rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Eksperti i negociatave

Autor: Zgjim Hyseni

Është mjaft me interes debati juridik që po zhvillohet kohëve të fundit mbi protestat e aksionet simbolike të organizuara nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Kjo çështje dhe trajtimi i saj përbëjnë në fakt nyjën kryesore të situates politike. Fusha e protestës, qëndrimi që kemi karshi hapësirës publike, trajtimet që ia bëjmë ndërhyrjeve policore, janë konkretizime të çarjes, papajtushmërisë inherente midis ligjit dhe popullit, papajtueshmëri kjo që nuk kufizohet me situatën konkrete. E megjithatë, kjo papajtueshmëri nuk dmth. se shoqërisë njerëzore nuk i përputhet kurrfare organizimi apo sepse këto pozicionime kontradiktore vijnë si rezultat i esencave të ndryshme. Ka diçka në mes, një arsye që paracakton këtë marrëdhënie anakronike midis njerëzve dhe njerëzve (të pushtetit). Për ta thjeshtësuar duhet kontekstualizuar situatën: a e keni vërejtur sesi të gjithë ata që janë aq energjikë për “sundimin e ligjit”, për “integritetin e institucioneve” dhe këto të fundit i vendosin përpara lirisë për të protestuar, që të gjithë janë për negociata me Serbinë?! Edhe Blerim Shala.

Negociatat me Serbinë, imponimi me çdo kusht i tyre, ky është shtrati i dhunës. Kalojmë kështu tek një çështje tjetër, hegjemonia e konsensusit në mbrojtje të negociatave. Tashmë është bërë e qartë, diktatura vërehet jo vetëm kur protestohet. Partitë “opozitare” LDK e AAK e kanë futur bishtin ndër shalë, interesi madhor nuk lejon ndarje pozitë – opozitë, thonë ato, bisedimet janë instrument qytetërues madje. Edhe mediat ,me ndonjë përjashtim të vogël i janë bashkangjitur korit. Negociata pa kushte për Serbinë, me çdo kusht! Vizita të bujshme pritet ta nderojnë vendin tone. Dërgesa e të dërguar, ndërmjetës e diplomaci fluturuese, takime publike e të fshehta. Është kohë negociatash.

Nga gjithë ky ambient represiv, sot kemi zgjedhur të merremi me një nga elementët e veçantë të tij. Intelektualin specialist, këtë prodhim serik të ideologjisë dominante. Ashtu si makineria që nxjerr produktin pa asnjë përjetim a reflektim mbi pasojat e tij në botën e njerëzve, specialisti tashmë i veçuar nga shoqëria në emër të dijës, nuk ka interes mbi efektet e ushtrimit të zejes së tij. Specialisti i profilizuar tek pjesa, i bërë pjesë (tamam si vegla), nuk e shikon dot tërësinë e procesit të cilit i shërben. Kështu, edhe mbrojtja e interesit të përgjithshëm është i pamundur. Ata në fakt, përmes dhunës simbolike shtrojnë rrugën ku e pjeshmja zgjerohet duke pushtuar territorin e publikes. Ky është momenti kur kompetenca e dijës bëhet kompetencë sundimi. Të tillë ekspertë kemi plot, të pajisur me diploma masteri për t’u bërë mjeshtër të injorancës, si Mavriqi, Pallaska, Krasniqi, Stavileci, Selimi e Buzhala gjen sa të duash në treg. Vetëm zgjidheni fushën, e gjeni personin, oferta plotëson kërkesën apo jo?!

Por ama specifikat e kontekstit tonë politik kanë krijuar edhe profesione të reja, pa disiplinën përkatëse në fushën e shkencave humane. Është ky profesioni i Blerim Shalës. Negociatori. Në pozitë apo opozitë, gazetari a shoqëri civile, nën okupimin serb apo nën UNMIK – un, Blerim Shala është gjithmonë aty, në negociata, afër negociatave, në mbrojtje të negociatave. Blerim Shala aktualizon veten kur Kosova aktualizohet si kontest i pazgjidhur. Ca ditë më parë, Blerim Shala, i njohur si njeri me kulturë, si liberal i rreshkur, ka botuar një artikull krejt penalizues për këdo që guxon ta cënojë procesin e negociatave. Si negociator që është, për të parim udhëheqës është kompromisi. Ja si e ka filluar artikullin: “…a ka gjasa, a ka mundësi që temat dhe problemet kyq të shtrohen në mënyrë parimore, pa u dukur që po merr anë?” Profesioni është negociator, parimi është mungesa e pozicionimit. Blerim Shala shkon aq larg sa thotë se ai që dëshiron të protestojë duhet patjetër të marrë leje në polici. Jo Blerim, asnjëherë! Nuk do ta pyesim asnjë pushtet nëse duhet apo jo të demonstrojmë. Do të protestojmë sa herë që na e merr mendja. Edhe kur të jesh ti pjesë e koalicionit, aty do na kesh pa të pyetur. Kjo e drejtë është e garantuar nga Konventat Ndërkombëtare që shteti i Kosovës i ka sanksionuar të kenë përparësi mbi ligjet pozitive të vendit. Kjo veç sa për ta përkujtuar, edhe sikur mos të ishte kështu ne prapë do të protestonim. E drejta për të protestuar është sanksionuar ndërkombëtarisht jo nga dashamirësia e burokratëve si Blerim Shala, por nga përpjekjet e popujve përgjatë historisë kundër regjimeve shtypëse. Shala shkon më tutje, ai na vendos përpara zgjedhjeve, ose duhet pranuar në tërësi shteti i Kosovës, me të gjitha problemet e tij, ose je tërësisht jashtë ligjit. Nëse duhet pranuar shteti i Kosovës kështu siç është, atëherë cili është qëllimi i projekteve politike? Për Blerim Shalën dallimi midis forcave politike konsiston tek efikasiteti i politikave (të njejta) por jo tek përplasja e koncepteve (të ndryshme). Ne themi se përparimi kalon përmes mospajtimeve. Blerim Shala na thotë ne nuk mund të thirremi në mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës sepse e kemi në program zhdukjen e tij. Po Blerim, pikërisht ashtu është. Ne e duam shtetin e Kosovës, pikërisht sepse e duam edhe zhdukjen e tij. Mohimi për ne ka dimension krijues. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë për ne është momenti më sovran i shtetit të Kosovës. Ky bashkim duhet parë jo si shkatërrim por si realizim deri në tejkalim të projektit të Kosovës shtet. Ky realizim është momenti i referendumit, kur populli vendos për shtetin. Si të thuash, Kosova është më shumë sovrane, ditën kur mund të vendosë për zhbërjen e saj.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: