janë analitikisht të lidhura dhe morali degjeneron në moralizim kur shkëputet nga ideja e lirisë e kuptuar si liri e barabartë me çdo kolektivitet tjetër nën norma universale. Pa na pranuar si shtet sovran e i barabartë, nuk kemi pse ulemi në tyrezë me Serbinë. Negociatat parimore dhe mes të barabartëve gjithmonë presupozojne ekzistimin e çështjeve të panegociueshme. Negociatat me Serbinë e këtillë çfarë është karshi nesh, qoftë edhe të udhëhequra nga një qeveri e ndershme dhe e pashantazhueshme e Kosoves, vetëm padrejtësi të tjera mund të prodhojnë.

Pikërisht duke bërë një gabim kategorizimi të ngjashëm me këtë që po bën Shkëlzeni, Thaçit nuk po i duket gjë të shkojë të negociojë me Serbinë sepse po niset nga morali i tij individual dhe po ekstrapolon sëkëndejmi, duke qenë kryeministër i vendit, me ç’rast po na shpërfytyron krejtësisht ne si kolektivitet sipas imazhit të vetes dhe klanit të vet – pazari për Kosovën po bie pastaj katastrofisht poshtë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: